BallinaAKTUALEAnalizaShkaqet e brendshme të dështimit të projekteve kolektive

Shkaqet e brendshme të dështimit të projekteve kolektive

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SHKAQET E BRENDSHME TË DËSHTIMIT TË PROJEKTEVE KOLEKTIVE

Prej shkaqeve më kryesore dhe të rëndësishme për sukses brenda një projekti, ose pune të caktuar është puna kolektive. Ajo ka dobi marramendëse dhe asnjë njeri sado i zoti të jetë nuk mund t’ia kalojë. Aq më tepër kur kësaj pune kolektive i bashkëngjitet sinqeriteti, vëllazëria dhe pritja e shpërblimit vetëm nga Allahu e jo nga njerëzit. Kemi raste të shohim se punët kolektive nga diçka shumë e vogël shpejtë kalojnë në punë gjigande, për këtë edhe populli thotë: “Gurë-gurë bëhet murë” dhe: “Pika-pika mbushet pusi”.

Për fat të keq myslimanët pak ja dinë rëndësinë dhe dobinë e projekteve kolektive e janë më të pakët ata të cilët arrijnë të bëjnë punë në kolektiv. Kjo është edhe arsyeja (duke potencuar në veçanti Kosovën dhe vendet tjera shqiptare) që shumë nga myslimanët edhe punojnë vetëm, pa shokë, marrin përsipër dhe janë më të kënaqur që të punojnë vetëm se me xhematë. Porse asnjërin nuk mund ta fajësojmë sepse shpesh projektet kolektive në shumicën e rasteve kanë qenë të dështuara, të paarsyeshme, etj. kështu që bazuar në këtë fakt të tjerët e panë më të arsyeshme të punojnë vetëm dhe të arrijnë sukses, qoftë edhe i vogël, sesa të dështojnë tërësisht. Ka raste aty-këtu kur disa punojnë në grupe të vogla tre-katër vetë grupe që janë duke ecur mirë në punët e tyre, mirëpo prapë mbetet i fuqishëm fakti se projektet kolektive në përgjithësi janë të dështuara.

Në këtë temë nuk kam qëllim përmendjen e shkaqeve si të arrijmë deri tek puna kolektive porse dua të përmendi shkaqet që shtyjnë dështimin e projekteve kolektive. Shkaqet tek të cilat do të fokusohem me përmendje janë shkaqet e brendshme të cilat shkaktojnë këtë dështim.

Të arrijmë suksese në një projekt kolektiv nuk duhet të habitemi dhe të gëzohemi tepër, mirëpo duhet të frikësohemi nga dështimi pas asaj arritje, për këtë edhe thuhet në një fjalë të urtë: “Kollaj është me u bë hoxhë por zor është me mbajt hoxhallëkun”

Tani pa humbur kohë do të përmendi disa shkaqe që ndikojnë në prishjen e projekteve dhe punës kolektive tek myslimanët:

1-Habitja me vetveten

Pasi arrihet suksesi ndodhë që disa, apo edhe të gjithë, punëtorët e projektit të fillojnë të habiten me veten e tyre, tu rritet mendja dhe të mendojnë se janë të paarritshëm, të pagabuar dhe nuk thyhen lehtë. Kjo zaten është edhe shkaku pse dijetarët i kushtojnë rëndësi pikës e cila në gjuhën arabe quhet: “El-uxhbu bin-nefs” (Habitja me veten) dhe i këshillojnë nxënësit e dijes që kur të arrijnë diçka nga dituria të mos fillojnë të habiten me veten e tyre. Allahu na ruajt nga ky ves!

2-Dëshira për udhëheqje dhe respekt mbi të tjerët

Projektet që kanë karakter vëllazëror fillojnë me iniciativë të një apo më shumë personave e pastaj ky numër i punëtorëve shtohet mirëpo asnjëri fillimisht nuk pretendon se është udhëheqësi kryesorë, ai që duhet dëgjuar dhe ai kah i cili duhet bërë me gisht. Me kalimin e kohës kur projekti shënon rezultat atëherë ndonjërin (pa marrë parasysh cilin punëtorë) mund ta mashtrojë shejtani duke e inspiruar që të fillojë të bëhet ai shefi dhe ai të cilin patjetër duhet dëgjuar dhe kështu fillon të përdorë forma të ndryshme për të ushtruar ndikimin e tij mbi të tjerët dhe për tu dhënë të kuptojnë ata se ai duhet dëgjuar. Këto sjellje të tij mund të jenë shkak për largimin nga ky xhemat i një apo më shumë punëtorëve dhe kështu të futet fitneja-përçarja mes grupit.

Ky shkak që e përmendëm këtu në punët që janë me të holla ku punëtorët paguhen nga dikush zakonisht tek to nuk ekziston kjo frikë sepse aty dihet se kush është kryesori e ai është zakonisht njeriu që të tjerët i paguan me të holla. Për këtë arsye edhe në projektet bamirëse të myslimanëve që në fillim kjo gjë duhet të definohet, të dihet kush është iniciatori, kush është udhëheqësi ,etj.

3-Futja e zënkave të ndryshme mes bashkëpunëtorëve,

Me këtë pikë kam për qëllim faktin se ndodhë që punëtorët e projektit të fillojnë të grinden apo kacafyten mes veti për shkaqe të ndryshme. Më kryesori mund ta përmendja është ai se ndodhë që një punëtor të bëjë një projekt kurse tjetri bënë projekt tjetër dhe atëherë kur bien ndesh interesat e secilit prej tyre vie deri tek kacafytja. Këtë konflikt projektesh (nuk po e quaj interesash) zakonisht e sjellin dy gabime kryesore: a) mos pasja e një udhëheqësi i cili do t’i koordinonte punëtorët mes vete, b) të punuarit e bashkëpunëtorëve pa plane konkrete të njohura mes vete paraprakisht. Kështu vie deri tek inati mes vete, deri tek bindja se fjala, ideja, apo puna e tij është më e mirë dhe duhet dhënë përparësi duhet u ekzekutuar e para andaj edhe lind sherri.

4-Humbja e sinqeritetit nga disa punëtorë

Kjo është e qartë për secilin mysliman, kur humbë sinqeriteti atëherë në atë punë humb edhe bereqeti, nuk pritet asgjë dhe dalëngadalë venitet. Kurse shkak për humbjen e sinqeritetit është fakti se disa punëtorëve fillon tu pëlqejnë lëvdatat e të tjerëve, arritja e emrit e famës për vete, etj.

5-Ndryshimi i synimit në punë, nga bërja për hir të Allahut në dhënie përparësi emrit të firmës apo projektit

Zakonisht projektet Islame të davetit fillojnë me të vetmin qëllim që të arrijnë përhapjen e Fjalës së Allahut, mësimin e të tjerëve rreth fesë dhe qëllime të ngjashme të shenjta që i bashkëngjiten këtyre që i përmenda. Mirëpo pasi arrihet fama atëherë ka raste kur fillon të ndryshojë qëllimi aq sa nëse vie në pyetje rasti i përhapjes së një diturie (për shembull) të caktuar përmes atij grupi njerëzish të atij projekti mirëpo jo në emër të firmës apo projektit të tyre ndodhë të mos e bëjnë ata punëtorë. Pra nuk e përhapin atë dituri atë mësim, pse? Me pretekstin se nuk dua ta bëjë në emër tjetër pos atij timit dhe kështu fshihet apo pengohet dituria vetëm për arsye se nuk është bërë përmes emrit të tyre. Nëse vazhdohet kështu atëherë dalëngadalë mund t ndryshohet edhe nijeti i punëve tjera në vijim ku ndodhë që më vonë të punohet në atë projekt jo për hir të Allahut por për ta mbushur, pasuruar dhe ngritur grupin, firmën apo emrin e vet. Andaj duhet pasur shumë kujdes sepse kjo pikë është mjaft e fshehtë e cila nuk mund të vërehet kollaj.

6-Fillimi i injorimit të këshillave të hoxhallarëve duke menduar se ato suksese janë arritje të punëtorëve e jo të askujt tjetër.

Ne jemi të vetëdijshëm se besimtarët e devotshëm projektet e tyre i nisin me këshillim të hoxhallarëve, me konsultat e tyre dhe përkrahje nga ta. Thuajse në të gjitha këso lloj projektesh nga prapa qëndrojnë hoxhallarët. Mirëpo me kalimin e kohës kur punët të bien në binarët e tyre atëherë shejtani fillon të luaj lojën e tij si çdo herë. Fillon t’i bindë këta punëtorë se nuk kanë nevojë më për hoxhallarët dhe këshillat e tyre, fillojnë të mos i pyesin besa edhe t’i injorojnë ata.

7-Dëshira për ta privatizuar projektin duke i larguar shokët nga vetja

Kjo nuk mund të vërehet ndoshta në fillim porse lind më vonë si pasojë e humbjes së sinqeritetit dhe habitjes me vetveten e cila shpie në devijim. Ka raste kur punëtori i caktuar (nuk është patjetër që të jetë udhëheqësi i projektit) fillon të sillet në atë formë dhe të bëjë hile e planë se si të arrijë deri tek privatizimi i projektit dhe kështu ndryshon raporte karshi shokëve të tij. Këto mënyra të sjelljes së tij mund të jenë shkak për pakënaqësi nga kolegët, apo edhe për futje të përçarjes në mes tyre. Veprat e tilla mund të jenë shkak që ky njeri edhe ta privatizojë punën e shokëve të vet mirëpo nuk duhet të harrojë se do t’i ndodhin shumë të papritura në projektin e tillë, prej më kryesoreve do të cekja: 1) hidhërimi i Allahut me atë tradhti të tillë, 2) humbja e bereqetit në atë projekt dhe 3) nëse projekti nuk mbyllet tërësisht ai kurrë nuk do të arrijë të punojë ashtu si ishte punuar më herët në grup. Prandaj kurrë nuk duhet mashtruar me ëndje të tilla.

8-Mashtrimi me veten se edhe vetë mund të arrijë punë të tillë dhe kështu largohet nga kolektivi.

Kjo pikë është e kundërta e pikës para saj, në këtë rast një person mashtrohet nga shejtani duke i thënë se ti tash ke arritur autoritet, reputacion, mund të bëhesh i pavarur, i ke idetë, format e mundësitë, pse nuk ndahesh dhe ta nisish një projekt të ngjashëm i cili do ta sfidonte dhe ta kalonte atë të më hershmin, dhe bazuar në këto mashtrime edhe largohet nga shoqëria e vjetër për të arritur synime të reja porse të planifikuara nga shejtani. Kështu ndahet nga shokët bile mundohet të marrë me vete shokë dhe ta dobësojë kolektivin. Kemi pasur raste të tilla në vendet tona ku kanë përfunduar me disfata dhe fund të hidhur të cilat janë të njohura për një pjesë bukur të madhe njerëzish dhe kanë qenë mësim për të tjerët.

9-Futja në grup e njerëzve jo profesionistë

Allahu e do punën e cila bëhet me profesionalizëm, e cila është sa më e përkryer (edhe pse përkryerja absolute i takon Allahut) mirëpo për ta arritur profesionalizmin në të duhet ta punojnë atë punë njerëz profesionist të lëmive përkatëse. Atëherë që thyhet ky rregull duke ju dhënë përgjegjësi njerëzve që nuk kanë prapavija për ato gjëra do të dështonin këto projekte. Puna duhet të ketë rregulla, kushtetutë, në të cilën bazohet dhe ngrihet, e nëse thyhen këto kritere duke i futur në punë njerëzit vetëm për shkak se filani është djalë i mirë, është i pasur, na duhet, i dëgjueshëm, etj. dhe nga ana tjetër nuk shikohet profesionalizmi atëherë themi se puna nuk bëhet e kënaqshme.

10-Lëshimi pe nga kritikat ose këshillat dhe heshtja karshi gabimeve të punëtorëve.

Përgjegjësit e projektit duhet të kenë parime, duhet të bazohen në rregulloren e vet, ta respektojnë atë dhe t’i mësojnë edhe punëtorët tjerë për respekt të rregullave. Nga ana tjetër nuk duhet ta ndalë turpi, respekti, mosha ose shkaqe të tjera që të mos i këshillojë kolegët e tij atëherë kur ata gabojnë. Pra ai duhet të ushtrojë personalitetin e tij mbi të tjerët, normal me edukatë e respekt dhe mirësjellje, dhe “Duhet t’i prej sakica në një vend” siç thotë populli. Nëse lëshon pe herën e parë atëherë do të lëshojë edhe herën e dytë, të tretën e me radhë dhe kështu punët fillojnë të dalin nga binarët e vet.

11-Hidhërimi i punëtorëve dhe mos-përmirësimi i tyre kur këshillohen nga tjetri

Ata që punojnë për hir të Allahut duhet të jenë të kujdesshëm që edhe të mos mbajnë inat me të tjerët kur tjetri e ka mirë dhe me vend këshillën e dhënë. Inati është prej shejtanit dhe përmes tij ai fut urrejtje mes myslimanëve me ç’rast arrin të shkatërrojë edhe xhematin e myslimanëve mes vete. Nëse gabon atëherë duhet pranuar gabimin, duhet përmirësuar dhe falënderuar atë që të këshilloi. Nëse ndodhë e kundërta dije se në këtë rast zemrën e ka kapluar shejtani me smirën e tij. Andaj kur këshillohesh pranojë këshillën, puno me të e mos mbajë inat sepse në të kundërtën do të vijë deri tek prishja ose dobësimi i projektit.

12-Humbja e vullnetit

Punët në fillim të tyre secili i nisë me vullnet, dëshira është e madhe , ëndrrat e ndryshme dhe planet janë gjigande. Bazuar në këto ndjenja të brendshme njeriu ose njerëzit fillojnë projektet e veta, puna nisë të ecë mirë, rezultati vërehet. Mirëpo pas pak kohe, një vit zakonisht apo atypari, veçse vullneti i cili ka qenë si malet e palëkundura fillon të shndërrohet në grimca të vogla dheu të shpërndara sa andej e këndej, fillojnë ambiciet të zhduken dhe të futet dembelia. Përtacia e kaplon, lodhja e pengon dhe vullneti është venit. Kështu në këto raste çfarë pritet nga njeriu i tillë veçse dështimi. Andaj duhet pasur kujdes shumë të madh nga kjo pikë e dobët që të mos futet në zemrën e asnjërit prej bashkëpunëtorëve sepse do tu kushtonte shtrenjtë, do ta prishte projektin dhe puna do të ngecte aty ku është.

Allahu na ruajt nga dështimet!

Shkruan: Lulzim Mehmet Susuri

03/07/2011

Burimi: http://www.ehlihadithi.com

http://www.islamifejaevertete.com/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read