BallinaAKIDEAkide të ndryshmeSelefët, selefizmi dhe selefinjtë

Selefët, selefizmi dhe selefinjtë


Selefët, selefizmi dhe selefinjtë [1]

Shkruan: Lulzim Susuri


Kohëve të fundit ka shumë spekulime, keqkuptime, mosmarrëveshje armiqësi dhe paragjykime karshi termit: Selefi, selefizëm dhe selefinjë. Njerëzit duke mos pasur punë me çfarë të merren dhe shpesh duke u prirë epshi pse jo edhe shejtani rrinë duke i fryrë zjarrit nga të gjitha anët. Sa prej tyre mundohen këtë term ta shenjtërojnë, të tjerët ta nënçmojnë, dikush ta fusë në radhët e sekteve të veçanta dhe duke i krahasuar me: Rafidat, Xhehmijtë, Ibadijtë, e ku ta di unë çfarë, por për fat të keq pati të atillë që emërtimet e tilla i nxorën nga vet Islami. Pra kjo shprehje ka mbetur mes fanatikut dhe armikut, mes atij që e konsideron çdo gjë dhe atij që poshtëron pa fund. Është duke ndodhur luftë për këtë term, duke menduar se nuk kanë myslimanët me çfarë të merren vetëm me të.

Duke parë atë që po zhvillohet në skenë arrijmë të vërejmë se njëri nga shkaqet e kësaj armiqësie të palëve mes vete, si asaj që mbron këtë emër ashtu edhe asaj që armiqëson, është mosnjohja e kuptimeve të tij, mos pasja informata nga referenca apo lira ku ata do të mësonin më shumë rreth saj, por zakonisht informacionet që i kanë janë gojëdhëna, informata të tryezave, thashetheme rrugësh, etj.

Për të qenë sa më të saktë të gjitha palët karshi kuptimeve të këtyre termeve u mundova ta përgatis këtë shkrim përmes të cilit shpresoj që Allahu t’ia hapë zemrat dhe mendjet e gjithsecilit e të afrohen myslimanët duke mos pasë nevojë të vazhdojnë të merren me njëri-tjetrin por t’i kthehen Zotit të tyre me adhurim dhe të merren me gabimet e veta.


ÇDO TË THOTË FJALA “SELEF “?


Në gjuhën arabe “selef” do të thotë dikush që është para të tjerëve në kohë, apo paraardhës.


Kush janë “Selefët”?


Sipas dijetarëve të Islamit selefët janë tri gjeneratat e para të këtij umeti për të cilat Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka dëshmuar se janë gjeneratat më të mira të të gjitha kohërave. Hadithin që fletë për këtë çështje e transmeton Imran ibën Husejni, radij-allahu anhu, i cili në fund të hadithit thotë: “Nuk e di Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, a përmendi dy shekuj pas gjeneratës së tij apo tre”[2]

Kjo shprehje është e vjetër tek dijetarët të cilët e përdorën nëpër fjalët dhe shkrimet e tyre   gjithashtu ata e cekin edhe sot, p.sh; Buhariu e ceki në disa vende në “Sahihun” e tij, Ibën Tejmie, Dhehebiu, Ibën Haxheri, Albani, Ibën Bazi, etj. Allahu i mëshiroftë të gjithë.



Ç’ËSHTË SELEFIZMI?


Selefizmi është emër pas të cilit qëndron metodologjia e cila thërret në pasim të Kuranit dhe Sunetit dhe në kuptimin e këtyre dy bazave të fesë ashtu si i kanë kuptuar tri gjeneratat e para të muslimanëve e edhe  dijetarët pas tyre për të cilët ka dëshmuar Umeti se janë të mirë.


Çka do të thotë ky pasim?


1- Pasimi i Kuranit arrihet me lexim, mësim përmendësh, meditim, të punuar me të dhe kthim tek ai për çdo problem.


2- Pasimi i sunetit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, arrihet duke e marrë vetëm të saktin prej tij e hadithet e dobëta duke i lënë anash, mësimi i tij përmendësh, kuptimi dhe të punuarit me të si dhe kthimi për çdo mosmarrëveshje tek ai për të gjetur sqarim.

Allahu thotë: “E nëse ju përçaheni mes vete për ndonjë çështje atëherë kthehuni për të tek Allahu dhe i Dërguari i tij (pra tek Kurani dhe Suneti) S.Nisa,59.


3- Baza e tretë është ajo e cila e dallon menhexhin e selefit nga menhexhet tjera.

Të gjithë pretendojnë dhe dëshmojnë se punojnë me  Kuran dhe Sunet si dhe i pasojnë këto dy baza, e padyshim ti askund në botë nuk mund të gjesh njeri e as grupacion i cili i thotë vetes muslimanë e të mos pretendojë një gjë të tillë (përveç Ahmedive-kuranijunëve që mjaftohen me Kuran). Por me bazën e tretë për të cilën jemi duke folur këto metoda dallohen nga ajo selefite e cila është: “Të kuptuarit dhe sqarimi i Kuranit dhe Sunetit sipas kuptimit dhe sqarimit të tri gjeneratave të para të muslimanëve si dhe të dijetarëve pas tyre për të cilët ka dëshmuar Umeti se janë të mirë. E kjo bëhet për shkak se ato gjenerata ishin më të ditur se të gjithë njerëzit që vijnë pas tyre po ashtu edhe mendimet e tyre ishin më të sakta (Ata ishin “ealem ve ahkem-ishin më të ditur dhe më praktikues apo pasues të mësimeve”).

Në fillim të tyre ishin sahabët të cilët nga goja e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, e mësonin fenë, ishin prezent në zbritjen e shpalljes nga qielli, i dinin më së miri shkaqet e zbritjes së çdo ajeti, dhe e njihnin më së miri gjuhën arabe, e mjafton lëvdat për ta se Allahu i zgjodhi nga mbarë njerëzimi që të ishin shokë të Dërguarit të Tij, nxënës dhe ndihmës të Pejgamberit, vdiqën duke qenë Allahu i kënaqur me ta si dhe ata të kënaqur me Zotin e tyre, po ashtu vdiq Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i kënaqur me ta.

Ashtu edhe gjenerata pas sahabëve ishte e mirë sepse mësues i kishin nxënësit e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe në kohërat e tyre fitnet ishin më të pakta dhe të vogla. E me kalimin e kohës problemet filluan të shtohen, dijetarët të vdesin dhe me ta së bashku pakësohej edhe dituria gjë që vazhdoi deri në kohët tona.

Allahu për këto gjenerata të para dhe për pasuesit e tyre thotë: “Me ata të cilët të parët përqafuan Islamin nga Muhaxhirët dhe Ensarët si dhe ata që i ndoqën besnikërisht këta –dy grupe njerëzish- me këta njerëz Allahu është i kënaqur dhe ata janë të kënaqur me Të”[3]

Allahu gjithashtu thotë: “Ai i cili e kundërshton Pejgamberin, pasi i është bërë i qartë udhëzimi dhe pason rrugë tjetër pos asaj të besimtarëve e lëmë në atë që ka pasuar dhe e dënojmë me xhehenem, e sa vend i keq është ai”[4]


Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Umeti im do të përçahet në shtatëdhjetë e tri grupe, të gjitha në zjarr përveç njërës. Shokët e tij thanë: cila është ajo o i Dërguar i Allahut ? Tha: “Ata të cilët e pasojnë udhëzimin tim dhe të sahabëve të mi” [5]

Përmendëm më lartë se dallimi mes selefijve dhe grupacioneve Islame nuk është se të tjerët nuk e pasojnë Kuranin apo Hadithin, përkundrazi të gjithë pretendojnë një gjë të tillë dhe thërrasin në të, por ajo që e dallon metodën selefite nga të tjerët është se këta të parët i kuptojnë fjalët e Allahut dhe të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve selem, sipas kuptimit të sahabëve dhe dy apo tri gjeneratave të mira pas tyre si dhe të dijetarëve eminent për diturinë e të cilëve kanë dëshmuar mbarë bota siç janë Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Ahmed ibën Hambeli, Buhariu, Muslimi, etj.

Kurse metodat tjera (edhe pse thërrasin në Kuran dhe Sunet) por dallimi është se nuk thërrasin në këtë mënyrë të kuptimit të argumenteve fetare (sipas kuptimit të gjeneratave të para-selefit) por mundohen t’i kuptojnë ashtu siç ata dëshirojnë apo ashtu siç ua merr mendja e tyre ose siç e shohin ata më të arsyeshme duke mos u interesuar se a e kanë kuptuar në atë mënyrë të parët e Umetit apo ky është vetë i pari që shpikë një gjë të tillë në atë çështje të caktuar.


Ajeti 115 i sures “Nisa”  “kush e le anash rrugën e besimtarëve” -pra mundohet të gjejë rrugë tjetër në kuptim të fesë pos asaj të besimtarëve- na jep të kuptojmë se besimtarët në kohën e zbritjes së shpalljes ishin sahabët- atëherë kundërshtuesit të sahabëve si në kohën e tyre e edhe pas vdekjes së tyre ajo rrugë do t’i refuzohet dhe kurrsesi nuk do t’i pranohet.

Po ashtu hadithi i lartpërmendur na mëson se të gjithë pretenduesit e Islamit do të jenë në zjarr përveç atyre që e pasojë hadithin dhe e kuptojnë fenë sipas kuptimit dhe udhëzimit të sahabëve të cilët ishin njerëzit më të ditur pas mësuesit të tyre, Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem. (duke mos pretenduar qëndrimin përgjithmonë në të për secilin grup)

Andaj ideologjia “selefite” është rruga e të parëve të këtij umeti në të gjitha çështjet e jetës si në: besim, adhurime, mardhënie mes njerëzve, edukim dhe pastrim të shpirtit, etj”


Në të nuk ka asgjë të re dhe të shpikur por selefizmi është “pro argumentit dhe kundër pasimit të epsheve, kundër fanatizmit të verbuar në ndonjë person qoftë ai edhe dijetarë, medh-heb apo parti, përveç fanatizmit në Pejgamberin Muhamed, sal-lallahu alejhi ue selem.


Ç’DO TË THOTË TË JESH SELEFI ?


Pasi e kuptuam termin selef dhe qëllimin me metodën selefite tani të shpjegojmë se çfarë do të  thotë të jsh selefi, a është emër që synon ndonjë grup të caktuar, njeri të veçantë, fanatizëm në dikë, shpikje e re, apo çfarë?


Të jesh “selefi” do të thotë të ndjekësh rrugën e selefëve apo të parëve tanë të mirë prej sahanëve, dy gjeneratave pas tyre dhe gjithë dijetarëve dhe evliave deri sot, pra asgjë e re dhe asgjë tjetër nga ajo çfarë kërkohet nga secili njeri dhe çfarë na mësojnë të gjithë librat dhe derset e hoxhallarëve por ndoshta me terme pak më ndryshe.


“Selefi” është ai që ndjek të parët e këtij Umeti si në çështjet e besimit, adhurimeve, mardhënie mes njerëzve dhe në sjelle e pastrim të shpirtit.


Por duhet pasur kujdes që ky pasim të jetë i vërtetë dhe të mundohet besimtari në të gjitha çështjet e jetës ta ketë parasysh atë e mos të jetë vetëm pretendim i kotë sepse pretendimet nuk sjellin dobi.


Për këtë qështje Ibën Tejmie thotë: “Nuk ka asnjë të metë ai që shfaqë medh-hebin e selefëve dhe i thotë vetes selefi (pasues i selefit). Gjithashtu kjo duhet të pranohet nga ai pa kurrfarë kundërshtimi, ngase medhhebi i selefëve nuk mund të jetë ndryshe por i vërtetë”[6]

Ibën Haxheri gjatë shpjegimit të fjalës “selef” në librin e tij “Fet-hul bari” thotë: “Ata janë sahabët dhe gjeneratat e ardhura pas tyre. Kurse “selefi” është ai që i zgjedhë selefët për ta ndjekur rrugën e tyre”.

Nuk duhet harruar se “selefijtë” nuk ndjekin medhheb apo dijetarë të caktuar duke e marrë fjalën e tij si fe për të cilën i dashurojnë dhe i urrejnë besimtarët, po ashtu mësimet e kësaj metode nuk bëhen fanatik në asnjë medhheb apo dijetarë duke i urrejtur vëllezërit e atij dijetari nga feja -pra dijetarët tjerë-.

Ndërsashpesh mund të hasim në raste kur pasuesi i ndonjë medh-hebi ta refuzojë argumentin nga Kurani apo Syneti  për shkak se është në kundërshtim me mësimet e medh-hebit të tij, duke situr se asnjë dijetarë i medh-hebeve, Allahu i mëshiroftë ata, nuk kërkon e as lejon jë gjë të tillë.


Të gjithë e dimë dhe kemi lexuar se të gjithë dijetarët duke filluar nga katër dijetarët e medhhebeve e edhe të tjerët pas tyre i kanë këshilluar besimtarët që nëse fjala e tyre është në kundërshtim me argumentin atëherë ta pasojnë argumentin dhe ta lënë fjalën e tij anash.


Të jesh selefi do të thotë të mos i shenjtërosh dijetarët dhe të mos mendosh se janë të pagabueshëm e as nuk pretendojnë se filan medhhebi është i vetmi i saktë të cilin duhet pasuar me fanatizëm dhe dashuruar apo urrejtur të tjerët për të, apo se medh-hebet tjera janë në zjarr.

Selefinjtë duhet të besojnë se të gjithë dijetarët janë njerëz të cilët mund ta thonë të vërtetën mirëpo edhe të gabojnë, besojnë se në secilin medhheb ka çështje të sakta por ka edhe gabime apo lëshime të mundshme ngase natyrë e secilit është të gabojë sepse i pagabueshëm është vetëm Allahu.

Për këtë shkak prej bazave të tyre është se ata nuk lidhen për medhheb të caktuar e as nuk bëhen fanatik ndaj asnjë dijetari, por prej çdokujt marrin atë që është e saktë dhe çdokujt ja refuzojnë gabimin, duke pasë kujdes që jo secilit njeri i lejohet të flasë rreth këtyre çështjeve porse duhet dëgjuar dijetarët e kohës të dëshmuar nga umeti rreth këtyre çështjeve madhore.


Tek Selefizmi i shenjtë është argumenti dhe me cilin dijetarë apo medhheb e gjejnë atë e marrin, duke mos quar peshë shumë emri i dijetarit por forca e argumentit me të cilin e argumenton ai çështjen e caktuar.

Prej parullave të tyre është: “E pasojmë argumentin e nuk e shenjtërojmë Ebu Hanifen, Malikun, Shafiun e as Ahmedin


Besojnë se argumenti gjithmonë ka ekzistuar kurse medhhebet kanë lindur me lindjen e themeluesve të tyre, dhe janë të bindur se muslimanët kanë qenë besimtarë edhe para lindjes së atyre medhhebeve, ishin adhurues të denjë të Zotit edhe pse nuk i kishin medhhebet sepse e kishin argumentin.


Ndërsa emërtimi i vetes me emrin “selefi” siç thamë është i lejuar dhe nuk duhet marrë si punë të madhe apo dalje prej fesë, nuk duhet futur njerëzit e tillë në grupet e sekteve të caktuara, ashtu si nuk duhet mbjellur urrejtje e as armiqësi përmes këtij emri.


Lidhur me emrin selefi duhet të kemi parasysh tri gjëra:


1- Nëse përdorimi i këtij emri është pengesë për davet atëherë duhet të vonohet cekja e emrit derisa ta kuptojnë njerëzit të vërtetën, sepse tek ne qëllim parësor nuk duhet të jenë emrat por pasimi i së vërtetës apo i thirrjes për tek e vërteta e jo i emrit.


2- Nuk lejohet që mosmarrëveshja në lidhje me emërtimin apo mos emërtimin “selefi” të kthehet në grindje e përçarje, përderisa që të dy personat janë dakord lidhur me bazat dhe parimet e kësaj thirrje. Pra përderisa që të dy me besim dhe punë janë “selefi” (pasues të së vërtetës ashtu siç duhet) edhe pse njëri e emërton veten me këtë emër e tjetri jo, është e ndaluar përçarja mes tyre.


3- Pretendimi se emri “selefi” është bidat, është i pasaktë, sepse së pari vet dijetarët e të gjitha kohërave e kanë cekur po ashtu përderisa kuptimi dhe përmbajtja e këtij emri të cilën e bartë në vete është i saktë atëherë nuk ka mundësi të jetë bidat.  Bidat është armiqësia e myslimanëve për shkak të këtij emri dhe haram është kundërshtimi i së vërtetës nga kushdo qoftë.


SQARIME LIDHUR ME KËTË TEMË

-Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, thotë: (Me fjalën “selef” kemi për qëllim palën më të mirë që u gjind në fytyrë të tokës pas pejgamberëve. Ata janë shokët e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ve selem, tabiinët (pasuesit e sahabëve) dhe tabii-tabiinët (pasuesit e tabiinëve) pra këta tre  gjenerata që jetuan në tre shekujt e parë.

Andaj kur flasim për njerëz që i pasojnë selefët, do të thotë se flasim për njerëz që i pasojnë tri gjeneratat e para të cilat ishin më të mirat.  Duhet pasur parasysh se kjo nuk do të thotë që t’i përkasim një personi apo grupi të caktuar të asaj kohe i cili mund të jetë në humbje pjesërisht apo tërësisht. Por do të thotë se ata i pasojmë në përgjithësi, pra tre shekujt më të mirë, dhe atë fjalë apo vepër e cila është më e mira nga të gjitha e marrim duke mos u përcaktuar apo duke mos u bërë fanatik vetëm për një person të caktuar të asaj kohe.

Duhet pasur parasysh se shenja e grupit të shpëtuar nuk është vetëm me pretendime se e pasojnë Kuranin dhe Sunetin, sepse një gjë të tillë e pretendojnë të gjitha grupacionet sot). [7]


– Nuk mund të jetë shenjë e grupit të shpëtuar vetëm kjo parullë apo pretendim, duke menduar se vetëm me fjalë njeriu shkon në xhenet, përkundrazi pasimi i Kuanit, Synetit dhe i gjieneatave të para duhet bërë me punë e jo vetëm me fjalë.


-Çdo gjë që përmendëm rreh këtyre termeve të lartpërmendura katër dijetarët e medh-hebeve Islame: Ebu Hanife, Maliku, Shafiu dhe Ahmeb in Hanbeli ishin ndër të parët që thirrën në këto mendime porse me kalimin e kohës disa myslimanë filluan të devijojnë dhe të lidhen vetëm për mendimet e një njeriu kushdo qoftë ai (pos Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem) kështu që mësimet e metodës selefite nuk janë gjë tjetër veçse mësime të dijetarëve të medh-hebeve.


-Muslimanët nuk duhet të përçahen mes vete por secili të kthehet kah e vërteta dhe ta pasojë atë, t’i lëmë anash fanatizmin, armiqësinë dhe urrejtjen për tu bashkuar tek e vërteta që na e kërkon feja jonë me burimet e saj.


-Ti që pason këtë menhexh frikësoju Allahut dhe mos u armiqëso me asnjë mysliman për shkak të këtij emri dhe kështu të bëhesh i padrejtë me vëllezërit e tu, por sillu butë me të gjithë sepse kështu kërkon metoda selefite.


-Ti që ke armiqësuar këtë metodë të këshilloj që ta shohësh më mirë këtë çështje dhe të largohesh nga fanatizmi sepse asgjë të keqe nuk ka në të përveç ndonjë shembulli të keq të cilin t’i e merr mostër për ta përçmuar këtë metodë, andaj të këshilloj t’i frikësohesh Allahut e të mos kapesh për gabimet e njerëzve sepse ato nuk kanë fund në asnjë metodë dhe kohë.


-Nëse ky emër është shkak për përçarje e përsëris se nuk është urtësi të polemizohet rreth tij, të armiqësohet për të apo çdo emër tjetër, prandaj në kohë fitnesh de përçarjes nëse emri krijon probleme atëherë duhet larguar përmendjes së tij derisa njerëzit të vetëdijesohen e t kuptojnë të vërtetën sepse me rëndësi për metodën selefite është kuptimi i së vërtetës, pasimi i saj dhe thirrja e të tjerëve në të e jo emrat.


Lulzim Susuri – www.ehlihadithi.com

Prizren -2011

www.islamifejaevertete.com




[1] Ky punim është përgatitur në shtatorë të vitit 2006 për nxënësit e kursit të cilët kanë marrë ligjërata rreth këtyre temave, pastaj është përpunuar me datën  31/12/2011

[2] ) Shënon Buhariu dhe Muslimi.

 

[3]) S. Teube: 100.

[4]) S. Nisa: 115.

[5]) Transmeton Ebu Davudi, Ahmedi, dhe të tjerë të cilin e saktëson shejh Albani, shiko për më gjerësisht “Silsiletus sahiha”, të shejh Albanit, hadithi nr: 204.

[6] ) Mexhmuul fetava (4/149).

[7] ) El-menhexh es-selefi inde shejh el-Albani.

Must Read