Udhëtari nën hijen e pemës
U mundësua që e thëna të mos shihet, edhe pse thuhet, kurse vepra të duket, edhe pse s’flitet për veprën. Zbardhja e ditës është një fat i ri për ty në kërkimin e fatit, e me perëndimin e diellit, do ta kuptosh se fatin e kësaj dite s’do ta arrish kurrë. Pema mund të të bëjë hije veç kur rrezon dielli me rrezet e veta, e në jetë, kur desha të dijë dhe ngurrova të shtrojë pyetjen, vërejta se fjalët e humbën kuptimin dhe unë mbeta viktimë e padijes. Kur e marrë Udhëzimin në dorë që e solli Udhëtari, më rrëshqet loti nëpër faqe kur kujtohem se Udhëtarin s’e pashë, kurse syri efektin e shikimit e arriti m’u përmes Udhëzimit. Dihet se njeriu gjatë ushqimit, kafshatën më të mirë e lë për në fund, e fundi i vije njeriut nga veprat që ka bërë në bazë të dijes. Çdo moment është thesar në jetën e njeriut, kurse shfrytëzimi i thesarit varet nga ajo çfarë kahe merr njeriu në jetë. Ai që e dërgoi Udhëtarin në udhëtim bëri që përmes udhëtimit të mund Udhëtari ta shpjegojë qëllimin e dërgimit. Çdo hap në udhëtim është shkurtim i rrugës për ku je nisur, ndërsa arritja te qëllimi i dëshiruar bën që të harrohen vështirësitë e përjetuara gjatë udhëtimit. Fjala u shpreh kur zbriti urdhri i Leximit, e neve na u këshillua të lexojmë prej Atij që s’dinte të lexojë Fjalën. Etjen në rrugë mund të ta largojë Burimi, i Cili para ujit ta afron ushqimin që të nevojitet në rrugë. Për një copë herë në mendje më lindi një fjalë: “Largësia i zvogëlon gjërat në sy, kurse i zmadhon në mendje!”, e unë me Ty jam larg dhe këtu s’bashkohemi kurrë, por atje e hidhët më duket kënaqësia nëse Ty s’të sheh syri. Njeriu i rreket udhëtimit me shpresë që t’i përjetojë të gjitha ndjenjat e planifikuara në udhëtim, por kthehet me ndjenjën e mallëngjimit dhe me fijen e fundit të shpresës që ngel në njeriun. U mundova të ndjek dikë që veshi e dëgjoi e syri s’e pa, por në çast me lindi ideja që të më shohin në dhënien e shembullit të mirë është aq e dobishme sa edhe ta ndjek atë. Që të bësh dikë të lumtur, duhet veten ta nënshtrosh ndaj vuajtjes, e dihet se në luftim të pasionit arrihet qetësia në vetvete krahas mundimit të përjetuar. Shikimi i Tij u përqendrua aty ku qëndroi mendja, e nga mendja doli një fjalë: “Jeto i huaj në jetë, e në jetë kurrë mos e prano jetën e të huajit!” Dije se çdo fillim, ka edhe fund, e dashurinë e parë edhe pse s’e përjeton deri në fund, nuk e harron kurrë. E Udhëtari më s’mundi të qëndrojë nën hijen e pemës, por iu rrek udhës që ta ndiejë edhe hijen e resë që qëndronte mbi kokën e Udhëtarit. Aty ku qëndroi mbeti një gjurmë, se dikur ishte, e tani nuk është më, e tjetrin e kaploi mërzia se gjurmën e vërejti, por jo edhe Gjurmuesin. Më ngeli një dëshirë e parealizuar në shpirt, se tërë atë që Ai e kërkoi prej meje në udhëtim ndoshta s’e realizova, por u përpoqa që edhe unë të jem një udhëtar nën hijen e pemës!
Shkroi: Blerim Muhaxheri
Burimi: www.islamifejaevertete.com