BallinaAKIDEBidatiFestimi i Shën Valentinit

Festimi i Shën Valentinit

 

Festimi i Shën Valentinit

 

Allahu ka zgjedhur për ne Islamin si fe dhe Ai nuk do të pranojë fe tjetër nga ndonjë, ashtu siç thotë Ai: “Dhe kushdo që kërkon fe tjetër përveç Islamit, atij kurrsesi nuk i pranohet dhe në botën tjetër do të jetë prej të humburve.” Ali Imran, 85.

Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) na ka thënë se grupe njerëzish prej umetit të tij do të ndjekin kundërshtarët e Allahut në disa prej ritualeve dhe traditave të tyre. Në hadithin e Ebu Seid el Hudri ai thotë: “Me siguri që ju do t’i ndiqni ata që ishin para jush hap pas hapi. Edhe nëse ata hyjnë në vrimën e hardhucës, ju do t’i ndiqni.” Ne thamë: “O i dërguari i Allahut, (me këtë nënkupton) çifutët dhe të krishterët?” Ai tha: “E kush tjetër?”

Atë që tha Profeti (alejhi selam) është bërë realitet dhe është përhapur në sot në shumë vende muslimane. Shumica e muslimanëve ndjekin kundërshtarët e Allahut në traditat e tyre, në mënyrën e sjelljes dhe i imitojnë ata në rituale dhe festimin e festave të tyre.

Çështja u përkeqësua edhe me keq me hapjen e komunikimit masiv midis popujve me anë të të cilit ritualet dhe traditat e jomuslimanëve u transmetuan në audio, video, satelit dhe internet në vendet muslimane. Shumë muslimanë u mashtruan nga këto joshje.

Nuk mjaftoi me kaq, por gjatë viteve të fundit një fenomen i ri u përhap në rininë muslimane, e cila nuk është shenjë e mirë. Kjo është manifestuar me imitimin e të krishterëve në festimin e Shën Valentinit. Kjo gjë i ka bërë dijetarët të shpjegojnë rregullat e sheriatit, që muslimanët të kenë një kuptim të qartë rreth kësaj çështjeje, e cila minon besimin me të cilin Allahu i ka begatuar ata.

Historia e festës së dashurisë

Festa e dashurisë ishte një prej festave të paganëve romakë, kur paganizmi ishte besimi i tyre, XVII shekuj më parë. Sipas konceptit të tyre, kjo ishte një shprehje e “dashurisë shpirtërore”.

Ishin mite këto të shoqëruara me festën pagane të romakëve, të cilët ia insistuan trashëgimtarëve të tyre të krishterë. Midis miteve me të famshme ishte besimi romak që Romuli, themeluesi i Romës, i cili, sipas legjendës, u ushqye me gjirin e ujkonjës, prej së cilës mori forcën dhe zgjuarsinë.

Romakët festonin këtë ngjarje çdo vit në mes të shkurtit me një festë të madhe. Një nga ritualet e kësaj feste ishte sakrifikimi i një qeni dhe një dhie. Dy të rinj të fuqishëm lyenin trupin e tyre me gjakun e qenit dhe të dhisë, pastaj lanin gjakun me qumësht. Pas kësaj, zhvillohej një paradë e madhe me në krye këta dy të rinj. Dy të rinjtë do të ndanin lëkurën me të cilën do të godisnin çdokënd që kalonte përmes rrugës. Gratë romake e mirëprisnin këtë goditje, sepse besonin se kjo do të ndalonte shterpësinë tek ta.

Lidhja e Shën Valentinit më këtë festë

Shën Valentini është një emër që iu dha dy “martirëve” të lashtë në një kishë të krishterë. Thuhet se ishin dy ose njëri që vdiq në Romë, si rezultat i persekutimit nga udhëheqësi gotik Klaudius, në vitin 296. Në vitin 350 një kishë u ndërtua në Romë në vendin ku ai vdiq, si përkujtim për të.

Kur krishterimi u përhap në Romë ata filluan të festonin festën e dashurisë, të përmendur më lart, duke ndryshuar konceptin pagan të “dashurisë shpirtërore” në një koncept tjetër të quajtur “martirët e dashurisë”, të përfaqësuar nga Shën Valentini, që solli dashurinë dhe paqen, për shkak të së cilave u martirizua, gjithmonë sipas gojëdhënave. Gjithashtu, kjo u quajt “Festa e Dashurisë” dhe Shën Valentini u konsiderua si shenjtor i dashurisë.

Një nga besimet e gabuara lidhur me këtë festë, ishte se emri i vajzave që kishin arritur moshën e martesës do të shkruheshin me rrota të vogla letre dhe i vendosnin ato në një pjatë mbi tavolinë. Të rinjtë që dëshironin të martoheshin do të thirreshin dhe secili prej tyre do të merrte një copë letre. Ai do ta vendoste veten në shërbim të asaj vajze, emrin e së cilës kishte tërhequr, për një vit dhe kështu ata mund të njihnin njeri-tjetrin dhe pastaj martoheshin, ose përsërisnin të njëjtin proces në të njëjtën ditë në festën e vitit tjetër.

Në lidhje me origjinën e kësaj feste, kur romakët u bënë të krishterë, thuhet se perandori romak, Klaudius II, dha urdhër në shekullin e III-të që ushtarët nuk do të martoheshin, sepse martesa do t’i shkëpuste ata nga lufta.

Ky urdhër u kundërshtua nga Shën Valentin, i cili filloi të lejonte fshehurazi martesën për ushtarët. Kur perandori e zbuloi këtë, e hodhi në gjyq dhe e dënoi me ekzekutim. Në burg Shën Valentini ra në dashuri me vajzën e gjykatësit. Ky ishte një sekret, sepse ligjet e krishtere nuk lejonin priftin apo murgun të martohej apo të binte në dashuri.

Ai ende vlerësohet nga të krishterët, për shkak të vendosmërisë në krishterim. Perandori ofroi ta falin atë, në qoftë se ai braktiste krishterimin dhe adhuronte zotat romakë, pastaj do të bëhej bashkëpunëtori i tij më i ngushtë dhe do ta bënte dhëndër, por Valetini e refuzoi këtë ofertë dhe preferoi krishterimin dhe kështu ai u ekzekutua më 14 shkurt të vitit 270. Kjo ditë mori emrin e tij.

Papa përcaktoi ditën e vdekjes së Shën Valentinit, më 14 shkurt, si festën e dashurisë. Por, kush është papa? Ai është një “kryepeshkop i kishës universale, pasardhës i Shën Pjetrit”. Shikoni se si ky “kryepeshkop” e përcakton lejimin e kësaj feste e cila ishte diçka e re në besimin e tyre. Kjo na kujton atë që thotë Allahu: “Ata i konsideruan “ahbarët” (priftër jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota përveç Allahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) përveç për adhurimin ndaj Allahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë!” Teube, 31.

Transmetohet se Adij ibn Hatim ka thënë se ka shkuar tek Profeti (alejhi selam) me një rreth floriri në qafë. Profeti (alejhi selam) tha: “O Adij, hidhe atë objekt adhurimi” dhe në çast profeti (alejhi selam) këndoi nga surja Teube: “Ata i konsideruan “ahbarët” (priftër jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota përveç Allahut…” Profeti tha: “Ata nuk i adhurojnë ata, por kur lejojnë diçka (që ata e kanë të ndaluar) ata e pranojnë si të lejuar dhe kur ndalojnë diçka (që ata e kanë të lejuar) e pranojnë si të ndaluar.” Trasmetoi Tirmidhiu, hadithi është hasen.

Simbolet e kësaj feste

1. Shprehja e kënaqësisë dhe e lumturisë me këtë rast, ashtu si dhe në festa të tjera të mëdha.

2. Shkëmbimi i trëndafilave të kuq që janë simbol i dashurisë, “dashuria shpirtërore” e paganëve, ose “dashuria” e të krishterëve.

3. Dërgimi i kartolinave të urimit. Në disa nga këto kartolina pikturohen pikturat e “Kupid”, të cilët shfaqen si fëmijë me dy pendë që mbajnë një shigjetë dhe një hark. Ky ishte “zot i dashurisë” për romakët paganë. Kjo konsiderohet si shoqërim dhe barazim i Allahut me trillimet e tyre.

4. Shkëmbimi i fjalëve të dashurisë në kartolinat dhe mesazhet e tyre. Disa nga kartolinat përmbajnë imazhe komike dhe fjalë qesharake dhe shpesh përmbajnë frazën: “qofsh Valentini im”. Kjo paraqet konceptin e krishterë të kësaj feste.

5. Në shumë vende perëndimore, festat bëhen gjatë ditës dhe darkë, ku meshkuj e femra kërcejnë. Shumë prej tyre dërgojnë dhurata bashkëshorteve të tyre, shoqeve, ose atyre që dashurojnë, si p.sh.: trëndafila, çokollata etj.

Çdokush që shikon atë që përmendëm më lartë rreth miteve që rrethonin festat pagane, do të kuptojë qartë:

Së pari; origjina e saj është në besimin pagan të romakëve, ku ishte shprehje e dashurisë shpirtërore e objekteve të adhurimit, të cilat i adhuronin në vend të Allahut. Kushdo që feston këtë, feston një rast shirku. Allahu thotë: “Bënë kufër (mohuan të vërtetën) ata që thanë: ‘Allah është ai, Mesihu, biri i Merjemes’. E vetë Mesihu, (Isai), tha: ‘O beni israilë, adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.”

Së dyti; zhvillimi i kësaj feste te romakët lidhej me mitet dhe legjendat, të cilat asnjë mendje e shëndoshë nuk mund t’i pranojë, ashtu siç nuk i besojnë muslimanët që besojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. A mund ta besojë një mendje e shëndoshë se një ujkonjë ka ushqyer me gji themeluesin e qytetit të Romës dhe që i ka dhënë atij forcë dhe zgjuarsi? Për më tepër këto mite bien në kundërshtim me akiden e muslimanit, sepse i vetmi që jep fuqi dhe zgjuarsi është Krijuesi i Plotfuqishëm. Ajo që përmban miti është që objektet e adhurimit i mbronin ato nga e keqja dhe i mbanin ujqërit larg nga grumbullimet e tyre.

Së treti; midis ritualeve të shëmtuara romake në këtë ditë është sakrifikimi i qenit dhe i dhisë, lyerja me gjak e dy të rinjve dhe larja e tij me qumësht, etj. Kjo është diçka që do të shkaktonte kthesë të menjëhershme të çdokujt me logjikë të shëndoshë, për të cilët kjo është e papranueshme.

Së katërti; lidhja midis Shën Valentinit dhe kësaj feste, ka qenë në pikëpyetje nga shumë burime dhe nuk ka pasur një përfundim. Do të ishte më mirë për të krishterët ta kundërshtonin këtë festë pagane, në të cilën i imitojnë. Po muslimanët, të cilët janë urdhëruar të jenë ndryshe nga të krishterët dhe paganët?

Së pesti; kjo festë është dënuar nga kleri kristian në Itali, në institucionin e katolicizmit, sepse ajo përhap sjellje të keqe dhe efekte kundërshtuese në mendjet e të rinjve.

Kështu që, është më mirë për muslimanët ta kundërshtojnë atë, të paralajmërojnë të tjerët kundër saj dhe të përmbushin detyrat e tyre, duke u bashkuar me atë që është e mirë dhe duke u ndaluar nga ajo që është e keqe.

 

Përktheu: Erion Sula

13.02.2007

 

Burimi: klubikulturor.com

www.islamifejaevertete.com

 

 

Must Read