BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiZEMRA E FORTË ËSHTË PREJ IMANIT TË FORTË

ZEMRA E FORTË ËSHTË PREJ IMANIT TË FORTË

Thotë ibn Tejmije (Allahu e mëshiroft): “Dhe çdoherë kur forcohet imani në zemër, njeriut i forcohet aftësia që t’i njeh gjërat në realitet ashtusiç janë, edhepse janë gjëra të brendshme të padukshme dhe çdoherë kur dobësohet imani, dobësohet edhe aftësia e njeriut që t’i njeh dhe t’i zbuloj gjërat dhe kjo është sikurse shembulli i kandilit të fortë dhe shembulli i kandilit të dobët në një shtëpi të errët, për këtë shkak kanë thënë disa prej gjeneratave të para të Islamit rreth ajetit Kur’anor “dritë mbi dritë”(en Nurë 35) është për qëllim besimtari i cili vepron me urtësi me të cilën e qëllon të vërtetën edhe nëse nuk ka ndëgjuar rreth asaj çështje asgjë, por nëse ka ndëgjuar diçka rreth asaj çështje atëherë themi dritë mbi dritë. Pra imani i cili është në zemrën e besimtarit përputhet me dritën e Kur’anit”. (Mexhmu’ el fetava 20/45-46)

Zemrat të cilat jetojnë ndahen në dy grupe: Zemra të shëndosha dhe zemra të sëmura. Zemër e shëndoshë është ajo zemër e cila e shpëton njeriun në këtë botë në ballafaqim me fitnet dhe sprovat, ndërsa në Ahiret shpëton përfundimisht në atë ditë kur nuk bën dobi pasuria dhe as fëmijët, por bën dobi vetëm ajo zemër e cila ka qenë e shëndoshë.

Fortësia e zemrës është që t’a duash Krijuesin dhe të mbështetesh tek Ai dhe të frikësohesh dhe të shpresosh tek Ai dhe t’ia përkushtosh adhurimet sinqerisht vetëm Atij.

Kjo zemër e shëndoshë kur e don dikënd e don vetëm për Allah, dhe nuk e don dikënd për pasuri apo për bukuri, dhe kjo zemër kur urren dikënd apo diçka nuk urren vetëmse për Allah. Kjo zemër e shëndoshë kur jep diçka jep për Allah dhe nuk jep për syefaqësi dhe kjo zemër kur nuk jep, nuk jep vetëm për Allah.

Për dallim prej asaj që e përmendëm, zemra e vdekur dhe e sëmurë është e orientuar kah dashuria ndaj epsheve dhe me vetmahnitje. Poashtu kjo zemër e don teprimin dhe shkatërrimin në tokë.

Thotë Allahu (sunhanehu ue teala): “Ne nuk dërguam përpara teje asnjë të dërguar dhe asnjë pejgamber, e që kur ai (i dërguari) dëshiroi diç, të mos iu pat pat hedhur Shejtani në atë dëshirën e tij dhe Allahu fuqizon argumentet e Veta, Allahu është i Dijshëm dhe i Urtë. E që t’a bëj atë dyshim (qëe hedh Shejtani) si sprovë për ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe që i kanë zemrat e ngurta. Me të vërtetë zullumqarët janë në humbje të largët. Dhe që t’a dijnë ata që u është dhënë dituria se ai (Kur’ani) është i vërtetë prej Zotit tënd dhe kështu t’i besojnë atij (Kur’anit) dhe që të binden zemrat e tyre ndaj tij. Me të vërtetë Allahu do t’i udhëzojë ata që besuan për në rrugën e drejtë”. (el Haxhxh 52-54)

Pamja e yte e jashtme tregon se ti je i mirë apo i keq në brendi

Është rregull e përgjithshme në Islam se nëse ti je në brendi i mirë, është patjetër kjo mirësi të manifestohet në pamjen tënde të jashtme dhe Allahu na ka obliguar që ne të gjykojmë mbi njerëzit në bazë të asaj që njerëzit e manifestojnë haptaz dhe na ka ndaluar që të gjykojmë mbi zemrat, sepse zemrat janë gjë e padukshme për ne, ndërsa për zemrat gjykon vetëm Ai që i din të dukshmet dhe të padukshmet dhe Ai që i din gjërat që janë haptaz dhe gjërat që janë fshehtaz.

Thotë ibn Tejmija: “Kur’ani është përplot me përmendje të dispozitave që kanë kanë të bëjnë me brendinë dhe me atë që është e dukshme. Ajo që është e brendshme dhe e padukshme është esenca e asaj që është e dukshme haptaz, ashtusiç ka thënë ebu Hurejra: “Zemra është mbreti, ndërsa gjymtyrët janë ushtria e zemrës. Nëse është i mirë mbreti, do të jenë të mirë edhe ushtarët dhe nëse do të jetë i keq mbreti do të jenë të këqinj edhe ushtarët”. Përderisa zemra është organi prej të cilit mvaren pjesët tjera të trupit, pra sikurse mbreti prej të cilit mvaret e tërë popullata, atëherë rëndësi më të madhe duhet që t’i jepet zemrës, për këtë shkak ka thënë Pejgamberi (Paqja qoftë mbi të): “Me të vërtetë në trup ka një copë mishi, nëse ajo copë mishi është e mirë, i tërë trupi është i mirë dhe nëse ajo prishet atëherë prishet i tërë trupi, ajo copëz mishi ëshë zemra”. (Buhari, Muslim)

Kur zemrat mbushen me hak dhe me iman, padyshim se kjo do të reflektohet në pamjen e jashtme të njeriut dhe në sjelljen tij ndaj krijesave dhe ndaj Krijuesit, ndërsa nëse njeriu është i mangët dhe neglizhent ndaj asaj që është e dukshme, qoftë në pamjen e tij si musliman apo në sjelljen e tij ndaj krijesave dhe ndaj Krijuesit, kjo është argument se brendia e tij është e prishur edhenëse ai pretendon haptaz se e ka frikë Allahun dhe e beson Atë. Në këtë rast ai nuk mashtron askënd përveçse e mashtron veten e tij, ndërsa ne duhet që të sillemi ndaj atij në bazë të asaj që ai e shfaq haptaz në vepër dhe mos t’ia marrim parasysh atij fjalët që ai i flet se kinse zemra e tij është e pastër dhe plot iman.

Është obligim që të bëjmë balanc në mes asaj që e kemi në zemrat tona dhe në atë që ne e shfaqim haptaz dhe sa më shumë të mundohemi që të mos jemi kontradiktorë  në atë që është në zemrat tona dhe në atë që ne e flasim. Thotë Allahu: “Me të vërtetë Allahu nuk ia ndryshon gjendjen një populli përderisa ata nuk e ndryshojnë vet”. (er Ra’d 11)

Ahmed el Ensari

Përktheu me disa shtojca: Enis Arifi

Must Read