Perandoria Osmane në tekstet tona shkollore
Pas vendosjes së Perandorisë Osmane, rezistenca e armatosur nga shqiptarët shkoi duke u zvogëluar ndërsa integrimi në jetën politike e shoqërore osmane duke u rritur. Krahas shpjegimeve të shumta lidhur me shkallën e lartë të integrimit të shqiptarëve në Perandorinë Osmane, shpjegimi më I besueshëm është ai që e lidh atë me motivin e fortë etnik që kishin shqiptarët për këtë integrim.
Lidhur me situatën etnike të shqiptarëve pas depërtimit të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe vendosjes së sundimit të saj në Shqipëri, ekzistojnë dy hipoteza të kundërta: 1. hipoteza e mbrojtur nga historiografia zyrtare në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, e cila thotë se situata e përgjithshme e shqiptarëve nën osmanët u keqësua dhe, 2. hipoteza e mbrojtur nga themeluesit e nacionalizmit shqiptarë,e cila thotë se situata etnike e shqiptarëve nën osmanët u përmirësua.
Për ta bërë të besueshme hipotezën e vet historiografia zyrtare shqiptare ka sjellë këto argumente:shqiptarët nën sundimin bizantin po zhvilloheshin normalisht si gjithë popujt e tjerë evropianë ;pushtimi osman I Shqipërisë ka frenuar zhvillimin e shqiptarëve në rrugën euro-perëndimore si rrugë më e përparuar;sistemi politiko-shoqëror aziatik osman ka qenë më I prapambetur,ka qenë barbar në krahasim me ato euro-perëndimore,osmanët kanë ushtruar presion për asimilimin etnik të shqiptarëve;argument I presionit asimilues është islamizimi I dhunshëm;argument I islamizimit te dhunshëm është taksa e veçantë për jo-muslimanët, xhizja.
Ndaj kësaj hipoteze ekzistojnë dhe mund të bëhen vërejtje serioze, thelbi I të cilave përmblidhet në idenë se depërtimi osman,nga pikëpamja etnike (e më vonë kombëtare)e ka përmirësuar situatën ekzistenciale të shqiptarëve si etni.
Premisa situacioniste ekzistenciale nga e cila niset hipoteza e dytë është fakti se ,depërtimi I Perandorisë Osmane në Ballkan e gjeti pjesën më të madhe të shqiptarëve nën sundimin serb,bullgar,grek dhe bizantin dhe se,në krahasim me rrezikun që paraqisnin këta pushtues për ekzistencën etnike të shqiptarëve ishte shumë më I madh se që mund të paraqiste në këtë drejtim pushteti osman.
Së pari – Perandoria Osmane e frenoi procesin asimilues sllav, grek, bullgar dhe bizantin ndaj shqiptarëve: a)duke e shkatërruar Perandorinë Bizantine I dha fund presionit te saj asimilues etnik(të ushtruar nga pozita e privilegjuar e sllavëve e grekëve), b)duke e dobësuar Mbretërinë serbe,bullgare e greke e frenoi procesin e sllavizimit dhe greqizimit të shqiptarëve.
Së dyti – Perandoria Osmane ishte shumë tolerante në pikëpamje etnike. Presioni asimilues etnik osman ka qenë shumë më I vogël në krahasim me presionin e deriatëhershëm sllav dhe grek:a)Perandoria Osmane kishte një shtrirje aq të madhe sa që,edhe sikur të dëshironte nuk arrinte të popullonte me popullsi osmane territoret e çliruara dhe t’u ndërronte kështu përbërjen etnike. Ndërsa sllavët ishin dyndur si popullsi dhe kishin ardhur të vendosen në territoret shqiptare. b)Perandoria Osmane,qoftë nga përkufizimi,qoftë nga këndvështrimi praktik,nga osmanologët perëndimorë dhe studiuesit e nacionalizmit njihet si Perandori shumë tolerante në pikëpamje etnike:ajo ishte më tepër një perandori universialiste, kozmopolite, një bashkësi pluri-kulturore dhe multi-etnike. Sipas osmanologut më të njohur shqiptarë, Skënder Rizaj, në Perandorinë Osmane vetëm posti I sulltanit u takonte turqve, përkatësisht atyre që rridhnin nga dera Osmane. Megjithatë, sadriazemi me divanin mund ta ndërronin sulltanin. Përndryshe, ”Perandoria Osmane nuk ishte institucion vetëm I turqve,por e gjithë klasës sunduese të Perandorisë, e cila përbëhej më shumë nga pjesëtarët e popujve jo-turq: nga arabët ,shqiptarët, grekët, boshnjakët, serbët, etj… Edhe postet më të larta të Perandorisë, posti i vezirit të madh (sadriazemit, d.m.th. kryeministrit ose zëvendësit të sulltanit), i vezirëve (ministrave)… i takonin më së shumti shqiptarëve, arabëve, boshnjakëve, serbëve, kroatëve, grekëve, hungarezëve, etj… Nga burimet historike del se nga të gjithë popujt e Ballkanit postin e sadriazemit (kryeministrit), e kanë mbajtur më së tepërmi shqiptarët, 42 sadriazema shqiptarë”. Edhe pushteti ekonomik në Perandorinë Osmane ndodhej kryesisht në duart e popujve jo-turq, në duart e hebrenjve, grekëve, sllavëve, shqiptarëve, etj”…
Së treti – Perandoria Osmane ishte shumë më tolerante nga pikëpamja fetare. a). derisa ortodoksizimi i shqiptarëve bëhej me dhunë të egër fizike dhe ekonomike, islamizimi bëhej mbi baza vullnetare. ”Kanauni I S. Dushanit” parashikonte damkosjen me hekur të skuqur në fytyrë,konfiskimin e shtëpisë dhe pasurisë të çdo shqiptari që nuk pranonte të konvertohej në ortodoks, ndërsa në përpjekjet islamizuese osmane nuk gjenden asnjëherë raste të tilla. b). xhizja nuk ishte taksë e papërballueshme ekonomikisht. Nga ana tjetër, duke paguar xhizjen meshkujt liroheshin nga shërbimi ushtarak. Në atë kohë çlirimi nga shërbimi ushtarak dhe mbajtja e një krahu pune në shtëpi mund të ishte më e vlefshme se sa mospagimi I taksës, por shkuarja ushtar,nga nuk dihej nëse kthehej apo jo ndonjëherë. Shkurt, xhizja ishte një mundësi zgjedhjeje: të zgjedhësh nëse do të kryesh shërbimin ushtarak ose ta paguash atë. Mundësia për të zgjedhur e zgjeron dhe nuk e ngushton lirinë.Xhizjen nuk e paguanin të gjithë anëtarët e familjes,por në radhë të parë ata që ishin të detyruar të kryenin shërbimin ushtarak dhe e zëvendësonin atë me para,me taksën e xhizjes.Por edhe sikur xhizja të kishte qenë një taksë e papërballueshme,nuk mund të krahasohet me dhunën fizike ortodoksizuese serbe, me damkosjen me hekur të skuqur, përveç dhunës ekonomike.
Së katërti – ”Islamizimi nuk do të thoshte osmanizim ose turqizim, ndërsa ortodoksizimi ishte njëkohësisht edhe sllavizim dhe greqizim” a). Në Perandorinë Bizantine si gjuhë kishtare u vendos gjuha sllave e greke. Meqenëse gjuha përbën karakteristikë thelbësore të përkatësisë etnike, vendosja e gjuhës sllave e greke si gjuhë kishtare e shndërroi kishën në institucion, që ndikonte përkatësinë etnike dhe që vetë mori karakter etnik duke u shndërruar në kishë serbe e më vonë edhe në kishë “greke”, b). Në Shqipëri, feja islame mori shumë elementë nga traditat e vendit dhe,sipas Skënder Rizajt, u bë fe kombëtare e shqiptarëve. Sipas tij, kush islamizohej në Kosovë nuk bëhej osman, mbasi osman etnik nuk kishte fare, por bëhej shqiptarë (turk=shqiptarë musliman, në kuptimin e termit të asaj kohe). Po ashtu, feja ortodokse ishte bërë fe kombëtare serbe dhe prandaj kush ortodoksizohej konsiderohej serb, pavarësisht nga prejardhja etnike. Në këto rrethana ortodoksizim do të thoshte edhe asimilim etnik, ndërsa islamizim nuk do të thoshte asimilim etnik.
Së pesti – Administrata civile dhe ushtarake në Shqipëri nën Perandorinë Osmane ishte pothuajse tërësisht shqiptare.
Së gjashti – Perandoria Osmane linte të lirë ruajtjen dhe ushtrimin e traditave të vendit. Pjesëmarrësit në ushtrinë osmane nuk ishin të detyruar të vishnin një uniformë të njësuar, por mund të shkonin me veshjet e veta kombëtare dhe zakonisht ishin nën komandën e prijësve të vetë lokalë.
Së shtati – Perandoria Osmane kishte sistemin politik më demokratik dhe më të përparuar të asaj kohe. a). Në sistemin osman edhe shtresat e ulta, raja vendosej nën mbrojtjen ligjore dhe nuk lihej në varësi të drejtpërdrejtë të zotërisë së tij si bujkrobi në Evropë dhe vendet e tjera. b). e drejta zakonore e popujve të nënshtruar pranohej si bazë juridike e zgjidhjes së konflikteve nga ai popull.
Së teti – Perandoria Osmane nuk ka organizuar shpërngulje të shqiptarëve si sllavët e grekët. Për pesë shekuj të sundimit osman nuk gjenden raste shpërnguljesh të dhunshme e spastrimesh etnike të organizuara si nga sllavët e grekët,nuk është osmanizuar asnjë fshat etj.
Së nënti – Perandoria Osmane nuk ka ndërmarrë asnjëherë fushatë intensive për ndërrimin e toponimisë shqiptare ndërsa pushtuesit serbë (gjatë sundimit bizantin) ushtronin një presion intensiv në këtë drejtim. Si rrjedhim edhe në Shqipërinë e sotme të Jugut ka më shumë emërtime me origjinë sllave,megjithëse është sunduar për një periudhë vetëm disa vjeçare prej tyre (shekulli XIV) se sa emërtime osmane të cilët kanë sunduar rreth pesëqind vite.
Së dhjeti – nën Perandorinë Osmane Shqipëria arriti një zhvillim të rëndësishëm ekonomik; deri në shekullin XVIII të krahasueshëm me rajonet më të zhvilluara të Evropës së asaj kohe. Kështu, në shekullin XVII Shqipëria kishte rajonet më të zhvilluara në Ballkan dhe madje në Evropë: Kosovën. Qetësimi I situatës politike dhe nevojat që kishte Perandoria Osmane për fushatat e veta çliruese si armë, pajisje, ushqime etj., i dhanë një shtytje të madhe rritjes së zejtarisë, nxjerrjes së mineraleve, tregtisë, këmbimeve financiare etj. Vetëm në rajonin më të zhvilluar të Shqipërisë, në Kosovë, ushtroheshin mbi 40 zeje të cilësisë më të lartë dhe, po ashtu, një pjesë e madhe e kapitaleve financiare zotërohej nga bankierët shqiptarë. Nën Perandorinë Osmane, krahas hebrenjve, grekëve, sllavëve etj., shqiptarët ishin ndër zotëruesit më të mëdhenj të kapitaleve të Perandorisë, ndërsa në Shqipëri ata ishin pothuaj zotëruesit e plotë të tyre. Megjithatë, Kosovën si rajoni më I zhvilluar I Shqipërisë dhe I Ballkanit e shkatërruan luftërat e Austrisë, Serbisë dhe, në aleancë me ta, të forcave shqiptare-katolike të udhëhequra nga P. Bogdani kundër Perandorisë Osmane që u zhvilluan pikërisht në këtë rajon. Pas kësaj, edhe pse Shqipëria dhe shqiptarët nuk mundën ta rimarrin vetën asnjëherë nga ky shkatërrim, sidoqoftë, deri në fillim të shekullit XIX mbetën së paku në nivelin e zhvillimit ballkanik.
Dobësia e hipotezës e cila e paraqet Perandorinë Osmane si të “egër”, ”barbare”, me prirje të fortë asimiluese etj., qëndron në faktin se nuk mund të shpjegojë bindshëm se, pse shqiptarët u integruan aq shumë në Perandorinë Osmane në qoftë se ajo u keqësoi gjendjen e përgjithshme të tyre? Përse tek shqiptarët xhizja ishte presion I mjaftueshëm për ndërrimin e fesë, ndërsa tek popujt e tjerë jo? Si mbijetuan shqiptarët me gjithë “presionin e madh asimilues” pesëqind vjeçar? Në qoftë se jo si një mrekulli të ‘’shpirtit të pamposhtur të popullit shqiptarë”, atëherë si e shpjegon forcën me të cilën janë ruajtur e drejta zakonore, traditat etnike, veçoritë psikologjike të shqiptarëve etj.? Pse nuk u ushtrua dhunë islamizuese edhe mbi popujt e tjerë por vetëm mbi shqiptarët? Ose së paku, pse dha rezultat vetëm tek shqiptarët? A kishte Perandoria Osmane ndonjë arsye të posaçme për të ushtruar dhunë mbi shqiptarët ndryshe nga popujt e tjerë?
Po ashtu, ajo nuk arrin të shpjegojë se, si e siguroi qetësinë dhe qëndrueshmërinë disa-shekullore dhe pothuaj sundimin e botës Perandoria Osmane? Si është e mundur që “vendi më i prapambetur i Evropës” është njëkohësisht fuqia më e madhe e botës?A është historike teza se qytetërimi evropian ka qenë qytetërimi më I përparuar në të gjitha kohërat,ndërsa Perandoria Osmane ishte e prapambetur sepse ishte “aziatike”?
Kjo hipotezë e historiografisë shqiptare enveriste komuniste (ose sllavofile dhe grekomane) ka shkaktuar vështirësi të mëdha për kuptimin dhe shpjegimin e qetësimit politik të shqiptarëve për një periudhë kohore tepër të gjatë dhe vendimtare për ardhjen e tyre deri në bashkëkohësi. Në studimin,”Historia dhe bashkëkohësia. probleme të shkrimit të historisë së Shqipërisë”, studiuesi gjerman A. Hecer, mendon se një nga vështirësitë më të mëdha dhe problemet kryesore të shkrimit objektiv të historisë së Shqipërisë është qëndrimi mohues I historiografisë zyrtare shqiptare ndaj rolit pozitiv të Perandorisë Osmane për ruajtjen e ekzistencës dhe të zhvillimit të shqiptarëve dhe arsyet e integrimit të shqiptarëve në të.
S.Rizaj përfundon se Perandoria Osmane kishte sistemin juridik më demokratik të kohës. Për më tepër,sic konstatohet në “Historia botërore e Fisherit”, pikërisht kur Perandoria Osmane (në kuadrin e modernizmit) u organizua sipas modeleve të Evropës Perëndimore (si Franca e asaj kohe)pati periudhën më diktatoriale në historinë e vet.
Në fund,nëse kjo është historia që na është servuar nga periudha enveriste,një sistem apo pjellë e ideologjive ateiste atëherë vallë, pse duhet ta pranojmë ,kur është kundër të vërtetave historike dhe argumenteve të qarta.
Pse ne, duhet të jemi të fundit të cilët i kuptojnë periudhat dhe etapat e zhvillimit tonë kombëtar?
Përmblodhi: Fitim Hasani, Rijad
Burimi: www.IslamiFejaeVertete.com
Bazuar në librin “Skicë e mendimit politik shqiptar” të autori: Hysamedin Feraj