BallinaARTIKUJTema dhe Artikuj8 Gënjeshtrat e Nënës

8 Gënjeshtrat e Nënës

 

8 Gënjeshtrat e Nënës

Tregimi fillon me lindjen time. Isha fëmija i vetëm në një familje shumë të varfër, nuk kishim ushqim që do të na mjaftonte.
Nëse ndonjë ditë gjenim pak oriz ashtu që ta largojmë urine. Pasi e mbaroja pjesën time, nëna edhe pjesën e saj ma dhuronte mua, dhe thoshte: “O biri im! Haje këtë oriz sepse nuk jam e uritur.”

Kjo ishte gënjeshtra e parë e saj.

Kur u rrita pak, nëna pasi mbaronte punët e shtëpisë dilte për të gjuajtur peshq në lumin e vogël që ishte afër shtëpisë. Shpresonte që nëse ha peshk do të më ndihmojë në zhvillimin tim.

Një herë me lejen e Allahut kishte nxënë dy peshq. Shpejtoi për në shtëpi në mënyrë që t’i përgatisë; i vendosi para meje dhe unë fillova ta ha peshkun e parë dalë-ngadalë, ndërsa nëna ime hante atë që mbetej në mes të eshtrave. Mu rrëqeth zemra dhe peshkun tjetër ia dhurova asaj.

Ma ktheu mbrapsht dhe më tha: “O biri im! Ha edhe këtë peshkun, a nuk e di se unë nuk i dua peshqit?!”

Kjo ishte gënjeshtra e dytë e saj.

U rrita dhe duhej që unë patjetër të shkoja në shkollë, por nuk kishim pasuri që t’i mbulojmë shpenzimet e shkollës. Nëna shkoi në treg dhe bëri marrëveshje me një tregtar të rrobave, që ajo të ecte shtëpi për shtëpi për të prezantuar mallin.
Një natë dimri u vonua nëna ime ndërsa unë po e prisja në shtëpi, dola ta kërkoj në rrugë afër lagjes, e gjeta duke bartur rrobat dhe duke trokitur shtëpi për shtëpi, e unë e thirra: “Oj nënë, eja të kthehemi në shtëpi sepse është bërë vonë dhe moti është i ftohët, ti nesër mundë ta vazhdosh punën qysh prej mëngjesit. Buzëqeshi nëna dhe më tha: “O biri im! Unë nuk jam e lodhur.”

Kjo ishte gënjeshtra e tretë e saj.

Në shkollë kishim provim përfundimtar dhe nëna këmbënguli të vinte me mua. Hyra në provim e ajo qëndronte jashtë duke më pritur mua, në nxehtin e madh. Kur cingëroi zilja dhe përfunduam, dola, ndërsa ajo më përqafoi fortë dhe me ngrohtësi, më pas më përgëzoi për suksese të mëtutjeshme.
Me vete kishte një lëng të cilin e ruante për mua kur të dal nga provimi, piva nga ajo dhe shujta etjen, por nënës time i dilnin djersët në fytyrën e saj nga vapa e madhe, ia ofrova lëngun menjëherë dhe i thashë: “Pi oj nëna ime!” Ndërsa ajo ma ktheu: “O biri im! Pije ti se unë nuk jam e etur.”

Kjo ishte gënjeshtra e katërtë.

Pas vdekjes së babait tim, nëna ime jetoi si e vejë, dhe përgjegjësitë e shtëpisë ranë mbi atë, kështu që ajo duhej të sjellë të gjitha gjërat e nevojshme në shtëpi. Jeta u bë e vështirë dhe filluam të ndiejmë urinë.

Xhaxhai im ishte njeri i mirë dhe jetonte afër nesh, na sillte ushqime me të cilin largonim urinë, e kur fqinjët tanë panë gjendjen tonë të vështirë që dita ditës po keqësohej, e këshilluan nënën time që të martohej me ndonjë burrë që do të shpenzonte për atë, por ajo u përgjigj: “Nuk kam nevojë për dashuri.”

Kjo ishte gënjeshtra e pestë

Kur mbarova studimet universitare, gjeta një punë të mirë deri diku, mendova se tash është koha që nëna ime të pushoj, e unë të marr mbi supe obligimet e familjes. Në atë kohë ajo nuk kishte shëndet të mirë që t’ia mundësonte asaj ecjen shtëpi për shtëpi, kështu filloi të shiste perime. I caktova një pjesë të rrogës sime vetëm e vetëm ta linte punën, refuzoi t’i marrë dhe tha: “O biri im! Ruaji paratë e tua, unë kam aq pasuri sa të më mjaftoj!”

Kjo ishte gënjeshtra e gjashtë e saj.

Punoja dhe në të njëjtën kohë regjistrova magjistraturën, vërtetë korra suksese dhe në të njëjtën kohë mu ngrit paga e punës.

Firma në të cilën punoja ishte Gjermane, kështu që, më transferuan në degën kryesore të saj në Gjermani, u ndjeva shumë i lumtur.

Fillova të ëndërroj për fillim të mbarë dhe jetë të lumtur, pasi udhëtova dhe u vendova, i telefonova nënës time që të vinte të jetonte me mua, por ajo nuk donte të më ngushtojë, dhe më tha: “O biri im! Unë nuk jam e mësuar të jetoj jetë me standard të lartë.”

Kjo ishte gënjeshtra e shtatë e saj.

U plak nëna ime dhe atë e goditi sëmundja e kancerit në sy, dikush duhej të ishte afër saj që ta mjekoj, por mes meje dhe asaj kishte shtete. Lash çdo gjë dhe shkova ta vizitoj, ishte e shtrirë në shtrat pas kryerjes së operacionit. Kur më pa u mundua të buzëqesh, por zemra ime digjej pasi ajo ishte e dobësuar. Nuk ishte nëna ime që e njihja më parë, filluan të më rridhnin lotët ndërsa ajo mundohej të më qetësonte.

Më tha: “Mos qaj o biri im, unë nuk po ndiej dhimbje.”

Kjo ishte gënjeshtra e tetë e saj dhe e fundit…

Pasi ma tha këtë, ia mbylla sytë që më kurrë nuk i hapi.

Për çdo kënd që ka një nënë gjallë: “Ruaje këtë dhunti të madhe para së të pikëllohesh për humbjen e saj…”

Për çdo kënd që ka humbur nënën e tij: “Kujtoje çdo herë se sa shumë është lodhur ajo për ty.

Mos e harro në lutjet e tua, Allahu të mëshiroftë!”

 

Përshtati: Valdet Kamberi

Autor: Mustafa Ukad

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

 

 

Must Read