BallinaARTIKUJHadith dhe SunetDikush hyri në zjarr për shkak të mushkonjës

Dikush hyri në zjarr për shkak të mushkonjës


Dikush hyri në zjarr për shkak të mushkonjës


Shkruan: Lulzim Susuri

Sqarim: (Kjo ka qenë përgjigjje e një pyetje që më është bërë rreth saktësisë së këtij hadithi)

Nga Tarik ibën Shihabi transmetohet se Profeti, sal-lallahu alejh ieu selem, ka thënë:

“Një njeri ka hyrë në Xhenet për shkak të një mushkonje, gjithashtu një tjetër ka hyrë në Xhehenem për shkak të mushkonjës. Shokët e pyetën: Si ka ndodhur kjo gjë o i Dërguari i Zotit? Ai tha: dy njerëz kaluan afër një populli i cili e kishte një idhull. Ata nuk linin të kalonte askush atypari pa i prerë dhe dhuruar një kurban këtij idhulli. Ata i thanë njërit prej kalimtarëve: prej ndonjë kurban për idhullin! Ai tha: Nuk kam çfarë të prejë. Njerëzit i thanë prje qoftë edhe një mushkonjë. Atëherë kalimtari i parë e preu një mushkonjë dhe për shkak të saj u dënua me Xhehenem. Tjetrit i thanë të njëjtën gjë por ai tha se unë nuk i prej kurban askujt përveç Allahut dhe për këtë shkak këta njerëz e mbytën dhe ko iste arsyeja që ai fitoi Xhenetin”

 

Ky hadith transmetohet në librin: “Ez-zuhd” fq. 15-16 të Ahmed ibën Hanbelit me sened nga Abdullah i biri i Ahmedit nga babai i tij Ahmed ibën Hanbeli ky ka dëgjuar nga Ebu Muavije ky ka dëgjuar nga Ameshi ky përcjellë nga Sulejman ibën Mejsere ky përcjellë nga Tarik ibën Shihabi ky nga Selman Farisiu.

 

Hadith shënohet në disa referenca të transmetimit të haditheve, prej tyre janë:

Libri: “Ez-zuhd” i Ahmed ibën Hanbelit, “El-hiljetu” e Ebu Nuajmit 1/203, “El-Musanef” i Ibën ebi Shejbes, “El-Kufaje fi ilmi rivaje” e Hatib Bagdadiut, libri “Muxhem ibnul Arabi” (246 h.- 340 h.)

Prej dijetarëve të vonshëm më i njohuri me përmendjen e këtij hadithi është Muhamedi bën Abdulvehabi i cili e përmend tek tema me titull: “Prej shirkut është prerja kurban për dikë tjetrë pos Allahut” në librin e tij me titull: “Kitabu teuhid”.

 

Studimi i zinxhirit të hadithit:

 

Para se të fillojmë me përmendjen e transmetuesve një nga një dua të bëjë të ditur faktin se të gjithë këto referenca të cilat i përmendëm më lartë hadithit e përmendin nga Tarik ibën Shihabi e ky nga Selman Farisiu, përveç Muhamedi ibën Abdulvehabit i cili hadithin e shënon në librin e tij nga Tarik ibën Shihabi e ky direkt nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, duke mos e përmendur Selmanin në mes tyre.

 

Transmetuesit:

 

1- Ahmed ibën Hanbeli. Ky dijetar i madh për të cilin nëse flasim rreth besueshmëris së tij mendoj se do ta prishnim punën, pasi ai është më i njohur për neve se shumë njerëz që jetojnë përreth nesh. Allahu i mëshiroftë të gjithë!

2- Ebu Muavije, Muhamedi ibën Hazim et-temimi. Ishte dijetar i madh, njeri i drejtë dhe besnik në hadithe, i pazëvendësueshëm në hadithet e Ameshit. U verbua qysh në moshë të vogël por kjo nuk i pengoi nga mësimi i haditheve dhe transmetimit të tij. Mund të gabonte në transmetime të hadithit nga dijetarët e tjerë por ishte e pamundur të ndodhë diçka e tillë nga transmetimet e Ameshit. Ndër nxënësit e tij ishte edhe Ahmed ibën Hanbeli.

3- Amesh, ai quhet Sulejman ibën Mehran esedi el-kahili. Lindi në vitin 61 h. dhe vdiq në vitin 147 ose 148. Transmetimet e tij i shënojnë Buhariu Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe. Konsiderohet njëri ndër dijetarët e mëdhenj në shkencat e hadithit dhe ato të leximt të Kuranit, njeri i njohur, hafiz i madh, i cili ndonjëherë bënte lajka (judelis-ndërron emrat e transmetuesve me emra të panjohur që në fakt ishin të saktë por të panjohur pët të tjerët pra nuk gënjente duke ndryshuar emrat e transmetuesve me transmetues të tjerë sepse kjo do të ishte gënjeshtër por i përmendte transmetuesit me emra të tjerë që ishin të tyre por nuk ishin të përhapur me to në shoqëri. Psh. nëse dikush kishte dy djem njëri Muhamed e tjetri Idris, dhe të gjithë e njihnin me emrin Ebu Muhamed ky kishte raste kur e cekte me emrin Ebu Idris) në emra të transmetuesve. Ka qenë njeri shumë i njohur me memorien e tij të fortë dhe interesimin që kishte për hadith sa disa dijetarë e quanin Mus-haf-libri nofkë kjo që kishe për qëllim se ai aq i saktë ishte në hadithet e tij sa nuk gabonte sikur që nuk gabon njeriu kur lexon në libër. Pra ishte prej njerëzve besnik dhe të drejtë në transmetim të hadithit gjë të cilën e vërteton edhe shënimet e gjashtë dijetarëve që i bënë nëpër librat e tyre haditheve të Ameshit.

4- Sulejman ibën Mejsere, el-Ahmesi. Njëri ndër trnamsetuesit e hadithit për të cilin Jahja ibën Meini thotë se ka qenë njeri i besueshëm. (Men lehu rivajetun fi musnedi Ahmed, nr. 341). Të tillë e konsideron edhe Ibën Hibani në librin: “Eth-thikat” nr. 305. Në librin Taxhilul menfea, ceket se këtë njeri e konsideron të besueshëm edhe Nesaiu, Ixhliu etj.

5- Tarik ibën Shihabi ibën Abdushems el-bexheli el-ahmesi, sahabij i cili e kishte arritur edhe kohën e injorancës-para shpalljes, e kishte pranuar Islamin sa ishte gjallë Profeti dhe e kishte parë atë. Ebu Davudi thotë: “E ka parë Profetin sal-lallahu alejhi ue selem.” Të këtij mendimi janë thuajse të gjithë dijetarët përveç disa prej tyre por në anën tjetër ata janë të pajtimit se Tariku nuk kishte dëgjuar hadithe direkt nga Profeti. Kështu çdo hadith i tij i transmetuar direkt nga Profeti patjetër në mes ka një ndërmjetësues që bazuar në shkencat e hadithit ai patjetër duhet të jetë sahabi tjetër dhe kështu rregulli thotë se mos-njohja e emrit të sahabiut në këtë mes nuk qon peshë sepse të gjithë sahabët janë të drejtë në Islam.

Prej tij transmetojnë hadithe në librat e tyre Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, ibën Maxhe etj. është i njohur me luftërat e tij në kohën e Ebu Bekrit dhe pas tij për të cilin Hafiz Miziu në Librin e tij: “Tehdhibul kemal” thotë: “Ai mori pjesë në tridhjetë e tri apo dyzet e tri ekspedita dhe beteja” vdiq në vitin 82 ose 83 h. faktin se ai e kishte parë Profetin, sal-lallahu alejh ieu selem, e pohojnë shumica e dijetarëve ku më gjerësisht rreth saj flasin sikurse Hafiz Miziu ashtu edhe Dhehebiu e ibën Haxheri secili në “Tehdhibët e tyre” ndërsa ai që mohon këtë shikim të tij është Ebu Hatimi të cilin e përmend djali i tij Ibën Ebi Hatimi siç përcjell Ibën Haxheri në “Tehdhib et-tehdhib: 4/5. Me rëndësi është fakti se të gjthë janë të pajtimit se ai është transmetues “thikatun”-i drejtë dhe i besueshëm. Tarik ibën Shihabi nuk e transmeton vetëm këtë hadith direkt nga Profeti, por të tillë ceken edhe dy të tjerë nga gjashtë librat bazë të haditheve (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxhe) njëri shënohet tek Ebu Davudi me tekst: “Namazi i Xhumasë është obligim për çdo musliman përveç katër grupeve: robit, gruas, fëmijës dhe të sëmurit”në fund të të cilit Ebu Davudi tegon se ky njeri edhe pse e ka parë Profetin ai prapë nuk ka dëgjuar prej tij asgjë. Hadithi tjetër përmendet tek Nesaiu në të cilin Tarik ibën Shihabi tregon se një njeri e pyeti Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem se cili lloj i xhihadit është më i miri? E ai i tha: “Fjala e drejtë tek udhëheqësi zullumqarë” këto janë dy rastet ku Tariku transmeton direkt nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, me ç’rast në të parën përmend Ebu Davudi se ai nuk ka dëgjuar direkt kurse e dyta heshtet. Sa i përket Buhariut dhe Muslimit ata nuk shënojnë transmetime të tij direkt nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, por mes tij dhe Profetit gjithmonë ka një sahabij tjetër. Megjithatë rregulli i Mustalah hadithit thotë se nëse një sahabi përmend hadithe direkt nga Profeti të cilat dihen sigurt se ai nuk i ka dëgjuar nga goja e Profetit kjo nuk e dobëson hadithit mirëpo ai mbetet i fortë për shkak se në mes të këtij sahabiu dhe Profetit qëndron një sahabij tjetër mos njohja e emrit të të cilit nuk prish punë ngase të gjithë sahabët janë të drejtë.

6. Selman Farisiu është shoku i Profeit, sal-lallahu alejhi e selem, i cili është i njohur për secilin besimtarë, Allahu qofë i kënaqur me të! Vdiq në vitin 33 ose pak më vonë.

 

Këta janë transmetuesit tanë në këtë hadith. Arritëm të kuptojmë se të gjithë janë të drejtë dhe besnik duke pas parasyshë se Ameshi ishte i vetmi transmetues i cili bënte ndryshime (lajka-mudelis, kështu po e quaj) në emrat e transmetuesve gjë që mund të lind dyshime në transmetimet e tij. Megjithatë kjo hadithin tonë nuk e zbret në radhët e hadithit të dobët.

 

Në këto transmetime ceket hadithi nga fjalët e Selmanit e jo nga ato të Profeit, sal-lallahu alejhi ue selem, gjë që a ngrit dyshimin se fjalë e kujt është ky hadith.

Ashtu si përmendëm dhe më herët në fakt ky hadith për sa kam lexuar unë transmetohet nga fjalët e Selmanit përveç në librin Kitabu Teuhit në të cilin ceket nga Tarik ibën Shihabi e ky direkt nga Profeti. Porse asnjë transmetim nuk e përkrah këtë formë të përmendjes së hadithit.

Në fakt unë mbështes faktin se ky hadith është (meukuf) pra nga fjalët e Selmanit, dhe them se zinxhiri i transmetimt deri tek ai është i saktë.

Sa i përket faktit se hadithi a është prej fjalëve të Profetit apo jo them se nga aspekti i zinxhirit të transmetuesve ai nuk arrinë deri tek Profeti, porse në shkencat e hadithit ekziston një rregull i cili thotë se nëse një hadith meukuf (i përmendur jo nga Profeti por nga sahabiu) cek gjëra të fshehta për ne, ato të botës tjetër dhe aso në të cilat nuk ka vend logjika nëse ky sahabij nuk është i njohur se ka marrë transmetime dhe nuk ka dëgjuar lajme nga beni Israilët atëherë këto lloj hadithesh e kanë dispozitën sikur të ishin dëgjuar nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, sepse në to nuk ka vend logjika.

 

Kështu në rastin tonë me Selmanin për sa arrita të hulumtoja nuk kam gjetur fjalë të dijetarëve që thonë se ai ka dëgjuar apo jo nga Beni Israilët transmetime të Profetëve të më parshëm. Mirëpo në biografinë e tij Selmani është i njohur me faktin se ai kishte shërbyer tek shumë priftërinjë para se të pranonte Islamin e kjo na e lindë dyshimin se ai ka mundur të dëgjojë prej tyre këso lloj hadithesh të cilat janë në pajtim me fenë tonë.

 

Dispozita e këtij hadithi:

 

Pas tërë kësaj që përmenda them se ky hadith ëshë i saktë deri tek Selman Farisiu prej fjalëve të tij të cilat nuk jemi të sigurtë nga kush i ka dëgjuar, nga Profeti ynë apo nga mësimet e profetëve tjerë.

Hadithi, në bazë të asaj që është e shkruar nëpër libra, nuk është i saktë nga fjalët e Profetit, Muhamed, sal-lallahu alejhi ue selem.

Shejh Ibën Bazi në disa komente që i bën Kitabu Teuhidit pohon faktin se hadithi është i saktë nga fjala e Selmanit, të njëjtën gjë e aludon edhe Shejh Ibën Uthejmini.

 

Kuptimi i hadithit a është i saktë:

 

Ky hadith e ka kuptimin e saktë pasi nuk është në kundërshtim me rregullat primare të Islamit.

Transmetimet e ardhura tek ne nga profetët e kaluar ndahen në tri grupe:

a) Ato janë në pajtim me fenë tonë

b) Ato janë në kundërshtim dhe

c) Ato që në fakt feja jonë ka heshtur ndaj tyre duke mos i kundershtuar e as miratuar

Kështu ky transmetim nëse është prej profetëve të mëhershëm të përcjella nga beni israilët (siç janë të njohura me këtë emër transmetimet para Islame) themi se ai nuk është aspak në kundërshtim me fenë tonë përkundrazi është në pajtim me rregullat e saj kështu që ne e pranojmë si pjesë të Islamit të transmetuar nga Selmani.

 

Komentim i hadithit:

 

Hadithi flet për prerjen kurban apo për derdhjen e gjakut të kafshës në emër të dikujt tjetër pos Allahut gjë e cila është e ndaluar dhe konsiderohet prej punëve që e nxjerrin njeriun nga Islami.

-Këta dy persona ishin mysliman dhe prerja e mushkonjës për hir të atij idhulli ishte shkak që të futej në zjarr. Kështu kuptohet hadithi sepse në të përmendet fjala se “Një njeri hyri në Xhehenem për shkak të një mushkonje” pra nuk përmendet se ai ishte edhe më herët qafir dhe hyri për shkak të kufrit të më hershëm por ceket se vetëm për arsye të këtij kurbani.

-Në hadith vërehet edhe shpërblimi i Allahut që ua jep besimtarëve të vendosur në fenë e Tij të cilët nuk lëshojnë pe për interesat e tyre private duke e nëpërkëmbur fenë.

-Disa dijetarë kuptimin e këtij hadithi e vendosën në dyshim për faktin se në fenë tonë njeriu i cili detyrohet të bëjë qoftë edhe kufër me veprat apo gojën e tij ai nuk dënohet sepse është detyruar me dhunë. Mirëpo përgjigjja ndaj këtij dyshimi është fakti se ky hadith sipas të gjitha mundësive është rast i trajtuar tek popujt para nesh të cilët nuk arsyetoheshin me bërjen kufër as edhe kur ju kanosej rreziku pra tek ta nuk vlente dhuna dhe as arsyetoheshin me të. arsyetimi me dhunë është rregull legjitim vetëm në sheriatin e zbritur Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, rregull për të cilin Allahu thotë:

{ إِلَّا مَنْ أُكْرِهَ وَقَلْبُهُ مُطْمَئِنٌّ }

Përveç atij i cili detyrohet me dhunë kurse zemrën e ka të mbushur me besim (S: Nahël, 106)

Nga hadithi kuptohet se besimtari i cili nuk do të prente kurban mund të kthehej pa e mbytur, atëherë lind dyshimi pse e mbytën atë?

Këtu jepen dy mendime:

a) I pari thotë se ata i detyronin ose të prenin kurban ose të vdisnin dhe kështu vdiq ky besimtarë pasi nuk ofroi kurban.

b) Ky besimtarë nuk u mbyt se ishte i detyruar të prente kurban por u mbyt për arsye se e nënçmi zotin e tyre duke e përulur atë se ishte mjaft i pavlerë që t’i kushtonte atij kurban. Kështu edhe e mbytën për këtë përçmim.

Allahu e di më së miri!

 

Lulzim MEHMET Susuri

28/06/2011

Burimi: http://www.ehlihadithi.com

http://www.islamifejaevertete.com


 

Must Read