Testi i sprovës!

Testi i sprovës!

Lavdia i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Mëshirës, Muhamedin, salallahu alejhi ue selem.
Një njeri është besimtar vetëm atëherë kur beson se Allahu është Sundues i gjithësisë dhe sundues tjetër nuk ekziston, vetëm Ai është Zot dhe vetëm Ai meriton të adhurohet dhe Ai është plotësisht i përsosur me cilësitë dhe emrat e Tij. Në këtë mënyrë, besimtari ka konfirmuar njësimin (teuhidin) e adhurimit, zotërimit, si dhe emrat e Allahut dhe cilësitë e përsosmërisë së Tij. Ky është teuhidi, besimi që duhet të qëndrojë në zemrat e gjithë besimtarëve.
Po ashtu, duhet kujtuar se besimi nuk është vetëm fjalë, e cila thuhet me gjuhë, por është vërtetësi me detyra, obligime dhe përgjegjësi. Nuk mjafton thjesht që njerëzit të thonë: besojmë dhe veprojmë e këta të mos të ballafaqohen me teste, sprova, vuajtje, shqetësime. Besimtarët ndeshen me shqetësime dhe sprova të natyrave të ndryshme. Është e natyrshme të bëhen teste dhe analiza në sfera dhe lëmi të ndryshme. Blerësi kërkon të testohet sendi që blihet, studenti po ashtu i nënshtrohet provimit pranues kur aplikon për studime; punëtori i nënshtrohet intervistave, e kështu me radhë.
Një prej ligjeve të Allahut të Lartësuar është që besimtari të testohet me një provim të përgjithshëm, ku i jepet mundësia për të marrë notë të lartë apo mesatare, por mund të marrë edhe notë të dobëta dhe jo kaluese. Pyetjet e përgatitura janë të hapura dhe të njohura për të gjitha shtresat e njerëzve. E njohur, po ashtu, është edhe lënda e provimit, notat kaluese dhe rëndësia e këtij provimi.
Lënda e provimit është imani-besimi. Në Kur’an, Allahu i Lartësuar ka thënë: “A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, dhe nuk do të sprovohen? (Ankebut, 2)
Pyetjet e provimit testues janë të përmbledhura në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne do t’ju provojmë me ndonjë frikë, me uri, humbje të pasurisë, të jetës, të frutave. Por t’i përgëzoi durimtarët.’’ (Bekare, 155)
Vendmbajtja e provimit testues është kjo botë, dynjaja; përderisa njeriu jeton, ai do të testohet. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të lakmuarit, si ndaj grave, djemve, ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, kuajve të stolisur, bagëtisë dhe bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë.’’ (Ali-imran, 14)
“Shembulli (ngjashmëria) i jetës së kësaj bote është si i një shiu që Ne e kemi sjellë nga qielli, e me anën e të cilit gërshetohen (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) bimët e tokës prej nga hanë njerëzit e kafshët deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar (me bimë, pemë e behar), e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhri Ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.’’ (Junus, 24)
Më pas, besimtarit i duhet që të marrë masat e nevojshme për t’i krijuar vetes mundësitë për ta kaluar me sukses testin provues dhe kjo arrihet me durim dhe namaz. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).” (Bekare, 45)
Nota kaluese për çdo besimtar është mëshira dhe udhëzimi në rrugë të drejtë. Në Kur’an, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.”(Bekare, 157)
E gjithë dobia nga ky provim është testimi i njeriut në këtë botë: “Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.” (Ankebut, 3)
Të nderuar lexues!
Sprovat janë të dobishme; përmes tyre vihet në provë vullneti dhe sinqeriteti i besimtarëve; ato nxjerrin në shesh dhe ripërtërijnë besimin, hapin dhe shndrisin zemrat e besimtarëve. Shumë gjëra nuk do t’i dinte besimtari, po të mos sprovohej. Për më tepër, nën klimën e sprovës një besimtar kalitet. Poeti el-Mutenebi thotë:
Më gjuajti koha me fatkeqësitë,
Deri sa pëlhura e zemrës m’u bë e hekurt.
Dhe u bëra, që kur të më godasin me shigjeta,
Të thyhen, mend si shigjetat të preknin njëra me tjetrën.
Dhe ja kështu jetova, e për fatkeqësitë as që u interesova
Ngase të mbaj mërzinë dobi nuk pata e as diçka fitova.
Testi provues nuk ka karakter aspak fyes dhe përdhosës, por është i natyrës verifikuese dhe korrigjuese, edukuese dhe reformuese.
“Dhe që Allahu t’i provojë (pastrojë) besimtarët (nga gjynahet) dhe t’i shkatërrojë mosbesimtarët.’’ (Ali Imran, 141)
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem ka thënë: “E çuditshme është çështja (gjendja) e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për askënd tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (Allahun), e kjo i sjell dobi. E kur e godet e keqja, ai është durimtar andaj kjo i sjell dobi (shpërblim)”. (Transmeton Muslimi)
Njerëzit më të sprovuar ishin të dërguarit e Allahut të Lartësuar, meqë ishin më të paluhatshmit në misionin e shenjtë thirrës. Sad b. Ebi Vekasi e pyet Muhamedin, salallahu alejhi ue selem: “Cilët njerëz janë më të sprovuar”, dhe ai përgjigjet: “Njerëzit më të sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që janë më afër tyre dhe që i ndjekin ata. Sprovohet njeriu sipas shkallës së besimit, nëse është i fortë në besimin e tij edhe sprovën e ka më të madhe. Nëse është i dobët në besimin e tij do të sprovohet sa shkalla e besimit të tij. Njeriu sprovohet derisa të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat. (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih).
Kështu do të testohen besimtarët, Allahu Fuqiplotë i sprovon ata që i do nga të devotshmit, por çdo herë duhet të jenë në gatishmëri dhe të qëndrueshëm, porsi dega që luhatet nga era djathtas dhe majtas, por sërish mbahet.
O njeri! Kërko mbështetje tek Allahu i Lartësuar dhe duro. Asnjëherë mos u ligështo dhe mos u dobëso.
Besimtarët, të dashurit e Allahut, janë të kënaqur dhe durimtarë me çdo caktim të Allahut të Lartësuar; nuk janë aspak të frikësuar, as të dëshpëruar. Të kujtojmë së bashku fjalët e Allahut të Lartësuar:
“Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje? (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e Dynjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe xhenet). Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E, ai është sukses i madh.’’ (Junus, 62-64)
“E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) deri sa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.’’ (Ali imran 139)

Burimi:
Ulvi Fejzullahu
(marrë nga revista Abislam nr.45)

Must Read