Gjykimi i pjesëmarrjes së muslimanit në votime (pjesa e parë)
Prej disa vitesh në disa mjedise të kufizuara në trevat shqiptare diskutohet mbi pjesëmarrjen e muslimanëve në votime, nëse është kufër apo jo. Dhe duke qenë se është krijuar njëfarë pështjellimi ose njëfarë hapësire për trajtime me frymë të dëmshme për davetin që është ende në fillimet e tij, edhe pse çështja është mjaft e qartë për një njohës të Sheriatit, e pashë të arsyeshme të sqaroj disa gjëra.
Në këtë shkrim, me ndihmën e Allahut, do të flas për tri çështje kryesore:
– Ligjvënia i takon vetëm Allahut dhe askujt tjetër veç Tij.
– Argumentet që pjesëmarrja e muslimanit në votimet për zgjedhjen e drejtuesve nuk është kufër përveç nëse beson, përqafon, lejon apo pëlqen diçka që është kufër.
– Rasti kur lejohet pjesëmarrja në zgjedhje.
Por gjatë trajtimit të tyre do të kemi mundësi, në dashtë Allahu, të cekim edhe mjaft udhëzime apo çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me temën në fjalë apo aktualitetin tonë.
Ligjvënia i takon vetëm Allahut dhe askujt tjetër veç Tij
Është fakt i padiskutueshëm që vendosja e ligjeve është atribut i Zotit. Ligjvënia i takon vetëm Allahut të Lartësuar, prandaj nëse një person beson, pëlqen, lejon apo vendos ligje që bien ndesh me fenë Islame, ai bën kufër. Argumentet që dëshmojnë për këtë çështje janë të shumtë, por do të përmend disa prej tyre:
a. Vendosja e ligjeve i takon vetëm Allahut dhe askush nuk ka të drejtë të zhvlerësojë, kthejë prapë apo të ndryshojë ligjet e Tij.
“Vendimi i takon vetëm Allahut. Ai e shpall të vërtetën dhe Ai është Gjykatësi më i mirë”. (el Enam: 57).
“Vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është më i shpejti në llogari”. (el Enam: 62).
“Vendimi (ligjvënia, urdhëri) i përket vetëm Allahut. Ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë”. (Jusuf: 40).
“Allahu vendos, dhe askush nuk mund ta kthejë vendimin e Tij”. (er Ra’d: 41).
b. Vendosja e urdhrave, ndalesave dhe ligjeve i përket vetëm Allahut.
“Vërtet Atij i përket krijimi, rregullimi i punëve të krijesave, urdhri dhe ligjvënia” (Araf: 54).
c. Allahu nuk ka shok në marrjen e vendimeve, në dhënien e urdhrave dhe në bërjen e ligjeve. Kështu, nëse dikush i jep të drejtën vetes të vendosë ligje në kundërshtim me ligjet e Zotit, ose beson se një tjetër veç Allahut ka të drejtë të vendosë ligje, ose pëlqen apo ia lejon një tjetri veç Allahut të vendosë ligje që bien ndesh me fenë e Zotit, ai ka bërë shirk, sepse e bën veten ortak me Allahun, ose bën një tjetër ortak me Allahun, pra e thënë ndryshe: hyjnizon vetveten ose diçka tjetër veç Allahut; bën vetveten zot ose bën zot diçka tjetër veç Allahut.
“Por përkundrazi, ata kanë shokë e të barabartë me Allahun (zota të rremë, idhuj) të cilët kanë vendosur për ta prej fesë gjëra që nuk i ka caktuar Allahu”.(esh Shura: 21).
“Ai nuk e ndan me askënd pushtetin, vendimin dhe ligjvënien e Vet”. (el Kehf: 26).
Që do të thotë se Ai nuk ka shok në pushtet, në caktimin e gjërave dhe në vendosjen e ligjeve. Sipas një ‘kiraeti-leximi’ kuptimi i ajetit është kështu: “Mos i bëj shok Allahut askënd në pushtetin, vendimin dhe ligjvënien e Tij”. Ibën Kethiri thotë: “Ajeti do të thotë se vetëm Allahut i përket krijimi, komandimi, urdhri dhe ligjvënia. Vendimi i Tij nuk mund të kthehet prapë. Ai nuk ka mbështetës, ndihmës, ortak dhe as këshilltarë. Ai është i lartë dhe i pastër nga të metat”.
d. Legjislacioni që është detyrë të zbatohet është ai që ka vendosur Allahu.
“Gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre”. (el Maide: 49).
“Kushdo që nuk udhëheq e nuk gjykon sipas Shpalljes së Allahut, është kafir”. (el Maide: 44).
“Kushdo që nuk udhëheq e nuk gjykon sipas Shpalljes së Allahut, është zullumqar”. (el Maide: 45).
“Kushdo që nuk udhëheq e nuk gjykon me Shpalljen e Allahut, është i pabindur (fasik)”. (el Maide: 44).
Por në lidhje me gjykimin ndaj një njeriu të ‘ehlul kibles’ (musliman) që nuk gjykon sipas shpalljes së Allahut janë disa raste apo disa sqarime për të cilat mund të gjesh shpjegim të mjaftueshëm në librin “Komenti i librit të teuhidit” i Ibën Uthejminit i përkthyer në shqip (vëllimi 2 f. 121), ose në fundin e shpjegimit të tri parimeve të besimit Islam po të Ibën Uthejminit të përkthyer në shqip.
e. Qëllimi i shpalljes së Librit është që njerëzit të udhëhiqen me ligjet e tij dhe që të gjykohet mes tyre me to.
“Vërtet, Ne ta kemi zbritur Kuranin me të drejtën, në mënyrë që të gjykosh ndërmjet njerëzve sipas asaj që të ka shpallur Allahu”. (en Nisa: 105).
r. Allahu e ka emërtuar “tagut”atë që nuk udhëheq apo që nuk gjykon sipas ligjeve të Tij.
“A nuk i ke parë ata që shtiren se besojnë në atë që të është shpallur ty dhe profetëve para teje? Ata duan të shkojnë për të gjykuar (për mosmarrëveshjet e tyre) te taguti, ndërkohë që janë urdhëruar të bëjnë kufër në të (ta mohojnë atë). Shejtani dëshiron që t’i nxjerrë ata krejtësisht nga udha e drejtë”. (en Nisa: 60).
Në lidhje më këtë ajet duhet të sqarojmë disa gjëra:
Së pari, qëllimi me fjalën ‘tagut’ këtu është çdo ligj që bie në kundërshtim me ligjin e Allahut dhe të Pejgamberit të Tij dhe çdo gjykatës që nuk gjykon sipas asaj që Allahu i shpalli të dërguarit të Tij. Por në fakt kjo fjalë përfshin edhe gjëra të tjera. Ajo përfshin idhujt, udhëheqësit dhe drejtuesit që udhëheqin apo e ushtrojnë pushtetin me ligje që janë në kundërshtim me ligjet e Zotit, gjykatësit që nuk gjykojnë sipas ligjeve të Zotit, ata që respektohen apo pasohen nga njerëzit në kundërshtim me fenë e Allahut etj.. Ibën Kajimi thotë: “Tagut është: çdo gjë ndaj të cilës njeriu i tejkalon kufijtë, duke e adhuruar, pasuar ose duke iu bindur”. Por duhet të kemi parasysh se ata të cilët adhurohen pa pëlqimin e tyre, si për shembull Isa alejhi selam, nuk quhen tagutë.
Kësisoj, për shembull, gjykatësit në kohën e pejgamberit që nuk gjykonin me ligjet e Islamit janë tagutë; gjykatësit e gjykatave laike janë tagutë; krerët e fiseve kafirë që drejtonin dhe mbronin fiset e tyre sipas rregullave të rendit fisnorë janë tagutë; perandorët dhe sundimtarët e krishterë janë tagutë; krerët e fiseve të krishtera që i drejtonin me ligjet e ungjillit dhe kanunet janë tagutë; kryetarët jomuslimanë, drejtuesit jomuslimanë dhe deputetët jomuslimanë në sistemet demokratike bashkëkohore janë tagutë. Shembujt që solla këtu duhet t’i kesh parasysh, sepse ata të ndihmojnë për të kuptuar më mirë çështjet që do të sqarohen më pas dhe për të bërë lidhjen mes drejtuesve dhe ligjbërësve jomuslimanë bashkëkohorë dhe sundimtarëve e ligjbërësve jomuslimanë dhe krerëve të fiseve jomuslimanë të kohës së Pejgamberit alejhi salatu ue selam. Kjo sepse marrëdhëniet dhe veprimet e muslimanëve që kanë të bëjnë me drejtuesit jomuslimanë bashkëkohorë do të gjykohen sipas gjykimit që ka dhënë Pejgamberi alejhi salatu ue selam për marrëdhëniet dhe veprimet e muslimanëve në lidhje me drejtuesit jomuslimanë të kohës së tij.
Së dyti, ajeti i mësipërm dëshmon se besimtarët në atë që iu shpall Muhamedit alejhi salatu ue selam bëjnë kufër (i mohojnë) në ligjet që bien ndesh me Islamin dhe nuk kërkojnë të gjykohen nga gjykatës që gjykojnë me ligje të tilla, por kur quhet kufër vajtja për tu gjykuar nga ata që gjykojnë me ligje joislame? Objekti (menat-i) i kufrit në këtë çështje është besimi në vlefshmërinë e këtyre ligjeve, ose lejimi i tyre, ose barazimi i tyre me ato të Sheriatit, ose pëlqimi i tyre, ose refuzimi i ftesës për t’u gjykuar nga Sheriati me mendjemadhësi, kokëfortësi apo shpërfillje dhe vajtje për gjykim tek ai që gjykon me një ligj tjetër. Kështu, nëse një musliman i lejon ligjet që bien ndesh me ato të Islamit, ose i pëlqen, ose i quan të vlefshme, ose i barazon me ato të sheriatit, ose refuzon me mendjemadhësi, kokëfortësi apo mospërfillje gjykimin nga Sheriati dhe parapëlqen vajtjen për tu gjykuar nga një ligj tjetër, ai bën kufër. Ky pra është menat-i (objekti) me të cilin lidhet kufri në çështjen e vajtjes për gjykim tek tagutët ose gjykatat laike. Në një fetva të “Lexhnetu daime” thuhet kështu: “Është detyrë që gjykimi të kërkohet nga Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut në rast mosmarrëveshje. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse keni mosmarrëveshje për diçka, drejtohuni Allahut dhe të Dërguarit të tij, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”. (En Nisa: 59). Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë:“Por jo për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtarë për kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi e pakënaqësie ndaj gjykimit tënd dhe ta pranojnë atë plotësisht të nënshtruar” (en Nisa: 65). Për të marrë gjykim duhet t’i drejtohesh Librit të Allahut dhe Sunetit të Pejgamberit. Nëse dikush nuk u drejtohet atyre për gjykim dhe shkon për gjykim tek ligjet e vendosura nga njerëzit, i nxitur nga lakmia për pasuri, ose prestigj, ose ndonjë post, ai bën gjynah dhe quhet fasik (gjynahqarë), por bën një gjynah që nuk e nxjerr nga imani. Këtu përfundon fetvaja e Lexhnes”.
Ndërsa, në mungesë të gjykatave të Sheriatit, nëse muslimani nuk ka mënyrë apo mundësi të ligjshme për fitimin e të drejtave dhe shmangien e dëmeve, i lejohet të shkojë për gjykim në gjykatat që gjykojnë me ligje të vendosura nga njerëzit. Në këtë rast vajtja në gjykata të tilla lejohet për arsye domosdoshmërie. Pra, ky është një lëshim që bëhet vetëm në rrethana domosdoshmërie, sepse ajeti i mësipërm e ndalon diçka të tillë. Duke marrë parasysh sqarimin e mësipërm të menat-it të kufrit në këtë çështje, për rastin e fundit, mund të thuhet se muslimani bie në kufër me hapjen e një padie në gjykatë vetëm kur e lejon apo pëlqen ligjet e tyre. E pra këtu merret parasysh qëllimi i muslimanit: nëse hap një padi gjyqësorë që të mbrojë një interes fetarë, apo që të fitojë një pronë, dhe jo duke lejuar apo pëlqyer ligjin e tyre, kjo s’ka gjë. E nëse e hap padinë gjyqësore që gjyqtari të bëjë kufër kur merr vendimin, ose duke lejuar apo pëlqyer ligjin me të cilin gjykon gjyqtari, bën kufër[1]. Një shembull konkret është kur muslimanit i takon e gjithë prona dhe gjyqtari sipas ligjit të tij i jep gjysmën e saj. Me marrjen e këtij vendimi gjyqtari bën një akt kufri, sepse beson në vlefshmërinë e këtij ligji. Por muslimanit, edhe pse është bërë shkak për marrjen e këtij vendimi, nuk mund t’i jepet i njëjti gjykim me këtë gjykatës, sepse nuk e ka hapur padinë me qëllim që gjykatësi të bëjë kufër dhe as duke lejuar apo pëlqyer ligjin e tij, por për fitimin e një të drejtë ose shmangien e një dëmi ngaqë ndodhet në kushte domosdoshmërie. Është e vërtetë që muslimani në këtë rast i jep mundësinë gjykatësit të marrë vendimin, por është detyra e këtij të fundit që ta marrë vendimin në përputhje me të vërtetën, dhe në rast se nuk e bën këtë do të jetë përgjegjës. Atëherë, këtu në këtë rast kufrin e bën gjykatësi dhe jo muslimani që ka hapur padinë. Kjo shkoqitje të ndihmon të kuptosh se si gjykohet për veprimin e muslimanit në raste të tjera të ngjashme. Ose më shkoqur, të sqaron se cili është menat-i i kufrit në ndonjë veprim tjetër që ka ngjashmëri me këtë rast.
Së treti, në ajetin e mësipërm Allahu i Lartësuar e quan tagut ligjin joislam dhe po ashtu edhe atë që gjykon apo udhëheq sipas një ligji të tillë. Siç dihet, për përmbushjen e teuhidit të adhurimit, i cili ka si bazë mohimin e hyjnisë së diçkaje tjetër veç Allahut dhe pohimin e saj vetëm për Allahun e Lartësuar, është detyrë mohimi i çdo tagut-i, sepse Allahu thotë:
“ndërkohë që janë urdhëruar të bëjnë kufër në të (ta mohojnë atë)” (en Nisa: 60).
“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmanguni tagut-it!”” (en Nahl: 36).
“Ai që mohon tagut-in dhe beson në Allahun, është kapur për lidhjen me të fortë, e cila nuk këputet kurrë” (el Bekare: 256).
Mohimi i tagut-it (kufri në tagut-in) bëhet duke besuar pavlefshmërinë e adhurimit të çdo gjëje tjetër veç Allahut, duke lënë e duke urryer këtë adhurim dhe duke i quajtur qafirë e duke i urryer ata që adhurojnë të tjerë veç Allahut.
Por këtu duhet të sqarojmë se hyrja e muslimanit nën dorëzaninë apo mbrojtjen e një sundimtari kafir, nuk bie ndesh me parimin e sapopërmendur të mohimit të tagut-it. Po kështu dhe në rastet e mëposhtme:
– Lidhja e marrëveshjes së armëpushimit me jomuslimanët, sipas së cilës ndahen territoret ku do të ushtrojë pushtetin secila palë dhe çdo palë merr përsipër të mos cenojë pushtetin e palës tjetër.
– Lidhja e marrëveshjes së dhimme-s me krerët e fiseve apo komuniteteve jomuslimane, sipas së cilës muslimanët marrin përsipër t’i mbrojnë dhe t’u japin mundësi e liri të ushtrojnë pushtetin e ritet e fesë në komunitetin e tyre, në këmbim të nënshtrimit ndaj shtetit Islam dhe dhënies së xhizjes.
– Hapja e padisë në gjykatat laike në rast domosdoshmërie për fitimin e të drejtave.
– Ndihma ose mbështetja që i jepet një grupi kafirash për të shmangur një tjetër më të keq.
– Hyrja në aleancë me një grup kafirash për të shmangur një armik tjetër më të rrezikshëm.
Nëse muslimani bën diçka të tillë pra, kjo nuk do të thotë se ai nuk bën kufër nëtagut-in apo se ai nuk i është shmangur tagut-it. Mohimi dhe largimi nga tagut-i duhet të kuptohet ashtu siç e ka kuptuar Pejgamberi alejhi salatu ue selam dhe shokët e tij.
z. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ata i bënë rabinët dhe murgjit e tyre zota në vend të Allahut, si dhe mesihun të birin e Merjemes, ndërkohë që qenë urdhëruar (në teurat dhe në Inxhil) të adhurojnë vetëm një Hyjni, përveç të cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I Lartësuar dhe i pastër është Ai nga gjithçka që ia shoqërojnë” (et Teube: 31).
Adij ibën Hatimi tregon: “E dëgjova njëherë të Dërguarin e Allahut të lexonte këtë ajet: “Ata i bënë rabinët dhe murgjit e tyre zota në vend të Allahut…”. Unë i thashë: “Ne nuk i adhuronim ata!” Ai tha: “A nuk e bënin ata haram atë që e kishte lejuar Allahu, edhe ju, pas atyre e bënit haram? A nuk jua bënin të lejuar atë që Allahu kishte bërë haram, dhe ju gjithashtu e bënit të lejuar? –“Po” –iu përgjigja unë. Ai tha: “Ky ishte adhurimi që ju u bënit atyre.” Shënojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e quan hadith të mirë. Edhe sipas Ibën Tejmijes dhe Albanit hadithi është i mirë.
Ibën Tejmije thotë: “Përmbajtja thelbësore e Islamit është nënshtrimi dhe dorëzimi vetëm ndaj Allahut. Prandaj ai që i nënshtrohet edhe Allahut edhe dikujt tjetër veç Tij është idhujtar, ndërsa ai që nuk i nënshtrohet Allahut, është kryelartë ndaj adhurimit të Tij. Kështu, si ai që i bën shok Allahut, edhe ai që tregon kryelartësi ndaj adhurimit të Tij, janë qafirë. Përmbajtja e nënshtrimit dhe dorëzimit ndaj Allahut të Vetëm është të adhurosh vetëm Allahun dhe t’i bindesh vetëm Atij” (Mexhmuul Fetava: 3/91). Po ashtu Ibën Tejmije thotë: “Kush e bën detyrë bindjen ndaj dikujt tjetër veç të Dërguarit të Allahut në çdo gjë që urdhëron apo ndalon, edhe pse bie ndesh me urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai e ka bërë shok ndaj Allahut. E kjo është prej shirkut, ithtarët e të cilit përfshihen në thënien e Allahut: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar)në vend të Allahut të tjerë si të barabartë me Allahun, duke i dashur siç duan Allahun. Por ata që besojnë e duan shumë më tepër Allahun sesa idhujtarët” (el Bekare: 165)” (Mexhmuul fetava: 10/267).
Për atë që pason ligjin e vendosur nga shejtani për lejimin e ngordhësirës me pretendimin se ajo është mish i therur nga Allahu, Allahu thotë:
“Mos hani nga mishi që nuk është therur me emrin e Allahut (si ngordhësira, kafsha që është therur për idhujt, xhinët etj.), sepse kjo është gjynah! Në të vërtetë, shejtanët i nxisin miqtë e vet që t’ju kundërshtojnë ju. E nëse ju u bindeni atyre(duke e bërë kafshën e ngordhur të ligjshme për t’u ngrënë), me siguri që edhe ju do të ishit idhujtarë” (el Enam: 121). Në shpjegimin e këtij ajeti Shenkiti thotë: “Allahu e shpreh qartë këtu që ata bëhen idhujtarë me bindjen ndaj tyre. Pikërisht për shokvënien (ishujtarinë) në bindje dhe në pasimin e ligjit të vendosur në kundërshtim me ligjin e vendosur nga Allahu bën fjalë adhurimi i shejtanit në ajetin: “A nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni shejtanin, se ai është vërtet armik i hapur i juaji, por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë” (Jasin: 60-61). Po këtë kuptim ka dhe thënia e Allahut kur tregon për Ibrahimin: “O babai im, mos adhuro shejtanin (pra, mos iu bind shejtanit e kështu të adhurosh idhujt), sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj Mëshiruesit” (Merjem: 44)” (Edvaul bejan).
Po si kuptohet shirku në bindje dhe pasim i cili është njëri prej llojeve të shirkut të madh? Shpjegimin për këtë çështje na e jep Shejh Sulejmani ne “Tejsirul Azizil Hamid” duke sqaruar se bindja është pjesë e adhurimeve, madje ajo është vetë adhurimi, pasi ibadeti (adhurimi) është bindja ndaj Allahut duke zbatuar gjithçka që na ka urdhëruar nëpërmjet asaj që u shpalli të dërguarve. Prandaj, është detyrë që të veçohet Allahu në bindje. Nuk meriton asnjë krijesë t’i bindesh përveçse aty ku bindja hynë ose nënrendohet nën bindjen ndaj Allahut, në të kundërt, nuk mund të jetë detyrë bindja ndaj ndonjë krijesë në mënyrë të pavarur. Po me nocionin ‘bindje” këtu kemi për qëllim një lloj bindjeje të veçantë, pra bindjen në lejimin e të ndaluarës dhe ndalimin e të lejueshmes. Kështu, kush i bindet një krijese në këtë gjë veç të Dërguarit të Allahut, – i cili nuk ka folur sipas dëshirës së vet, – ai është idhujtarë sikurse e ka bërë të qartë Allahu me thënien e Tij: “Ata i bënë rabinët dhe murgjit e tyre zota në vend të Allahut, si dhe mesihun të birin e Merjemes, ndërkohë që qenë urdhëruar (në tevrat dhe në Inxhil) të adhurojnë vetëm një Hyjni, përveç të cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I Lartësuar dhe i pastër është Ai nga gjithçka që ia shoqërojnë”. Pejgamberi alejhi salatu ue selam e shpjegoi këtë ajet me kuptimin që u bindeshin atyre në ndalimin e hallallit dhe në lejimin e haramit, siç përmendet në hadithin e Adijit. Ndërsa bindja ndaj prijësve dhe dijetarëve, për të cilën flet ajeti i 59 i sures Nisa, është detyrë vetëm kur ata urdhërojnë për bindje ndaj Allahut dhe për bindje ndaj të dërguarit të Allahut. Në këtë mënyrë, dijetarët na përcjellin urdhrin e Allahut dhe urdhrin e të Dërguarit të Allahut, kurse prijësit e vënë atë në zbatim. Kësisoj vetëm në këtë rast bëhet detyrë bindja ndaj tyre, duke e parë të varur ose të nënrenduar në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ashtu sikurse thotë Profeti alejhi salatu ue selam: “Nuk ka bindje në gjynah. Bindja behet veçse në gjërat e ligjshme e të pranueshme fetarisht”. Kështu pra ajeti i sures Nisa që urdhëron për t’iu bindur prijësve dhe dijetarëve nuk bie ndesh me ajetin e sures Teube (Me pak shkurtime nga Tejsirul Azizil Hamid). Më pas, duke shpjeguar hadithin e Adijit, ai shprehet kështu: “Në këtë hadith Pejgamberi alejhi salatu ue selam e ka shprehur qartë se adhurimi i rabinëve dhe murgjve ka qenë bindja ndaj tyre në ndalimin e hallallit dhe në lejimin e haramit”.
Por kur quhet bindja dhe pasimi në kundërshtim me ligjet e Zotit shirk?
Këtë na e shpjegon Ibën Tejmije: “Këta që i bënë rabinët dhe murgjit e tyre zota në vend të Allahut duke iu bindur atyre në lejimin e asaj që e ka ndaluar Allahu dhe në ndalimin e asaj që e ka lejuar Allahu ndahen në dy kategori:
Kategoria e parë: Ta dinë që të parët e tyre kanë ndryshuar fenë e Allahut dhe t’i ndjekin në këtë ndryshim, e kështu të besojnë lejimin e asaj që ka ndaluar Allahu dhe ndalimin e asaj që ka lejuar Allahu, duke pasuar kryetarët e tyre – megjithëse janë në dijeni që ata kanë kundërshtuar fenë e të dërguarve – kjo është kufër. Allahu dhe i Dërguari i tij e kanë konsideruar diçka të tillë shirk, edhe pse nuk falen për ta dhe nuk u bëjnë sexhde atyre.
Kategoria e dytë: Të jetë besimi dhe imani i tyre për sa i përket asaj që quhet e lejueshme dhe asaj që quhet e ndaluar i saktë, por iu binden atyre (kryetarëve, të parëve) në kundërshtimin e Allahut (në gjynah) ashtu siç bën muslimani gjynahet për të cilat beson se janë gjynahe. Këta kanë të njëjtin gjykim me gjynahqarët e tjerë të ngjashëm me ta, ashtu sikurse shënohet në dy sahihët se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: “Bindja bëhet veçse në gjërat e ligjshme e të pranueshme fetarisht”(Mexhmuul fetava: 7/70, ose libri “el iman”).
Nga sa u tha del se menat-i (objekti) i kufrit a shirkut në bindjen dhe pasimin ndaj atyre që ndryshojnë ligjet e Zotit apo që udhëheqin a ushtrojnë pushtetin në kundërshtim me ligjet e Allahut është besimi në këto ligje, përqafimi i tyre ose pëlqimi i tyre. Kështu, nëse një musliman iu bindet të parëve apo kryetarëve në veprime që bien ndesh me normat ligjore islame, pa i përqafuar ato dhe pa i pëlqyer, kjo nuk është shirk që e nxjerr nga feja.
Ky sqarim nxjerr në pah dhe gabimin e atyre që i kanë bërë kafira apo vazhdojnë ti bëjnë kafira vartësit muslimanë të një qeveritari që nuk zbaton Sheriatin apo mbarë muslimanët që udhëhiqen nga një kryetar që nuk zbaton Sheriatin, duke argumentuar me argumentet e mësipërm që theksojnë se bindja ndaj atyre që ndryshojnë rregullat e fesë është shirk, por nga ana tjetër duke anashkaluar të gjitha argumentet që tregojnë se besimtari nuk bëhet kafir kur bën një gjynah përveç nëse besimin nuk e ka të saktë.
Madje ka disa gjëra, si për shembull, detyrimi i pagimit të siguracioneve, taksave etj., që edhe pse vendosja e tyre është në kundërshtim me rregullat e Islamit, muslimani i ka të lejueshme nëse i ka të domosdoshme për të bërë një jetë normale. Pagimi i detyrimeve të tilla, megjithëse në njëfarë mënyre është bindje ndaj disa gjërave të këtij sistemi, jo vetëm që nuk quhet shirk apo kufër, por muslimani nuk quhet as gjynahqarë nëse e ka të nevojshme. Kështu që ata të cilët i bëjnë kafirë muslimanët që janë vartës të një drejtuesi që nuk zbaton Sheriatin, që janë nën pushtetin e një sundimtari tët tillë, apo që i binden në ndonjë gjë një drejtuesi të tillë, pa marrë parasysh menat-in e kufrit në këtë çështje që u sqarua më lart, mbase nuk shpëton as vetë nga shirku po të mendojnë hollë. E kundërthënia tregon se parimi mbi të cilin bazohet qëndrimi i tyre nuk qëndron.
Përderisa menat-i i kufrit në çështjen e bindjes dhe pasimit ndaj tagut-it për sa i përket hallallit dhe haramit është pëlqimi ose përqafimi i asaj që bie ndesh me ligjet e Islamit, atëherë çfarë mund të thuhet për atë që e bën kufër në çdo rast ndihmën apo mbështetjen që i jepet një grupi kafirësh për të marrë ose mbajtur pushtetin kundër një grup tjetër me të keq pa marrë parasysh se cili është menat-i i kufrit!? Aq më tepër që ka raste kur lejohet të ndihmosh një grup kafirash kundër një tjetri më të dëmshëm, atëherë si mund të thuhet, pa kurrfarë shkoqitje dhe pa sqaruar se cili është menat-i i kufrit, se ndihma ndaj tyre është në çdo rast kufër?
s. Gjykimi dhe drejtimi sipas asaj që ka shpallur Allahu përfshihet në teuhidin e adhurimit, në teuhidin rrububije (njësimin e Zotit në veprat e Tij) dhe në teuhidin e emrave dhe cilësive të Allahut. Sepse sikurse u sqarua më lart bindja është një lloj adhurimi dhe nëse dikush ia kushton dikujt tjetër veç Allahut bën shirk. Por duhet të kemi parasysh të gjitha detajet e sqarimit të mësipërm. Gjykimi sipas asaj që ka shpallur Allahu përfshihet në teuhidin rrububije duke marrë parasysh faktin që është zbatim i ligjit të Allahut, dhe dihet që vendosja e ligjeve është vepër e veçantë e Allahut. Prandaj, Allahu i ka quajtur ata që pasohen në kundërshtim me ligjet e Allahut si zota për pasuesit e tyre. Një prej emrave të bukur të Allahut është dhe emri el Hakem, sikurse përmendet në një hadith të saktë që e shënon Ebu Davudi: “Vërtet, vetëm Allahu është el Hakem”. Ky emër do të thotë që Allahu është Gjykatësi, Ligjvënësi, Ai që merr vendimet, dhe askush nuk mund të kthejë prapë vendimet e tij. Kështu, ky emër përmban një cilësi që nuk i përshtatet askujt tjetër përveç Allahut. Një emër tjetër i Allahu është el Hakim, dhe njëri prej kuptimeve që i janë dhënë këtij emri është si kuptimi i emrit el Hakem. Por ka edhe argumente të tjera ku Allahu përmend faktin që kjo cilësi i takon vetëm Atij.
h. Dëshmia se Muhamedi alejhi salatu ue selam është i Dërguari i Zotit, ndër të tjera, do të thotë që të pasosh vetëm atë, të kërkosh gjykim për mosmarrëveshjet vetëm prej tij dhe të marrësh e të zbatosh vetëm ligjet që solli ai nga Allahu. Disa argumente për këtë fakt u përmendën më lart.
j. Gjykimi dhe udhëheqja me ligjet e Allahut është prej imanit, ndërsa mosgjykimi me ligjet e Allahut, moszbatimi i tyre, mosqeverisja sipas tyre bie ndesh me imanin. Disa argumente për këtë fakt u përmendën më lart.
Përgatiti: ISMAIL BARDHOSHI – albislam.com
(vijon…)
[1] Më duhet të theksoj këtu se ai që lejon apo i pëlqen ligjet që bien ndesh me islamin bën kufër (bëhet kafir), qoftë edhe nëse thotë se nuk kam qëllim kufrin. Me përjashtim të ndonjë personi të rrallë, ata që besojnë, shprehin apo bëjnë diçka që është kufër nuk dëshirojnë daljen nga feja, por kjo e fundit është një rrjedhim i besimit ose veprimit të tyre, një rrjedhim ky i caktuar nga Sheriati.