BallinaARTIKUJMuhamed s.a.v.sShenjat e ardhjes së Profetit

Shenjat e ardhjes së Profetit


Shenjat e ardhjes së Profetit


Me sa u përmend në temën para kësaj, duket qartë se ishte zgjeruar e çara midis Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe popullit të vet.

Ai shqetësohej kur i shikonte njerëzit në punë të këqija dhe në vuajtje dhe donte të largohej prej tyre e të qëndronte në vetmi, për të menduar një rrugë që mund t’i shpëtonte ata. Ky shqetësim sa vinte e bëhej më i madh dhe me përparimin e moshës iu forcua më tepër dëshira për t’i shpëtuar njerëzit nga shkatërrimi. Dukej sikur dikush e thërriste për të qëndruar në vetmi dhe për t’u shkëputur nga njerëzit.

Prandaj, filloi të shkonte në shpellën Hira. Atje adhuronte Allahun sipas asaj që kishte mbetur nga feja e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!). Ai shkonte atje çdo vit një muaj, muajin e Ramazanit. Pasi kalonte koha e caktuar dhe plotësohej plot një muaj, kthehej në Mekë në mëngjes dhe bënte tavaf rrotull Shtëpisë së Shenjtë. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi kështu tri vjet rresht.

Kur Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) arriti moshën 40 vjeç, që është mosha e zhvillimit të plotë të njeriut, moshë në të cilën u bënë profetë edhe Profetët para tij, nisën t’i shfaqen shenjat e profetësisë dhe sihariqet e lumturisë. Filloi të shikonte ëndrra të mira, të cilat dilnin siç i shikonte. Shikonte ndriçimin dhe dëgjonte zërin. Një herë ai tha: “Unë di një gur në Mekë, që më përshëndeste me “Selam!”, para se të bëhem Profet.”

Zbritja e Zbulesës ishte muaji i Ramazanit, kur Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pati arritur moshën 41 vjeç dhe ndodhej në shpellën Hira duke përmendur Allahun dhe duke e adhuruar Atë, kur papritmas i erdhi Xhebraili (paqja qoftë mbi të!) me mesazhin profetik dhe Zbulesën (Revalatën).

Për këtë le të dëgjojmë fjalën e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila na e tregon hollësisht këtë ngjarje: “Në fillim, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka marrë zbulesën në formë ëndrrash të mira. Pra, sa herë që ai shikonte ndonjë ëndërr, i vinte një ndriçim, ashtu siç shkëlqen kur zbardh agimi. Më pas, atij i pëlqente të rrinte në vetmi. Prandaj, shkonte e rrinte i vetëm në shpellën Hira. Aty e adhuronte Allahun disa net dhe për këtë merrte ushqim me vete. Pastaj kthehej te Hatixhja dhe i linte asaj ushqim dhe çfarë i nevojitej. Vazhdoi kështu, derisa i erdhi e Vërteta aty, në Shpellën Hira. Profeti ka thënë,- vijoi Aishja: “Më erdhi engjëlli Xhibril dhe më tha: “Lexo!” Iu përgjigja: “Unë nuk di të lexoj.” Engjëlli më mori e më shtrëngoi aq fort, sa mu zu fryma. Pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” Unë i thashë: “Nuk di të lexoj.” Atëherë, engjëlli më kapi e më shtrëngoi përsëri sa desh më mbyti. Pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” Unë i thashë: “Unë nuk di të lexoj.” Ai më shtrëngoi për të tretën herë, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një pike gjaku të ngjizur. Lexo! Se Zoti yt është më bujari. Ai e mësoi njeriun të shkruajë me penë. I mësoi njeriut atë, që nuk e dinte.”

Me këto ajete, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye, duke iu dridhur zemra dhe hyri te Hatixhja, bija e Huvejlidit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i tha: “Mbulomë! Mbulomë!”. E mbuluan dhe ai qëndroi ashtu, derisa i kaloi frika. Pastaj i tregoi Hatixhes atë që i kishte ndodhur. “Pata frikë se nuk mund ta kryeja këtë detyrë”,- i tha ai Hatixhes. “Mos ki frikë,- i tha Hatixhja. Për Zotin, Allahu kurrë nuk do të të turpërojë ty. Ti e shikon farefisin; ti i duron vështirësitë; i jep atij, që nuk ka; ti e mirëpret të dobëtin; ti ndihmon që të vihet në vend e drejta.”

Pastaj Hatixhja shkoi te Varaka ibën Esed ibën Abdu Uzza, biri i xhaxhait të Hatixhes, i cili ishte i krishterë. Ai dinte ta shkruante Librin në hebraishte. Në atë kohë Varaka ishte plakur dhe ishte verbuar. “O biri i xhaxhait tim!”,- i tha Hatixhja. Dëgjo nga biri i vëllait tënd.” Varaka i tha Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O biri i vëllait tim, çfarë ke parë?” I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tregoi atë që kishte parë në shpellën Hira. “Ai është Xhebraili, që Allahu ia zbriti Musait”,- tha Varaka. “Ah, sikur të isha i fuqishëm! Ah, sikur të isha gjallë, kur populli yt të të nxjerrin ty prej Mekës.” “Vërtet, do të më nxjerrin mua ata?”,- pyeti i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). “Po,- iu kthye Uaraka. Çdo njeri që ka ardhur me atë që vjen ti, është luftuar e në qoftë se do të isha gjallë kur të vinte dita jote, do të të ndihmoja sa të mundja.” Nuk kaloi shumë kohë dhe Uaraka vdiq. Ndërkohë, Zbulesa u ndërpre.


Safijurrahman el-Mubarekfuri

(nga libri “Lulishtja e dritave”)

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read