BallinaAKIDEXhenneti dhe XhehenemiKënaqësia më e madhe në xhenet

Kënaqësia më e madhe në xhenet

 

 

Kënaqësia më e madhe në xhenet

 

Kënaqësia dhe dhuntia më e madhe, më e larta dhe më madhështorja në botën tjetër është të shikuarit e Allahut të Madhëruar.

 

Nga Suhejbi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kumtohet se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të hyjnë banorët e xhenetit në xhenet, një thirrës thërret: “O banorë të xhenetit! Ju keni një takim me Krijuesin tuaj. Doni t’iu tregoj për të?” Thonë: “Çfarë takimi është? A nuk na i zbardhi fytyrat, na rëndoi peshoren (e veprave të mira), na futi në xhenet dhe na mbrojti nga zjarri?” Pastaj zbulohet perdja (pengesa) dhe e shikojnë Allahun. Nuk u është dhuruar (banorëve të xhenetit) më parë diçka më e dashur sesa të shikuarit e Allahut të Madhëruar.[1]

 

I Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem e sqaron në këtë hadith se me gjithë të mirat që Allahu u ka dhënë atyre, prapë gjëja më e dashur për ta është të shikuarit e Allahut të Madhëruar.

Për këtë arsye, Allahu na ka treguar për gjendjen e jobesimtarëve me fjalët: “Nuk është ashtu! Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre…”[2]

 

Atyre u janë bashkuar dy lloje dënimi: dënimi i zjarrit dhe dënimi i pamundësisë për të parë Allahun e Madhëruar. Ashtu siç ka bashkuar për të dashurit e Tij dy kënaqësi dhe dy dhunti: kënaqësinë dhe dhuntinë e xhenetit dhe mundësinë për të parë Allahun e Lartësuar.

Përgëzime për atë që ka privilegjin ta shohë Allahun e Lartmadhëruar, Krijuesin e botëve. E lus Allahun që të jemi prej atyre që e shohin Atë dhe të na bëjë prej atyre që i ka përmendur në Kuran me fjalët: “E s’ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (në xhenet). Të mbështetur në kolltukë vështrojnë.”[3]

 

Nga libri “Igathetu-lahfan”

Përshtati: Rashit Zylfiu

Burimi: www.IslamiFejaeVertete.com

 


[1] Shënon Buhariu, Muslimi.

[2] Muttafifin: 15.

[3] Muttafifin: 22-23.

 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read