BallinaTEZKIJELidhja me All-llahunNJERIU QË QESHI PAS VDEKJES SË TIJ

NJERIU QË QESHI PAS VDEKJES SË TIJ

NJERIU QË QESHI PAS VDEKJES SË TIJ Imam Neveviu [rahimehullah] duke folur për transmetuesit e hadithit të njohur: “Mos gënjeni ndaj meje sepse ai që gënjen ndaj meje hyn në zjarrë.”, përmend tabiun kufas Reb’ijj ibni Hirashin, për të cilin thotë se është vëllai i Mes’udit që foli pas vdekjes. “Reb’ijju –vazhdon Imam Neveviu- është një tabiin i madh, nuk ka gënjyer kurrë. Është betuar se nuk do të qeshë derisa ta merr vesh – kuptojë se ku do të jetë fati i tij (në Xhennet apo në Xhehennem). Nuk ka qeshur vetëm se pas vdekjes së tij.” [Sherhu Sahihi Muslim, 1/67.] Një shembull i një devotshmërie kulminante. Një njeri, sinqeriteti i të cilit mund të kuptohet edhe nga kjo koincidencë e bukur e transmetimit të këtij hadithi me këtë tipar të karakterit të tij. Një shembull nga gjeneratat e para për përkushtimin në fe. I është betuar Allahut të Madhëruar se do të ruajë pastërtinë e gjuhës e cila shqipton fjalën më të dashur, thënien më të mirë, fjalën e pastër, shehadetin, dhe se nuk do ta njollosë atë kurrë me fjalën e keqe, atë që Allahu e urren dhe për shkak të së cilës njeriun mund ta shlyejë nga regjistri i të sinqertëve. E di se dikujt mund t’i duket si jonormale, e pakapshme, jobindëse. Të gjitha këto i kuptoj për shkak se jetojmë në kohën kur hipokrizia ka mbuluar qiellin e sinqeritetit, kur gënjeshtra është kryefjalë bisedave tona, kur mashtrimi dhe mos përmbushja e premtimeve është imazhi më i theksuar i shoqërisë, andaj për këtë shkak këto gjëra duken dhe janë të pamundshme. Por në atë kohë, këto kanë qenë të njohura. A nuk sheh se Imami përmend se nga familja e këtij burri të madh ishte edhe vëllai i tij, Mes’udi, ai që foli pas vdekjes. Ata kanë qenë burra të bindur në fjalët dhe premtimet e Allahut, për këtë shkak edhe kanë hyrë në histori si legjenda. Iu ka mjaftuar Allahu dhe vetëm kënaqësinë e Tij e kanë kërkuar. Për këtë shkak, sinqeriteti i tyre ka qenë produktiv edhe pas vdekjes së tyre. O Allah na bë prej të sinqertëve! Burimi: Sedat Islami sedatislami.com

Must Read