Çlirimi i Kostandinopojës
Data 29 Maj na kujton një ngjarje shumë të rëndësishme dhe tepër të madhe. Pikërisht më 29 Maj të vitit 1453, pas 50 ditësh rrethim, Sulltan Muhamed Fatihu futet triumfues në Kostandinopojë duke bërë të ndryshojë rrota e historisë botërore.
Sipas shumë kronistëve perëndimorë, Muhamed Fatihu (Mehmet Fatihu) është quajtur si Mehmet pushtuesi. Ndërkohë fjala “Fatih” do të thotë çlirues dhe jo pushtues. Ai ishte çlirues për vetë banorët e Kostandinopojës, të cilët bashkë me shumë prej klerikëve të lartë, preferonin më shumë autoritetin e Sulltan Mehmet Fatihut, se sa zgjedhën e rëndë perandorake, që ua kishte marrë frymën nënshtetasve të vet me taksa të larta e padrejtësi të pafundme. Po ashtu rënia e Kostandinopojës ishte çlirim dhe sihariq për muslimanët, të cilët prisnin në çdo moment përmbushjen e profecisë së Profetit Muhamed (alejhis-salatu ues-selam) i cili kishte paralajmëruar që herët për çlirimin e Kostandinopojës nga muslimanët.
Ndryshe nga ç’pretendojnë shumë historianë Muhamed Fatihu nuk ka bërë masakra, e as gjakderdhje të panevojshme. Gjithashtu nuk i ka detyruar të krishterët të pranojnë Islamin, por i ka lënë ata të lirë të ushtrojnë ritet e tyre fetare lirisht. Këtë e tregon vetë fakti se fill pas rënies së Kostandinopojës më 29 Maj 1453, më 1 Qershor u shpall patriark Genadiozi, njeriu i besuar i sulltanit. Që nga ai vit e në shekujt e mëvonshëm Patriarkana e Stambollit kishte pushtetin e plotë mbi të krishterët e Ballkanit. Në juridiksionin e Patriarkanës përfshiheshin arsimi, martesa, familja, trashëgimia, etj… Patriarku u shpall Vezir në rangun e një pashai të lartë.
Ndërsa për sa i përket faktit se Muhamed Fatihu nuk ka bërë masakra me popullatën bizantine, atë e dëshmojnë shumë prej historianëve objektivë. Për shembull, kronisti Niqitas Akonimati bën një dallim tepër të madh mes kryqtarëve dhe osmanlive. Ai tregon se kryqtarët kur vërshuan në Kostandinopojë më 13 Pril të vitit 1204, plaçkitën shtëpitë dhe kishat, thyen imazhet e shenjta dhe flakën reliket e martirëve në vende të ndyra. Qyteti i tërë s’ishte më veçse dëshpërim, lot, britma, rënkime. Ndërsa kur flet për futjen e Osmanlive në qytet shprehet: “Ata, të paktën nuk na i përdhunonin gratë… nuk i katandisnin banorët në mjerim, nuk i zhvishnin lakuriq në mes të rrugës, nuk i bënin të vdisnin nga uria e nga zjarri…” (Ogyst Baji,” Perandoria e Bizantit” fq. 230-231.)
Kjo ka qenë karakteristikë e muslimanëve në përgjithësi, madje në shumë vende joislame përveç Perandorisë Bizantine, ku taksat e larta, varfëria, padrejtësitë, vrasjet dhe degjenerimi kishin arritur kulmin muslimanët janë pritur si shpëtimtarë. Kjo sepse synimi i vetëm i muslimanëve ishte çlirimi i popujve dhe prezantimi i tyre me konceptin e vërtetë mbi Krijuesin. Thënë ndryshe, për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga injoranca në dituri, për të kuptuar qëllimin e vërtetë të jetës dhe për të njohur Krijuesin, ashtu siç e meriton. Kurse për vetë osmanlitë, Sami Frashëri në: “Përhapja e Islamit” fq. 14 shkruan: “Mirëpo, muslimanët në këtë kohë kishin nevojë për një personalitet madhështor dhe të forte, që do t’i mbronte nga invadimi i armiqve dhe do t’i siguronte nga trazirat e brendshme. Kjo dëshirë u sendërtua me paraqitjen e shtetit Osman. Njerëzit e këtij shteti shquheshin me trimëri dhe konsekuencë fetare, ishin ithtarë të drejtësisë dhe objektivitetit. Nuk bënin krime, as gjakderdhje pa arsye, siç patën vepruar shumica e qarqeve sunduese. Lodhjet e luftës dhe vështirësitë e rrugës i përballuan vetëm për përhapjen e Islamit, për mbrojtjen e muslimanëve dhe madhërimin e fjalës së Allahut. Shpresa e tyre ishte e kulluar. Qëllimi i veprave të tyre ishte fitimi i kënaqësisë së Allahut, duke u sjellur dobi muslimanëve.” E pra, nuk është e vërtetë që Islami është përhapur me shpatë. Madje është shpata ajo që ka penguar sa herë përhapjen Islamit. Nga ana tjetër, nëse demokracia u imponohet popujve si zgjidhja më e mirë, ku në shumicën e rasteve antivlerat serviren si vlera, shthurja dhe degjenerimi paraqitet si emancipim, liria e tepruar si zhvillim dhe shfrytëzimi i popujve si integrim, atëherë vlerat universale të Islamit, me të vërtetë janë çlirim. Këtë e kanë dëshmuar muslimanët sa herë që ata kishin fuqinë në dorë. Ata kudo që shkelën, duke pasur për qëllim të çlironin dhe jo të pushtonin popujt, dhuruan moral, drejtësi, kulturë dhe qytetërim. Muslimanët jo vetëm që themeluan e ngritën qytete të reja e të shumta për atë kohë, por ndërtuan spitale, jetimore, qendra rehabilitimi, institucione zyrtare shtetërore e private, gjykata, pallate , kopshte, punishte, fabrika, tregje, qendra biznesi, shkolla, institute, biblioteka, madje dhe universitete. Muslimanët nën pushtetin e tyre sollën stabilitet e siguri dhe ishin të parët që ftuan në vëllazërimin e kombeve pa dallim racash, ku çdo njeri merrte atë që meritonte, larg racizmit dhe shfrytëzimit. E kur muslimanët u dhanë pas të mirave të kësaj bote, u përçanë mes veti dhe u larguan nga feja, merituan t’u hiqej fuqia që kishin dhe prestigji që gëzonin. Mirëpo kjo ishte njëra nga urtësitë e Allahut ku bota kuptoi se nëse fuqia do të jetë në duart e jo muslimanëve në tokë do të mbisundojë padrejtësia. Vetëm me luftën e parë dhe të dytë botërore, u vranë miliona njerëz. Për t’u mos u mjaftuar me kaq miliona të tjerë u zhdukën dhe u eliminuan fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Ata u vranë në emër të së mirës. E habitshme është se të gjitha ndodhën në shek. XX, në shekullin e zhvillimit dhe përparimit, ku politikat shfrytëzuese çmoheshin më shumë se jeta e njerëzve. Chantal Millon-Delsol në “Idetë politike të shekullit XX” fq. 7-8 thotë:” Politika s’ka qenë kurrë ndonjëherë deri në këtë pikë në shërbim të ideve. Ajo shkatërron shoqërinë aktuale për të arritur një shoqëri të përsosur… Privilegji që iu akordua abstragimit, i nxori shoqëritë zbuluar dhe i zhveshi njerëzit nga dinjiteti i tyre. Asnjë epokë tjetër s’ka qenë, për nga racionalizmi i tejskajshëm, kaq ç’njerëzor në thelb. Epokë gabimesh: shpresat për një shoqëri të përkryer çuan në shtypje dhe politika nënshtroi shpejt atë që pretendonte të çlironte… Duhej besuar se gjithçka është e mundur për të vënë në jetë të pamundurën… Shekulli XX gabon në dy kuptime: përbuz qenien, sepse gabohet mbi qenien”. E gjithë kjo i bën njerëzit e mençur të kuptojnë me të vërtetë, se çfarë humbi bota me rënien e muslimanëve dhe se çfarë do të thotë të konsiderohet e pavërteta e vërtetë. Sidoqoftë Profeti Muhamed (alejhis-salatu ues-selam) na ka lajmëruar se e ardhmja u përket muslimanëve, çka do të thotë se me dështimin e të gjitha ideve dhe sistemeve politike njerëzore, Islami është alternativa e vetme për njerëzimin.
Përgatiti: Mustafa Tërniqi
Burimi: www.islamifejaevertete.com