SQARIM PËR IMANIN DHE GJËRAT QË E BËJNË TË PAVLEFSHËM
E shkroi dijetari: Abdurrahman b. Nasir El Berrak
Përshtati në shqip: Hoxhë Ahmed Ilmi Kalaja
Në vend të parathënies
بسم الله الرحمن الرحيم
Me emrin e Allahut te Gjithemeshirshmit Meshiruesit.
Allahun e falënderojmë të Vetmin pa shok. Mirësitë, begatitë, paqja, mëshira qofshin mbi të Dërguarin, të dashurin e Tij, Muhamedin dhe mbi të gjithë ata që ndjekin dhe e pasojnë rrugën që ai skicoi.
Pa dyshim prej çështjeve më të rëndësishme dhe më të diskutuarat, lidhur me të cilën shumë njerëz kanë marrë guxim të japin mendimet e tyre është pikërisht çështja e imanit, (besimit). Dijetarët e hershëm dhe bashkëkohësit që ndjekin rrugën e tyre e kanë trajtuar dhe ezauruar si temë. Medituesi, në mëyrën se si ata e kanë trajtuar, vëren dy gjëra interesante: ata shprehen me pak fjalë, pa u zgjatur dhe qartë. Ndërkohë që shfaqen herë pas here njerëz pa aftësinë e duhur të cilët marrin përsipër të sqarojnë gjëra kaq të qarta dhe njëkohësisht delikate prandaj me të drejtë kanë thënë : ”Mbetet i turpëruar ai që merr përsipër të sqarojë diçka të qartë ”. Të tillët futen në disa terma që as ata vetë si kuptojnë edhe më keq vete puna, kur shkëpusin fjalët e dijetarëve të hershëm, selefëve, duke marrë atë që i përshtatet ideve të ndërtuara më parë në mendjet e tyre. Zoti na ruajtë dhe na e forcoftë besimin ne dhe atyre. Pasi e lexova librin e shejh el Berrak e pashë të rëndësishëm dhe tepër të veçantë për temën që trajtonte. Allahun Fuqiplotë e lus që këtë libër ta bëjë të dobishëm dhe ta bëjë shkak që njerëzit ti kthehen rrugës së selefëve për çdo çështje të madhe e të vogël sepse ” Nuk mund të rregullohet fundi i këtij ymeti vetëm se me formën dhe mënyrën që është rregulluar fillimi i tij ”. Lus Allahun të më lehtësojë një varg përkthimesh të rëndësishme në këtë fushë dhe në çdo gjë që është në dobi të muslimanëve që dëshirojnë me të vërtetë rrugën e të parëve, unitetin dhe rizgjimin e vërtetë islam .
Përkthyesi
Dy fjalë për autorin
Shejh Abdurrahman bin Nasir El Berrak u lind në vitin 1352(h), në Bekrije. Mbeti jetim në moshë të mitur dhe për rritjen e tij u kujdes nëna e tij. Në moshën nëntë vjecare humbet shikimin. Megjithëatë kjo nuk e pengoi atë që të vazhdojë mësimin e fesë në duart e dijetarëve të mëdhenj. Kuranin e mësoi qysh në moshë të vogël, duke vazhduar më pas pa rreshtur në mexhliset, tubimet dijetarëve të kohës. Prej tyre mund të permendim: Shejh Abdulaziz ibn Baz, Shejh Muhamed ibn Mukbil, kadiu i Bekrijes, Shejh Salih El Iraki. Nën kujdesin e këtyre dijetarëve ai mori njohuri të shumta në fushat Akides (Besimit), Fikhut (Jurispidencës), Hadithit, Tefsirit (Komenti i Kur’anit), Gjuhës arabe, Usul fikh (Bazat e Fik’hut) dhe Faraid ( Rregullat e trashigimisë Islame).
Në vitin 1371(h) në moshën 19 vjecare u regjistrua në medresenë e Rijadit, që ishte edhe viti i parë i hapjes së saj. Në vitin 1378(h) përfundoi fakultetin e sheriatit, ku mësoi prej profesorëve dhe teologeve të mëdhenj, prej të cilëve mund të përmendim: Muhamed Emin Shenkiti, Abdurrazak Afifi. Por shejhu prej të cilit përfitoi më shumë është padyshim shejh Bin Bazi, tek i cili mësoi për më shumë se 50 vjet me rradhë, duke filluar nga viti 1369 (h) e deri në vdekjen e shejhut në vitin 1420(h). Gjithashtu prej shejhut te tij Irakij ai përfitoi shumë.
Mësimdhënien e filloi menjëherë pas përfundimit të fakultetit që prej vitit 1379(h) duke dhënë mësim në fakultete të ndryshme fetare deri në vitin 1420(h). Muftiu dhe profesori i tij Bin Bazi ka tentuar disa herë që të fillonte punë në Komisionin e Fetwave si myfti por ky i fundit megjithë respektin dhe dashurinë për të nuk pranoi. Shejh Bin Bazin e ka zëvëndësuar gjatë periudhës së verës, punë të cilën e vazhdoi për dy vjet pastaj e la. Gjithashtu myfitu i sotëm Abdulaziz Al Shejh është përpjekur ta bindë që të bëhet pjestar i komisionit të përhershëm të dijetarëve por refuzoi duke zgjedhur mësimdhënien në xhaminë e tij dhe në xhamitë e tjera. Aktualisht ai jep më shumë se njëzet mësime në javë në lëndë të ndryshmë. Gjithashtu mban edhe disa ligjerata në xhamitë e Rijadit. Përveç kësaj shejhu është njeri i thjeshtë dhe i dashur me njerëzit i cili ka lënë tepër mbresa në zemrat e muslimanëve dhe nxënësve të tij. E lusim Allahun ta ruaj shejhun tonë dhe të na bëjë ne prej atyre që përfitojnë prej dijes së tij.
بسم الله الرحمن الرحيم
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.
Falenderimi i takon Allahut që begatoi me iman, besim kë dëshiroi. Mirësitë, begatitë e tij qofshin mbi robin eTij dhe të Dërguarin e tij, Muhamedin (a.s.), gjithashtu mbi familjen, shokët dhe pasuesit e tij në të mirë.
Disa prej nxënësëve të dijes kanë pyetur dhe pyesin për një temë që është përfolur shumë kohëve të fundit . Pyetja : “Veprat në besim janë kusht i domosdoshëm apo kusht plotësues. A konsiderohet edukimi i keq arsye për tu falur ai person që mohon duke sharë apo ofenduar Allahun ose të Dërguarin e tij (a.s) ” ?
Në lidhje me pjesën e parë të pyetjes : Veprat në besim janë kusht i domosdoshëm apo kusht plotësues?
Përgjigja : Themi se Kur’ani e Syneti kanë treguar se Imani, besimi si term përmbledh në vetvete:
- Besimin, pranimin, pohimin në zemër.
- Pohimin me gojë.
- Të vepruarit me zemër, që do të thotë nënshtrimi, dëshira për vepruar dhe çdo gjë që mund të konsiderohet si këto te dyja si; mbështetja në Allahun, shpresa, frika, etj.
- Të vepruarit me gjymtyrë. Gjuha konsiderohet prej tyre. Me të vepruarit kemi për qëllim punën që përfshin veprat dhe ndalesat foljore dhe veprore.
Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an; “O ju që keni besuar! Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e tij, në Librin që i zbriti të Dërguarit të tij, në Librat që zbriti më herët. Kush mohon Allahun, Melaiket e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e fundit, me të vërtetë ka humbur, devijuar shumë”. (En-Nisa; 136). “Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e tij, në Dritën që i zbritëm. Allahu për çdo gjë që veproni është i Mirëinformuar”. (Et-Tegabun;8). “Besoi i Derguari atë që iu zbrit nga Zoti të tij, githashtu dhe besimtarët. Ata të gjithë së bashku besuan në Allahun, në Melaiket e tij, në librat e tij, në të dërguarit e tij”.( El-Bekare; 285). “Besimtarë janë ata të cilët kur përmendet Allahu u mallëngjehen zemrat. Atyre që kur u lexohen ajetet e shpallur prej tij u shtohet besimi, ata që i mbështeten Zotit të tyre, ata të cilët kryejnë faljen rregullisht, e që prej të mirave që u kemi dhuruar dhurojnë, japin. Ata mirëfilli janë besimtarët e vërtetë, për ata do të ketë shpërblime dhe grada te Zoti i tyre, falje dhe furnizim të mirë”.(El Enfale; 2-4). “Bamirësia nuk është që të ktheheni nga lindja e perëndimi. Bamirësia e vërtetë dhe e realizuar është te ai që beson Allahun, Ditën e Fundit, Melaiket, Librat, Profetët, ata që japin prej pasurisë për shkak të dashurisë për Zotin për të afërmit, jetimët, të varfërit, udhëtarit, atyre që lypin në nevojë, kryen rregullisht faljen, jep zekatin, dhe ata që i mbajnë premtimet kur i japin, durimtarët në fatkeqësi dhe në luftë. Të tillët janë me të vërtetë të sinqertët në bamirësinë e tyre dhe në besim, këta janë më të devotshmit”.(El Bekare; 177). “Cilido që mohon Allahun pasi pati besuar, me përjashtim të atij që u detyrua, imponua, ndërkohë që zemra e tij është e qetë me besimin. Mirëpo kujt i qetësohet, kënaqet zemra me mohim do të ketë ndëshkim të ashpër”.( En-Nahl; 106 ). “Allahu kurrë nuk do tu humbte imanin, besimin tuaj”.(El-Bekare; 143 ). Ajetet me këtë kuptim janë të shumtë në Librin e Zotit.
Në dy sahihët e Buhariut dhe të Muslimit, transmetohet nga Ibni Abasi (r.a.); se i Dërguari i Allahut (a.s.) iu drejtua delegacionit të fisit Abdul Kajs:
– “Kush jeni ju?”.
– “Rebia”.
– “Mirësevini o njerëz të nderuar dhe të respektuar, jo të përulur dhe jo të qortuar”.
– “O i Dërguari i Allahut! Nuk kemi mundësi të vizitojmë vetëm se në muajt e shenjtë, sepse ndërmjet nesh janë një degezim i fisit Mudarrit, të cilët janë mohues, ndaj na urdhëro me diçka që të urdhërojmë dhe të tjerët e të hyjmë në xhennet po t’i zbatojmë “.
Pyetën për pijet qe ata konsumonin. Ai (a.s.) i urdhëroi për besimin në Allahun të vetëm.
-“A e dini se ç’është besimi në Allahun e vetëm ? “
– “Allahu dhe i Dërguari i tij e dinë më së miri “!
-“Shehadeti, dëshmia ” La ilahe il-lAllah ” (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), Muhammedun Resulullah ” (Muhammedi është i Dërguari i Allahut), kryerja e faljes rregullisht, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, të jepni prej plaçkës së luftës një të pestën “. I ndaloi për katër gjëra.
– ” Ju ndaloj prej “Hantemit, Dubase, Nekirit, Muzefetit [1] mësojini mirë dhe lajmëroni dhe të tjerët”.
Në dy sahihët gjithashtu transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a.); se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Imani ka gjashtëdhjetë e sa degë. Turpi është një prej degëve të imanit “.
Po aty transmetohet nga Ebu Hurejra(r.a.); se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë, kur u pyet se kush është puna më e mirë:
-“Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij”.
-“Pastaj çfarë? “
-“Xhihadi për fenë e Allahut”.
– “Pastaj çfarë? “
– “Haxhi i pranuar “.
Imam Muslimi në “Sahihul Muslim” ka paraqitur një hadith të cilin e transmeton Ebu Seid el Kuhdri (r.a.); se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kush sheh prej jush një të keqe le ta ndryshojë, me dorën e tij, e nëse nuk ka mundësi me gjuhën e tij, e nëse nuk ka mundësi me zemrën e tij, dhe ky është besimi i dobët “.
Imamët e mëdhenj të Ehli Synetit të gjithë kanë transmetuar këtë që u përmend më lart. Prej tyre imam Malik bin Enesi, Euzaiu, Ibnu Xhurejxhi, Sufjan eth-Theuri, Sufjan bin Ujejneh, Weki bin Xherrah e të tjerë se: “Imani është shprehje dhe veprim “. Thënia e tyre “Shprehje” kanë për qëllim “Shprehjet e gjuhës dhe të zemrës d.m.th. shqiptimin me gojë dhe besimin e brendshëm, punët e zemrës”. Ndërsa thënia “veprim” kanë për qëllim “Të vepruarit me zemër dhe gjymtyrë”.
Shejhul islam Ibnu Tejmije në “Akidetul Wasitijeh” ka thënë: “Prej bazave të Ehli Synetit është se feja dhe besimi nuk janë tjetër veçse shprehje dhe vepra. Shprehje të zemrës dhe të gjuhës dhe vepra të zemrës, të gjuhës dhe gjymtyrëve”.
Nga këtu bëhet e qartë se termi “Iman” përmbledh çdo gjë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i tij (a.s.) në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me besimin, dëshirat, punët e zemrës, shprehjet me gjuhë, punët e gjymtyrëve (të vepruarit ose jo ). Pra thënë ndryshe të gjitha dizpozitat obligimet dhe veprat e pëlqyeshme, lënien e gjithë të ndaluarave dhe të papëlqyeshmve, të konsideruarit e diçkaje hallall kur ajo është hallall dhe të konsideruarit e diçkaje haram kur është haram.
Urdhëresat dhe ndalesat, madje dhe veprat e pëlqyeshme dhe të papëlqyeshme nuk janë në të njëjtën gradë. Për këtë arsye nuk është e drejtë që të thuhet se veprat janë kusht i domosdoshëm apo kusht plotësues në besim. Lidhur me këtë pikë duhet të jemi të qartë.
Shprehja jonë “veprat” përfshin veprat e zemrës dhe veprat e gjymtyrëve dhe do të thotë gjithashtu të vepruarit e diçkaje ose heqjen dorë prej diçkaje tjetër. Këtu u përmblodhën pesë shtyllat e Islamit dhe detyrimet e tjera, largimi nga politeizmi, mohimi dhe ndalesat e tjera. Të heqësh dorë prej politeizmi dhe gjithë llojet e mohimit dhe shfajësimi prej të dyjave është kusht i domosdoshëm për besimin, ose përndryshe nuk ka besim. Heqja dorë prej gjynaheve të tjera është kusht plotësues për besimin. Nënshtrimi i vërtetë i zemrës për pasimin e të Dërguarit (a.s.) dhe çdo gjë që është e domomosdoshme për një nënshtrim të mirfilltë si dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e tij (a.s.), frika, shpresa, konsiderohen kusht i domosdoshëm për besimin, pa të cilat nuk ka besim të mirfilltë.
Shprehja me gjuhë d.m.th. e shehadetit, dëshmisë: “La ilahe il-lAllah Muhamedun resulullah” “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut” po kështu konsiderohet kusht i domosdoshëm për besimin, pa të cilin nuk ka besim.
Sa i përket shtyllave të Islamit, pas Shehadetit nuk është se Ehli Syneti kanë mbajtur të njëjtin qëndrim për ndonjërën prej tyre se është kusht i domosdoshëm për besimin. Ata mes veti kanë pasur kontradikta, gjë që është e shfaqur më shumë te lënia e faljes pesë kohëve. Pasi falja konsiderohet shtylla më e rëndësishme pas shehadetit dhe se veçanërisht për namazin kanë ardhur argumente të posaçme dhe që tregojnë mohimin e atij që lë faljen, siç është hadithi i Xhabirit b. Abdilah i cili ka thënë; e kam dëgjuar të Dërguarin (a.s.) të thotë: “Shenja që dallon njeriun besimtar nga jobesimtari, besimin nga jobesimi është lënia e namazit.” Transmeton Imam Muslimi dhe të tjerë. Gjithashtu dhe hadithi i Burejde b. el-Husejn (r.a.), i cili transmeton se: I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Shenja dalluese ndërmjet besimtarëve dhe mohuesve është namazi, kush nuk e kryen ka mohuar.” Transmetohet ky hadith në librat e Suneneve.
Ndërsa gjykimi për obligimet e tjera përveç shtyllave te Islamit nuk ka mosmarrëveshje ndërmjet ithtarëve të Ehli Synetit se të vepruarit e tyre është kusht plotësues, jo i domosdoshëm për besimin, dhe se lënia e tyre konsiderohet prej gjynaheve që nuk e nxjerrin njeriun nga besimi.
Sa për dijeni kur themi “kusht” dëshirojmë të përmendim një kuptim më të gjërë se ai i njohuri, kemi për qëllim të themi: “Çdo gjë mbi të cilën varet ekzistenca e diçkaje, pa i kushtuar rëndësi faktit se është pjesë përbërse apo jo e saj”. E si pasojë mos të keqkuptohet se kur themi kusht kemi për qëllim që njëkohësisht të jetë dhe pjesë përbërëse e saj.
Ky është qëndrimi i Ehli Synetit dhe për këtë arsye nuk lejohet që të thuhet se kush ka thënë: “Ai që e lë faljen me dembelizëm, për shkak të përtacisë duke u arsyetuar apo diçka tjetër prej shtyllave të Islamit ” quhet murxhi (grup prej grupeve të humbura qe si llogarisin veprat prej besimit). Gjithashtu nuk lejohet të thuhet se ai që thotë: ” mohon ai që e lë faljen me dembelizëm, për shkak të përtacisë duke u arsyetuar” quhet harixhi. (Havarixh, Tekfiri grup prej grupeve të humbura me origjine te vjeter siptomat e të cileve shfaqen te disa madje dhe në kohët e sotme). Njeriu quhet murxhi kur ai predikon: “Nxjerrjen e veprave prej besimit (veprat e zemrës e gjymtyrëve) megjithëse mund të thotë për detyrimin e obligimeve, ndalesën e harameve, dhe pranon gjykimet penale ose ndëshkimet kjo është thënia e murxhive të specilizuar në çështjet e fikh’hut, predikim që e kanë kundërshtuar imamët e mëdhenj të dijes dhe kanë sqaruar se bie ndesh me Kur’anin dhe Synetin e të Dërguarit (a.s.). Në qoftëse dikush thotë: “Imanit, s’i bën dëm asgjë prej mëkateve dhe se besimi nuk është gjë tjetër njohuria të njohësh Zotin, mjafton njohja eTij “. Padyshim ky është pohimi i murxhive ekstremistë (xhehmije), të cilët dijetarët e selefë i kanë konsideruar si mohues.
Me kaq sa u tha më lart përfundon dhe sqarimi i çështjes së punëve, ose veprave në lidhje me besimin, se a konsiderohen kusht i domosdoshëm, i patjetërsueshëm apo plotësues për egzistencën e tij. Siç u sqarua dhe qëndrimi i Murxhive në këtë temë. Nuk di që ndonjëri prej imamëve të hershëm të ketë folur me këtë terminologji, por disa të voneshëm janë shprehur me këtë terminologji .
Njëkohësisht ne jemi përgatitur për t’i dhënë përgjigje dy pyetjeve tashmë:
- Mohuesi në origjinë me çfarë hyn në Islam dhe që si pasojë gëzon të drejtat e muslimanëvë?
- Çfarë e nxjerr muslimanin nga Islami pasi gëzon statusin e muslimanit. Pra si shndërrohet në mohues?
Pergjigja ne lidhje me pyetjen e parë: ” Mohuesi në origjinë me çfarë hyn në Islam dhe që si pasojë gëzon të drejtat e muslimanëvë?
Qafiri, mohuesi futet në Islam dhe gëzon statusin e muslimanit duke pranuar dhe shprehur shehadetin “La ilahe il-lAllah Muhamedun resulullah”. Kush e shpreh duke mos e pranuar dhe duke mos e pohuar me zemër ai gëzon statusin e muslimanit në pamje të jashtme. Ndërsa kush e shpreh duke e pranuar, pohuar në brendësinë e tij, zemër, ky konsiderohet musliman i vërtetë dhe gëzon statusin e muslimanit dhe njëkohësisht esencën e besimit. Pasiqë s’përfytyrohet Islami vetëm se me Iman dhe s’përfytyrohet Imani vetëm se me Islam pra janë të domosdoshme për njëra tjetrën. Pranimi ose pohimi në varësi të të cilit varet egzistenca e Islamit, ose jo, përfshin tre gjëra:
- Besimin, pranimin me zemër.
- Nënshtrimin e zemrës.
- Shprehjen me fjalë.
Nënshtrimi, pranimi me zemër, shprehja me fjalë, pohimi i jashtëm dhe i brendshëm të gjitha këto përfshihen tek ajo që njihet te mbarë dijetarët me ” T’i përmbahesh dispozitave të Islamit ” që do të thotë: Të besosh në të Dërguarin (a.s.) dhe në çdo gjë që ka sjellë prej Zotit dhe lidhja e besës në bindjen e plotë ndaj tij. Cilido që nuk i përmbahet kësaj të vërtete që u përmend nuk konsiderohet se ka bërë një pohim të rregullt, të vërtetë.
Me “Besimin, pranimin në zemër” duhet të dimë se e kundërta e saj qëndron në përgënjështrimin, dyshimin, dhe refuzimin, prandaj kujdes. Me ”Nënshtrim” përfshihet përgjegjshmëria, bindja, dashuria, kënaqësia, pranimi, ndërsa kundërthënia e tyre konsiderohet refuzimi, mendjemadhësia ndaj të vërtetës ndaj besimit, mospëlqimi i asaj që mbarti revelata që iu shpall te Dërguarit(a.s.).
Shprehja “me fjalë” ka si kundërthënie, përgënjeshtrimin, refuzimin. Për këtë arsye kush beson me zemër dhe mohon me gojë ai ka mohuar me mohimin më ekstrem që quhet Xhuhud “Papranueshmëri”. Kush mohon me zemër dhe shprehet me gojë si besimtar mohimi i tij është i sojit të dyfytyrësisë. Së fundi dalim në përfundimin se llojet e mohimit janë gjashtë, te gjitha konsiderohen kundërthënie të esencës së Islamit. Kategoritë e mohimit janë:
- e përgënjeshtrimit.
- e dyshimit.
- e indiferentizmit.
- e refuzimit, mendjemadhësisë.
- e papranueshmërisë.
- e hipokrizisë.
Prej mohimit të refuzimit, mendjemadhësisë është mospasimi i të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe mos përgjigja ftesës së bërë prej tij, edhe nëse ai e shpreh besimin apo beson me zemër siç ishte rasti i mohimit të Ebu Talibit apo siç është rasti i mohimit të gjithë atyre që pranojnë profecinë e të Dërguarit (a.s.) si jehudët apo të tjerët të cilët e njohin Islamin si fe po nuk i përgjigjen ftesës së bërë prej tij per t’u futur në Islam.
Ndërsa përgjigja për pyetjen e dytë: Çfarë e nxjerr muslimanin nga Islami pasi gëzon statusin e muslimanit, pra si shndërrohet në mohues?
Ajo që dua të them në lidhje me këtë çështje përmblidhet në tre gjëra:
E para: Çdo gjë që bie ndesh me pranimin dhe pohimin e dëshmisë kam për qëllim gjashtë llojet e mohimit që përmenda më lart. Nëse muslimani bie në ndonjërën prej tyre quhet i dalë prej feje.
E dyta:Çdo gjë që bie ndesh me domethënien e dëshmisë “La ilahe il-lAllah Muhamedun resulullah” “Nuk ka Zot tjetër i cili meriton te adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut”. Lind nevoja të dimë kuptimin e dëshmisë:
A) Domethënia e pjesës së parë “La ilahe il-lAllah” është: Mohimi i çdo lloj idhulli në adhurim, bindje dhe pasim (Tagutit) dhe besimin në Allahun si Zotin e vërtetë. Kjo gjë që përfshin monoteizmin dhe tre kategoritë e tij. Njësimin e Allahut në veprat e tij si krijimi, furnizimi, shërimi, jeta, vdekja, rregullimi i çështjeve e tj. Njësimin e Allahut në adhurim me veprat që burojnë nga ne si lutja, falja, agjërimi, frika, shpresa e tj. Njësimin e Allahut në emrat e cilësitë e tij. E gjithë kjo thënë ndryshe se Allahu i Lartmadheruar është Zoti, Sunduesi, Zotëruesi absolut i gjithçkaje. Çdo gjë që ka dëshiruar ka ndodhur, çfarë nuk e ka dëshiruar është e pamundur të ndodhë. I vetmi që meriton të adhurohet dhe çdo gjë që adhurohet përveç tij nuk e meriton adhurimin. Atij i përkasin të gjitha atributet, virtytet më të larta të përsosmërisë, i pastër nga çdo e metë e mangësi; ashtu siç e ka cilësuar Vetveten e Tij apo siç e ka përshkruar i Dërguari i Tij (a.s.). Gjithë kjo, pa anulluar dhe devijuar aspak domethëniet që burojnë nga konteksi i jashtëm gjuhësor i tekstit, dhe pa i bërë këtyre teksteve përngjasime ose shëmbëllime me askënd prej krijesave të Zotit. Në rrjedhën e asaj që Allahu vetë ka thënë: “Si shembulli i Allahut nuk është askush. Ai është i Dëgjuesi, Shikuesi “. (Shura;11). Pra njësimi i Zotit në adhurim dhe largimi prej çdokujt që adhurohet përveç Allahut. Gjërat që e bëjnë të pavlefshëm njësimin e Allahut janë:
- Mohimi i egzistencës së Allahut, ky është lloji më i shpifur i mohimit që njihet dhe si ateizëm, i cili nuk ka asnjë të përbashkët me besimin po kështu dhe panteizmi ka të njëjtin gjykim.
- Besimi se me Allahun ka ndonjë Krijues, Rregullues apo Ndikues i cili ushtron ndikim të pavarur nga ai i Zotit në ndonjë prej çështjeve që kanë të bëjnë me botët.
- Besimi se ndonjë prej krijesave kanë ngjashmëri me Allahun, në lidhje me atributet, cilësitë, përsosmërinë absolute të Tij si dija apo gjithëfuqia dhe përkujdesja.
- Përngjasimi i të Lartëmadhëruarit me ndonjë prej krijesave të Tij në vetë Qënien e Tij, Cilësitë e Tij, Veprat e Tij, siç kanë thënë el-Mushebihe (grup i humbur): ”Zoti dëgjon si dëgjimi ynë”. Në këtë kategori futet dhe të cilësuarit e Allahut me të meta si varfëria, kopracia, pamundësia, ashtu si dhe të përshkruarit Allahut se ka të ngjashëm, bir apo bashkëshorte.
- Besimi se i takon ndonjë prej krijesave adhurimi me Allahun, ose lejohet ti dedikohet ndonje lloj adhurimi, ky është mohim në çështjet e adhurimit pa vënë re se personi me të vërtetë adhuron diçka tjetër përveç Zotit apo jo, pra vetëm me këtë besim njeriu quhet mohues.
- Adhurimi i ndonjë prej krijesave të Zotit, adhurim të pavarur apo bashkë me Allahun, konsiderohet mohim, në adhurim. Ndërsa nëse i kushtohet ndonjë lloj adhurimi dikujt përveç Allahut me besimin se ka fuqi të bëjë dëm apo dobi, duke mos marrë parasysh se beson se kjo që po i përkushton adhurimin është ndërmjetësues ndërmjet tij dhe Zotit apo jo. Shembull për këtë sexhdja (rënia me fytyrë në tokë)para idhujve. (ose çdo gjeje tjetër varre, tyrbe etj ).
Dallimi mes dy llojeve të mohimit ( 5 dhe 6 ) është se: ky i fundit (6) është mohim që ka të bëjë me veprat që bien ndesh me njësimin që ka të bëjë me veprat , pra njësimi i Allahut me adhurim. Ndërsa ai që u përmend më herët (5), ka të bëjnë me mohimin në besim si besim i cili vetëvetiu bie ndesh me atë se çfarë i takon Allahut. Për vetë lidhjen e ngushtë mes besimit dhe veprave emërtohet ky lloj i njësimit me emrin njësimi i të Adhuruarit apo njësimi në adhurim, dhe për të kundërtën e tij me mohimi i të Adhuruarit apo mohimi në adhurim.
- Mohimi i emrave, cilësive të Allahut, pa përjashtim apo një pjesë prej tyre.
- Magjia. Pa bërë dallim se është magji që bëhet shkak ndarje mes burrit dhe gruas, siç bënin babilonasit, apo me fryerje nëpër nyje të lidhura siç bënte el-A’sam (një çifut me vajzat e tij i bënte magji për keq Profetit(a.s.), apo hipnotizuese që i sheh gjërat jo siç janë në të vërtetë, siç bënin magjistarët e Faraonit. ( Apo lloje të tjera që autori nuk i ka përmendur (sh.p. ). Të gjitha sa u thanë më lart mbahen në këmbë në sajë të adhuruarit të dikujt tjetër përveç Allahut duke i bërë atij shok në adhurim xhindët ose yjet etj. Ndërsa magjia sportive ose e shkathtësisë d.m.th. që kthehet tek zgjuarsia, mençuria lëvizjet e shpejta, fshehja e veprimeve, ose përzierja e disa elementeve, të gjitha konsiderohen mashtrim dhe gënjeshtër po që nuk është magji mohim.
B) Ndërsa domethënia e pjesës së dytë: “Muhamedun Resulullah” është: Të besosh se Allahu e dërgoi Muhamedin (a.s.) për mbarë njerëzimin me udhëzim në fenë e vërtetë, të besosh se është vula e Profetëve, të besosh dhe të pranosh çdo gjë që lajmëroi, të mos dyshosh në besueshmërinë e kumtimit, dhe se udhëzimi, orientimi i tij (a.s.) është më i miri dhe më i përsosuri, të besosh se besimi në të si profet, bindja dhe dashuria për të janë obligim, detyrim për çdo kënd.
Gjërat që e bëjnë të pavlefshme deklaratën “Muhamedun Resulullah”:
- Mohimi, mospranimi i profecisë së tij (a.s.) përgënjështrimi ose dyshimi në vërtetësinë, besueshmërinë e mbartësit të kësaj revelate.
- Mohimi i mbylljes së profetësisë me dërgesën e tij (a.s.) ose pretendimi i profecisë pas tij, ose besimi i atyre që pretendojnë se janë profetë pas vdekjes së tij (a.s.) madje edhe dyshimi në gënjeshtrën e tyre se mund të jetë e vërtetë përbën mohim.
- Mohimi i faktit se shpallja që i erdhi Muhamedit (a.s.) ishte për mbarë njerëzimin. Ka të njëjtin gjykim çdo person që beson se ai është i Dërguari i Allahut vetëm për arabët, madje edhe nëse e ngre si hamendje përbën mohim. Besimi se jehudët dhe të krishterët nuk e kanë për detyrë ta pasojnë, përbën mohim. Besimi se ndonjëri ka të drejtë të dalë nga legjistacioni i shpallur atij, si filozofët apo Arifinët prej Sufijve (prej grupeve të humbura që dalin nga adhurimet e njohura, në degradime të tilla saqë mund të shprehen se këto adhurime që ju bëni janë kot, me pretekstin se nuk e keni kapur esencën e asaj që Allahu ka kërkuar prej njerzve etj) (sh.p.) përbën pa dyshim mohim.
- Ulja e vlerave të Dërguarit (a.s.) ose mveshja me mangësi dhe të meta personalitetit të tij si profet, apo udhëzimit që mbarti për njerëzimin apo për jetën e tij.
- Tallja me të, përqeshja e tij apo e asaj që iu shpall prej Zotit (xh.sh.), prej fushës së besimit apo legjislacionit.
- Përgënjeshtrimi i ndonjë prej çështjeve të Botës së Fshehtë (Gajbit) për të cilën ka lajmëruar qoftë kjo që ka të bëjë me Allahun apo Ëngjëjt (Melaiket), Librat, të Dërguarit, zanafillën e krijimit apo përfundimin e krijimit, Ringjalljen, Xhenetin, Xhehennemin etj.
C) Gjërat që i bëjnë të pavlefshme dy deklaratat “La ilahe il-lAllah, Muhamedun Resulullah”:
- Përgënjështrimi i faktit se Kurani është prej Allahut. Mohimi i tij ose mohimi i një ajeti apo edhe një shkronje prej tij se nuk është Kur’an fjala e Zotit. Besimi se Kur’ani është i krijuar apo se nuk është fjale me të cilën ka folur vetë Allahu.
- Dhënia përparësi e ligjeve, gjykimeve të tjera ndaj gjykimit të Allahut, pa marrë parasysh se nga cili legjislacion, kushtetutë buron, apo besimi se ligjet e tjera janë të barabartë me gjykimin e Allahut në gjykim, apo se lejohet të gjykohet me këto të tjerat, megjithëse gjykim i Zotit është më i mirë.
- Të bërit të ndaluar (haram) të asaj gjëje që Allahu e ka bërë të lejuar (hallall) ose të lejuarit (hallall) të asaj gjëje që Allahu dhe i Dërguari i Tij (a.s.) kanë gjykuar si të ndaluar ose bindjen ndaj atyre që bëjnë këtë prej njerzve.
Vërejtje:
- 1)Duhet të dimë se, nga sa u përmend më lart, prej llojeve të mohimitdaljes nga feja ka prej atyre gjëra për të cilat nuk mund të pranohet si arsyetim padituria në çështje si: mohimi i Allahut, mohimi i egzistencës së tij, apo përgënjeshtrimi i të Dërguarit të tij (a.s.). Kjo kategori njerëzish konsiderohen si mohues çfarë do që të kenë qenë rrethanat. Në çështje të tjera pranohet arsyetimi me padije, ose komentimi i gabuar, e si pasojë ai njeri nuk konsiderohet si mohues, apo si i dalë prej feje. Kjo derisa të lajmërohet, të vihet në dijeni, ti vijnë argumentet si rasti i mohimit diçkaje prej lajmeve apo ligjeve fetare.
- 2)Kush shfaq ndonjë prej llojeve të mohimit që u përmendën më lart seriozisht ose me tallje, shaka, apo për lajkatizëm, apo për inat apo për ndonjë zënkë pa qënë i detyruar, konsiderohet mohues, sepse thotë Allahu në Kur’an: “…kush mohon Allahun pasi pati besuar përveç atyre që detyrohen dhe zemrat e tyre janë të qeta me besim…” (en-Nahl;106 ). Gjithashtu të bërit sexhde para një idhulli për hatër të idhujtarëve, mohuesve, ose duke shpresuar ndonjë ofiq apo interes të kësaj bote edhe nëse pretendohetqëllimi ka qenë bërja sexhde ndaj Allahut, padyshim kjo është shfaqje e mohimit pa u detyruar dhe automatikisht e përfshin thënia e Allahut: “…kush mohon Allahun pasi pati besuar përveç atyre që detyrohen dhe zemrat e tyre janë të qeta me besim…”.( en-Nahl;106 ).
E treta: Prej rasteve të mohimit ka disa që kanë një lidhje të pamohueshme ndërmjet të dukshmes dhe të padukshmes në brendësinë e njeriut, gjë që fakton katërcipërisht për mospranimin e dëshmisë me zemër dhe nëse i thotë me gojë në pamje të jashtme. Kjo përfshin disa gjëra:
1- Nëse i kthen shpinën fesë Islame, duke mos e mësuar e as duke vepruar, duke mos u interesuar për të, pa ndierë madje as edhe një lloj përgjegjësie pse nuk i kryen obligimet apo pse bën ndalesat apo për çfarë nuk di ose nuk njeh prej gjykimeve të fesë. Duhet të dimë se, besimtari nuk del prej këtij lloji të mohimit i cili tregon mosbesim në brendësi pse kryen ndonjë vepër prej degëve të besimit të rëndomta, të përgjithshme që i bëjnë të gjithë, besimtarët dhe jobesimtarët, si pastrimi i rrugës, respektimi i prindërve, mbajtjen e amanetit. Njeriu del prej këtij lloji kufri (të indiferentizmit) kur bën diçka prej obligimeve fetare me të cilat është dalluar si veçori e Islamit si namazi, zekati, agjërimi, haxhi me besim dhe shpresë shpërblimi. Shejhul Islam Ibnu Tejmije ka thënë: “Njeriu nuk mund të jetë besimtar në Allahun dhe në të Dërguarin (a.s.) e tij duke mos kryer diçka prej detyrimeve fetare me të cilat është dalluar me obligimin e saj legjislacioni i Muhammedit (a.s.)”. (Mexhmul Fetawa 7/621).
2 – Të vendosë udhëheqësi, ligje të cilat bien ndesh me gjykimet e prera të fesë dhe njëkohësisht të njohura domosdoshmërisht prej fesë Islame, nëse ai detyron për këtë lloj të të gjykuarit dhe gjykimin me të, dhe ndëshkon dikë që gjykon me ndonjë gjykim në kundërshtim me të edhe nëse pretendon se është obligim të gjykohet me Sheriat, pra me legjislacionin fetar Islam, si p.sh:
- Ligji i ” liberalizimit ” të së drejtës për zjedhjen e fesë dhe si pasojë nuk praktikohet gjykimi i fesë Islam për këtë vepër apo t’i kërkohet të pendohet. (Bëhet fjalë për vendet që gjykojnë me sheriat) (sh. p.).
- Ligji i liberalizimit të normave bazë të fesë si pasojë nuk praktikohet obligimi i faljes, agjërimit as të mos merren masa për parregullsitë në to. (Bëhet fjalë për vendet që gjykojnë me sheriat) (sh. p.).
- Zëvendësimi i kodit penal Islam me kod tjetër penal. (Këtu autori ka përmendur shembuj si gjykimet e lejimit të vjedhjes apo imoralitetit, pijet alkoolike etj.) (sh. p.).
3) Dashuria (s’bëhet fjalë për dashurinë e natyrshme) për mohuesit, qofshin prej jehudëve apo të krishterëve apo politeistëve, ndihmesa e tyre kundër muslimanëve. Thotë Allahu në Kur’an: “O ju që keni besuar, mos i merrni jehudët e të krishterët të afërm miq të dashur. Ata janë miq të dashur të njeri tjetrit. Kush i merr ata miq prej jush është si ata. Allahu nuk e udhëzon një popullin e padrejtë”. (el Maide;5).
4) Lënia e namazit, vazhdimisht ose falja sa për sy e faqe, për hir të njerëzve kur është me ata që falen, qoftë dhe pa u pastruar është e pamundur që një veprim i tillë të burojë prej dikujt që beson në vetvete obligueshmërinë e faljes, kështu që mohimi në këtë rast është për faktin se ai mohon faljen si obligim, detyrim fetar nga ky arsyetim konsiderohet mohues, jo se la namazin me kuptimin e asaj që dijetarët e Ehli Synetit kanë pasur mosmarrëveshje. Për këtë arsye duhet të bëhet dallimi ndërmjet këtij rasti dhe rastit kur personi falet me hope ose nuk kryen siç duhet obligimet e faljes siç tregon për këtë hadithi të cilin e transmeton Ubadeh b. Samit (r.a.): se “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.) që thoshte: ”Pesë falje i ka obliguar Allahu robërve të tij. Cilido që i kryen rregullisht pa neglizhuar dhe nënvlerësuar pozitën e faljeve ka besë prej Allahut se do ta fusë në xhenet. Cilido që nuk i kryen nuk do të ketë besë tek Allahu. Nëse dëshiron e fal e nëse dëshiron e fut në xhenet”.
Shejhul Islam Ibnu Tejmije në “Mexhmul Fetawa 22/49) thotë: “…….ndërsa ai që e lë namazin me vetëdije të plotë dhe nuk falet asnjëherë dhe vdes në këtë gjendje, nuk ka mundësi të jetë musliman, mirëpo shumica e njerëzve herë falen dhe herë nuk falen pra nuk janë të rregullt, e të vëmendshëm në kryerjen e saj . Këta janë në rrezik pasi për të këtillët është transmetuar hadithi të cilin e kanë përcjellë autorët e “suneneve” pikërisht hadithin e Ubades (r.a.): ”Pesë falje i ka obliguar Allahu robërve të tij. Cilido që i kryen rregullisht pa neglizhuar dhe nënvlerësuar pozitën e faljeve ka besë prej Allahut se do ta fusë në xhenet. Cilido që nuk i kryen nuk do të ketë besë tek Allahu. Nëse dëshiron e fal e nëse dëshiron e fut në xhenet”. ”rregullisht” ka kuptimin per çdokë që i kryen në kohët e veta të përcaktuara me mënyrën siç e ka përcaktuar Allahu. Ndërsa ata të cilët e vonojnë herë-herë prej kohës së përcaktuar, apo duke neglizhuar obligimete saj do të jenë nën dëshirën, vullnetin e Allahut të Madhëruar, i tilli mund të ketë falje vullnetare me anë të të cilave Zoti i plotëson, mangësitë në faljet e detyrueshme, siç është transmetuar për këtë hadith nga i Dërguari i Allahut (a.s.). ” Diku tjetër duke folur për ata të cilët ka lajmëruar i Dërguari (a.s.) se do të ketë udhëheqës që e vonojnë namazin prej kohës së obliguar, (Mexhumul Fetava 22/01); “Nëse dikush thotë – dhe ky është mendimi më i drejtë në komentimin e hadithit – se ata e linin faljen nga koha e përcaktuar, i Dërguari (a.s.) ka urdhëruar ymetin, pasuesit e tij të falen pas tyre pasi ta kenë falur vetë atë në kohën e vet, dhe këshiloi duke thënë: “Faluni pas tyre me nijetin për namaz vullnetar” dhe e ka ndaluar luftën me ta, sepse nuk lejohet të hapet lufta kundër udhëheqësve vetëm pse bëjnë ndonjë vepër për të cilën Islami ka gjykuar se është Fisk (vepër e shëmtuar e ndaluar) po urdhëroi të falen pas tyre si falje vullnetare”.
5) Prej veprimeve që kanë të njëjtin gjykim me sa u tha më lart është edhe hedhja e qëllimshme të Kur’anit në vendet e papastra, nevojtore, apo urinimi mbi të apo shkruajtja e ajeteve të tij me papastërti. Pa dyshimin më të vogël që ky veprim është kulmi i poshtërimit të Kur’anit dhe se ky veprim nuk mund të burojë vetëm se prej një njeriu që në vetvete nuk beson se ky libër është fjala e Allahut. Shejhul Islam Ibnu Tejmije(Mexhmul Fetava 7/616): “Nuk mund të përfytyrohet normalisht dikush besimtar në zemër dhe as pohues i asaj se Allahu ka urdhëruar faljen, apo i fesë nëse arrin puna që udhëheqësi, gjykatësi ta urdhërojë për tu falur dhe s’pranon të falet dhe vdes në këtë gjendje pa u falur a mund të jetë ky në brendësinë e tij besimtar? Ky nuk është veçse mohues. Madje dhe nëse ai thotë: Unë e pohoj dhe pranoj obligueshmërinë e faljes, por nuk i fal”. Kjo shprehje në lidhje me rastin e lartpërmendur është një gënjeshtër me brirë nga ana e tij. Ky rast është i ngjashëm me rastin e një personi i cili hedh Kur’anin në papastërti, dhe thotë; “Unë besoj se në të ndodhet fjala e Allahut”, ose dikush që i hap luftë apo dëshiron të vrasë një prej Pejgamberëve të Zotit -kur ishin ata – dhe thotë: “Dëshmoj se është i Dërguari i Allahut”, dhe veprime të ngjashme të cilat tregojnë për mosegzistencën e besimit, në zemër, edhe nëse thotë,” Unë besoj me zemër”. Nëse rastet janë të tilla ai është mohues ndërsa në thënien e tij gënjeshtar për atë që thotë.
Ndërsa në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes: A konsiderohet edukimi i keq arsye për tu falur ai person që mohon duke sharë apo ofenduar Allahun ose të Dërguarin e tij ( ) ” ?
Përgjigja : Sharja ose ofendimi i Allahut dhe të Dërguarit të tij ( ), padyshim që konsiderohet prej gjërave që e bëjnë të pavlefshëm dedikimin në Islam sepse në të ka poshtërim për Zotin dhe Profetin e tij ( ), dhe kjo gjë bie ndesh me madhërimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ( ). Edukimi jo i mirë nuk konsiderohet arsye për të lënien e obligimeve, kryerjen e ndalesave e jo më në lloj prej llojeve të kufrit në Allahun. ( Autori këtu flet për gjendjen dhe dijen në ato vende ku propaganda e fesë ka qenë e praktikuar, dhe ka qenë çdo çast e pranishme , prandaj duhet të jemi të vemendshëm në gjykime . Sh. p). Sikur të ishte arsyetim i saktë ky, atëherë fëmijët e hebrenjëve e krishterëve duhet të jenë dhe ata të arsyetuar, dhe ky pohim nuk del nga goja e një muslimani dhe kush e thotë këtë është mohues mësohet, i kërkohet pendim, nëse pendohet mirë përndryshe obligohet të zbatohet mbi të gjykimi i Islamit .Në dy sahihët transmetohet nga Ebu Hurejra ( ) se i Dërguari i Allahut ( ) ka thënë”Çdo fëmijë që lind, lind në natyrshmëri.(Natyrshmëria e adhurimit të Zotit të Vetëm e pa shok),prindërit e tij bëhen shkak për ta bërë atë hebre apo të krishterë , a zjarrputist . Si puna e viçit sapo lind nuk dallohet në do të ketë brirë apo jo. Lexoni nëse dëshironi thënien e Allahut në Kur’an : “Natyrshmëria e Allahut në të cilën Ai i krijoi njerëzit . Krijimi i Zotit është i tillë, për të gjithë “. ( err-Rrum;30). Po ashtu: “Ata thanë: ”Etërit tanë i gjetëm në një fe dhe gjurmët e tyre do të pasojmë”. ( ez-Zuhruf ;22).
Me kaq mjaftohem. Allahun e lus që të na i forcojë zemrat tona në fenë e tij të pastër.E lusim Allahun që ta bëjë besimin gjënë më të dashur për zemrat tona dhe t’i zbukurojë ato me të. Vetëm Atë e lusim që mohimin dhe Fiskun (veprat e shëmtuara) t’i bëjë të urryera për zemrat tona. Vetëm Atë e lusim që të na bëjë prej të udhëzuarve. Allahu është Dëgjuesi i lutjes sonë. Paqja, mirësitë dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e tij, Muhamedin dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
El hamdulilah
Abdurrahman b. Nasir El Berrak
Hoxhë Ahmed Ilmi Kalaja
Burimi: www.IslamiFejaeVertete.com