Trimi i vogël

Luli ka një gjysh shumë të mirë. Gjyshi i Lulit di shumë tregime. Luli ka shumë dëshirë të dëgjojë tregime nga gjyshi i tij gojëmbël.

Një ditë, pasi mbaruan lojën, Luli me shokët e tij, shkuan te gjyshi për ta dëgjuar ndonjë tregim.

Gjyshi filloi t’u tregonte për një ngjarje që kishte ndodhur në kohën e prijësit të besimtarëve, Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte njëri ndër shokët më të mirë të Profetit Muhamed (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!).

Le ta dëgjojmë tash tregimin e gjyshit:

“Një ditë Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërsa po ecte rrugës, i pa disa fëmijë duke luajtur. Fëmijët, posa e panë atë, u frikësuan dhe ikën, përveç njërit prej tyre, i cili nuk u largua. Kur erdhi Omeri, e pyeti:

Si quhesh, o vogëlush?

Më quajnë Abdullah, – iu përgjigj ai.

Po ti, përse nuk ike me shokët e tu? – e pyeti Omeri.

O prijësi i besimtarëve! Unë nuk kam bërë ndonjë faj që të frikësohem nga ti dhe as rruga nuk është aq e ngushtë, saqë të kem nevojë të ta liroj – iu përgjigj vogëlushi me trimëri.

Kur e dëgjoi këtë përgjigje, Omeri u gëzua shumë për trimërinë dhe zgjuarsinë e këtij vogëlushi.”

Kur mbaroi tregimi, Albani, njëri nga shokët e Lulit, tha i mahnitur: “Ah sikur të kisha edhe unë një gjysh sikurse Luli, që të dëgjoja nga ai tregime kaq të bukura!”

Atëherë, gjyshi i Lulit buzëqeshi dhe tha: “Ju mund të vini për të dëgjuar tregime sa herë që dëshironi.”

Fëmijët u gëzuan shumë dhe e falënderuan gjyshin./Shembulli/

Shkroi: Jusuf Kastrati

Must Read