BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeA lejohet marrja e gusulit me sapun?

A lejohet marrja e gusulit me sapun?

 

A lejohet marrja e gusulit me sapun?

 

Pyetja:

A lejohet marrja e gusulit me sapun apo pas pastrimit dhe shkumimit a duhet të merret gusuli?

 

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Rreth gusulit kemi folur në disa përgjigje të mëparshme, ku kemi sqaruar se kur është e obliguar gusuli dhe disa çështje që kanë të bëjnë me pastrimin dhe formën e tij, por se si duhet të merret hollësisht ai, duke i pasur parasysh vaxhibet dhe sunetet nuk kemi folur. Prandaj në vazhdim do ta sqarojmë këtë pikë.

Marrja e gusulit

Për marrjen e guslit është e mjaftueshme:

– të bëhet nijet me zemër për marrjen e gusulit,

– të shpëlahet goja tri herë,

– të shpëlahet hunda tri herë,

– të lahet i tërë trupi duke mos lënë asnjë vend pa depërtuar uji.

Këto janë vaxhibet e gusulit. Për pastrimin e gojës dhe hundës, a është vaxhib apo jo shih në përgjigjen ku është shtruar kjo mesele hollësisht.

Kjo është forma e mjaftueshme e gusulit dhe nëse muslimani i realizon këto ai numërohet se ka marrë gusul.

Kurse forma tjetër e cila është më e plotë dhe më e mirë është të merret gusuli duke i praktikuar vaxhibet e lartpërmendura dhe disa sunete që i praktikonte Resulullahu (salallahu alejhi ue selem). Kjo formë është si vijon:

Fillimisht të lahen duart, pastaj lahet organi gjenital dhe vendet të cilat janë ndyrë nga xhunubllëku. Pas kësaj merret abdesi i plotë, pastaj hedhim në kokë ujë me grushta tri herë dhe e lajmë atë e pastaj e pastrojmë tërë trupin me ujë.

Kjo është forma e plotë e gusulit dhe është sunet të veprohet në këtë formë.

Kurse sa i përket përdorimit të sapunit, apo shampos gjatë marrjes së gusulit, nuk prish punë pasi qëllimi kryesor në këtë është që i tërë trupi të laget me ujë dhe të pastrohet.
Vërejtje: Duhet pasur kujdes që uji të depërtojë në të gjitha pjesët e trupit, e veçanërisht duhet pasur kujdes në larjen e kërthizës. Gjithashtu, nëse ndonjë vend të trupit e kemi me allçi (gjips) apo fashë, atëherë është e mjaftueshme t’i japim mes’h allçisë apo fashës.

Disa gabime që bëhen gjatë marrjes së gushit

Nëse njeriu është xhunub dhe hynë të pastrohet por nuk e vërteton qëllimin e pastrimit në vetën e tij (se ai po hyn të pastrohet nga xhunubllëku), por për shembull pastrohet për të larguar nga vetja nxehtësinë, flladitur etj, atëherë ai nuk numërohet se është pastruar nga xhunubllëku. Kjo është gabim, sepse këta njerëz nuk kanë pasur qëllim të marrin gusul, por qëllimi i tyre ka qenë pastrimi për shkaqe të ndryshme.  
Gjithashtu, prej gabimeve është edhe harxhimi i tepërt i ujit gjatë marrjes së gusulit.

 

 

Allahu e di më së miri!

 

Alaudin Abazi

30.07.2006

Burimi: klubikulturor.com

www.islamifejaevertete.com

Must Read