BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiE kam lënë anash namazin...Ju lutem, më ndihmoni!

E kam lënë anash namazin…Ju lutem, më ndihmoni!

E kam lënë anash namazin…

Pyetje:
Ju lutem, më ndihmoni! E kam lënë anash namazin. Para ca ditësh i kam falur 5 kohët e namazit, ndërsa tani 2 apo 3. Kisha dashur të më forcohet imani më shumë por pse jam në këtë gjendje as vet s’po mundem ta kuptoj. Inshallah All-llahu më udhëzon! Pres nga ju një këshillë!

Përgjigje:
Motër e nderuar, angazhimi i shejtanit në pengimin e njerëzve nga punët e mira, nga punët që i do dhe i kërkon Allahu, është permanent. Asnjëherë njeriu nuk duhet t’ia lejojë vetes luksin që të sigurohet se e ka mundur shejtanin, por përkundrazi duhet ta shtojë angazhimin e vet që të jetë në përballje të vazhdueshme me shpirtrat e këqij, të cilët e cytin dhe mundohen ta joshin me angazhime të tjera të kundërta ku e hidhëron Allahun.
S’ka dyshim se namazi i është i rëndë shejtanit dhe nuk mund ta shtrojë ndikim e tij lehtë tek personi që e kryen namazin, andaj edhe mundohet ta bind namazfalësin që ta braktisë atë rit të madh islam. Nëse nuk ia arrin qëllimin që ai t’i braktisë të pesë kohët, mundohet që të ketë sukses në disa, sikur ka ndodhur me ju.
Muslimani nuk guxon të dorëzohet. Dijeni se namazi të largon prej veprave të liga. Dijeni se namazi ju ruan.
Shpeshtoje lutjen dhe me sinqeritet: “ALL-LLAHUMME EINNI ALA DHIKRIKE VE SHUKRIKE VE HUSNI IBADETIK!”, që do të thotë: “O Allah, më forco mua në përkujtimin Tënd, falënderimin Tënd dhe në adhurimin e mirë ndaj Teje”
Namazi është i vështirë, sikurse edhe durimi, për ata që nuk e kanë devocionin në nivel të duhur ndaj Allahut. Allahu thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” (Bekare, 45 dhe 46)
Shtoni veprat e mira, largohuni nga të këqijat dhe bëni lutje te Allahu që t’ju forcojë në fenë e Tij ashtu siç vepronte shpesh i dërguari i Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “O Rrotullues i zemrave (o Allah), forcoma zemrën në fenë Tënde!” (Tirmidhiu)Allahu ju ndihmoftë!

Hoxhë Muhamed Dërmaku

Must Read