Pedofilia, raport i zi për kishën katolike
Dhjetëra mijëra fëmijë kanë pësuar abuzime seksuale në institucionet katolike të Holandës që prej vitit 1945, thuhet në një raport.
Raporti, i hartuar nga një komision i pavarur, thotë se autoritetet katolike kanë dështuar në frenimin e përhapjes së abuzimit në shkolla, manastire dhe jetimore.
Por raporti zbulon gjithashtu se një në pesë fëmijë që ka ndjekur institucionet fetare ka pësuar abuzime, ishin apo jo institucionet katolike.
Komisioni, i cili nisi punimet në gusht të vitit 2010, arriti të zbulonte se cfarë kishte ndodhur dhe si, si dhe shqyrtoi mënyrat e drejtësisë që duhet t’u ofrohet viktimave.
Hetimet e Komisionit nisën pas dyshimeve për abuzime në një shkollë katolike në lindje të Holandës, gjë që shtyu viktima të tjera të abuzimeve të bënin denoncimet.
Komisioni shqyrtoi 1800 ankesa për abuzime në institucionet katolike, duke identifikuar 800 persona të dyshuar si autorë të këtij krimi, nga të cilët rreth 100 janë ende gjallë.
Gjithashtu, grupi ka kryer një vëzhgim ku janë përfshirë mbi 34 mijë persona, për të siguruar një pasqyrë më gjithëpërfshirëse të shkallës dhe natyrës së abuzimeve ndaj të miturve.
Raporti vlerëson se 10 deri në 20 mijë të mitur janë abuzuar në institucionet e përkujdesit katolik mes viteve 1945 dhe 1981, kur numri i kishave shtëpiake ra ndjeshëm.
Sipas dokumentit, në vitet 1981-2011, mijëra të mitur të tjerë kanë pësuar abuzime nga priftërinjtë dhe punonjësit e tjerë të kishës katolike dhe jo vetëm.
Një arqipeshkv holandez, i cili reagoi i pari pas publikimit të raportit, deklaroi se, “këto ngjarje na mbushin me turp dhe shqetësim”./topchannel/