BallinaTEZKIJEThirrje për përmirësimTë gjithë do të vdesin, të zgjedhim se si do të vdesim!

Të gjithë do të vdesin, të zgjedhim se si do të vdesim!

 

Të gjithë do të vdesin, të zgjedhim se si do të vdesim!

 

Allahu i Lartësuar thotë: “Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë! Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” (Mulk, 1-2)

 

Në të vërtetë, Allahu Fuqiplotë ka krijuar jetën dhe vdekjen në këtë botë për t’i sprovuar robërit e Vet, që ta dallojë të mirin nga i keqi. Allahu i Lartësuar i trajton njerëzit me trajtimin e provuesit. Kush bën mirë, për veten e vet e ka dhe kush bën keq, përsëri për veten e vet e ka, në mënyrë që njerëzit të mos kenë argumente para Allahut në Ditën e Kiametit.

 

Vdekja konsiderohet realitet, rreth ekzistencës të së cilës askush prej njerëzve nuk polemizon. Allahu i Lartësuar thotë: “Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?! Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 34-35)

 

Vdekja është fakt nga i cili shumica e njerëzve ikin. Allahu Fuqiplotë thotë: “Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.” (Xhumua, 

 

Ajetet kanë zbritur për çifutët, të cilët pretenduan se konsiderohen “të vetmit miq të Allahut nga të gjithë njerëzit”, (Xhumua, 6). Por ata kurrë nuk do ta dëshirojnë vdekjen “për shkak të veprave që kanë bërë duart e tyre” (Xhumua, 7). Vdekja, prej së cilës po frikësohemi vetëm me përmendjen e saj, gjithsesi do të na vijë. Të vërtetën e ka thënë Allahu kur thotë: “Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!” (Nisa, 78)

 

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush dëshiron takimin me Allahun, dëshiron edhe Allahu ta takojë atë, ndërsa kush nuk pëlqen takimin me Allahun, Allahu nuk e dëshiron takimin me të.” Thashë: “O i Dërguar i Allahut, të gjithë ne e urrejmë vdekjen!” Ai tha: “Nuk është kështu, por besimtari, kur përgëzohet me mëshirën e Allahut, kënaqësinë dhe xhenetin e Tij, e dëshiron takimin me Allahun dhe Allahu dëshiron ta takojë atë. Ndërsa jobesimtari, kur lajmërohet për dënimin e Allahut, hidhërimin dhe ndëshkimin e Tij, nuk e pëlqen takimin e Allahut, por edhe Allahu nuk dëshiron ta takojë atë.”

 

A jemi gati për t’u takuar me Allahun e Lartësuar? Por para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të pyesim se çfarë kemi ofruar në këtë botë për botën tjetër?

A jemi përpjekur në rrugën e Allahut të Lartësuar me veten, pasurinë dhe gjuhët tona?

Sa kemi shpenzuar në rrugën e Allahut të Lartësuar?

Sa të këqija kemi ndryshuar?

Për sa punë të mira kemi urdhëruar?

A i edukuam djemtë dhe vajzat tona sipas Islamit?

A e kujtojmë Allahun kur jemi në mirësi ashtu siç e kujtojmë Atë në vështirësi?

A i ndihmojmë muslimanët në çdo vend të botës?

A e shfaqim armiqësinë tonë ndaj jobesimtarëve dhe miqësinë ndaj besimtarëve?

 

Një burrë prej ensarëve e pyeti të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “O i Dërguar i Allahut, kush është njeriu më i mençur?” Ai u përgjigj: “Kush e kujton vdekjen më shpesh dhe kush përgatitet më mirë për të.”

 

Nëse i shikojmë luftëtarët në rrugën e Allahut të Lartësuar, do të vërejmë se ata janë njerëzit që janë më të përgatiturit për vdekjen. Shpenzojnë çdo gjë për kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, duke qenë të bindur në pashmangshmërinë e takimit me Allahun, në ekzistencën e xhenetit dhe xhehenemit, duke punuar në këtë botë e shpresuar për në botën tjetër. Trupat e tyre janë me ne, kurse shpirtrat e tyre të drejtuara nga Allahu duke bërtitur: “Nesër takojmë të dashurit, Muhamedin dhe shokët e tij”.

 

Vëllezër të nderuar! Bëhuni gjithnjë të nënshtruar, luftëtarë në rrugën e Allahut. Zgjidhni mënyrën më të mirë për vdekjen tuaj, ngase njeriu në Ditën e Gjykimit do të ringjallet në mënyrën se si ka vdekur. Vdekja mund të na vijë befasisht, prandaj le të përgatitemi në çdo kohë dhe të përsërisim ashtu siç kanë përsëritur shokët e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “Nesër i takojmë të dashurit, Muhamedin dhe shokët e tij”. Dashuria është një thirrje e cila kërkon argument, kurse argumenti i saj konsiderohet puna sipas udhëzimit të të dashurit: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Ali Imran, 31)

 

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, porosit me përmendjen e shpeshtë të vdekjes dhe e përshkruan atë si shkatërruese të kënaqësive. Përsëritja e shpeshtë e saj e nxit muslimanin në vazhdimësi drejt punës serioze e të zellshme në rrugën e Allahut të Lartësuar, ashtu siç e nxit edhe drejt pendimit, kërkimit të faljes nga mëkatet dhe kthimit të sinqertë tek Allahu.

 

Përmendja e vdekjes e liron zemrën e muslimanit nga frika e tjetërkujt përveç Allahut të Lartësuar. Nëse shfaqet ndonjë kryeneç, kokëlartë, tiran, Allahu është më i madh se çdo kryeneç e tiran. Të gjithë, pa asnjë dyshim, do të vdesin, të gjithë do të qëndrojmë para Allahut të Lartësuar; ose do të hyjmë në xhenet ose në xhehenem.

 

Vëllezër të nderuar! Dijeni se robit, kur të vdesë, i ndërpriten punët e tij, përveçse në tre raste: lëmoshës së vazhdueshme, dijes së dobishme dhe fëmijës së mirë, i cili lutet për të vdekurin.

Prandaj, kujdesu që puna jote e mirë të vazhdojë edhe pas vdekjes tënde- me këto punë apo me ato që ke mundësi. Armatosu me përgatitjen më të mirë të mundshme për takimin me Allahun e Lartësuar duke zgjedhur jetën dhe vdekjen tënde.

 

Të gjithë njerëzit do të vdesin, prandaj zgjidh mënyrën se si do të vdesësh. Lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të Dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të ndershëm!

 

 

Përktheu: Almedin Ejupi

Burimi: http://www.klubikulturor.com/

www.islamifejaevertete.com

 

 

Must Read