BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiPorosi mbi shfytëzimin e dhjetë ditëve të Dhulhixhes

Porosi mbi shfytëzimin e dhjetë ditëve të Dhulhixhes

Vlera e dhjetë ditëve të Dhulhixhes

Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ata dy!) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk ka ditë që puna në to është më e dashur tek Allahu se sa këto ditë (dhjetë ditët e Dhulhixhes).” I thanë: “O i Dërguari i Allahut, as xhihadi (lufta në rrugën e Allahut) nuk është më i vlefshëm?” Tha: “As xhihadi në rrugën e Allahut, përveçse nëse njeriu del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë mbrapa (vritet në rrugën e Allahut).”

Prej veprave që duhet t’i kushtojmë rëndësi në këto ditë janë:

Kryerja e haxhit dhe umres. Kjo është ndër veprat më të mira në këto ditë, ku për këtë argumentojnë shumë hadithe, prej tyre është edhe hadithi: “Umreja prej umres i shlyen mëkatet që janë në mes tyre”. “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveçse xhenetin.”

Agjërimi i këtyre ditëve apo sa të kesh mundësi prej këtyre ditëve. Ndërsa duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë agjërimit të ditës së Arafatit. Bazuar nga hadithi i të Dërguarit të Allahut të cilin shënon Muslimi nga Ebi Katade se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit llogaritet tek Allahu që të shlyej mëkatet e vitit para saj dhe pas saj.”

Pendimi i sinqertë dhe largimi prej mëkateve. Ta bëjë këtë në mënyrë që punët që bëhen në këto ditë të jenë shkak i faljes dhe mëshirës së Allahut, sepse mëkatet njeriun e largojnë nga falja dhe mëshira e Allahut. Në hadithin që transmeton Ebu Hurejre thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu është xheloz, ndërsa xhelozia e Allahut është që njeriu të vijë me atë që Allahu ia ka ndaluar.” Buhariu dhe Muslimi.

Shpeshtimi i veprave të mira, siç janë: namazi, lëmosha, xhihadi, leximi i Kuranit, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga të këqijat dhe punët e tjera për të cilat rritet shpërblimi në këto ditë.

Prerja e kurbanit në ditën e parë të Bajramit apo ditët e tjera të Bajramit. Kjo është një traditë e babait tonë Ibrahimit alejhi selam, kur Allahu ia zëvendësoi birin e tij që deshi ta bëjë kurban me një kurban të madh (dash). Është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut se ai ka ther dy kurbane të bukur me brirë, i preu me dorën e tij, bëri bismilah dhe tha Allahu ekber dhe vendosi këmbën e tij mbi faqen e tyre. Buhariu dhe Muslimi.

Shënon Muslimi nga Umu Selem se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse e shihni hënën e muajit Dhulhixhe dhe dëshiron dikush prej jush të therë kurban, mos t’i prek flokët e tij dhe thonjtë e tij.” Ndërsa në një transmetim tjetër: “Mos të marrë asgjë prej flokëve të tij dhe prej thonjve të tij, gjersa të therë kurban.” Dhe kjo ndalesë përfshin pronarin e kurbanit e nuk i përfshin gruan, fëmijët, përveç nëse ka dikush prej tyre kurban të veçantë.

Muslimani duhet të kujdeset për kryerjen e namazit të Bajramit aty ku falet Bajrami dhe të prezantojë në hytben e Bajramit në mënyrë që të përfitojë prej saj. Gjithashtu ta dijë urtësinë e ligjësimit të kësaj feste se ajo është festë e falënderimit dhe vepër e mirë, e mos ta bëjë atë ditë sikur ditët e tjera apo ta bëjë atë sezon dhe festë me mëkate dhe me ndalesa që Allahu i ka ndaluar.

Shejh Abdullah b. Abdurrahman b. Xhibrin
Përktheu: Shaban Murati

Must Read