JA SE SI VIHET BESIMI NË PROVË
Thotë i Madhëruari: “O ju që besoni! Kini frikë Allahun dhe hiqni dorë prej asaj që u ka mbetur nga kamata, nëse jeni besimtarë të sinqertë. Dhe ruajuni asaj dite kur do të ktheheni tek Allahu, kur secilit do t’i jepet e plotë ajo që ka fituar, pa iu bërë asnjë padrejtësi. Po në qoftë se tjetri është në gjendje të vështirë, atëherë afatizojeni, derisa të lehtësohet. Por, po t’ia falni, është shumë më mirë për ju, nëse e dini. E në qoftë se nuk e bëni këtë, atëherë dijeni se jeni në luftë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon malli juaj fillestar, se kështu nuk dëmtoni dhe as vetë nuk dëmtoheni.” El Bekare 179 – 181.
Shpjegimi i ajetit
Allahu u drejtohet besimtarëve me cilësinë e tyre të vyer: besimin. Për çfarë i porosit Allahu i Lartësuar besimtarët? Ai i porosit për të lënë kamatën, madje duke e konsideruar largimin prej saj si shenjë të besimit të tyre, kur thotë: “…hiqni dorë prej asaj që u ka mbetur nga kamata, nëse jeni besimtarë të sinqertë”. Ai përmend besimin e tyre, sepse vetëm besimtarët janë ata që e pranojnë këshillën e Zotit të tyre. Vetëm ata i nënshtrohen urdhrave dhe i zbatojnë dispozitat e Tij. Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët për devotshmëri, duke zbatuar dispozitat e Tij dhe duke ruajtur kufijtë e Tij. Prej dispozitave që duhen zbatuar për të qenë i sigurt nga ndëshkimi i Zotit, është edhe heqja dorë nga kamata, nëse ekziston ende një kontratë e tillë. Ndërsa kontratat e shkuara me kamatë janë të falura, nëse njeriu pendohet sinqerisht. Ndërsa ai që nuk pendohet pas këshillës së Zotit të tij dhe nuk i nënshtrohet urdhrit të Tij, atëherë ai i ka deklaruar luftë Zotit:
“E në qoftë se nuk e bëni këtë, atëherë dijeni se jeni në luftë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Ky njeri guxon të bëjë një zgjedhje të tillë, ndërkohë që është aq i pafuqishëm para Zotit të tij, që është i Plotfuqishëm e i Urtë. Ai vërtet e afatizon të padrejtin e kriminelin, por kur e ndëshkon, e ndëshkon ashtu siç i ka hije të Plotfuqishmit.
“Nëse pendoheni, atëherë ju takon malli juaj fillestar, se kështu nuk dëmtoni dhe as vetë nuk dëmtoheni.” Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali juaj fillestar, pa përfshirë fitimin nga kamata. Kështu nuk u bëni padrejtësi të tjerëve, duke mos u marrë shtesë mbi borxhin dhe të tjerët nuk ju bëjnë padrejtësi juve, duke mos iu dhënë më pak nga shuma e borxhit.
“Po në qoftë se tjetri është në gjendje të vështirë, atëherë afatizojeni, derisa të lehtësohet.”
Nëse borxhliu është ngushtë dhe nuk mundet që ta shlyejë borxhin, atëherë është detyrë për huadhënësin që ta afatizojë borxhliun, derisa ai të ketë mundësi për shlyerje.
“Por, po t’ia falni, është shumë më mirë për ju, nëse e dini.”
Pra, nëse bëni bamirësi duke ia falur të gjithë borxhin apo një pjesë të tij, kjo është një vepër e shkëlqyer.
“Dhe ruajuni asaj dite kur do të ktheheni tek Allahu, kur secilit do t’i jepet e plotë ajo që ka fituar, pa iu bërë asnjë padrejtësi.”
Ky është nga ajetet e fundit që janë shpallur prej Kuranit. Ai është një ajet madhështor, prandaj është përzgjedhur për të qenë mbyllja e dispozitave, urdhrave e ndalesave të ligjëruara nga Zoti i gjithësisë. Ky ajet është shumë i përshtatshëm për këtë mbyllje, sepse përmban premtimin për shpërblim dhe paralajmërimin për ndëshkim ndaj atyre që e meritojnë.
Ai që e di me siguri se do të kthehet te Zoti i tij, i Cili do ta marrë në llogari për çdo gjë që ka bërë, qoftë ajo e madhe apo e vogël, e shfaqur apo e fshehur, sepse Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë, atëherë një njeriu të tillë do t’i mbushet zemra me ndjenja devotshmërie, me frikë dhe me shpresë. Nëse zemra e robit nuk i ka këto njohuri, atëherë nuk ka asnjë mundësi që ajo të mbushet me të tilla ndjenja të mrekullueshme, të cilat i përjeton vetëm adhuruesi dhe askush tjetër.
Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli