BallinaAKTUALEAnalizaPj. 8 - Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në...

Pj. 8 – Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh (Rregulli i shtatë)


RREGULLI I SHTATË


Allahu ka urdhëruar që të përkrahim dhe mbështesim besimtarët dhe në veçanti dijetarët.

Besimtarët dhe besimtaret ashtu siç thotë edhe Allahu janë miq dhe mbështetës të njeri-tjetrit. Çdo besimtari i takon dhe i del si detyrë që t’i dojë besimtarët dhe t’i ndihmojë ata dhe të mos tallet me ta, aq më tepër kur këta besimtarë janë ndihmëtarët e fesë së Allahut, kur këta besimtarë janë ata të cilët u sqarojnë njerëzve hallallin dhe haramin, të drejtën dhe të kotën. Nuk lejohet që dijetarët të përmenden për keq. Ato takime ku dijetarët nuk përmenden për mirë ato janë takime të këqija. Përse? Sepse dijetarët janë trashëgimtarët e Profetëve, dhe Profetët nuk kanë lënë trashëgimi as dinar e as dirhem, por kanë lënë trashëgimi dijen. Dhe kush ka marrë prej saj, vërtetë që ka marrë një hise të bollshme. Kush i nderon dhe i respekton dijetarët dhe ndjek fjalët e dijetarëve të Sunnetit dhe Xhematit, dijetarët e teuhidit, padyshim që një njeri i tillë ka marrë prej trashëgimisë profetike dhe nuk e ka lënë këtë trashëgimi profetike vetëm për të tjerët.

Dijetarët të cilëve u merren fjalët dhe duhen janë ata që kanë këto karakteristika:

E para: Ata janë imamët e Sunnetit dhe Xhematit në kohën e tyre, imamët e teuhidit, atyre të cilëve u merren fjalët për bazë në kohën e tyre.

E dyta: Ata janë të pajisur me dije të gjithanshme në njohjen e normave të fesë. Ata njohin jurisprudencën islame (fikhun) me të gjithë kapitujt e tij, njohin parimet e fesë, rregullat praktike të jetës. Ata i kanë çështjet të qarta dhe nuk u ngatërrohen ato njëra me tjetrën.

 

Këtu dua të përmend një çështje të rëndësishme në të cilën kanë gabuar shumë njerëz. Disa njerëz kanë thënë: Dijetarët tanë në këtë kohë nuk e kuptojnë realitetin! Madje ka prej atyre që thonë se nga këto gjëra që kanë ndodhur dhe nga këto situata që kanë kaluar kemi dalluar se cilët prej dijetarëve e kuptojnë realitetin dhe në bazë të tyre përcaktojnë edhe vendimet fetare dhe cilët jo!

Këto nuk janë fjalë të peshuara mirë dhe tregojnë se ai që i thotë këto nuk e kupton se ku bazohen normat e fesë dhe sesi gjykojnë dijetarët për të dhënë një gjykim të caktuar.

Për dijetarët të kuptuarit e realitetit ndahet në dy lloje

Lloji i parë: Të kuptuarit e realitetit mbi të cilin bazohet një gjykim fetar. Kjo është diçka e domosdoshme, sepse nëse një njeri gjykon për një çështje pa e kuptuar realitetin e saj; ai ka gabuar. Nëse njohja e një realiteti të caktuar ka të bëjë edhe me e dhënien e gjykimit atëherë patjetër që duhet njohur dhe kuptuar ky realitet.

Lloji i dytë: Realitet i cili nuk ka asnjë lloj ndikimi në gjykimin fetar. Në realitet mund të kenë ndodhur shumë gjëra…kështu e ashtu…histori pa fund. Por të gjitha këto nuk kanë asnjë ndikim në gjykimin e fesë për diçka të caktuar. Në këtë rast dijetarët nuk i marrin parasysh këto gjëra edhe sikur t’i njohin dhe kuptojnë ato. Jo për çdo situatë që njihet ndryshon edhe gjykimi fetar.

Do tu jap disa shembuj për të dyja rastet që të kuptohen më mirë:

Për rastin e parë kur të kuptuarit e realitetit shërben si bazë për dhënien e një gjykimi fetar:

Për shembull kur gjykohet se një njeri ka vdekur, me pushimin e zemrës apo me vdekjen e trurit?

Kjo është një çështje bashkëkohore dhe nëse dikush do të flasë pa e njohur realitetin e kësaj gjëje padyshim që do të gabojë në gjykim. Gjykimi fetar i kësaj gjëje është i lidhur me të kuptuarit e këtij realiteti.

Shembull tjetër: Gjykimi ndaj një shteti nëse ai është shtet islam apo jo? Si mund të gjykoj mbi një shtet nëse ai është islam ose jo pa njohur më parë realitetin e tij?!

E pra është e domosdoshme që një dijetar të nxjerrë një gjykim fetar për këtë gjë duhet më parë të njoh këtë realitet.

Shembull tjetër: Kemi shumë grupime dhe xhemate islamike të ndryshme që veprojnë sot në terren. Ato ndryshojnë nga njëra-tjetra, dhe a mundet që një dijetar i fesë të gjykojë për to apo t’i vlerësojë pa i njohur më parë mirë ato? Çfarë besimesh kanë? Çfarë baza dhe metodologji përdorin? Çfarë mendime dhe ide kanë? E të tjetra si këto…

E pra është e pamundur që dijetari të japë një vlerësim të drejtë për këtë gjë pa njohur dhe kuptuar më parë realitetin që ka të bëjë me këtë gjë. Siç kuptohet gjykimi në këtë rast është i lidhur ngushtësisht me njohjen dhe kuptimin e realitetit, ndryshe gjykimi do të jetë i gabuar.

Rasti i dytë kur njohja e realitetit nuk ka asnjë ndikim në gjykimin fetar përkatës. Për shembull: ajo që i tregohet gjykatësit kur ka përplasje ndërmjet dy palëve. Secila palë fillon të tregojë para gjykatësit çdo gjë që i ka ndodhur me palën tjetër, por jo e gjithë historia që ata tregojnë ka vlerë për gjykatësin. Ajo është një realitet, por gjykatësi nuk e merr atë për bazë pasi ajo nuk ka asnjë vlerë për gjykimin që ai do të japë. Ndaj edhe një dijetar që jep fetva apo një gjykatës u drejtohen njerëzve duke iu thënë: Nëse ka ndodhur kështu, nëse është kështu…etj, çka do të thotë se ai realitet që përmende nuk ka asnjë lidhje me gjykimin fetar për këtë çështje.

Shembull tjetër: Në ditët e sotme ne shohim se shumë prej thirrësve që kanë një moshë relativisht të madhe përzihen me ata më moshë më të vogël në ambiente të ndryshme duke dashur t’i mësojnë dhe udhëzojnë ata në atë që është më e mira. Por, ne e dimë se ndodh që nga kjo përzierje e të mëdhenjve me të vegjlit të kemi gjëra negative, madje edhe të ndaluara. Kjo njohje që ne kemi për këtë realitet nuk na shtyn që ne të gjykojmë se kontakti dhe përzierjet që kanë të vegjlit me të mëdhenjtë nuk lejohet. Pra njohja e këtij realiteti negativ nuk ka ndikim në gjykimin që u dashka dhënë në këtë rast se të madhit nuk iu lejuaka të mësojë dhe udhëzojë të voglin!

Por njohja e këtij realiteti ka diçka tjetër, ajo ka të bëjë me këshillën që i duhet dhënë atij që ka gabuar apo ka kryer diçka të ndaluar, të këshillohet që të pendohet. Realiteti në këtë rast nuk ka ndikim në ndonjë gjykim të caktuar, por njohja e tij ka vlerë për këshillën që duhet t’i japim atij që ka gabuar, që ai të mos bjerë më në një gabim të tillë që nuk i pëlqen Allahut të madhëruar.

Një shembull tjetër që ka rëndësi: Ka disa norma fetare ndaj të cilave njerëzit kanë bindje të gabuara. Si për shembull dihet me saktësi se Profeti (salallahu aleji ue selem) ka urinuar në këmbë. Të veprosh në një mënyrë të tillë duke ruajtur trupin dhe veshjen nga papastërtitë është diçka e lejuar, sepse Profeti e ka vepruar diçka të tillë. Por njerëzit e padijshëm besojnë se ai që vepron kështu ka vepruar gabim dhe se kjo nuk i takon ta bëjë një musliman…e të tjera si këto.

Kjo bindje e këtyre njerëzve të paditur nuk do të thotë se gjykimi nuk është i saktë dhe se nuk duhet vepruar me të, pasi diçka e tillë është e lejuar dhe për këtë nuk ka dyshim. Gabimi qëndron te psikoza e të paditurve dhe ky gabim dhe çdo gabim tjetër që vjen si rezultat i mos dijes së njerëzve, ilaçin e ka te të mësuarit e këtij të padituri dhe jo që dijetari të ndryshojë gjykimin e saktë fetar për këtë çështje.


Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

U zbardh nga kaseta në letër nga Ekrem ibn Serdar Shejh – më 22/5/1411.h (9/12/1990 e.s)

Përshtati në shqip me disa shkurtime: Hoxhë Justinian Topulli, Tiranë – jtopulli.wordpress.com


www.islamifejaevertete.com

VAZHDON…

Must Read