BallinaAKIDEAkide të ndryshmeQëllimi për të cilin Allahu i solli njerëzit dhe xhinët në ekzistencë

Qëllimi për të cilin Allahu i solli njerëzit dhe xhinët në ekzistencë

Nëse e ke kuptuar, o njeri i mençur, se Allahu është Zoti yt që të ka krijuar, atëherë dije se Ai nuk të solli në ekzistencë së koti, mirëpo te krijoi që ta adhurosh Atë. E argument që flet për këtë të vërtetë është vetë fjala e Zotit:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Kurani, 51:56-58)

Kuptimi i përgjithshëm i ajeteve:

Zoti i Lartë na tregon në ajetin e parë se Ai i krijoi xhinët dhe llojin njerëzor vetëm e vetëm që ta adhurojnë Atë.

Kurse në ajetin e dytë dhe të tretë, na tregon se Ai nuk ka nevojë për robërit e Tij dhe nuk kërkon nga ta furnizim e ushqim, ngase Ai është Furnizuesi i vetëm e i Plotfuqishëm, dhe se vetëm Ai u dërgon njerëzve dhe mbarë krijesave furnizim.

Kurse krijesat e tjera në Tokë, të cilat nuk e kanë aftësinë e mendimit dhe të ndërgjegjes, për to Zoti na tregon se i ka sjellë në ekzistencë për interesin e njeriut, që ai, me fuqinë e fituar, ta adhurojë Zotin, po edhe t’i trajtojë ato sipas ligjit të Tij. Secilën krijesë, lëvizje e qetësi në kozmos, Allahu e ka krijuar për një aksh urtësi, të cilën e ka sqaruar në Kuranin Famëlartë, e të cilën mund ta njohin edhe dijetarët e fesë, varësisht nga dija e tyre. Madje, edhe ymret, furnizimet, ngjarjet dhe fatkeqësitë e shumëllojta, të gjitha ndodhin në sajë të lejes së Tij, që kështu Ai t’i vërë në sprovë robërit e Tij të mençur. Pra, kush pajtohet me parapërcaktimin e Zotit, i dorëzohet Atij dhe përpiqet që me vepra të mira ta fitojë pajtimin e kënaqësinë e Tij, ai do të arrijë atë, po edhe lumturinë në këtë botë, si dhe në botën e mëtejme pas vdekjes. E kushdo që nuk pajtohet me parapërcaktimin e Zotit, nuk i dorëzohet, e s’i bindet Atij, ai do të merr hidhërimin e Tij, e do të mjerohet në të dy jetët, në atë të kësaj bote dhe në atë të mëtejmen. I përgjërohem Zotit që të na japë pajtimin e Tij dhe të mos zemërohet me ne.

/MIRSIM MALIÇI
“PSE KAM ARDHUR NË KËTË JETË?”/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read