BallinaPraktikaFikhuGjykimi i pjesëmarrjes së muslimanit në votime (pjesa e dytë)

Gjykimi i pjesëmarrjes së muslimanit në votime (pjesa e dytë)

 

Gjykimi i pjesëmarrjes së muslimanit në votime (pjesa e dytë)


Argumentet që dëshmojnë se pjesëmarrja e muslimanit në votimet për zgjedhjen e drejtuesve nuk është kufër përveç nëse beson, përqafon, lejon apo pëlqen diçka që është kufër


Nëse muslimani merr pjesë në votime në favor të një grupi qafirësh dhe kundër një grupi tjetër qafirësh ose nëse ndihmon një grup qafirësh për të marrë pushtetin kundër një grupi tjetër qafirësh, kjo nuk është kufër përveç nëse beson, lejon, përqafon apo pëlqen diçka që është kufër. 


Atëherë, menat-i (objekti) i kufrit në rastin në fjalë, nuk është pjesëmarrja në votime, ndihma apo lidhja e marrëveshjes, por besimi, përqafimi apo pëlqimi i diçkaje që është kufër. Argumentet janë të shumtë, por do të veçoj vetëm disa prej tyre:


Argumenti i parë: Duke treguar për hixhretin e muslimanëve në Abisini (Habeshe) dhe strehimin tek Nexhashiu Ummu Seleme thotë: “Për Allah, sapo morëm të drejtën e strehimit dhe qëndrimit doli një kryengritës për t’i marrë pushtetin Nexhashiut. Për Zotin, nuk jemi hidhëruar ndonjëherë aq shumë sa u hidhëruam kur ndodhi kjo ngjarje, nga frika se mos kjo kryengritje e mposhte Nexhashiun, e kështu sundimtari tjetër nuk do të na e njihte të drejtën që na e njihte Nexhashiu. Nexhashiu marshoi drejt kryengritësve dhe u ballafaqua me ta në bregun tjetër të Nilit. Në këtë moment, shokët e të Dërguarit të Allahut thanë: “Kush do të shkojë të ndjekë betejën nga afër e pastaj të na sjellë lajmet e saj?” Zubejr ibën Avami, i cili ishte më i riu i të gjithëve, tha: “Unë”. Kësisoj, ata frynë një kacek dhe e vendosën në gjoksin e tij. Ai u fut në lumë dhe duke notuar me kacekun arriti të kalonte në anën tjetër të lumit Nil ku zhvillohej beteja. Pasi kaloi lumin, vazhdoi derisa arriti në fushën e betejës. Ne, -vazhdon tregimin ajo, – iu lutëm Allahut që të triumfonte Nexhashiu kundër armikut dhe të mëkëmbej e të fuqizonte pushtetin në vendin e vet. Nexhashiu e fitoi betejën dhe arriti të stabilizonte sundimin e Abisinisë. Ne qëndruam të strehuar nga Nexhashiu në kushte shumë të mira derisa u kthyem tek i Dërguari i Allahut i cili ende ishte ne Mekë”. Shënon Ahmedi. Hadithi është i saktë. Në variantin që sjell Ibën Hisham, gjendet dhe kjo shtojcë: “Ndërkohë që ne po parashikonim se ç’do të ndodhte, u shfaq Zubejri me vrap duke luajtur rrobën e dukë brohoritur:  “Gëzohuni se Nexhashiu triumfoi. Allahu e shkatërroi armikun e tij dhe ia mëkëmbi sundimin në viset e tija”.  Nuk jemi gëzuar ndonjëherë aq sa u gëzuam në këtë moment. Nexhashiu u kthye mbasi Allahu ia shpartalloi armikun dhe ia bëri të mundur të fuqizonte pushtetin.” Ibën Tejmije përmend në “el Xhevabu sahih” se Abdullah ibën Amir ibën Zubejri tregon që i ati i tij ka thënë: “Kur i doli Nexhashiut një armik prej mbretërisë së tij për t’i marrë pushtetin, muhaxhirët (shokët e Pejgamberit) shkuan tek Nexhashiu dhe i thanë: “Ne do të dalim bashkë me ty t’i luftojmë ata dhe ke për të parë se si do ta shpërblejmë për atë që ti bëre për ne. Por Nexhashiu u tha: “Atë që e ndihmon Allahu është më i mirë sesa ai që e ndihmojnë njerëzit”. Kështu, nuk pranoi që ata të merrnin pjesë në luftë.” Unë nuk e di se ku e ka marrë Ibën Tejmije këtë shtojcë dhe as se çfarë grade ka ajo. Por ama vlen të theksohet fakti se Ibën Tejimje nuk shikon diçka që nuk shkon me besimin Islam në këtë shtojcë, sepse po të ishte ashtu, do ta kishte bërë të qartë.  

 

Ky rrëfim përmban disa fakte që vërtetojnë në mënyrë të padiskutueshme se ndihmesa apo vota që muslimani i jep një grupi  qafirësh kundër një tjetri më të keq, jo vetëm që nuk është në çdo rast kufër, por ka raste që edhe lejohet:

 

Fakti i parë: Muslimanët u hidhëruan shumë kur dikush bëri kryengritje për t’i marrë pushtetin Nexhashiut i cili sundonte një popull të krishterë dhe qeveriste me ligjet dhe kanunet e krishterimit.

 

Fakti i dytë: Muslimanët u gëzuan tej mase kur morën vesh se kishte triumfuar Nexhashiu me palën e vet të krishterë dhe kishte arritur të rimëkëmbte sundimin.

 

Dihet që hidhërimi dhe gëzimi janë punë (ndjenja) të zemrës dhe gjithashtu është fakt i njohur për çdo musliman se shprehjet dhe veprimet e jashtme të njeriut rrjedhin nga bindja, njohja dhe punët (gjendjet) e zemrës.  Ibën Tejmije thotë kështu: “Nëse në zemër njeriu ka bindje, besim dhe dashuri, në mënyrë të pashmangshme trupi do të lëvizë me shprehjet dhe punët e jashtme që rrjedhin prej tyre. Shprehjet e gojës dhe punët e jashtme të trupit vijnë prej asaj që gjendet në zemër, pasi ato janë rrjedhim, shenjë dhe pasojë e gjendjes së zemrës. Por nga ana tjetër edhe shprehjet dhe punët e trupit kanë ndikim në atë që gjendet në zemër. Kësisoj, çdonjëra prej tyre ndikon tek tjera, por gjendja e zemrës është rrënja, kurse punët e trupit janë degët. Dihet që degët marrin ushqim nga rrënja, por edhe rrënja forcohet me degët”. (el Imanul eusat). Përderisa nuk është kufër hidhërimi nga frika se mos humbte pushtetin sundimtari i atij grupi të krishterë që ishte përballë një tjetri më të keq, dhe më pas, edhe gëzimi me fitoren e tij dhe rimëkëmbjen e sundimit të tij, atëherë nuk ka se si të jetë kufër në një rast të tillë dhe ndihmesa apo mbështetja të cilat rrjedhin nga punët e zemrës. Pra, në besimin Islam është e pamundur që të quhet i lejueshëm gëzimi apo dëshira për fitoren dhe mëkëmbjen e pushtetit të një grupi, dhe nga ana tjetër të quhet kufër ndihmesa e tyre, sepse ndihmesa është një punë gjymtyre që rrjedh nga animi, dëshira dhe gjendja e zemrës.

 

Fakti i tretë: Sahabët iu lutën Allahut që t’i jepte fitoren Nexhashiut dhe t’i mëkëmbte pushtetin. Nexhashiu ishte mbreti i krishterëve të atij vendi dhe udhëhiqte me ligjet dhe kanunet e krishterimit. Pala e tij ishin të krishterë dhe besonin e zbatonin ligjet e krishterimit. S’ka dyshim që lutja është ndihmesë e madhe. Edhe përmbajtja e lutjes është mjaft e qartë: sahabët u lutën që të triumfonte Nexhashiu dhe të fuqizohej pushteti i tij. Atëherë, ky fakt dëshmon shume qartë se lejohet të ndihmosh një grup qafirësh kundër një grup tjetër më të keq, sepse lutja është ndihmë; ajo është arma e besimtarit. Nëse robi gjykon me zemër të hapur dhe paanshmëri, do t’i mjaftonte vetëm ky fakt për të mësuar se lejohet të ndihmosh një grup qafirësh të marrin ose të mbajnë pushtetin kundër një grupi tjetër më të keq. 

 

Argumenti i dytë: Allahu i Lartësuar thotë: “Elif, Lam, Mim. U mundën bizantinët, në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë brenda disa vjetëve. Vendimi para dhe pas (këtyre ngjarjeve) i përket vetëm Allahut. Dhe atë ditë do të gëzohen besimtarët me ndihmën e Allahut.” (Rum: 1-5).

 

Në lidhje me ato ajete, Ibën Abasi thotë: “Ata u mposhtën, por më pas fituan. Idhujtarët deshën që të triumfonin persët mbi romakët, sepse persët ishin idhujtarë, ndërsa muslimanët deshën të triumfonin romakët mbi persët, sepse romakët ishin ithtarë libri qiellorë”. Shënojnë Ahmedi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Hadithi është i vërtetë. Ibën Mesudi thotë: “Ende pa kaluar dy vitet, udhëtarët sollën lajmin se romakët kishin triumfuar mbi persët. Kështu, besimtarët u gëzuan me këtë gjë dhe Allahu i lartësuar shpalli ajetet: “Elif, Lam, Mim. U mundën bizantinët…”.

 

Ebu Saidi tregon: “Në ditën kur u zhvillua beteja e Bedrit romakët ngadhënjyen mbi persët, dhe kjo gjë u pëlqeu besimtarëve. Ata u gëzuan me këtë ngjarje dhe Allahu zbriti ajetin: “Dhe atë ditë do të gëzohen besimtarët me ndihmën e Allahut. Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëbërësi”. Shënon Tirmidhiu. Sipas Albanit hadithi është i saktë duke marrë parasysh dëshmitë përforcuese.

 

Nga citatet e mësipërme del qartë se Pejgamberi dhe sahabët deshën që të fitonin romakët sepse ishin ithtarë libri qiellorë. Në fakt, romakët ishin qafirë, sepse ishin të krishterë, dhe siç dihet Allahu i ka quajtur krishterët qafirë në Kuran. Por duke qenë se krishterët besonin dhe ndiqnin një libër qiellor, ata ishin më afër Islamit sesa idhujtarët zjarrputistë. E gjithë kjo shprehet qartë në tekstet e mësipërme. Me fjalë të tjera, muslimanët deshën që perandoria bizantine të triumfonte mbi perandorinë persiane dhe që pushtetin ta merrnin krishterët dhe jo idhujtarët. Ky fakt është i padiskutueshëm për çdo njeri që ka sadopak paanshmëri në trajtimin e çështjeve fetare, sepse kemi ta paktën ca elementë që e shprehin atë shumë qartë, prej tyre: 

 

1- Dashuria që të fitonin romakët kundër persianëve. Kjo përmendet në hadithin e Ibën Abasit, por dhe në tekste të tjera. Më sipër ne shpjeguam se dashuria është një punë (gjendje) zemre, dhe përderisa ajo, në rastin në fjalë, nuk është kufër, nuk ka se si të quhet kufër mbështetja apo ndihmesa të cilat rrjedhin prej punëve të zemrës. Ky është një përfundim i padiskutueshëm në akiden Islame.

 

2- Hidhërimi i muslimanëve kur u thyen romakët në betejën e parë. Pas kësaj thyerje romakët i humbën territoret që sundonin dhe u detyruan të izoloheshin në kështjellën e Kostandinopojës. Këtu mund të shtrohet pyetja: Përse duhet të hidhëroheshin kur të dyja palët ishin qafirë? Përse duhet të hidhëroheshin kur drejtuesit e të dyja palëve ishin taguta? Përse duhet të hidhëroheshin kur secila palë kishte bindje, sistem dhe ligje që binin ndesh me Islamin? Përgjigjen e japin citatet e mësipërme: Romakët ishin të krishterë, dhe të krishterët, meqë kanë një libër qiellor, janë me afër Islamit sesa idhujtarët. Kështu, muslimani hidhërohet kur shtohet e keqja dhe, nga ana tjetër, gëzohet kur pakësohet e keqja.

 

3- Gëzimi i muslimanëve për fitoren e romakëve dhe rimëkëmbjen e tyre kundër mexhusive. Gëzimi është një punë (gjendje zemre) dhe përderisa ai nuk është kufër, nuk ka se si, në rastin në fjalë, të quhet kufër ndihmesa, sepse ajo rrjedh nga gjendja e e zemrës. Ky parim u sqarua më lart disa herë. 

 

Këtu po përmend dhe një rast konkret për të kuptuar më mirë shpjegimet e mësipërme: Para njëzet vitesh, muslimanët e Shqipërisë u gëzuan shumë për rënien e regjimit komunist dhe vendosjen e një sistemi tjetër që lejoi ushtrimin e fesë, hapjen e xhamive, pronën private etj., madje ka pasur dhe muslimanë të cilët dhanë kontributin nëpërmjet pjesëmarrjes në demonstrata ose në zgjedhje për rrëzimin e regjimit komunist. Ky është një realitet i prekshëm, atëherë a mund të thotë kush se gëzimi i muslimanit në këtë rast është kufër? A mund të thotë kush që kontributi i muslimanit në një rast të tillë është kufër? Kuptohet që muslimanët në këtë rast janë gëzuar për pakësimin e të keqes dhe fitimin e disa të drejtave e jo për veprat e kufrit që bëjnë qafirët apo për ligjet që bien ndesh me Islamin. Nëse këtu nuk do të merret parasysh qëllimi, atëherë do të thuhet se muslimanët paskan rënë në kufër!

 

Argumenti i tretë: Në librat e hadithit dhe të siras përshkruhet gjerësisht marrëveshja e armëpushimit që Pejgamberi nënshkroi me idhujtarët e Mekës në Hudejbije. Marrëveshja u nënshkrua për dhjetë vite paqe, gjatë të cilave asnjëra palë nuk do të luftonte tjetrën. Marrëveshja e paqes përmban disa elementë që janë qartësisht të kuptueshëm:

 

–          Ndarja e territorit ku secila palë ushtron pushtetin dhe qeverisjen e saj.

–          Njohja ose respektimi i pushtetit të palës tjetër në territorin e saj.

–          Respektimi i kushteve që secila palë i ka vënë tjetrës. 

 

Kjo do të thotë se ndarja e territoreve të ushtrimit të pushtetit me qafirët, si dhe respektimi apo mosprekja e pushtetit të tyre nuk është kufër. Në thelb, marrëveshjes e paqes me një shtet qafir do të thotë që palët njohin dhe respektojnë sundimin e secilës palë në vendin ku sundon. Me fjalën respektim kam qëllim mosprekjen e sundimit të palës tjetër. Përderisa nuk është kufër kjo marrëveshje e cila ka të bëjë me respektin apo mosprekjen e sundimit të palës tjetër dhe që sjell si rrjedhim mëkëmbjen e sundimit të qafirëve në territorin e tyre, atëherë po kështu në rastin në fjalë nuk është kufër edhe ndihmesa që i jepet një qafiri për të marrë sundimin kundër një tjetri më të keq. Nëse do të ishte në çdo rast kufër ndihmesa që i jepet një qafiri kundër një tjetri më të keq, ngaqë bën të sundojë një qafir me ligje kufri, atëherë po kështu do të ishin dhe veprime të tilla si: lidhja apo respektimi i marrëveshjes së ndarjes së territoreve të sundimit, sepse edhe bën që qafirët të ushtrojnë pa rrezik sundimin në territorin e tyre.

 

Atëherë, ç’mund të thuhet për hamendësimin se ndihmesa apo vota që i jepet një grupi qafirësh kundër një grupi tjetër më të keq është njësoj si të pranosh adhurimin e hyjnive Lat dhe Uza apo t’i adhurosh ato!? A nuk është kjo një ngatërresë e madhe dhe e çuditshme!?

 

Pyetje: Eshtë e qartë që ndihma në rastin në fjalë nuk është kufër, por problemi qëndron në faktin se në sistemin demokratike deputetët, kryeministri dhe presidenti quhen përfaqësues të popullit, kështu që në çdo veprim ata përfaqësojnë votuesit. Dihet që kur njeriu cakton një përfaqësues për të bërë kufër, bën kufër si përfaqësuesi edhe i përfaqësuari, atëherë po kështu bëjnë kufër edhe votuesit!

 

Përgjigje:

Së pari, në thelb veprimi që bën muslimani është ndihmë apo mbështetje dhe jo caktim përfaqësuesi. Kur gjykojmë për muslimanin ne duhet të marrim parasysh bindjen e tij, dhe realitetin e veprimit te tij dhe jo besimin, idetë dhe pretendimet e qafirëve. Edhe kryetarët e fiseve të krishtera, për shembull, mund të pretendojnë se muslimanët na kanë dhënë të drejtë të qeverisim me ligje që bien ndesh me Sheriatin, na kanë bërë përfaqësues, na mbrojnë të bëjmë kufër etj., vallë a do të thotë kjo se muslimani është përgjegjës për to? Ne duhet te shohim veprimin e muslimanit dhe jo veprimet e pretendimet e qafirëve.

 

Së dyti, vota qe jep muslimani nga ana e fikhut islam assesi nuk mund të trajtohet si kontrate përfaqësimi, pasi nuk ka një natyrë të tillë, nuk plotëson kushtet e një kontrate të tillë. Kështu që në këndvështrimin e fikhut ky pretendim është i pavlefshëm, pavarësisht se qafirët e quajnë të tillë. Kur gjykojmë për muslimanin duhet t’i referohemi ligjeve të Sheriatit dhe jo sistemeve e ligjeve joislame. Dhe këtu kemi të bëjmë me një ngatërresë të çuditshme, pasi pretendohet se është kufër veprimi i muslimanit jo mbi bazën e ligjeve të sheriatit, por mbi bazën e ligjeve dhe sistemit të qafirëve, mbi bazën e të drejtave që qafirët u japin vetvetes! Në të njëjtën kohë kjo është edhe një kontradiktë, sepse nga njëra anë pretendojnë se i referohen sheriatit, gjykojnë sipas sheriatit dhe ftojnë të zbatohet sheriati, por nga ana tjetër kur gjykojnë për veprimin e muslimanit që ka të bëjë me qeveritarët qafirë, i referohen ligjeve, feve dhe sistemeve të këtyre të fundit! Kushdo që sjell një ide të gabuar, sidomos në këtë fushë, domosdo do të jetë kontradiktorë.


Së treti, nuk ka asnjë rëndësi dhe asnjë ndikim në trajtimin fetar emri që u vënë qafirët qeveritarëve të tyre, qoftë mbretër, kryetarë, përfaqësues apo diçka tjetër, gjykimi është i njëjtë dhe nuk ndryshon nga emërtimet.


Së katërti, nuk ka asnjë ndryshim as në thelb dhe as në formë ndërmjet ndihmës që i jepet një njeriu të qeverisë dhe ndërmjet caktimit të tij si përfaqësues të qeverisë. Nëse ndihmon një njeri që të bëjë kufër, për shembull të shkelë Kuranin, ndihma është kufër. Por në rastin kur ndihmon një njeri qafir të marrë pushtetin kundër një qafiri tjetër, ndihma nuk është kufër. Atëherë, ndryshe është ndihma që i jepet një njeri që të bëjë kufër dhe ndryshe është ndihma që i jepet për të marrë pushtetin. E njëjta gjë vlen dhe për çështjen e përfaqësimit.


Së pesti, nëse pjesëmarrja në votim do të quhej kufër për shkak të përfaqësimit, pra nëse menat-i i kufrit do të ishte përfaqësimi, atëherë do të ishte kufër gjithçka që i bën qafirët përfaqësues sipas sistemit demokratik. E tillë për shembull është:  Marrja e nënshtetësisë, mbajtja e saj dhe regjistrimi fëmijëve në gjendje civile, sepse sipas sistemit demokratik qeveritarët dhe deputetët janë përfaqësues të popullit. Të gjitha ata që kanë nënshtetësi quhen popull. Pra, pavarësisht nga mënyra se si e marrin pushtetin qeveritarët, në sistemin demokratik, kur njëri merr nënshtetësinë automatikisht e bën presidentin përfaqësues të tij në OKB, ku votohen jo vetëm ligjet, por edhe sistemet që bien ndesh me Islamin, dhe këtë e dinë mirë ata që e bëjnë kufër pjesëmarrjen në votime, sepse ata hiqen se e njohin realitetin e demokracisë më mirë sesa të tjerët. Madje disa prej tyre bënë qafirë edhe regjimin e talibanëve, meqë kërkonin anëtarësimin në OKB!! Po të flakin të gjithë shqiptarët nënshtetësinë shqiptare askush nuk na përfaqëson në OKB, atëherë sipas kësaj logjike rrjedhimesh, duhet flakur edhe nënshtetësia.  Fakti që presidenti i republikës, sipas sistemit demokratik, është përfaqësues i popullit është i padiskutueshëm, atëherë sipas kësaj logjike i bie që të jetë kufër edhe marrja dhe mbajtja e nënshtetësisë për shkak të çështjes së përfaqësimit. Për pasojë një njeri me logjikë të tillë ka tri mundësi:


1-    Të heqë dorë nga ideja që pjesëmarrja në votime është kufër, për të mos qenë kontradiktorë.

2-    Të flakë nënshtetësinë shqiptare (apo të ndonjë shteti tjetër joislam), duke mos pranuar kështu të jetë nën varësinë e këtij shteti. Për rrjedhim nëse nuk qëndron dot këtu duhet të bëjë hixhret në një vend ku nuk ka nevojë për nënshtetësinë e një vendi anëtar të OKB, ose minimumi në një vend që nuk ka një sistem të tillë.

3-    Ta pranojë që duke mbajtur apo duke marrë nënshtetësinë po bën kufër.

 

Ky është një përfundimi i padiskutueshëm të cilin arrin ta kuptojë çdo njeri që arsyeton, por natyrisht që ashtu sikurse dikur Ibën Abasi nuk arriti t’i bindte të gjithë njerëzit e dikurshëm që gjykonin me cektësi, po kështu edhe ky argumentim do të hasë në rezistencën e njerëzve që nuk kuptojnë ose njerëzve me dëshira të këqija. Në fakt, ka njerëz në disa vende të tjera që me të njëjtën logjikë cektësie e kanë bërë kufër edhe marrjen e nënshtetësisë së shteteve qafirë! Këta të fundit vërtetë janë ekstremistë dhe të cekët, por nga ana tjetër nuk janë kontradiktorë. Nuk është e çuditshme që pas njëfarë kohe të hasim edhe në trojet tonë njerëz që me të njëjtën logjikë të bëjnë kufër edhe marrjen e nënshtetësisë, pasi rregullat për të dalë me këtë përfundim i kanë të gatshme! Aq më tepër që nga një kohë në tjetrën shfaqen lloj-lloj idesh, pasi dëshirat për tu shfaqur më të mençur, më të devotshëm apo më xheloz për fenë sesa të tjerët janë gjithnjë të pranishme.  Dikush mund ta lexojë me neveri idenë se si mund të bëhet kufër marrja e nënshtetësisë për shkak të përfaqësimit, por po kaq neveri ndjej edhe unë kur dëgjoj se pjesëmarrja në votime është bërë kufër për shkak të përfaqësimit.

 

Dikush mund të thotë se nënshtetësinë e kemi të nevojshme, kurse pjesëmarrja në votime nuk është e tillë. Për këtë përgjigjemi në dy forma:

 

Së pari, këtu po diskutojmë se a është kufër apo jo. Nëse pranohet që është kufër, atëherë rasti kur lejohet të shfaqësh kufrin është një çështje tjetër që ka nevojë për trajtim.

 

Së dyti, nëse do të ishte kufër, ajo do të lejohej vetëm në rastin e detyrimit me forcë!

 

Përveç kësaj, nxitimi për të bërë kufër pjesëmarrjen në votime ngaqë masës nuk i duket aq e nevojshme, dhe nga ana tjetër përmbajtja për të mos bërë kufër marrjen e nënshtetësisë, edhe pse është e njëjta logjikë, ngaqë të gjithë e kuptojnë se është e nevojshme, pra një nxitim i tillë i shkon për shtat vetëm një ngatërrestari që bën ngatërresa me dashje apo pa dashje. 

 

Së treti, në sistemin demokratik qeveritarët përfaqësojnë të gjithë popullin dhe jo vetëm votuesit. Pikërisht kështu thotë ky sistem, kështu që për të shpëtuar nga përgjegjësia, përsëri edhe ata që nuk votojnë duhet të flakin nënshtetësinë. Nëse dikush thotë se ata që votojnë bëjnë një veprim që i bën qeveritarët përfaqësues, kurse ata që nuk votojnë nuk e bëjnë këtë veprim, këtij i themi se vërtet ai që nuk voton nuk e bën këtë veprim, por bën një veprim tjetër: merr ose mban nënshtetësinë, dhe ky është një veprim, me të cilin i bën përfaqësues. Përveç që për ata që e njohin mirë këtë sistem, edhe ata që nuk votojnë ndikojnë në rezultatin e votimeve.


Përgatiti: ISMAIL BARDHOSHI – albislam.com

www.islamifejavertete.com


Must Read