RREGULLI I KATËRT
Një parim tjetër, të cilit duhet t’i përmbahemi, është urdhri që na jep Allahu në këtë ajet: ‘Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut dhe mos u përçani!’[18]
Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka shpjeguar këtë ajet duke thënë: ‘Ju e keni për detyrë të jeni të bashkuar me xhematin dhe ruajuni përçarjes.’ [19] Po kështu, edhe në një hadith tjetër, Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: ‘Bashkësia është mëshirë, ndërsa përçarja është ndëshkim’ [20]
Përçarja me të gjitha llojet e saj: në opinione, në fjalë dhe në vepra, është ndëshkim, një ndëshkim, me të cilin Allahu dënon ata që i kanë devijuar urdhrit të Tij dhe nuk kanë ndjekur udhëzimin e Tij.
Për këtë arsye, ai që i përmbahet xhematit të Ehli-Sunetit dhe pason imamët e dijetarët e tyre, i është përmbajtur xhematit. Ai që ndahet prej tyre, nuk ka siguri se nuk do të bëhet pjesë e përçarjes dhe se nuk do të vuajë ndonjë formë ndëshkimi të Allahut në këtë botë.
E lusim Allahun e Lartësuar që të na ruajë ne dhe vëllezërit tanë, nga kjo e keqe!
Profeti tha: ‘Bashkësia është mëshirë, ndërsa përçarja është ndëshkim.’ Bashkësia në të gjitha format dhe karakteristikat e saj, nëse kapet pas udhëzimit dhe së vërtetës është mëshirë, mëshirë me të cilën Allahu mëshiron robërit e tij. E përçarja është ndëshkim, s’ka të mira nga përçarja, prej saj kurrë nuk vijnë të mira. Ndaj edhe Allahu pasi përmendi ajetin: ‘Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut dhe mos u përçani!’ e vijoi me ajetin tjetër që thotë: ‘Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.’ Dhe më pas tha: ‘Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.’
Por për ata që janë përçarë me fjalë dhe me vepra, pasi iu kanë ardhur atyre prova të qarta dhe udhëzimi, nuk ka siguri se nuk do të devijojnë, nuk ka siguri se nuk do të kenë mosmarrëveshje, nuk ka siguri se nuk do të dalin nga rruga e drejtë. Ndaj është e domosdoshme që t’i përmbahemi bashkësisë së pasuesve të Sunetit dhe Xhematit dhe fjalëve të tyre dhe të mos u largohemi parimeve dhe rregullave të tyre dhe gjithçka kanë përcaktuar dijetarët e Sunetit dhe Xhematit. Këta dijetarë i njohin bazat e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit dhe shumë argumente fetare, të cilat shumë nga njerëzit që pretendojnë se i dinë, nuk i dinë. Kjo, sepse këta dijetarë, dijen e kanë të qëndrueshme, vlerësimet e sakta dhe kanë mençuri e përvojë të madhe.
Shiko se çka bërë Abdullah ibn Mes’udi (radijallahu anhu)! A e di se çka bërë kur ka qenë në Haxh me Othmanin (radijallahu anhu)?
Othmani e falte namazin të pashkurtuar, në Mina falte katër rekatë, e ndërsa sunnet është të falen të shkurtuara namazet me katër rekatë, pra, me nga dy rekatë. Por Othmani sipas një mendimi të tij të interpretuar fetarisht, falte katër dhe Ibn Mes’udi thoshte: Sunneti i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) është që të falen në Mina dy rekatë për çdo namaz katërsh dhe jo ndryshe.
– Ibn Mes’udit iu drejtuan dhe i thanë: Ti e thua këtë, ndërkohë që ti falesh mbas Othman ibn Afanit me katër rekatë?! Pse e bën këtë?!
– Ai i tha: O ti njeri! Kontradikta është e dëmshme.[21]
Dhe kjo, sepse njerëz të tillë si ata, i kishin kuptuar drejt parimet dhe rregullat, të cilat nëse dikush i shkel, nuk ka siguri se nuk do të bëhet vetë pre e fitnes dhe nuk do të tërheqë edhe të tjerët nga pas.
Ibn Mes’udi tha: ‘Kontradikta është e dëmshme.’
Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh
U zbardh nga kaseta në letër nga Ekrem ibn Serdar Shejh – më 22/5/1411.h (9/12/1990 e.s)
Përshtati në shqip me disa shkurtime: Hoxhë Justinian Topulli, Tiranë – jtopulli.wordpress.com
VAZHDON…
_______________________________________
[18] Sure Ali Imran:103.
[19] Transmeton Tirmidhiu, Ahmedi dhe është sahih.
[20] Transmeton Abdullah ibn Ahmed në Zeuaid Musned dhe është sahih, shih Es-sahiha nr.667.
[21] Transmeton Ebu Daudi dhe është sahih.