BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiFrytet e veprave të mira

Frytet e veprave të mira

Frytet e veprave të mira

Frytet e veprave të mira, të cilat i plotësojnë standardet islame, kanë një rëndësi të veçantë në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Po përmend disa prej tyre si vijon:

1-Mirësia (bereqeti) në jetë dhe furnizim janë të pranishme tek individi dhe shoqëria. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa po të kishin besuar popujt e këtyre vendeve dhe të ishin bërë të përkushtuar (ndaj Allahut duke e pasur frikë Atë), pa dyshim që Ne do të kishim hapur për ta mirësitë nga qielli dhe nga toka…” (Al A’raf, 96)
Gjithashtu thotë: “Sikur ata të kishin besuar Allahun dhe të kishin qëndruar në Rrugën e Drejtë, Ne padyshim që do të kishim derdhur mbi ta ujë (shi) me bollëk. Që Ne të mund t’i provonim ata me të. Dhe kushdo që ikën prej Përkujtuesit të Zotit të tij (prej Kuranit dhe nuk e zbaton atë), Ai do ta bëjë atë të hyjë në ndëshkim të ashpër (në xhehenem).” (El Xhin, 16-17)

2-Nga frytet e veprave të mira është largimi i vështirësive dhe lehtësimi i çështjeve të ndryshme. Thotë Allahu Dhul Xhelal: “Dhe kushdo që ka frikë Allahun dhe përmbush detyrimin ndaj Tij, Ai do të sjellë rrugë për të për të dalë (nga çdo vështirësi). Dhe Ai do t’i sjellë atij risk (furnizim e të mira) prej nga ai as nuk mund ta mendonte.” (Talak, 2-3) si dhe: “….dhe kushdo që ka frikë Allahun dhe plotëson detyrimin ndaj Tij, Ai do t’ia bëjë atij çështjen të lehtë.” (Talak, 4)
Esenca e veprave të mira është me dashuri ndaj Allahut, pasohet me nënshtrim të plotë ndaj urdhrave të Tij, largim nga ndalesat dhe pasim të të Dërguarit alejhi selam, duke u finalizuar të gjitha këto me sinqeritet të plotë. Këtu nuk mund ta harrojmë ngjarjen e Shokëve të Shpellës, të cilët mbetën të mbyllur në shpellë, ndërsa veprat e tyre të mira u bënë shkaktare, pas Allahut, për të dalë nga ajo shpellë.

3. Sigurimi nga frika, uria dhe fatkeqësitë e ndryshme janë rezultat i veprave të mira. Thotë Allahu i Madhërishëm: “(Dhe kështu) Allahu sjell si shembull qytetin (e Mekës) me banim të sigurt e të qetë, furnizimi i tij i vjen nga të gjitha vendet, por populli i tij i mohoi mirësitë e Allahut, kështu që Allahu i bëri ata të shijojnë uri të tmerrshme dhe frikë për shkak të asaj (poshtërsie) që ata bënë (duke mohuar të Dërguarin Muhamed alejhi selam).” (En Nahl, 112)

4. Dashuria për Allahun sjell kënaqësi dhe qetësi të plotë në të gjitha çështjet e jetës, qofshin ato të lehta apo me sfida të shumta. Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe furnizim e jetesë sipas Ligjit të Allahut) dhe (në botën tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.” (En Nahl, 97)
Jeta e besimtarit që punon vepra të mira është më e mirë dhe më e begatshme, ndërsa jeta e atyre që i kthyen shpinën Allahut është vërtetë jetë e ngushtë, e mërzitshme, e trishtuar dhe e mjerueshme. Për këtë thotë Allahu subhanehu ue teala në Kuranin Fisnik: “Apo mos mendojnë ata të cilët veprojnë e fitojnë ligësi, se Ne do t’i bëjmë ata njësoj me ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi si në këtë jetë ashtu edhe pas vdekjes? Vërtet i lig është gjykimi i tyre.” (El Xhathijah, 21)

5. Nga frytet e veprave të mira është edhe qëndrueshmëria dhe ndihma e Allahut për ta. Thotë Allahu subhanehu ue teala: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë.” (En Nur, 55)

6. Drita dhe bukuria shkëlqejnë në fytyrat e atyre që bëjnë vepra të mira. Allahu thotë: “Shenja e tyre (e besimit të tyre) është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes (gjatë faljes).” (El Fet’h, 29)

7. Trimëria, qëndrueshmëria, mendjemprehtësia, angazhimi i vazhdueshëm në rrugën e drejtë janë ndër cilësitë e atyre që bëjnë vepra të mira. Kush angazhohet në rrugën e Allahut, Allahu e udhëzon atë në rrugën e Tij. Për këtë thotë Allahu i Madhërishëm: “E sa për ata të cilët përpiqen fort tek Ne (për çështjen Tonë), Ne sigurisht që do t’i udhëheqim ata drejt udhëve Tona (në besimin e pastër islam). Dhe vërtet që Allahu është me muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut).” (El Ankebut, 69)

8. Krenaria dhe ambiciet e larta janë produkt i veprave të mira.

9. Fryt i veprave të mira është edhe neveritja prej mëkateve, largimi prej tyre dhe fshirja e atyre mëkateve që ka bërë robi i Allahut. Siç thotë Allahu në Kuran: “Kryeni edhe faljen (Ekimus-Salat) në (dy) skajet e ditës (agim, drekë dhe pasdite) dhe në orët e para të natës (falja në të ngrysur – akshami dhe në mbrëmje – jacia). Me të vërtetë që veprat e mira i largojnë veprat e këqija. Ky është përkujtim (e këshillë) për ata që përkujtojnë (që marrin këshillë e nxjerrin mësim).” (Hud, 114)

10. Allahu e do atë që afrohet tek Ai me vepra të mira dhe ia mundëson atij (robit të tij) të jetë i pranueshëm dhe me autoritet në mesin e njerëzve. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kuran: “Vërtet se ata që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, i Gjithëmëshirshmi do të dhurojë dashuri për ta (në zemrat e besimtarëve).” (Merjem, 96). Gjithashtu thotë Allahu subhanehu ue teala: “Thuaj (o Muhamed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kuranin dhe Sunetin), Allahu do t’ju dojë ju.” (Ali Imran, 31)

11. Vepra e mirë e ngre fjalën e mirë tek Allahu. Thotë Allahu në Kuran: “Tek Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon.” (Fatir, 10)

12. Përmbyllja dhe dalja e mirë nga kjo botë dhe zbritja e melaikeve të mëshirës (tek robi i Allahut që ishte shëmbëlltyrë në vepra të mira) në momentet e daljes së shpirtit nga trupi. Thotë Allahu subhanehu ue teala: “Vërtet atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu” dhe pastaj qëndrojnë fort, tek ata do të ulen melekët (duke u thënë në kohën e marrjes së shpirtit): “Mos kini frikë, as mos u pikëlloni! Por merrni myzhden e përgëzimit me xhenet i cili ju qe premtuar!” (Fusilet, 30)

13. Pronarët e veprave të mira do të jenë me të Dërguarit, shehidët dhe me njerëzit e mirë në Ditën e Gjykimit. Për këtë thotë Allahu subhanehu ue teala: “Dhe kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit (Muhamed alejhi selam), atëherë ata do të jenë në shoqërinë e atyre mbi të cilët Allahu ka derdhur mëshirën e Tij, (në shoqërinë) e Pejgamberëve, të siddikunëve (të të besuarve, ndjekësve më të afërt të Pejgamberit a.s., si Ebu Bekri Es-Siddiku etj.), të shehidëve, të të drejtëve. Dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues!” (En Nisa, 69)

14. Nga rezultatet dhe sukseset e veprave të mira është edhe siguria që do të ketë besimtari vepërdrejtë Ditën e Kiametit dhe tmerret e saj, shpëtimi nga zjarri i xhehenemit dhe fitimi i kënaqësisë së Allahut duke u shpërblyer me xhenetin e Tij. Thotë Allahu subhanehu ue teala: “Kush ka bërë vepër të mirë, atij do t’i takojë (shpërblim) edhe më i mirë se ajo dhe ata do të jenë të siguruar prej tmerrit të asaj dite (Ditës së Gjykimit).” (En Nemel, 89)
Gjithashtu thotë Allahu subhanehu ue teala: “Shpërblimi i tyre është tek Zoti i tyre: kopshtet e begatë të përjetësisë (në xhenetin e Adnit), nën të cilët rrjedhin lumenj. Ata do të banojnë aty përgjithmonë; Allahu i kënaqur me ta dhe ata të kënaqur me Të. Ky është (shpërblimi) për atë që ka frikë Zotin e vet.” (El Bejjineh, 8)
Këto ishin disa nga frytet kryesore të veprave të mira.

Përktheu: Musli Zymberi

Must Read