Na përcillet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari, sal-Allahu aejhi ve selem, ka thënë:
“Zjarri iu ankua Allahut duke i thënë: “O Zot, jam duke u ngrënë ndër vete (po zihem me veten)”. Atëherë Allahu i lejoi që ta lirojë veten dy herë në vit, njërën në verë e tjetrin në dimër. Prandaj nxehtësinë më të madhe që e ndjeni në verë është shfryrje (frymënxjerrje) e zjarrit të xhehenemit, kurse të ftohtin e madh që e ndjeni në dimër është nga shfryrja (frymënxjerrja) e të ftohtit të xhehenemit”.
Zinxhiri i hadithit:
Këtë hadith e përcjell Ebu Hurejre, të cilin e shënon Imam Buhariu në Sahihun e tij, nr. 537, 3260, Imam Muslimi, nr. 1400, 1401, 1402 etj., ku nga shënimi i këtyre dy dijetarëve nëpër librat e tyre e kuptojmë pa hezitim se hadithi është i saktë.
Komenti i hadithit:
Në këtë hadith përmendet një ndër çështjet e fshehta (gajb), të cilat asnjë njeri nuk i di dhe ato janë të përcjellura nga i Dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem. Kjo nuk nënkupton se Profeti i Zotit i di fshehtësitë, por një lajm të tillë ai e mori nga vetë Allahu i Lartësuar, që është krijues i çdo sendi dhe çdo gjë ndodh vetëm me urdhrin, diturinë dhe vullnetin e Tij.
Nuk ka dyshim se i nxehti dhe i ftohti janë krijesa të Allahut, të cilat i krijoi me qëllime të caktuara. Ndodh që prej tyre të ketë përfitime, qoftë njeriu apo edhe krijesat e tjera, por ndodh që të jetë edhe e kundërta, pra, ndonjëherë prej tyre të ketë edhe dëme, kjo varet nga dëshira dhe vullneti i vetë Krijuesit të tyre, Allahut të Lartësuar. Allahu i përdor ato edhe si dënim për popujt zullumqarë në këtë botë dhe në botën tjetër. Të gjithë e dimë se prej dënimeve kryesore në xhehenem është ai me zjarr. Por duhet ta kemi parasysh se dënimi i botës tjetër nuk është vetëm ai dhe të mos ketë tjetër. Pasi në këtë botë dënimet janë të llojllojshme atëherë një gjë e tillë është edhe në botën tjetër, duke e pasur parasysh së bota tjetër apo më saktësisht xhehenemi është krijuar posaçërisht vetëm për dënime.
Nga hadithi i lartpërmendur kuptojmë se ndër dënimet kryesore në botën tjetër janë nxehtësia dhe i ftohti i madh. Po ashtu ndër problemet kryesore të njerëzve në dunja nga të cilat ankohen njerëzit janë këto dy fenomene natyrore, i nxehti dhe i ftohti, ku shpeshherë dëgjon njerëz, duke u ankuar nga temperaturat e larta në verë dhe po të njëjtit njerëz ankohen nga temperaturat e ulëta në dimër, e në anën tjetër rrallë herë rastis të dëgjosh njerëz, të cilët ankohen nga kushtet atmosferike në Pranverë apo në Vjeshtë.
Fjala e të Dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem:
“Zjarri iu ankua Allahut duke i thënë”
Nga fjala “zjarr” kuptojmë se me të kihet si qëllim Xhehenemi, e jo vetëm zjarr i tij, mirëpo në hadithe shpesh përmendet zjarri dhe me të kuptohet Xhehenemi për dy shkaqe kryesore: 1- zakonisht shumica e llojeve të dënimeve janë me origjinë nga zjarri. 2- zjarri është një ndër dënimet më të dhimbshme i përcaktuar për kategorinë me të keqe të njerëzve, në të cilën futen qafirët, siç është rasti i faraonit dhe familjes së tij, të cilën Allahu e përmend në Kuran.
Në këtë pjesë të hadithit vërehet qartë se xhehenemi i foli Allahut me gjuhën e të shprehurit, i folur ky i vërtetë. Ky është besim dhe bindje i Ehli Sunetit i bazuar në argumentet e Kuranit dhe Traditës Profetike. Pati njerëz të cilët menduan se kjo bisedë mes Allahut dhe Xhehenemit është vetëm një tregim alegorik nga Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve selem, i kësaj bisede. Sipas tyre xhehenemi nuk mund të flasë me gjuhën e folur, por një gjë e tillë ishte kuptuar nga gjendja e tij e vështirë. Por siç thamë ky mendim nuk qëndron aspak, as nga aspekti i argumenteve, as nga ai i logjikës. Argumentet janë të qarta se xhehenemi foli, kurse logjika e pranon një gjë të tillë duke thënë se Allahu siç ia mundësoi njeriut të flasë, pasi ai nuk fliste; ashtu ia mundëson kujt të dojë që të flasë, e sa e sa raste kemi nëpërmjet të cilave vërtetohet, se gjërat qofshin ato të gjalla apo të ngurta kanë folur me lejen e Allahut, Krijuesit të tyre.
Fjala e të Dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem:
“O Zot, jam duke u ngrënë ndër vete (po zihem me veten)”
Kjo ankesë e xhehenemit në mënyrë të qartë na tregon rrezikun dhe dënimin e dhimbshëm, të cilin Zoti e krijoi për mëkatarët, Allahu na ruajt prej tij. Dënim ky aq i madh sa edhe vetë xhehenemi pati vështirësi ta durojë një gjendje të tillë, pra, si të ngrohtin ashtu edhe të ftohtin.
Ka pasur disa mendime të dijetarëve, se si zjarri ishte duke e ngrënë veten e tij apo si zihej me veten, mirëpo të themi të drejtën asnjëri prej tyre nuk e mbështet mendimin e tij në ndonjë argument të fuqishëm, sa t’i nënshtrohemi atij plotësisht. Mendimi i përmendur më shumë dhe më i përhapur është ai se i nxehti dhe i ftohti i madh i xhehenemit gjithmonë shtohet dhe ripërtërihet, kurse ai i vjetri nuk ndalet, nuk pakësohet e as zhduket, por vazhdon të jetë i tillë vetëm se i shtohen edhe më tepër gradët plus apo minus sipas nevojës. Allahu e di më së miri !
Fjala e të Dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem:
“Atëherë Allahu i lejoi që ta lirojë veten dy herë në vit, njërën në verë e tjetrën në dimër.”
Këtu do të ndalemi vetëm në një çështje të vetme, ajo është se besimi i pastër i muslimanëve është se xheneti dhe xhehenemi janë dy krijesa të Allahut të krijuara, të cilat Zoti i ka krijuar atëherë kur krijoi çdo gjë. Ky është mendim i saktë dhe mendimi i vetëm i bazuar në argumente fetare. Nuk qëndron aspak mendimi, se xheneti dhe xhehenemi nuk janë krijuar dhe se ato do të krijohen pasi Allahu ta shkatërrojë këtë botë Ditën e Kiametit.
Fjala e të Dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem:
Prandaj nxehtësinë më të madhe që ndieni në verë është shfryrje (frymënxjerrje) e zjarrit të xhehenemit, kurse të ftohtin e madh që ndieni në dimër është nga shfryrja (frymënxjerrje) e të ftohtit të xhehenemit”.
Nga kjo pjesë e hadithit kuptojmë se i nxehti dhe i ftohti janë pjesë e xhehenemit, pra, ato dalin nga xhehenemi. Disa dijetarë mendojnë se i tërë i nxehti veror dhe i ftohti dimëror janë të gjithë me prejardhje nga xhehenemi. Ndërsa disa të tjerë thonë se vetëm i nxehti dhe i ftohti i madh janë nga xhehenemi, kurse ai normal nga të cilët njeriu nuk ndien vuajtje nuk janë shfryrje e xhehenemit. Këta dijetarë e bazojnë mendimin e tyre në këtë pjesë të fundit të hadithit në të cilin i Dërguari, sal-Allahu alejh ve selem, përmend se i nxehti dhe i ftohti i madh që ndjejmë është nga xhehenemi. Allahu e di më së miri!
Lind pyetja: Si ndodhë kjo shfryrje apo kjo frymënxjerrje e xhehenemit?
Përgjigjja është e thjeshtë, bile ajo është e cekur po në këtë hadith, pra, Allahu ia mundëson xhehenemit dy herë në vit që të marrë shfryjë i lirë, pra, një herë në verë e herën tjetër në dimër. Gjithashtu kuptohet se nuk ndodh që në verë xhehenemi të lirojë të ftohtin e tij, kurse në dimër të çlirojë të nxehtin, por që të dy frymënxjerrjet i përshtaten stinës në të cilën është bota.
S’ka dyshim se njerëzit sado që të bëjnë më shumë mëkate, Allahu aq më tepër edhe e shton të nxehtin dhe të ftohtin e xhehenemit, ku edhe ndoshta për këtë shkak lirohet ky i nxehtë në verë dhe i ftohti në dimër, aq shumë sa njerëzit vuajnë që në dunja, para vuajtjeve të tyre që do të pësojnë në ahiret. Ndoshta për këtë shkak vërejmë edhe nxehjen globale, si dhe dimrat me acar të madh nëpër botë sidomos në botën joislame, ku çdo vit ndodhin lloj-lloj fatkeqësish të shumta natyrore. Pra, ky fenomen natyror i përsëritur dy herë në vit nuk qenka kot e as rastësi që përsëritet vazhdimisht, sepse rastësitë ndodhin rrallë, kurse ky fenomen ndodh shpesh. Kjo na tregon se Allahu është duke përgatitur dënimin për mëkatarët, bile atë është duke ua dhënë atyre edhe në këtë botë që ta shijojnë sado pak e ndoshta kthehen në rrugën e Tij. Por më kot, sepse ata që sytë, veshët dhe zemrat i kanë të mbyllura nuk mund të kuptojnë.
Hadithi na jep të kuptojmë, se bota nuk ka nevojë të shqetësohet për nxehjen globale, as nuk ka nevojë të ndajë fonde për studimin e këtij problemi apo për zgjidhjen e tij. Shkaku i tij dihet fare qartë, gjithashtu edhe më qartë dhe i sigurt dihet zgjidhja e këtij problemi. E vetmja rrugë për shpëtim nga këto dy dënime është kthimi tek rruga e Zotit, tek rruga e Atij që e ngroh dhe e ftoh xhehenemin.
Me këtë hadith i Dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, para katërmbëdhjetë shekujsh i tregoi botës për problemin e ngrohjes globale, por jo vetëm kaq, ai sal-Allahu alejhi ve selem, u tregoi atyre edhe zgjidhjen e këtij problemi. Prandaj askush nuk ka nevojë ta studiojë çështjen së dyti, sepse edhe problemi edhe zgjidhja janë të ditura, e ajo është kthimi tek Allahu dhe largimi nga mëkatet.
Lulzim Mehmet Susuri
Burimi: http://ehlihadithi.com/