BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeDesha të di rreth sufistëve dhe vehabistëve

Desha të di rreth sufistëve dhe vehabistëve

 

Desha të di rreth sufistëve dhe vehabistëve

 

Pyetja:

Desha të di rreth sufistëve dhe vehabistëve: kush janë ata çka kanë për bazë? Ma bëni hallall për ketë pyetje, pasi ka shumë debate rreth këtyre temave. Elhamdulilah, unë jam besimtar, i kryej obligimet ditore (pesë kohët e namazit), mirëpo dëgjoj për kësi lloj temash: jo me mjekër, jo pa mjekër; ky e përçan fenë; ky është njeri i mire; e shumë lloj-lloj temash. Disa thonë që para luftës kemi qenë më të mirë dhe sa erdhën këta hoxhallarët e rinj na e kanë përzierë krejt.


Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i nderuar!

Çështjet për të cilat ju bëni pyetje vërtet janë çështje që shpesh herë kemi rastin të dëgjojmë rreth tyre. Fillimisht themi se ne do të përpiqemi me ndihmën e Allahut t’ju japim një përgjigje të plotë që përmban disa informacione të nevojshme, kurse për të folur rreth çështjeve të lartpërmendura, ka shumë çfarë të thuhet dhe të sqarohet, e për këtë nevojitet qasje studioze dhe kohë.


Çështja e parë: Rreth termit “sufizëm”


Sa i përket sufizmit ose sufistëve që rrjedh nga fjala arabe “tesevuf” si term nuk ka qenë e njohur në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem), kurse kur njerëzit e përdorin, në përgjithësi, mund të përmblidhet se nënkupton dy gjëra.

Por, para se t’i përmend ato nënkuptime, dëshirojmë të bëjmë me dije lexuesve një esencë mjaftë të rëndësishme.

Në Islam nuk na lejohet të shenjtërojmë asnjë fjalë dhe metodologjia e Ehli Sunetit në termat që përdoren nga njerëzit është se para se të gjykojmë rreth nocionit apo termit, kërkojmë sqarim se çfarë dëshirohet apo nënkuptohet me të. Nëse është për qëllim një gjë e pranuar dhe lejuar, atëherë gjykojmë edhe me termin ashtu, nëse është për qëllim diçka e ndaluar dhe e papranuar, atëherë e refuzojmë atë.

P.sh.: termi “Adël” – “Drejtësi”, është një term i përdorur nga mutezilët (një fraksion racionalist i papranuar) të cilët thonë se kjo “drejtësia” është njëra nga bazat themelore dhe pikënisjet e mësimeve të tyre.

Në shikim të parë, ky nocion i përdorur nga ata nga aspekti gjuhësor, ka kuptim të mirë që neve na duhet ta pranojmë. Por, në esencë ata nuk e dëshirojnë drejtësinë, të cilën ne e kuptuam fillimisht. Ata me këtë term nënkuptojnë: “Mohimin e të gjitha cilësive të Allahut”, kështu që ata mohojnë cilësinë e Dijes, Dëshirës, Fuqisë, të Folurit e Allahut dhe të gjitha cilësitë e tjera.

Me këtë shembull kemi për qëllim të theksojmë se ka mundësi dikush të përdorë ndonjë fjalë “term” që kuptimi i saj në esencë është i pranuar dhe i mirë, e ai nuk ka për qëllim këtë kuptim të mirë, por ka për qëllim një çështje tjetër që është e refuzuar në mësimet Islame dhe ai e stolis idenë e devijuar të tij me ndonjë term që ka kuptim të mirë. Por, është e mundur edhe e kundërta, që dikush të përdorë ndonjë emërtim me kuptim të keq ndaj dikujt që nuk është ashtu, vetëm me qëllim të diskreditimit apo nënvlerësimit.

E bëmë këtë sqarim të kuptosh se te Ehli Suneti nuk është bazë nocioni, por bazë është ajo çfarë nënkupton ajo fjalë. Prandaj ata në përgjithësi në emërtimet dhe nocionet që përdoren fillimisht as nuk gjykojnë si të pranuara, as të refuzuara, para se të sqarohen se ai i cili e përdor atë nocion çfarë ka për qëllim.

Tani t`i kthehemi se kur përdoret ky term çfarë nënkuptojmë.

E përmendëm më herët se nocion “sufizëm” ose “tesevuf” kur njerëzit e përdorin kanë për qëllim dy kuptime:

Kuptimi i parë: “Sufizëm” nënkupton asketizmin dhe thjeshtësi në jetë, pra që muslimani të mos jepet pas kësaj bote dhe ta largojë veten nga lukset e kësaj bote.

Tërheqja nga kënaqësitë dhe mosdhënia e tepërt pas kësaj bote në gjuhen e Profetit (salallahu alejhi ue selem) është  quajtur “zuhd”, që gjuhësisht do të thotë “abstenim dhe humbje interesimi ndaj një çështjeje”.

Transmetohet nga Sehl ibën Sad es Saidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se erdhi një njeri te Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Më drejto në një vepër që kur ta veproj atë do të më dojë Allahu dhe do të më duan njerëzit? I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Largoje veten (bëhu zahid), (mos lakmo) në këtë botë, do të të dojë Allahu, kurse mos lakmo në atë që është te njerëzit (në dorë të tyre) që të duan njerëzit.”[1]

Kjo formë e perceptimit të termit “sufi”, pra që ajo të jetë sinonim i nocionit “zuhd”, në Islam është i pranuar dhe ka bazë. Edhe pse duhet të kuptojmë se mënyra se si përcaktohet në Islam asketizmi (zuhdi) është mjaftë e qartë dhe e njohur në praktikën e Resulullahut (salallahu alejhu ue selem).

Prandaj, asketizmi që njeriu ta braktisë këtë botë në përgjithësi në formë të tërësishme dhe të mos shijojë asnjë lloj të kënaqësive, duke pretenduar se me këtë abstenim të trupit nga kënaqësitë arrijnë kulminacionin e dëlirësisë së shpirtit, është e refuzuar.

Islami e mëson njeriun se i lejohet të kënaqet në këtë botë, por duhet të kuptojë drejt rolin e tij në këtë dhe se këto kënaqësi janë kalimtare e nuk duhet të mashtrohet dhe të jepet pas tyre, duke harruar të punojë për botën tjetër, por ai ka nevojë të parapërgatitet me punë për kënaqësitë e përjetshme.

Transmeton Imam Ahmedi nga Ebu Idris Haluani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë): “Zuhdi në këtë botë nuk do të thotë që gjërat e lejuara njeriu duhet t`i bëjë haram (t’ia ndalojë vetes), e as ta humbë pasurinë (mos ta posedojë atë), por zuhdi  në këtë botë është kur njeriu është më i sigurt në atë që është në duart e Allahut, se sa në atë që është në duart e tij dhe nëse i dhurohet diçka, të jetë më i interesuar që të përfitojë sevapin nga ajo (për botën tjetër), se sa të mbetet ajo në duart e tij.”

Me fjalë të tjera, që njeriu tërësisht të largohet nga kënaqësitë e kësaj bote, ashtu si është e njohur në disa fe të tjera, si murgëria, abstenimi ,pothuajse plotësisht, nga ushqimi (ashtu si është e njohur te budistët) dhe praktika të tjera të tilla janë të refuzuara në Islam.

Enesi, radijallahu anhu, rrëfen se disa sahabë kishin pyetur njërën prej grave të Resulullahut, salallahu alejhi ue selem, rreth adhurimit të tij në jetën private. E pas kësaj, njëri nga ata tha: “Unë nuk do të martohem.” Tjetri: “Unë nuk do të ha mish.” E tjetri: “Unë nuk do të fle në shtrat.” Kur mori vesh Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) për këtë, pasi falënderoi dhe lavdëroi Allahun, tha: “Ç’është puna me disa njerëz që kanë thënë kështu e ashtu?! Dijeni se unë falem dhe fle, agjëroj e ha dhe martohem po ashtu. Kush largohet nga suneti im, ai nuk është nga unë.[2]

Në këtë formë duhet të kuptohet asketizmi në Islam dhe kështu kanë qenë të njohur edhe asketët më të mëdhenj prej muslimanëve, ata janë sahabët e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem).

Për të mos e zgjatur më shumë në këtë pikë, themi se nëse dikush e përdor nocionin “sufi” dhe ka për qëllim këtë kuptim, pra ka për qëllim asketizmin dhe mosdhënien pas kësaj bote, ashtu siç është sqaruar më lartë, atëherë kjo është e pranuar në Islam, pasi ka bazë dhe është një esencë në të cilën kanë ecur sahabët në krye me vetë Pejgamberin (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!). Të gjithë ne jemi të njohur për asketizmin që kanë pasur ata. Në këtë rrugë kanë vazhduar edhe tabiniët, të cilët nuk janë dhënë pas kënaqësive të kësaj bote, pastaj edhe njerëzit e dijetarët pas tyre.

Prandaj edhe e gjejmë  në disa libra nga disa dijetarë që i atribuojnë këtë term Hasan Basriut, pastaj Abdul Uahid Zejdit dhe disa shoqëruesve të tyre.

Por, do të ishte më e qëlluar që këtë term ta përdorim ashtu si e ka përdorur Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) dhe ka qenë e njohur në periudhën e sahabëve. Ajo është që në vend të termit “sufi” të përdorej nocioni “zuhd”. Pasi ne me këtë derisa shërbehemi me një nocion për të cilin ka shumë mospajtime rreth esencës se nga rrjedh[3], neve e përdorim një nocion që është emërtuar nga Profeti (salallahu alejhi ue selem).

Kuptimi i dytë:Kuptimi i dytë i nocionit “sufizëm” dhe më i përhapuri është se ajo do të thotë “misticizëm”, që nënkupton gjendjen shpirtërore e njeriut, ku mendja pushon së luajturi rolin e vet. Me fjalë të tjera, zbulimi i disa të “vërtetave hyjnore” të cilat nuk ka mundësi të arrihen me metodën tradicionale të hulumtimit dhe argumentit nga Kurani dhe Hadithi.

Kjo filozofi e paraqet se urdhrat, obligimet dhe porositë e sheriatit janë dy lloje:

1. Të dukshme (dhahir, ekzoterike). Janë ato vepra dhe gjëra që çdo njeri ka mundësi  t`i kuptojë dhe kryejë. Në këtë hynë gjërat e njohura të besimit për çka flasin dijetarët dhe gjërat që kryhen me gjymtyrë dhe organe (me dorë, këmbë, vesh, etj). Me këto gjymtyrë ai ecën, shkon në haxh, agjëron, falet, ose e ndalon vetën nga vjedhja, zinaja, etj.

2. Të fshehta (batin, ezoterike). Gjëra që çdonjëri nuk ka mundësi t’i kuptojë dhe t’i dijë. Prandaj pretendojnë ekzistimin e njerëzve të mbërritur (arritur) që njerëzit e thjeshtë janë të detyruar të lidhen me ta, nëse dëshirojnë të arrijnë në njohjen e këtyre realiteteve (hakikateve).

Këta njerëz të mbërritur i quajnë sheh, evlija (velij), murshid, imam, apo emra të tjerë. Prandaj ata thonë se sheriati i shpallur nga Allahu është një, por qasja ndaj njohurive të fshehta bëhet me anë të “tarikateve”. Disa thonë se janë dymbëdhjetë, disa të tjerë i numërojnë në më shumë se dyqind sosh[4].

Të flasësh për këta sufistë dhe mësimet e tyre, është sikurse të flasësh për detin dhe çfarë ka në të. Kemi nga llojet më të ndryshme dhe të çuditshme të mësimeve dhe devijimi i tyre është më i madh se tjetri.

-Ekzistojnë nga ata që nëpërmjet torturës së vetvetes pretendojnë se arrijnë të kalojnë në ekstazë ku ata shijojnë (si thonë) “ëmbëlsirën e besimit”[5].

-Disa të tjerë kërkojnë arritjen e ekstazës me ndonjë mënyrë tjetër qoftë edhe nga më të çuditshmet.

-Murshidët e tyre pretendojnë se flasin me Allahun dhe njohuritë i marrin direkt nga Ai.

-Ai që arrin të bëhet murshid, me këtë privilegj është i liruar nga obligimet dhe ndalesat[6].

-Ka prej tyre që imamët shpirtëror të tyre (evlijat) i konsiderojnë se janë me gradë më lartë se të dërguarit dhe pejgamberët.[7]

-Madhërimi i varrezave, tyrbeve është një rit kryesor i tyre.

-Ajo që mund të konsiderohet si më e çuditshmja dhe më e devijuara në këtë është besimi i tyre se murshidët pas vdekjes marrin përgjegjësi në drejtimin e gjithësisë dhe trupave qiellorë, prandaj i shohim ata sufi dhe në raste të vështirësive thërrasin dhe u luten atyre të vdekurve, para qindra viteve.

Do ta përmend edhe një pikë të nevojshme në këtë përfundim rreth sufistëve, ajo është se sufizmi me kuptim të misticizmit, nuk është një veçanti e tarikateve që i atribuohen muslimanëve, por ajo është e njohur edhe te hindusët e vjetër, budistët, filozofët e vjetër, pastaj edhe te të krishterët e gjejmë atë.

Abdurrahman el Uekil është një bashkëkohor, i cili në fillim të jetës ka qenë sufist dhe i ka ndjekur mësimet e sofizmit, por me dëshirën e Allahut ai udhëzohet dhe e kupton fatalitetin e këtyre ideve. Pas largimit nga sufizmi ai i ka të shkruar disa libra që tregojnë rreziqet dhe zbulon fshehtësitë e tyre. Ai në një vend thekson:

“Sufizmi është xhybe e zjarrputistëve (mexhusëve), e cila lë përshtypjen se është hyjnore. Madje, kjo është maskë e çdo armiku të fesë së vërtetë. Shikoni atë dhe do të gjeni në të brahmanizëm, budizëm, zoroastrianizëm dhe bësimet manikiane. Ju do të gjeni platonizëm në të. Madje mund të gjeni edhe judaizëm, krishterizëm dhe idhujtari të ditëve të injorancës”[8].

Kështu deklaron një person që i njeh nga brenda këta njerëz.

Pra, ashtu siç e përmendëm pak më lartë, themi se të flasësh për tarikatet sufiste dhe për sufizmin është një rrugëtim mjaftë i gjatë dhe plotë çudira që të bëjnë të qeshësh, por në të njëjtën kohë edhe të qash. Të qeshësh kur të shohësh se sa larg mund të shkojë imagjinata e njerëzve dhe çfarë mund të shpikin ata. Kurse të qash se si këto tarikate i atribuohen Islamit dhe muslimanëve, kurse Islami në esencë kur ka zbritur që në fillim i ka luftuar këto dukuri të shirkut.

Edhe njëherë e ritheksojmë, nëse dikush e përdor këtë term sipas kuptimit të parë, atëherë kjo është e pranuar dhe ka bazë në Islam. Kurse kush e përdor sipas kuptimit të dytë dhe dëshiron ato mësime t`ia atribuoj Islamit dhe të pretendoj se forma e tillë e perceptimit është Islame, atëherë ajo është e refuzuar dhe e papranuar.

Së fundi, themi se kjo ishte në pika të shkurtra rreth sufizmit dhe lus Allahun e Lartësuar se në te do të gjesh atë që do të shërbej ty dhe çdo muslimani i cili e kërkon të vërtetën.


Çështja e dytë: Rreth “Vehabizmit”


Edhe për këtë term perceptimet e njerëzve dallojnë dhe gjejnë se këtë emërtim secili që e përdor ka një qëllim që dallon nga tjetri.

Ajo që e bënë të dalloj termi “vehabi” prej ternit të mësipërm është se të gjithë ata që e përdorin këtë term e përdorin për qëllim të keq, pra të gjithë ata kanë dëshirë të sillen rreth këtij termi edhe pse mund të ndryshojnë se çfarë kanë për qëllim, ata e përdorin me qëllim të diskreditimi, ose paraqitje rreziku dhe kërcënimi për të tjerët e assesi për lavdërim apo të theksojnë se “vehabitë” janë të mirë.

Ky emërtim i atribuohet një personi i cili jetoi viteve 1703-1792 që quhej Muhamed ibën Abdulvehab.

Për të mos u zgjeruar shumë themi se kryesisht kur dikush e përdor këtë nocion ka për qëllim njërën nga këto kuptime:

1. “Vehabitë” janë ata që thërrasin në krijimin e medhhebit të pestë. Pra, ata pretendojnë se Muhamed Abdulvehabi, ishte një njeri i cili ka thirrur të mos punohet me katër medhhebet e pranuara te të gjithë muslimanët (hanefi, shafi, maliki dhe hanbeli), por të punohet me një medhheb të pestë, ai është medhhebi “vehabi”. Kështu ata i paraqesin se janë njerëz që janë armiq të krejt myslimanëve, pasi kundërshtojnë mësimet në të cilat thirren muslimanët.

2. Janë njerëz që nuk e duan Resulullahun (salallahu alejhi ue selem) dhe nuk dërgojnë salavatë mbi të. Pra nuk kanë respekt ndaj tij, nuk luten për të dhe nuk e nderojnë ashtu siç meriton i Dërguari i Allahut të nderohet.

3. Ata nuk kanë respekt ndaj sahabëve (shokëve) të Resulullahut (salallahu alejhi ue selem). Çfarë është edhe më keq ata i urrejnë ata dhe qëndrimi i tyre ndaj tyre është nënçmues dhe i papranuar te muslimanët në përgjithësi.

4. Ata janë havarixh (rebelues), të cilët kanë kundërshtuar hilafetin musliman të atëhershëm dhe i kanë luftuar muslimanët.

5. “Vehabi” janë ata njerëz që e aplikojnë Islamin radikal dhe kërkojnë nga tërë muslimanët të perceptojnë Islamin vetëm ashtu siç ata e paramendojnë.

6. “Vehabi” me kuptim të terrorizmit. Me fjalë të tjera, ky term është sinonim i termit “terrorizëm”. Dhe kur ata e përdorin këtë term dhe mundohen t`i atribuojnë dikujt, kanë për qëllim që ata të njëjtit t`i akuzojnë për terroristë, por e kuptojnë se nëse përdorin termin e fundit ndaj tyre do të ishte shumë e pavend, pasi ata të cilët dëshirojnë t`i akuzojnë ashtu janë njerëz të thjeshtë, të qetë dhe nuk kanë asnjë vërejtje dhe kalojnë në përdorimin e emërtimit “vehabi”, më lehtë të kapërdihet nga ata që nuk dinë të bëjnë dallime.

7. Te disa, me “vehabizëm” e etiketojnë çdo njeri që e merr seriozisht Islamin, qoftë edhe prej atyre që s’kanë lexuar asnjë shkronjë prej Ibën Abdulvehabit, ose edhe nuk kanë dëgjuar fare se ky njeri ka ekzistuar. Porse ky emërtim thjeshtë është përshkrim i atij i cili i pranon me seriozitet Islamin dhe mundohet të jetë praktikues me aq sa ka mundësi.

Pra “vehabizmi” tek ata është sinonim i të praktikuarit të denjë të Islamit i cili do të thotë: të besuarit se i tërë Kurani është fjalë e Allahut të Madhëruar dhe se të kapurit për të është obligim i çdo muslimani. Vehabist është myslimani i cili falë pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin, jep zekatin dhe kryen haxhin, nëse ka mundësi. Ai është muslimani i cili nuk pi alkool, s’merret me kamatë, nuk beson në ato vlerat të civilizimit perëndimor që janë në kundërshtim me Islamin. Muslimani vehabist është ai i cili mendon se feja e tij është e vërtetë dhe e nxitë atë që njerëzit t’i thërrasë në Islam. Me fjalë të shkurta, vehabist është çdo musliman i cili mundohet të kapet për mësimet e fesë së tij edhe nëse jeton në vendet perëndimore.

Këto janë përafërsisht ajo që nënkuptojnë ata që e përdorin këtë etiketim. Për të shtjelluar këto dhe për t’u përgjigjur se sa është e vërtetë ndonjëra nga këto, duhet të shkruhet mjaft, prandaj unë nuk do të ndalem të komentoj këto, por do të mundohem vetëm të sjell një konkluzion që është i nevojshëm për çdo njeri që e kërkon të vërteten dhe që ky është i vetmi pikësynim i tij.

Luajtja dhe manipulimi me terma, nocione, etiketime dhe emërtime, është një art mjaft i njohur që moti, besa edhe goxha i suksesshëm për të arritur objektivat që dikush ia vendos vetes, por e di se nuk do të jetë efikas, nëse është i qartë se çfarë synon.

Nuk do ta kisha përmendur këtë, por për të qenë më afër lexuesit e dimë se si qarqe të caktuara që në fillim të konfliktit me shqiptarët e Kosovës, filluan të përdornin terma si: “nacionalizëm”, “terrorizëm”, “iridentiuzëm”, ”shovinizëm” dhe shumë “..izma” të tjerë të gjitha me qëllim të paraqitjes së shqiptarëve se janë një komb që nuk bënë t`u lejohet të kenë të drejta, pasi janë një popull që në vete bartin shumë të këqija që sqarohen me këto etiketime.

Prandaj edhe etiketimi me këtë term në këtë kohë është tendencë e dikujt për t`i realizuar objektivat të cilat ka dëshirë t`i realizojë.

Kjo është kështu edhe nga aspekti rajonal, por edhe më gjerë, pasi nëse dikush duhet të klasifikohet si terrorist e i rrezikshëm, por nuk ka asnjë precedence që të mund të kapet për të dhe e di se etiketimi me termin “terrorist” është e palogjikë, e përdor termin “vehabist” pasi ka disa kuptime dhe ai ka mundësi të manipulojë me të si të dojë; nganjëherë e paraqet si “terrorizëm”, nganjëherë si “musliman radikal”, nganjëherë si “fondamentalist”, besa edhe nganjëherë bashkëpunëtor i “el kaidës” dhe kështu me radhë.

Ne nuk do të komentojmë më shumë, por si përfundim rreth këtij termi, themi se ky term në gjuhën e sheriatit nuk është i njohur dhe nuk ka bazë dhe është i papranuar. Nëse dikush mund ta akuzoj se Muhamed ibën Abdulvehabi ishte një person që thërriste në njërën nga këto me të cilat ata e thonë, atëherë ai ka me dhjetëra libra të shkruara dhe në to sqarohet shumë qartë në çfarë thërret dhe cila është metodologjia e tij. E nëse dikush dëshiron të na e vërtetojë këtë, atëherë le të dëshmoj duke sjellë citate nga shkrimet e tij se gjoja paska qenë një njeri që ka nxitur në urrejtjen e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem), ose shokëve të tij, apo edhe nëse ka thirrur në “Islam radikal”, “terrorizëm” e shpifje të tjera. Dhe mos u merakos se po të gjenin diçka ata do të sjellin menjëherë dhe do të mundoheshin të na i venin në sy, por kjo është e pamundur, pasi nuk ka diçka të ngjashme në këto libra. Ai deklarohet në librat e tij se pason metodologjinë e Ahmed ibën Hanbelit si në medhheb ashtu edhe në akide.

Kurse sa i përket qëndrimit tonë ndaj këtij personi është i njëjti sikurse ndaj çdo dijetari tjetër. Ne e respektojmë atë ashtu siç respektohen të gjithë dijetarët e tjerë. Dhe assesi nuk i përcaktojmë ndonjë specifikë apo veçim. Themi se thënia çdonjërit  nuk merret si e saktë apo e refuzuar pa iu nënshtruar peshores së Kuranit dhe Sunetit; ajo që pajtohet me të merret, jo për hir të thënësit, por për hir të së vërtetës dhe ajo që është në kundërshtim me këto dy baza, lihet dhe nuk merret, pa marrë parasysh kush është thënësi dhe çfarë qëllimi kishte, të mirë apo të keq.

Edhe ky njeri te ne, fjalët e tij, thëniet, qëndrimet, por edhe ato që i ka vepruar gjatë jetës së tij, i nënshtrohen kësaj peshore, nëse pajtohet me të merret, nëse nuk pajtohet ajo te ne refuzohet dhe lihet.


Përfundim


Në përfundim do të ndalem te ajo që përmendni ju se hoxhallarët e rinj janë duke përçarë fenë dhe se gjendja jonë para luftës ka qenë më e mirë. Mendojmë se ai që e thotë këtë nuk është i vetëdijshëm se çfarë është duke folur apo edhe nuk është fare në rrjedha si para lufte ashtu edhe pas.

Atë që mund ta vërej secili tani është se ekziston një kthim i muslimanëve të trojeve tona nga Islami dhe se është duke ndryshuar botëkuptimi i gabuar që ishte mbjellë më herët në kohën e komunizmit.

Derisa më herët një person i cili praktikonte fenë qoftë edhe një xhuma në javë në shoqëri dhe për kolegët e tij ishte objekti më i preferuar talljeje dhe nënçmimi, tani shohim shumë nga njerëzit nuk gabojmë të themi edhe të njohur në opinionin e gjerë krenohen të flasin se janë praktikues të Islamit dhe mburren me këtë. Edhe pse ekziston një hezitim i vërejtur prapë se prapë duke pasur parasysh edukimin që kemi marrë viteve të kaluara dhe formën se si është shtjelluar perceptimi i fesë, është bërë një përparim i suksesshëm në këtë.

Pastaj nëse një ditë prezanton në xhami, e mos të themi ditën e xhuma, sheh numrin e të rinjve dhe bë një krahasim me të kaluarën e afërt, e kupton se kjo që e thotë se më mirë ka qenë gjendja jonë para luftës se sa tani, nuk mund ta ketë fjalën për gjendjen e Islamit dhe praktikumin e tij, por realisht ai është një njeri që nuk u dëshiron të mirën muslimanëve.

Së fundi, ju këshillojmë juve dhe të gjithë atyre që e kanë zgjedhur këtë rrugë për ta pasuar, mos të humbni kohë në atë çfarë thuhet. Kjo nuk do të ndalet kurrë dhe është një traditë të cilën e kanë përjetuar edhe pejgamberët. Edhe vetë Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është etiketuar se është i “çmendur”, “përçarës”, “magjistar” dhe emërtime të tjera, por ai qëndroi dhe vazhdoi në të vërtetën, derisa u realizua premtimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe thuaj! Erdhi e vërteta e u zhduk e kota. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (Isra, 81)

Alaudin Abazi

06.01.2007



[1] Transmeton Ibën Maxhe dhe hadithi është i cilësuar i saktë.

[2] Buhariu dhe Muslimi.

[3] Ekzistojnë me dhjetëra mendime se nga e ka bazën kjo fjalë.

[4] Kësi lloj tarikatesh janë prezentë edhe te ne si ai halveti, kaderi, refai, etj.

[5] Kësi njerëz për fat të keq kemi edhe në disa rajone të Kosovës, të cilët me akte të tilla pretendojnë se janë duke bërë rite (adhurime) islame,  ku edhe mediat ndiejnë kënaqësi t`i paraqesin këto pamje.

[6] Duke argumentuar me ajete që i komentojnë sipas dëshirës së tyre

[7] Në këtë shumë qartë deklarohet Muhididin Ibën Arebiu në librin “Futuhat Mekije”

[8] “Mesreu tesevuf”, f.19.

Burimi: http://www.klubikulturor.com

www.IslamiFejaeVertete.com

 

Must Read