Kur flasim për Imam Buhariun duhet të dimë se ai është një nga njerëzit më të ditur në tokë në shkencën e hadithit.
Ibn Huzejme thotë:
“Nuk ka njeri nën qiell më të ditur në hadith sesa (Imam) Buhariu.”
Dituria nuk mund të merret vetëm nga një mësues. Kjo ishte e qartë për Imam Buhariun, kështu që ai udhëtoi mijëra kilometra në kërkim të specialistëve të disiplinave të caktuara shkencore për të zgjeruar njohuritë e tij.
Muhamed b. Ebi Hatim citon Imam Buhariun në lidhje me mësuesit e tij:
“Kam regjistruar (hadithe) nga një mijë e tetëdhjetë persona, të gjithë ata ishin dijetarë të hadithit.”
Sijeru e’alamin-nubela.
Kjo do të thotë se ai kishte mbi një mijë mësues, e vetëm në këtë mënyrë largohet pasimi i verbër dhe i fitohet dija.
Nga gjithë ata dijetarë, Ali b.el Medini kishte ndikimin më të madh te Imam Buhariu, për të cilin Imami ka thënë:
“Unë kurrë nuk jam konsideruar inferior në praninë e të tjerëve, përveç në praninë e Ali b.el-Medinit”.
Tedhkiretu-l-huffadh.
E lusim Allahun e Madhëruar që ta ketë mëshiruar Imam Buhariun, mësuesin e tij Ali b.el-Medinin dhe gjithë mësuesit e tjerë të tij!
Hoxhë Irfan Salihu