BallinaPraktikaFikhuPyetje rreth kompensimit të Ramazanit

Pyetje rreth kompensimit të Ramazanit

Pyetje rreth kompensimit të Ramazanit

Pyetje:
Selamun alejkum!
Gruaja shtatzënë e cila nuk ka mundur të agjërojë dhe ka kaluar edhe një
Ramazan pa i kompensuar ditët nga Ramazani i kaluar, si duhet ta kryej këtë
borxh? A i duhet vetëm të agjërojë apo edhe të paguajë për arsye të vonesës?
Presim përgjigje! Allahu ju shpërbleftë për të gjitha!
Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ue berekatuhu!

Përgjigje:
Ve alejkumus selam ve Rahmetullahi ve berekatuhu!Kur muslimanit apo muslimanes i mbesin ditë të paagjëruara nga Ramazani për shkak të sëmundjes, udhëtimit apo ciklit menstrual, ai-ajo duhet t’i kompensojë ato ditë pas Ramazanit. Nganjëherë ndodh që kompensimi i agjërimit të atyre ditëve të vonohet derisa të arrijë Ramazani tjetër pa i agjëruar ditët e mbetura nga Ramazani paraprak.
Dijetarët unanimisht pajtohen se ai person, nëse i është përmirësuar shëndeti, obligohet t’i agjërojë ato ditë si kompensim për ditët e mos-agjëruara. Por mbetet dilema se a duhet krahas kompensimit me agjërim të ushqehet edhe një i varfër për një ditë apo jo.
Ata po ashtu unanimisht mendojnë se nëse vonesa ka ndodhur me arsye të pranuar fetarisht, si p.sh. shtatzëna nuk ka agjëruar disa ditë dhe pas lindjes është detyruar t’i jep gji fëmijës dhe kështu ka kaluar i tërë viti, nuk obligohet me kompensim duke ushqyer një të varfër, por mjaftohet me vetëm agjërimin e ditëve për ditë. Kurse nëse vonesa ka ndodhur pa arsye, për shkak të neglizhencës dhe mosinteresimit, përveç agjërimit të atyre ditëve duhet edhe të kërkojë falje tek Allahu dhe të pendohet. Mirëpo a duhet të ushqejë një të varfër për një ditë si shpagim dhe dënim i vonesës, dijetarët ndahen në dy mendime.

Hanefinjtë mendojnë se nuk ka nevojë për ushqim të varfrit (Fidje) edhe përkundër vonesës, pasi nuk ka argument që specifikon këtë dallim mes agjërimit me kohë dhe vonesës pa arsye.

Malikinjtë, Shafinjtë dhe Hanbelinjtë mendojnë se obligohet me fidje për shkak të vonesës së paarsyeshme. Mendimin e tyre e mbështesin edhe në praktikën e disa sahabinjve.
Mund të them se mendimin e parë e favorizoj më shumë dhe mendoj të jetë më i saktë për shkak të mosekzistimit të argumenteve të forta të mendimit të dytë. Sa i përket praktikës së disa sabinjve themi se ata e kanë preferuar kompensimin me fidje si masë dënuese dhe për të qenë më të sigurt, por nuk obligohet një gjë e tillë. Mendimin e parë e mbështesin edhe Buhariu, Uthejmini, etj.

Allahu e di më së miri!

Hoxhë Muhamed Dërmaku

Must Read