Imam En-Nesaiu


Imam En-Nesaiu


Imam En-Nesaiu, rahimehull-llah, (215H-303H)

Ai është: Imami, Hafidhi i besueshëm, Shejhul Islam i dalluar në shkencën e hadithit Ebu Abdur-Rahman Ahmed ibën Shu’ajb ibën Ali ibën Sinan ibën Bahr El Hurasanij En-Nesaij autori i librit “Es-Sunen” njëri prej gjashtë librave bazë të hadithit (Sahihul Buhari, Sahihul Muslim, Sunen Ebu Davud, Sunen En-Nesai, Sunen Tirmidhi dhe Sunen Ibën Maxhe).

Lindi në qytetin Nesa në krahinën e Horasaninit në vitin 215 H.

Në kërkim të diturisë:

Prej moshës fëmijërore filloi kërkimin e diturisë. Në moshën 15 vjeçare udhëtoi në qytetin Baglan për të përfituar prej Imam Kutejbes, All-llahu i mëshiroftë të gjithë. Në praninë e tij mësoi më tepër se një vjet.

Mësues të tij gjithashtu ishin: Imam Is’hak ibën Rahavejhi, Imam El Bez-zari, Imam Muhammed ibën Ismail ibën ‘Ulejje, Imam Xheuheriu, Imam Hisham ibën Ammar All-llahu i mëshiroftë të gjithë. Numri i përgjithshëm i mësuesve të tij kalon numrin njëqind (shih. Es-Sijer, 14/125-127)

Duke kërkuar diturinë udhtoi në Irak, Hixhaz, Egjipt, Sham (Siri, Palestinë dhe Jordani) dhe vendet që gjendeshin në kufijtë e shtetit Islam. Më në fund u vendos në Egjipt të cilin e zgjodhi si vendbanim.

Ata që ishin shokë të tij në udhtimet e diturisë kështu e përshkruajnë: Ishte det i diturisë, i kuptueshëm, preciz…

Nga ky det i diturisë mësuan shumë nxënës në mesin e të cilëve do t’i përmendim:

Imam Ebu Bishr Ed-Dulabij, Imam Tahaviu, Imam Ebu Ali En-Nejsaburiu, Imam Ebu Bekr ibën Sunnij, Imam Taberaniu dhe shumë tjerë, All-llahu i mëshiroftë të gjithë. (shih. Es-Sijer, 14/127)

Disa fjalë të Imamëve për Imam Nesaiun:

Imam Hakimi [rahimehullah] thotë: Nesaiu ka folur shumë për regullat dhe dispozitat që i përmbajnë hadithët. Ai që e lexon Sunenin e tij do të mahnitet nga bukuria e fjalëve të tij.

Hafidh Ebu Ali En-Nejsaburiu [rahimehullah] kështu thotë: Na ka lajmëruar Imami në shkencën e hadithit, pa egzagjerim, Ebu Abdur-Rahman En-Nesai.

Imam Darekutniu [rahimehullah]: Nesaiu është para gjitha dijetarëve të hadithit të kohës së tij.

Imam Ebu Bekr ibën Had-dadi [rahimehullah] nuk transmetonte përveç hadithet e Nesaiut dhe thoshte: Jam i kënaqur që ai të jetë argument mes meje dhe Allahut [subhanehu ve teala].

Hafidh Ebu Abdil-lah ibën Mende thotë: Vetëm katër veta përpluan libra të hadithit në të cilat kanë shënuar hadithet e sakta duke bërë dallimin mes të saktit dhe jo të saktit dhe gabimit. Ata janë: Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Ebu Abdur-Rahman En-Nesaiu. (shih. Es-Sijer, 14/127-135)

Imam Darekutniu [rahimehullah] thotë: Më i dituri i Egjiptit në kohën e tij, me i dituri në shkencën e hadithit dhe transmetuesve të tij.

Imam Dhehebiu [rahimehullah] thotë: Në njohjen e hadithit dhe transmetuesve të tij është në gradën e Buhariut [rahimehullah] dhe Ebi Zur’asë [rahimehullah].

Dijetarët e Egjiptit kështu e përshkruanin Nesaiun: Ishte njeri i ibadetit të shumtë ditën dhe natën

Veprat e Imam Nesaiut:

Imam Nesaiu është autor i shumë librave:

• Es-Sunen libri më i njohur

• El Muxhteba përzgjedhje e haditheve të Es-Sunenit që e bëri nxënësi i tij Ibën Sunnij

• El Kuna

• Amelul jeumi ve lejle

• Kitabun fit-Tefsir

• Ed-Duafa

• Musned Ali [radijallahu anhu]

• Hasais Ali [radijallahu anhu]

Vdekja e tij:

Ditën e hënë me 3 Safer të vitit 303 H në Palestinë përfundoi jeta e Imam Nesaiut

Allahu e mëshiroftë me mëshirën e tij të gjërë dhe ia mundësoftë të takohet me të Dërguarin e Allahut [sal-lallahu alejhi ve selem] sunnetin e të cilit aq mirë e shërbente. Amin


Përgatiti: Talha Kurtishi – albislam.com

Referencë kryesore e këtij jetëpërshkrim: “Sijer A’lam En-Nubela” të Imam Dhehebiut

www.islamifejaevertete.com

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read