Selefizmi… metodologji apo grupim?!
Fehd ibën Salih el-Axhlan, 10 Rexheb 1432 h.
Në vende të ndryshme të botës islame, në hapësirat mediatike këto ditë vihet re një sulm i ashpër e i pandërprerë kundra selefizmit. Një fenomen ky që ka tërhequr vëmendjen se, paska nisur sezoni i sulmit ndaj selefizmit! Në fakt realiteti tregon se sulmi ndaj selefizmit është i vazhdueshëm, ai asnjëherë nuk e ka ndalur zhurmën e tij, ndizet kohë pas kohe dhe shuhet në kohë të tjera. Nuk ka një sezon të caktuar për sulm ndaj selefizmit, sepse në fakt ai është ushqim i përditshëm për shumë nga të tërbuarit dhe frikësuarit nga alternativa islame.
A është selefizmi metodologji apo një xhemat dhe klan i caktuar?
Shumica e atyre që i fryjnë flakës kundra selefizmit nuk bëjnë dallim ndërmjet këtyre dy gjërave, sepse në fakt ata kanë një hasmëri të thellë me metodologjinë islame në përgjithësi, ndaj dhe ky dallim nuk asnjë efekt tek ata, sepse kritika drejtohet në thelb ndaj vetë metodologjisë islame.
Selefizmi: është metodologji në rrugëtimin e udhës islame. Në momentin që botëkuptimet e interpretimit të Islamit, njohjes së dispozitave të tij dhe përcaktimit të metodologjisë së saktë dallojnë nga njëra tjetra, ndërhyn selefizmi, që mbështetet në metodologjinë e selefëve të mirë; sahabët, tabiinët dhe pasuesit të tabiinëve, të cilët janë njerëzit më të mirë të këtij umeti, më të sinqertë në fe, më të lartët në pozitë, më të thelluarit në të kuptuar dhe më të diturit me rrugën e Profetit (alejhi salatu ue selam). Ai që përpiqet të ndjek rrugën e tyre, ai është selefi, në çfarëdo xhemati që ai bën pjesë.
Baza e selefizmit përqendrohet në respektimin e këtyre brezave unik të Islamit, në ndjekjen e tyre, në edukimin e vetes dhe brezave të rinj me vlerësimin për statusin e lartë të tyre, jo për t’i konsideruar ata të pagabueshëm, por për t’u udhëhequr nga kuptimi i tyre dhe për të ecur në gjurmët e tyre.
Selefizmi ecën në gjurmët e këtyre njerëzve të hershëm për çështjet për të cilat ata ranë dakord, ndjek metodologjinë e tyre në marrjen e fesë, në burimet e argumentimit dhe mënyrën sesi bëhet kjo, në mënyrën e adhurimit dhe etikën e sjelljes. Selefët ishin njerëzit që ishim më pranë së vërtetës, ndaj dhe e vërteta nuk del jashtë opinioneve të tyre, nëse ata binin dakord për diçka, por as edhe jashtë mendimeve të tyre nëse ata nuk ishin të një mendje.
Një nga karakteristikat e selefizmit është madhërimi i teksteve hyjnore –Kuranin dhe Sunetin autentik- duke e konsideruar shpalljen bazën e mbështetjes dhe udhëzimit. Asnjë tekst autentik i shpalljes nuk kundërshtohet për shkak të ndjesive, tekave dhe arsyeve njerëzore, para shpalljes hyjnore nuk vendosen barriera kushtëzuese apo kritere, por shpalljes i shkohet nga pas dhe i dorëzohesh për çdo gjë, që në momentin që qartësohet se kush është qëllimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij (alejhi salatu ue selam). Teksti hyjnor është udhëzuesi dhe argumenti që duhet të ndjekin njerëzit, ai nuk ndjek askë dhe nuk u shkon pas dëshirave të njerëzve dhe as leximeve të ndryshme të tyre.
Selefizmi beson se Islami është gjithëpërfshirës në çështjet e adhurimit, etikës, marrëdhënieve ndër njerëzore dhe në çdo çështje të jetës, gjithë përfshirje kjo që unifikon individin dhe shoqërinë, pushtetarin, qytetarin dhe vetë pushtetin, unifikon këtë botë dhe botën tjetër, interesat e afërta dhe të largëta, në një panoramë të përkryer që i sjell lumturinë muslimanit me besimin dhe botën e tij.
Selefizmi është i njohur për qartësinë me të cilën ai kërkon sinqeritetin e plotë e të domosdoshëm në adhurimin e Allahut. Ai i jep përparësi pastrimit të besimit nga përrallat, bindjet e gabuara, bidatet dhe risitë në fe, të cilat bien ndesh me atë që besonin dhe praktikonin sahabët dhe tabiinët[gjenerata pas sahabëve].
Këto janë bazat e përgjithshme të selefizmit, i cili është metodologji dhe vizion, kështu që, ai që i përmbahet atij, fton njerëzit në të dhe përpiqet në përmbushjen e tij, ai është selefi, kushdo qoftë ai dhe çfarëdo xhemati apo politike ai ndjek. Kush nuk i përmbahet këtyre bazave ai ka dalë nga selefizmi.
Pra, çdo të thotë që selefizmi është metodologji dhe jo xhemat?
1. Se selefizmi nuk ka një zëdhënës apo përfaqësues që paraqet opinionin dhe metodologjinë e tij, që nëse e kundërshton ka kundërshtuar selefizmin e nëse pajton me të pajton edhe me selefizmin. Nuk ka individ, as xhemat, as parti që të marrë këtë tagër, selefizmi është metodologji argumentimi që gjykon individët dhe grupimet dhe vetë nuk gjykohet nga askush. Nuk ka ndonjë grup të caktuar që përfaqëson selefizmin, por ka individë dhe xhemate që i atashohen përkatësisë selefiste dhe përpiqen të përmbushin metodologjinë e selefëve. Nuk mund ta reduktosh dot selefizmin në një grupim të kufizuar dhe as në disa çështje të caktuara. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse ka kaq dallime të theksuara ndërmjet grupimeve që i atashohen përkatësisë selefiste në mjaft ngjarje dhe qëndrime. P.sh. në marrëdhënie me sistemet politike të sotme, gjen qëndrime dhe vizione nga njëri ekstrem në tjetrin, në mesin e xhemateve që i atashohen sot selefizmit. Kjo mospërputhje dhe divergjencë kaq e theksuar provon atë se, selefizmi nuk është një grupim i kufizuar, por një metodologji dhe vizion që muslimani mund ta përmbushë mirë ose mund ta keqkuptojë dhe të bjerë në gabime dhe devijime.
2. Deklarimi se i përket selefizmit nuk mjafton që një njeri të jetë selefi. Fakti që dikush nuk e përdor emërtimin selefi, kjo nuk e nxjerr atë nga selefizmi, sepse selefizmi nuk është xhemat që kufizohet brenda anëtarëve që bëjnë pjesë në të dhe mjafton vetëm anëtarësia në këtë grupim për të qenë pjesë e tij. Selefizmi është pra metodologji dhe vizion që ngrihet mbi bindjen e njohjes së domosdoshme dhe zbatimit të metodologjisë së sahabëve dhe atyre dijetarëve e imamëve të mëdhenj që erdhën pas tyre.
3. Gabimet në të cilat bien disa njerëz, të cilët i janë atashuar përkatësisë selefiste, nuk duhet t’i atribuohen selefizmit, por qëndrimet dhe veprimet i përkasin njerëzve konkretë apo grupimeve që i kryejnë ato. Ndaj dhe për këtë kritika mediatike që i drejtohet selefizmit në përgjithësi është kritikë e njëanshme dhe jo objektive, sepse kritikuesi ka në mend një njeri apo grupim të caktuar dhe ndërkohë flet në mënyrë të përgjithshme, dhe për çdo herë përsërit shfajësimin e tij se nuk ka për qëllim të gjithë, por vetëm një pjesë! Kjo ngatërresë vjen si pasojë e mos dallimit të faktit që selefizmi është metodologji dhe jo xhemat i caktuar.
4. Selefizëm nuk do të thotë pajtim në çështjet e pa rëna dakord të fikhut, dhe as rënie dakord në qëndrimet politike që ngrihen mbi vlerësimin e dëmit dhe dobisë. Rënia dakord në një bazë dhe metodologji të përgjithshme nuk do të thotë domosdoshmërish rënie dakord në degëzime dhe detaje të ndryshme. Vetë selefët e mirë kishin mjaft çështje fikhu apo të vlerësimit të dëmit dhe dobisë, për të cilat ata nuk binin dakord, por kjo nuk përbënte shkak për të sulmuar ndonjërin prej tyre, përderisa ai i përmbahej bazës dhe metodologjisë së përgjithshme. Kjo në fakt është argument i pasurisë së metodologjisë selefiste dhe larmisë së saj.
5. Gabimet që bën dikush nuk e nxjerrin atë nga selefizmi, përderisa ai i përmbahet atij dhe është i kapur pas bazave të selefizmit dhe përpiqet ta vërë në jetë dhe në praktikë këtë metodologji. Përjashtim bën këtu fakti nëse personi bie ndesh me ndonjë bazë të përgjithshme të Sunetit, apo i ka të shpeshta e të vazhdueshme kundërshtimet e tij në disa çështje dytësore të cilat shpien në devijim në ndonjë nga bazat e përgjithshme (shih “Itisam” 3/140 të Shatibiut). Këtu është e rëndësishme të theksohet se gjykimi këtu është për karakteristikat dhe jo për një njeri konkret, sepse gjykimi për dikë konkret kërkon zbatimin e kritereve të caktuara, pra, kërkon të jesh i ndrojtur dhe të tregohesh tepër i rezervuar në këtë drejtim.
6. Fakti që selefizmi është metodologji dhe jo grupim do të thotë natyrshëm se ata që i atashohen përkatësisë selefiste janë një masë mjaft e madhe
njerëzish në botën arabe dhe islame. Madje ata janë themeli bazë i mbarë muslimanëve, norma te muslimani është fakti se ai ndjek argumentin dhe shkon pas tij me të njëjtën metodologji të kuptuari si sahabët, ndaj ai që del ndryshe ai është në të kundërt të rrymës. Selefizmi pra është baza dhe origjina dhe nuk është përjashtim, ndaj përpjekjet për ta minimizuar selefizmin në një xhemat të përcaktuar apo për ta reduktuar atë në çështje të caktuara, vjen nga padija e disa njerëzve apo tentativa intrigante e disa të tjerëve që kanë qëllime që dihen.
7. Fakti se selefizmi është metodologji dhe jo xhemat nuk do të thotë se çdo ixhtihad dhe interpretim është i pranueshëm dhe merret në konsideratë nga metodologjia selefiste. Selefizmi është një metodologji që ka bazat e tij dhe në hapësirën e tij ka vend të gjerë për ixhtihadin që nuk i kalon kufijtë e tij. Gjerësia e metodologjisë selefiste dhe pasuria e opinioneve të tij nuk shpie në relativizëm absolut, ku humbasin kufijtë ndarës, që bëjnë dallimin në mes ixhtihadeve të pranuara brenda metodologjisë selefiste dhe ixhtihadeve që bien ndesh me të.
8. Kritika që drejtohet karshi selefizmit duhet të bëj dallim ndërmjet kritikës që i drejtohet grupimeve dhe individëve që e atashojnë përkatësinë e tyre tek selefizmi. Kjo kritikë është e pranueshme dhe merret në konsideratë, me kusht që të jetë objektive dhe të prek veprimet e selefive dhe jo vetë selefizmin. Selefitë janë njerëzit që më shumë se kushdo tjetër duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e përfitimit nga këshillat e njerëzve, nga kritikat dhe vlerësimet e tyre, edhe nëse ato vijnë nga ata që mbajnë qëndrime armiqësore apo të gabuara, duke përfituar kështu nga vetë kritika, pavarësisht qëllimit të keq të atyre që i thonë, pasi kjo nuk u prish punë selefive.
A do të ndalet sulmi ndaj selefizmit kur të bëhet dallimi se ai është “metodologji” dhe jo “xhemat”?
Sigurisht që jo.
Metodologjia selefiste merr për bazë të saj “tekstin fetar”, si bosht qendror të pikënisjes së saj dhe lidhet me “selefët e mirë” në të kuptimin dhe interpretimin e këtij teksti, e kjo e bën atë metodologjinë e saktë për të kuptuar dhe praktikuar Islamin. Kjo e bën metodologjinë selefiste të dashur dhe tërheqëse për njerëzit, sepse muslimanët janë të etur për t’iu kthyer identitetit të tyre, fesë dhe vlerave të saj të kuptuara në mënyrë të saktë. Shumica e njerëzve është në kërkim të asaj që do Allahu, ata pyesin për rrugën dhe metodën që do t’i shpëtojë ata në Ahiret dhe nuk janë të preokupuar me metodologjinë e “përshtatjes me realitetin” dhe “shfajësimin e Islamit nga akuzat” dhe as me përpjekjen për të bindur muslimanët se “feja e tyre është vlefshme për çdo kohë dhe vend”. Pjesa më e madhe e muslimanëve nuk kanë shumë nevojë për këto gjëra dhe kjo është pjesë e dijes dhe dritës së tyre. Është pikërisht kjo qartësi dhe kjo thellësi që e bën metodologjinë selefiste të frikshme dhe tmerruese për shumë të devijuar, të cilëve nuk u pushon së vluari urrejtja nëpër zemra.
Metodologjia selefiste i edukon ndjekësit e saj të jenë të vendosur, krenar me Islamin, me mesazhin dhe qytetërimin e tij.
Ka dallim të madh në mes atij “që e lexon shpalljen për të njohur qëllimin e saj dhe për të ecur në udhëzimin e saj” veçori kjo e metodologjisë selefiste dhe atij që kërkon “të përmbushë qëllimin e tij nëpërmjet shpalljes” veçori kjo e shumë prej metodologjive sekulare dhe atyre të përziera (mes të vërtetës dhe të pavërtetës).
Ka dallim të madh ndërmjet atij që “studion shpalljen hyjnore, duke besuar se ajo ka një kuptim fetar të përcaktuar që është edhe qëllimi i Allahut” dhe atij që mendon se “të vërtetat janë relative dhe se askush nuk e zotëron të vërtetën absolute”, si shumë njerëz të kohës tonë me të cilët amullia bën lojëra.
Ka dallim të madh ndërmjet atij që praktikon “një metodë të përcaktuar dhe vë baza të qarta sesi duhet të sillet me shpalljen hyjnore” dhe atij që “luhatet ndërmjet metodave dhe ideve të ndryshme sipas rasteve të ndryshme.”
Ka dallim të madh në mes atyre që i “konsiderojnë sahabët dhe tabiinët udhërrëfyes” dhe ata që u “shkojnë nga pas filozofëve dhe të humburve të lindjes dhe perëndimit.”
Selefizmi është një metodologji që karakterizohet nga qartësia dhe vazhdimësia, koherenca dhe kompaktësia, çka e bën atë thellësisht mbresëlënës në shpirtrat e atyre që e pasojë atë, madje ndikimi i tij duket edhe tek kundërshtarët e tij.
Selefizmi është metodologjia më aftë për të mbrojtur dispozitat e Islamit, sepse ai nuk i dorëzohet kundërshtarit për të pavërtetat që ai thotë, me anë të të cilave ai kërkon të godasë vetë Islamin.
Ndonjë i devijuar i drejton sulmet e tij ndaj selefizmit duke e kritikuar atë për çështje të cilat janë pjesë thelbësore e Islamit, në dukje ky njeri kritikon xhematet selefiste, por në realitet ai është duke sulmuar vetë Islamin, si p.sh. kur kritikon çështjen e “mbulesës”, “monoteizmit” apo “qeverisjes islame” në realitet ai është duke sulmuar vetë Islamin edhe pse pretendon se ka për qëllim xhematet selefiste.
Është gabim dhe mungesë urtësie që një pjesë e njerëzve të sillen me fenomenin e kritikës si të ishte drejtuar kundrejt një xhemati të caktuar, ndaj është e rëndësishme që njeriu të njoh mirë arsyet që e shtyjnë dikë që të kritikojë dhe vërtetësinë e kësaj kritike, në mënyrë që të kuptoj nëpërmjet saj nëse ajo i drejtohet një “xhemati” apo është sulm ndaj “metodologjisë dhe mesazhit”?
Përktheu: Hoxhë Justinian Topulli
Burimi në arabisht: www.dorar.net/art/860
Burimi në shqip: www.islamifejaevertete.com