BallinaAKTUALEAnalizaPj. 7 - Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në...

Pj. 7 – Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh (Rregulli i gjashtë)


RREGULLI I GJASHTË


Për fjalët dhe veprat në situata fitnesh ka norma dhe rregulla të caktuara. Jo çdo fjalë që të duket e bukur duhet thënë dhe jo çdo vepër që të duket e mirë duhet vepruar, sepse në situata fitnesh si nga fjalët dhe veprat e tua do rrjedhin pasoja të tjera.

Ndaj nuk është habi që Ebu Hurjera (radijallahu anhu) thoshte: ‘Nga i Dërguari i Allahut kam marrë dy dije: Të parën e kam shpërndarë, ndërsa tjetrën nëse do ta shpërndaja do të ishte prerë ky gurmaz’ [30]

Dijetarët për këto fjalë të Ebu Hurejrës se do të ishte prerë ky gurmaz, kanë thënë se ai ka fshehur disa hadithe që flasin për fitnet dhe hadithe që flasin për Beni Umejen dhe të ngjashme me to. Ebu Hurejra i tha këto fjalë në kohën Muauijes (radijallahu anhu) dhe njerëzit në atë kohë i ishin bashkuar Muauijes pas përçarjes dhe luftërave që kishin pasur.

Ebu Hurjera fshehu disa hadithe, pse?! Ato janë thënie të Profetit, pse ai duhet t’i fshihte ato? Këto hadithe nuk kishin të bënin me norma të fesë, por me diçka tjetër. Megjithatë pse ato duhet të fshiheshin? Shkaku ishte që ato mos të bëheshin fitne për njerëzit. Ebu Hurejra nuk tha: hadithet janë hak dhe nuk lejohet që dija të fshihet, përse? Arsyeja është se koha kur Ebu Hurejra i tha këto fjalë e kërkonte një gjë të tillë, që njerëzit të mos përçaheshin pas vitit të bashkimit kur ata u mblodhën nën udhëheqjen e Muauijes.

Abdullah ibn Me’udi (radijallahu anhu) thotë: ‘Nëse do tu tregosh njerëzve diçka që nuk e kuptojnë, për disa prej tyre ajo do të bëhet fitne’[31]

Njerëzit jo të gjithë i kuptojnë fjalët siç duhet dhe sidomos në rast fitnesh, ata mund të dëgjojnë fjalë që nuk ua kap mendja si duhet dhe në bazë të asaj gjëje që e kuptojnë gabim krijojnë bindje dhe besime të gabuara, apo edhe bëjnë veprime të pakontrolluara dhe thonë fjalë që nuk duhen thënë dhe që kanë përfundime jo të mira. Të parët (selefët) për një arsye të tillë e kanë praktikuar shpesh këtë gjë.

Kemi shembullin e Hasan Basriut i cili e kritikoi Enes ibn Malikun (radijallahu anhu) kur ai i tregoi Haxhaxh ibn Jusufit hadithin që fliste për dënimin e uranijinëve.[32] Ai i tha Enesit: Pse ia tregon Haxhaxhit këtë hadith?!

Hasani ia tha këtë Enesit sepse Haxhaxhi ishte njeri i etur për gjak, e ai me këtë hadith ndoshta do të justifikonte veprimet e tij, ndaj një hadith i tillë nuk duhej t’i tregohej Haxhaxhit që ai të mos gjente me mendjen e tij – që nuk e kishte në rregull- justifikim fetar që të mbështeste gjëmat që ai bënte. E pra kjo dije dhe ky hadith do të kuptohej në mënyrë të gabuar nga ana e Haxhaxhit.

Hasani e kritikoi Enesin ndërkohë që Enesi ishte sahab i Profetit për hadithin që ai i tregoi Haxhaxhit, dhe Enesi u bë pishman pse ia tregoi këtë hadith atij.

Po kështu edhe Hudhejfe ibn Jemani, që para Ebu Hurejrës, i fshehu disa hadithe që kishin të bënin me fitnet, sepse e pa që njerëzit nuk kishin nevojë për to.

Edhe imam Ahmedit nuk i pëlqente të tregonte për hadithet ku përmendet dalja kundra pushtetit dhe madje dha urdhër që ato të hiqen nga libri i tij Musnedi, dhe tha: ‘Nuk vjen gjë e mirë nga fitnja, nuk vjen gjë e mirë nga dalja (kundra pushtetit)’ [33]

Ebu Jusufi gjithashtu nuk i pëlqente të tregonte hadithe të panjohura, të çuditshme dhe të pa dëgjuara nga njerëzit.

Edhe imam Malikut gjithashtu nuk i pëlqente të tregonte disa hadithe ku përmendeshin disa prej cilësive të Allahut.

E rëndësishme nga kjo që thashë është se në raste fitnesh jo çdo gjë që dihet thuhet dhe jo çdo gjë që thuhet mund të thuhet në çdo kohë.

Fjalët duhet të kontrollohen sepse ti nuk e di seç mund të shkaktoj fjala jote, mendimet apo opinionet e tua.

Të parët (selefët)- Allahu i mëshiroftë- dëshironin të ishin të ruajtur në rast fitnesh, ndaj dhe kanë heshtur për shumë gjëra që të ruanin fenë e tyre dhe ta takonin Allahun të pastër dhe të ruajtur nga fitnet.

Po kështu transmetohet se Sad ibn Ebi Uekasi (radijallahu anhu) kur i biri i foli për diçka që duhet të bënte në kohën e fitnes, ai i tha: Ore ti! Çfarë do që unë të bëhem kreu i fitnes?! Jo, jo pasha Allahun!

Siç shihet Sadi nuk donte që as ai dhe as i biri të bëheshin pjesë e fitnes, qoftë edhe me një fjalë apo veprim edhe nëse do t’i dukej i mirë, sepse përfundimi mund të mos ishte i mirë.

Njerëzit duhet t’i peshojnë gjërat me peshoren e saktë të fesë, që të ruhen dhe mos bien në gabime. Pra si fjalët ashtu dhe veprat duhet të jenë të kontrolluara në bazë të rregullave të fesë, sepse jo çdo gjë që mund të jetë e lavdëruar në një kohë të caktuar e tillë është edhe në kohë fitne, sidomos kur fjalët dhe veprat nuk kuptohen ashtu siç duhet.

Profeti (salallahu alejhi ue selem) i tha Aishes: ‘Sikur populli yt të mos kish qenë kaq pranë kohës së kufrit; do ta kisha shembur Qaben dhe do ta kisha rindërtuar mbi themelet e Ibrahimit dhe do t’i kisha bëra asaj dy dyer’ [34]

Profeti (salallahu alejhi ue selem) pati frikë se mos kurejshët që sapo ishin bërë musliman do ta keqkuptonin veprimin që do të bënte Profeti duke e prishur dhe rindërtuar Qaben në themelet e Ibrahimit e duke i bërë asaj dy dyer, një nga e cila do të hynin dhe nga tjetra do të dilnin, se ai ndoshta me këtë donte tu mburrej atyre apo se ndoshta ai donte tu zhdukte atyre fenë e tyre që patën trashëguar nga Ibrahimi apo edhe ndonjë arsye tjetër, për këtë edhe Profeti e la këtë gjë dhe nuk veproi.

Vetë Buhariu në një kapitull të librit të tij argumentohet me këtë hadith duke e quajtur këtë kapitull: ‘Ai që e lë diçka të zgjedhur nga frika se njerëzit nuk e kuptojnë ashtu siç duhet dhe bien në një pozitë më të keqe’ Siç shihet edhe nga ky titull kemi të bëjmë me gjëra që mund të zgjidhen ose të lihen, por për shkak të frikës së keqkuptimit ato lihen. Dhe nën këtë titull Buhariu përmendi hadithin e mësipërm.

Nga gjithë sa përmendëm nxjerrim se: patjetër duhet përdorur arsyetimi logjik dhe të kuptohen si duhet situatat që kalojmë. Nxitimi dhe ngutja janë gjëra të shëmtuara. Kush të detyron ty që në situata fitnesh të flasësh atë që të duket e drejtë në çdo takim që bën apo me çdo njeri që njeh e nuk njeh?!

Të vërtetën dhe të drejtën e sqarojnë dijetarët e Sunnetit dhe Xhematit. Nëse ti ke ndonjë mendim apo ide tënden paraqitua atyre dhe nëse ta pranojnë; mirë, nëse jo; e ke larguar përgjegjësinë që ke nga vetja dhe nuk ke arsye për tua shfaqur mendimet e tua muslimanëve të thjeshtë.


Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

U zbardh nga kaseta në letër nga Ekrem ibn Serdar Shejh – më 22/5/1411.h (9/12/1990 e.s)

Përshtati në shqip me disa shkurtime: Hoxhë Justinian Topulli, Tiranë – jtopulli.wordpress.com


www.islamifejaevertete.com

VAZHDON…


_______________________________________

[30] Transmeton Buhari.

[31] Transmeton Muslimi.

[32] Krahinë nga vinin këta njerëz.

[33] Bëhet fjalë kur qeveria apo pushteti i një vendi është islam, dhe pavarësisht nga gabimet që ka përderisa nuk del nga feja nuk lejohet që të ngresh krye kundra tij. (sh.përkth)

[34] Transmeton Buhari.

Must Read