Kushtet e pendimit të vërtetë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun! Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të Dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit!!
Vëlla i dashur!
Pendimi i vërtetë ka disa kushte të cilat duhen vepruar, në mënyrë që pendimi të jetë i saktë dhe i pranuar!
Së pari: Sinqeriteti tek Allahu i Lartësuar
Të jetë nxitje për pendim dashuria për Allahun, madhërimi i Tij, shpresa dhe lakmia për shpërblimin e Tij, frika nga ndëshkimi. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka thënë: “Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu përmbajtën Allahut (mësimeve të Tij) dhe praktikojnë sinqerisht fenë e tyre për Allahun. Të tillët do të jenë bashkë me besimtarët, e Allahu ka për t’iu dhënë besimtarëve shpërblim të madh.” (Nisa, 146.)
Së dyti: Largimi nga mëkatet
Mos e imagjino saktësinë e pendimit në vazhdimin e mëkateve. Për sa i përket kthimit në gjynahe pas pendimit të sinqertë, mos përto për një pendim vijues, pasi në këtë rast nevojitet një pendim i ri i sinqertë.
Së treti: Njohja e mëkateve
Nëse dikush nuk mund të pendohet për diçka, atëherë ai nuk e njeh apo nuk e llogarit atë për mëkat.
Së katërti: Keqardhja për gjynahet e kaluara
Mos e përfytyro pendimin vetëm se duke ndjerë mërzitje, keqardhje dhe dëshpërim për veprimin e gjynaheve të kaluara. Për këtë arsye keqardhja kthehet sa herë që flitet dhe kujtohen gjynahet e kaluara, ndaj është thënë në një hadith: “Keqardhja është pendim.” (Transmetoi Ahmedi dhe Ibn Maxhe, saktësuar nga shejh Albani).
Së pesti: Vendimi për të mos u kthyer në gjynahe
Nuk ka vlefshmëri pendimi i një personi i cili shpreson të kthehet përsëri në mëkate pas pendimit. Për të duhet të pendohet me sinqeritet e vendosshmëri dhe jo t’i japë vetes shpresë që të kthehet përsëri në gjynahe në një të ardhme.
Së gjashti: Kthimi i të drejtës personit që i është marrë
Nëse gjynahu është i lidhur me ndonjë të drejtë njerëzore, në shenjë dashurie për personin, duhet që t’i kthehet ajo e drejtë, në mënyrë që pendimi të jetë i saktë dhe i pranuar.
Për këtë profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush i ka bërë një pa drejtësi (zullum) vëllait të vet në nderin e tij apo në diçka tjetër, le t’i kërkojë falje atij po atë ditë, para se mos të bëhet çështja për dinarë e dërhemë (para se të vihen veprat në llogari).
Nëse e ka një vepër të mirë, do t’i paguhet me të padrejtësia; por nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do t’i merren mëkatet e të dëmtuarit dhe do t’i jepen atij (që ka bërë zullum)”. Transmetoi Buhariu.
Së shtati: Paraprirja e pendimit para kohës që nuk pranohet
Kjo kohë është koha e ardhjes së exhelit dhe koha e lindjes së Diellit nga Perëndimi. Në një hadith thuhet: “Allahu e pranon pendimin e robit të vet, deri para gargarës së tij (frymës së tij të fundit).” Transmetoi Ahmedi dhe Tirmidhiu, saktësuar nga Neveviu.
Gjithashtu në një hadith tjetër thuhet: ” Allahu gjatë natës e mban të shtrirë Dorën për të pranuar pendimin e mëkatarëve të ditës dhe e shtrin Dorën gjatë ditës për të pranuar pendimin e mëkatarëve të natës, derisa të lindë Dielli nga Perëndimi.” Transmetoi Muslimi.
Përktheu: Erion Sulo