Vendimi rreth përdorimit të uthullës së bërë nga vera
Pyetja: A është uthulla nga vera dhe alkooli hallall? Duke konsideruar se e gjithë uthulla është e bërë nga oksidimi i një forme të alkoolit dhe se uthulla normale konsiderohet si hallall?
Përgjigja: Lavdërimet janë për Allahun!
Uthulla është një artikull ushqimor i zakonshëm, i cili prodhohet nga vera, përbërja e së cilës ka ndryshuar dhe e cila nuk është më e ëmbël por acidike apo e thartë.
Xhabiri – Allahu qoftë i kënaqur me të! – ka rrëfyer se Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem! – ka thënë: “Çfarë ushqimi i mirë është uthulla.” (Rrëfyer nga Muslimi, 3/1623)
Kur vera të shndërrohet në uthull vetvetiu, pa ndonjë trajtim të qëllimshëm i cili nevojitet për atë që të ndryshohet, ajo lejohet që të përdoret, pihet dhe të gatuhet, me konsensus të dijetarëve, për shkak, të hadithit të sipërpërmendur.
Por, nëse vera bëhet uthull me ndonjë ndërhyrje të jashtme të qëllimshme, duke i shtuar uthull, qepë, kripë etj., apo me ndonjë proces tjetër, në këtë rast dijetarët – Allahu i mëshiroftë! – dallojnë nëse është e lejuar apo jo?
Shafi’itë, Hanbelitë dhe disa prej Malikive thonë se nuk është e lejuar që në mënyrë të qëllimshme të ndryshohet vera në uthull sepse atëherë nuk është e pastër. Dëshmia (delili) për këtë është hadithi nga Enes ibën Maliku – Allahu qoftë i kënaqur me të! – i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem! – ishte pyetur se nëse vera mund të ndryshohej për t’u përdorur si uthull. Ai ishte përgjigjur, ‘Jo.’” (Rrëfyer nga Muslimi).
Ebu Talhah – RadiAllahu anhu! – ka rrëfyer se Profeti – alejhis-selam! – ishte pyetur rreth disa jetimëve të cilët kishin trashëguar një sasi vere. Ai tha, “Derdheni.” Ai u pyet, “A nuk mund ta shndërrojnë në uthull?” Ai u përgjigj, “Jo.” (Rrëfyer nga Muslimi).
Dhe arsyeja për këtë është:
Allahu, i Lavdëruar dhe i Lartësuar qoftë! – na ka urdhëruar që të shmangim verën. Pastaj, mbajtja e saj dhe trajtimi derisa të shndërrohet në uthull nënkupton marrjen me të dhe të qenit i përfshirë me të duke e ruajtur dhe duke përfituar nga ajo, dhe kjo nuk është e lejuar.
Është e lejuar për muslimanin që ta blejë uthullën nga dikush i cili e shet atë, përderisa nuk e kupton se ka ardhur nga një proces i qëllimshëm. ‘Omeri – Allahu qoftë i kënaqur me të! – ka thënë: “… Nuk ka gjë të keqe që një njeri të blejë uthullën nga ithtarët e Librit[ d.m.th. të krishterët dhe çifutët], nëse e shesin, përderisa ai e di që ata nuk e kanë përpunuar qëllimisht nga vera.” (El-Mugni, 8/330)
Dhe Allahu e di më së miri!
(Bidejet el-Muxhtehid li Ibën Rushd, 1/461; Keshshaf el-Kina’ li’l-Behueti, 1/187; Fet’h el-Kadir li Ibën al-Hamam, 8/166; el-Mexhmu’ li’l-Nevevi, 1/225; el-Mugni li Ibën Kudameh, 8/319).
Përktheu: Meriton M.
Burimi në anglisht: islamqa.com
Burimi në shqip: www.islamifejaevertete.com