Në rrugën e dijes

Në rrugën e dijes

          Kur merr lapsin të shkruash diç tregon se diç je duke shpëtuar nga vdekja. Njeriu i cili qëndron në vetmi i heshtur i shtron pyetje secilit, por nuk pret përgjigje prej askujt. Në qetësi, ashtu si mendja mediton heshturazi, ashtu edhe syri i kapë gjërat pa i vërejtur. Nga një i mençur e mësova këtë mençuri: “Çdo hap që bëja në rrugën e dijes, krijonte një hapësirë të paditurisë sime!” Jeta më e mirë është të kalohet në durim dhe t’i shohësh shenjat e durimit në jetë, sepse të mendosh mbi lodhjen s’është sikurse të lodhesh duke menduar. Në dije s’mund njeriu të thotë se di shumë, por shumë duhet të përpiqet që të dijë njeriu. Nëse diçka humb, atë s’e ke fituar kurrë, ngase nuk humb ajo që është fituar. O i Dërguar! Jeta Jote u bë dije për mua, e vaji Yt dikur, sot më nxit të meditojë për lotin! Fati që caktohet të kesh mall për dikë që kurrë s’do e kesh pranë rezulton nga natyra e kësaj bote që njeriu të ndiejë mungesën e dikujt që fati s’e ka caktuar të jenë bashkë. E në çast një pikë ngjyrë ra në letër, e shkroi: “Gjurma që lenë dikush në ty sot, prekë zemra të lënduara nesër, ndaj një zemër që do, të mbetet hatri prej tij!” Nëse e arrin pjekurinë në vuajtje, karakteri yt s’ndryshon nga rrethanat dhe në ty ngulitet mëshira që do të shoqërojë në jetë. Njeriu mjafton të dijë një të vërtetë, por kurrë s’mund të mjaftohet me kaq, sepse edhe me një grimcë durim, mund që të tejkalohet goditja e madhe. Ndaj, si mund të kuptohesh me dikë që s’e di gjuhën tënde, për këtë mos më pyet se çka di, por më trego se çka dinë! Dije se nëse leximi të bëhet shprehi, s’e ndien vetminë, e nëse në shoqëri e ndien kënaqësinë, nuk mund që ta shijosh vetminë e leximit. O i Dërguar! Sa më tepër të dijë për Ty, aq më shumë po heshti për veten, ndaj aty ku dija është vepër, fjalët janë heshtje! Të gjitha veprat fillojnë nga zemra, dhe përfundojnë në rrjedhën e jetës, sepse i mençur s’është ai që mëson mirë, por ai që nxit trurin të mendojë. Në udhëtim ndahesh prej dikujt për të takuar dikë tjetër, ndaj kur e di me kë takohesh çdo dhimbje lehtësohet në ndarje. E nëse e bën shprehi që besimi të të udhëheq në jetë, nuk turpërohesh nga veprat e tua që do t’i veprosh. Gjatë shkrimit, shkruesi synon që mendimin e formuar në tru ta shpalos, në fund vëren se shkrimi ka marrë tjetër kahe kur u nxjerr në letër, e unë dua të qajë, e nga loti të mos turpërohem, dhe dua të dijë, që nga padija, të mos ankohem!

 

Blerim Muhaxheri  

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

Must Read