BallinaARTIKUJDijetarët dhe ThirrësitImam Ibn Kajjim El-Xhevzijje

Imam Ibn Kajjim El-Xhevzijje


Imam Ibn Kajjim El-Xhevzijje


Imam, Muhakkik, Shejhul Islam, i dalluar në shkencat e fikhut, hadithit, tefsirit dhe gjuhën arabe. Autor i shumë veprave në të cilat shfaqën aftësitë e tij mendore dhe letrare. E quanin Shemsud-din, Ebu Abdull-llah, Muhammed ibën Ebi Bekr ibën Ejjub ibën S’ad ibën Hariz Ez-Zer’ij, Ed-Dimeshkij i njohur Ibën Kajjim El Xheuzijje sepse i ati i tij ishte kujdestar për medresën e njohur “El Medrese El Xheuzijje” e formuar prej dijetarit të njohur Ebul Mehasin, Jusuf ibën Abdur-Rahman ibën Ali ibën Xheuzi.

Lindi me 7 Safer të vitit 691 h. në familje të ndershme, e dalluar me dituri në fshatin Zer’ë në afërsi të Damaskut.

Nga i ati i tij, Ebu Bekr i mësoi mësimet e para dhe shkencën e feraidit (ndarja e trashigimisë) të cilën i ati i tij e kishte përvetësuar shumë mirë.

Shkencën e hadithit e mësoi tek Esh-Shihab En-Nablusi, El Kadi Tekijjud-din ibën Sulejman, Ebu Bekr ibën Abdud-Daim, ‘Isa El Mut’im, Ismail ibën Mektum dhe Fatime bintu Xheuher.

Shkencën e arabishtës e përvetësoi prej shumë mësues. Në mesin e tyre janë: Ebul Feth El Ba’li, Ebul Beka dhe Mexhdud-din Et-Tunisi.

Shkencën e fikhut dhe bazat e tij e mësoi tek Safijjud-din El Hindi, Shejhul Islam Ibën Tejmijje dhe Ismail ibën Muhammed El Harrani.

Si mësues i veçantë i tij konsiderohet Shejhul Islam Ibën Tejmijje. Mbeti nxënës i tij i pandarë për një kohë të gjatë prej vitit 712 h. deri 728 h. Ibën Kajjimi përfitoi shumë nga mësuesi i tij duke i ndëgjuar këshillat e pjekura dhe duke pirë nga ky burrim i pashtershëm i diturisë. Me vendosshmëri i mbronte mendimet e tij duke e ndjekur metodën shkencore e cila bazohet në Kur’anin famëlartë dhe Sunnetin autentik ashtu siç e kanë kuptuar gjeneratat e Selefit. Ibën Kajjimi ishte ai i cili i përhapi librat e mësuesit të tij duke i shkurturar, adaptuar dhe zgjëruar ata.

Dobia më e madhe që e përfitoi Ibën Kajjimi prej mësuesi i tij ishte besimi i pastër, të kapurit për librin e All-llahut [subhanehu ve teala] dhe sunnetin e të Dërguarit të All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Filloi me vepër për t’i ringjallur gjërat e harruara të fesë Islame duke i luftuar llojet e shumta të devijimit që ishin të përhapura në shoqërinë Islame. Nga një analizë sipërfaqësore e veprave që i ka shkruajtur Ibën Kajjimi shihet vendi i lartë të cilin autori ia jep Kur’anit duke i nxitur, në mënyrë indirekte, lexuesit që të thellohen në kuptimet e gjëra të këtij mesazhi hyjnor. Sunneti dhe komentimi i tij kanë vend të veçantë në veprimtarinë e Ibën Kajjimit. Për këtë shkak Ibën Kajjimi konsiderohet prej dijetarëve reformator të cilit janë ndërtuar si personalitete nën ndikimin e veçant të Kur’anit dhe Sunnetit.

 

DISA NGA MENDIMET E TIJ NË AKIDE DHE FIKH

 

Nga librat që i shkroi shihet qartë se vazhdimisht është orvatur që t’i përcakton veçoritë thelbësore të Ummetit Islam duke ua trasuar rrugën e drejtë (Es-Sirat El-Mustekim) largë ekstremizmit në një anë dhe pasivizmin në anën tjetër. Vazhdimisht i ka potencuar çështjet e besimit dhe sqarimet për gjërat e lejuara dhe të ndaluara.

Ai dhe mësuesi i tij ishin ata të cilit promovonin parimin e përgjithëshëm i cili konsiderohet peshore për çështjet e besimit, metodologjin dhe nxerrjen e dispozitave përkatëse, në çdo kohë dhe vend. Me të ata matnin dhe analizonin ideologjitë, teoritë dhe drejtimet. Ky parim i përgjithëshëm është, mbështetja e plotë në Kur’an dhe Sunnet ashtu siç i kanë kuptuar tre gjeneratat e dalluara (Es-selef Es-salih) si burime te pakotestueshme pastaj përhapja e kuptimeve të tyre në masë (El Umme).

Vetëm kjo metodë e punës është rrugë që garanton lumturi në dynja dhe ahiret.

Rrugën e drejtë (Es-Sirat El Mustekim) kështu e shpjegonte: “ Ajo është rruga të cilën i Lartësuari e ka zgjedhur për robërit e Tij. Cilësitë e kësaj rruge ua ka kumtuar me anë të shpalljës. Kjo rrugë, e vetmja që i afron tek Zoti i tyre, është njësimi i All-llahut [subhanehu ve teala] me adhurim dhe zbatimi i porosive Pejgamberike pa kontestimin e tyre.

Ky parim në esencë është kuptimi i vërtetë i shehadetit.

Luftonte pasimin e verbër (taklidin) duke i përcaktuar llojet e ndaluara të tij.

Lloji i parë i taklidit të ndaluar është: pospërfillja e shpalljës hyjnore dhe pasimi i verbër i traditave të trashiguara prej prindërve duke mos i peshuar me peshorën e shpalljës (Vahjit).

Lloji i dytë: pasimi i atij për të cilin pasuesi nuk e dinë se sa merritor është.

Lloji i tretë: pasimi i mendimit i cili është në kundërshtim të hapur me argumentet e shpalljës.

Besonte në emrat dhe cilësitë e All-llahut [subhanehu ve teala] duke mos e përngjasur atë me asnjë krijesë dhe duke e refuzuar medh-hebin e atyre që e zhveshin All-llahun [subhanehu ve teala] prej cilësive që i takojnë madhërisë së Tij.

Refuzonte parimet e devijuara të Sufive në ato çështje që i ishin në kundërshtim të pamohueshëm më fenë Islame sikur vahdetul vuxhudi , dallimi i shpikur mes sheriatit dhe hakikatit, shpikja e risive të ndryshme, mospërfillja e diturisë dhe mbështetja në shije (Edh-Dheuk), largimi nga martesa dhe vetmimi në vende të largëta.

Stimulonte ixhtihadin duke e potencuar se vetëm me ixhtihad të mirëfilltë do të arrihet qëllimi i lartë i sheriatit Islam mbrojtja e njeriut dhe drejtave të tij në tokë si mëkëmbës i All-llahut [subhanehu ve teala].

 

NXËNËSIT E TIJ:

 

Shumë dijetar të njohur ishin nxënës të tij.

 

1) Imam Hafidh Zejnud-din Ebul Ferexh Abdur-Rahman ibën Ahmed ibën Rexheb El Bagdadi Ed-Dimeshkij El Hanbelij autor i shumë veprave në hadith,fikh dhe histori. Ishte prezent në tubimet e Ibën Kajjimit deri në fund të jetës së Ibën Kajjimit.

2) Hafidh ‘Imadud-din Ismail ibën Umer ibën Kethir Ed-Dimeshkij dijetar I njohur në shkencën e hadithit dhe autor i tesfirit i njohur sikur “Tefsiru Ibën Kethir” dhe veprës me peshë të madhe në shkencën e historisë “El Bidaje ven-Nihaje”

3) Esh-Shejh Imam Hafidh El ‘Umde Shemsud-din, Ebu Abdull-llah Muhammed ibën Ahmed ibën Abdul Hadi ibën Kudame El Makdisij dijetar i njohur i hadithit dhe terminologjisë së tij. Për këtë njeri historiani i njohur Dhehebiu thotë: “Pasha All-llahun çdo herë kur jam takuar me të kam përfituar diç të re”

4) Esh-Shejh Shemsud-din, Ebu Abdull-llah Muhammed ibën Abdul Kadir ibën Uthman En-Nablusij. Këtë nxënës të Ibën Kajjimit e quanin “Xhennet” për shkak të njohurive të gjëra që i kishte.

 

DISA NGA FJALET E DIJETARËVE PËR IBËN KAJJIMIN

 

Hafidh Ibën Rexhebi kështu e përshkruante: “Dijetar në lëminë e tefsirit, nuk krahasohej askush me të, në lëminë e usulud-dinit kishte arritur kulminacionin. Në hollësi i njihte hadithet dhe kuptimet e tyre, fikhun dhe bazat e tij, gjuhën arabe…

Ishte adhurues i përpikët, nuk linte namazin e natës, namazin e falte gjatë dhe vazhdimisht e përmendte All-llahun [subhanehu ve teala]…

Modest dhe i varfur për mëshirën e All-llahut [subhanehu ve teala]…

Nuk kam parë të ngjajshëm me të në çështjet e adhurimit, as që kam parë njëri më të ditur se ai…

Me një fjalë nuk kam parë njëri si puna tij”.

Hafidh Dhehebiu thotë: “Kishte interesim të veçantë për tekstet e haditheve dhe shkencën mbi transmetuesit të haditheve. Ishte i shkathët në shkencën e fikhut…

Ishte përhapës i diturisë”.

Hafidh Ibën Kethiri thotë: “Ishte dijetar i aftë në shumë lëmi veçanërisht në shkencën e tefsirit, hadithit dhe bazat e imanit dhe Islamit…

Ka përfituar shumë prej mësuesit të tij Shejhul Islam Ibën Tejmijje…

Vazhdimisht mësonte, natën dhe ditën. Nuk e ndërpriste lutjën…

I moralshëm, nuk kishte zili dhe urrejtje për askënd. Nuk kam parë dijetar i cili aq shumë i bëntë ibadet All-llahut [subhanehu ve teala]”.

Thotë Ebu Bekr Muhammed ibën El Muhibb: “I thashë dijetarit të njohur El Mizzi: a është Ibën Kajjimi në gradën e Ibën Huzejmes ? Ai u përgjigj Ibën Kajjimi në këtë kohë është sikur Ibën Huzejmeja në kohën e tij”.

Kadiu Burhanud-din Ez-Zer’i thotë: “Nuk kam parë nën qiell njëri më të ditur se Ibën Kajjimi ishte mësues në medresen “Sadrijje” dhe imam në “Xheuzijje” autor I veprave të shumta në lëmi të ndryshme”.

Thotë Imam Ibën Haxheri: ”…kishte njohuri të gjëra për mendimet e ndryshëm të dijetarëve të selefit”.

Thotë Imam Sheukani: “u përkufizonte me argumentet e sakta, vepronte me ta …”.

 

VEPRAT E TIJ

 

Ibën Kajjimi është autor i shumë veprave në shumë lëmi të shkencave Islame.

Librat e tij janë të dobishme për lexuesin.

Në lëminë e fikhut i ka shkruajtur këto libra

– I’lam muvek’iin an Rabbil alemin

– Et-Turuk El Hakimijje fis-Sijasetish-Sher’ijje

– Igathetu lehfan fi mekaidi shejtan

– Tuhfetul meudud bi ahkamil meulud

– Ahkamu ehli dhimme

– El Furusijje

Në lëminë e hadithit dhe sirës i ka shkruajtur këto libra

– Tehdhibu sunen Ebi Davud

– Zadul mead fi hedji hajril ‘ibad

Në lëminë e besimit i ka shkruajtur këto libra

– Ixhtimau xhujushil islamijje ala gazvil muattil-le vel xhehmijje

– Es-Savaik el mursele alel xhehmijje el muattil-le

– Shifaul alil fi mesail el kada vel kader vel hikmeti vet-ta’lil

– Hidajetul hajara minel jehudi ven-nesara

– Hadil ervah ila biladil efrah

– Kitabur-ruh

Në lëminë e ahlakut i ka shkruajtur këto libra

– Medarixhus-salikin

– Uddetus-sabirin ve dhehiretush-shakirin

– Ed-dau ved-devau (është duke u përkthyer në gjuhën shqipe)

– El vabil es-sajjib

– Et-tibjan fi eksamil Kur’an

– Bedaiul fevaid

– Xhelaul efham fis-salati ves-selami ala hajril enam

– Reudatul muhibbin

– El fevaid

– Tarikul hixhretejn ve babu seadetejn

– Miftahud-daris-seadeti

 

VDEKJA E TIJ

Jeta e tij në këtë botë përfundoi në mbrëmje me 23 rexheb të vitit 751h. në Damask. All-llahu e mëshiroftë me mëshirën e Tij të gjërë.

 

Mr. Sc. Talha Kurtishi, 11.11.2002 – albislam.com

www.islamifejaevertete.com

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read