BallinaTEZKIJEAmbiciet dhe SuksesiE mbuloi dheu të Mbuluarin

E mbuloi dheu të Mbuluarin

 

E mbuloi dheu të Mbuluarin

 

Fjala e mirë rrodhi nga ai i cili e kuptoi se Fjala në botë iu shpall të mirit. Dikur u hap një dhimbje prej dikujt e që pasojat nuk arrita t’i shoh, mirëpo i ndieja, e tash ndjenja është me dikë që ende s’arrita ta përjetojë atë që ndieja dikur. Kur mendoja gjatë ecjes në rrugë, fare nuk e vëreja kalimin e rrugës, e kur u ndala të shikojë sa kisha ecur, vërejta se shumë më duhej të mendojë. Ai i Cili na e mësoi rrugën e jetës, e mori një rrugë pakthim, por neve na udhëzoi se si t’i kthehemi jetës e të rrugëtojmë me mësim. E mua, më mori malli për Dikë që qau për ne, e ne s’ia pamë lotin dhe i Cili e përjetoi vetminë që ne të jetojmë të bashkuar. Dita që shkon s’kthehet më, ajo që përjetohet sot mbetet si kujtim nesër, e dija që predikohej dikur prej Dikujt, ngeli një mall që syri çmallet kur e sheh veç në letër. Ajo që në jetë ikë nuk kthehet dot, e shikimi u shtang diku që më s’ka vullnet t’i kthehet jetës pa Dikë, ngase kur meditoja për të Mbuluarin, kujtova se Atë arrita ta njoh, por jo edhe ta shoh, zemra arriti ta dojë, por jo edhe t’ia shpreh dashurinë dhe trupi u përpoq t’i afrohet, por jo edhe të bashkohet. Një fije e padukshme durimi ngeli në mua dhe më dha shpresë që veten ta orientojë në rrugën e jetës se Dikë nuk do e shoh as edhe një fije. Nëse e di për Dikë ku është nuk donë të thotë se e di edhe ku do të shkojë, por nëse e di ku ka shkuar, mund të kuptosh dhe ku ka qenë. Në largësi njeriu mund të harrojë çdo gjë, mirëpo jo edhe zemrën që nxiti të largohet, andaj Ti jetoje para se unë të vijë, shkove para se të të shoh dhe e përjetuam ndarjen ende pa u bashkuar. Një kujtim që mblodha në jetë më shoqëron që të mos jem vetë, por kur kthjellem dhe e shoh veten, vërej se Ty mund të të gjejë veç në vendin ku ke dhënë jetë. Në çast doja ta kem durimin, jo edhe forcën e tij, se Ai që erdh i fundit e për të Cilin na njoftoi i pari, na mësoi se neve durimi na nevojitet kur të ndahemi nga çasti në të cilën na lindi dashuria. Nga kjo në mendje më lindi një fjalë: “Syri që sheh s’është sikurse syri që shikohet dhe se Dikë që syri kërkon ta sheh rrallë mund ta shoh!” O i Mbuluar! E di se jemi larg dhe një botë na ndanë nga bashkimi, por largësinë s’e konsiderojë pengesë, ngase amshueshmëria i bashkon dy zemra të largëta që dashuria i mbajti në distancë! Tash e di se Ai i Cili e solli Ndryshimin vuante për t’u dukur ndryshe dhe kurrë ndryshe s’e ka shprehur Ndryshimin. Ndonjëherë syri e lëshon lotin se s’mund ta mbajë, jo se peshon shumë, por se shumë mbahet mend loti që freskon syrin. E kur nisa ta thur një fjalë lamtumire, vërejta se ajo që thuhej në zemër, s’dilte nga gjuha, kurse atë që thoshte syri përmes lotit, mendova se më mjafton dhe kështu e mbarova fjalën ende pa e nisur. Ndaj, tani rrugës Sate jam duke rrugëtuar, çdo gjë Tënden jam duke e gjetur, por Ty assesi, e tash u kujtova në fjalën që ke thënë dikur: “Duaje kë të duash, por dije se një ditë prej tij do të ndahesh!”

 

Blerim Muhaxheri    

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

    

 

Must Read