BallinaAKTUALEAnalizaPër ata që bëjnë pyetjen: "Ku janë selefijtë?"!

Për ata që bëjnë pyetjen: “Ku janë selefijtë?”!

 

Për ata që bëjnë pyetjen: “Ku janë selefijtë?”!

 

Shumë njerëz pyesin: Ku janë selefijtë? Ku është projekti i selefijve? Çfarë janë duke punuar selefijtë?

Pyetje e çuditshme, që m’u parashtrua nga disa drejtime, saqë ngjalli tek unë një habi që nuk e kisha paramenduar nga vetja lidhur me këtë temë. Atë e parashtruan shumë kolumnistë nga vende të ndryshme në kontekstin e përçmimit të drejtimit selefi, të cilin gabimisht e quajnë rrymë. 

Supozojnë se ngjarjet e fundit në vendet arabe e shpalosën qartë faktin, se selefijtë kanë zbrazëti për sa i përket aspektit të projektit politik, prandaj kanë shkuar kuturu gjatë këtyre ngjarjeve dhe krejt spontanisht. Ata nuk kanë pasur, as qëndrim të fortë, as metodë të qartë. Kjo pyetje me disa përgjigje që solli i preku shumë selefijtë, por e morën porosinë dhe nuk po ndalen së kërkuari projektin në fjalë që ende nuk lindi.

Ajo që e rriti habinë time ishte këmbëngulja e atyre për ta përçmuar selefizmin pasi – sipas tyre – ai nuk zotëron projekt politik, ndërsa nuk i thoshin vetes të shohin realitetin që i rrethon dhe para se të shqelmojnë selefizmin të na thonë: Ku është projekti i ihvanëve? Ku është projekti i tebligëve? Ku është projekti i nurxhive? Ku është projekti i liberalëve? Po ku i marksistëve? Ku i komunistëve?… Ku janë ato projekte?

Po ta shikonin realitetin me drejtësi do të bindeshin, se në këtë krizë konkretisht asnjë prej xhemateve (grupeve) nuk ka ndonjë projekt, qofshin ato islamike apo joislamike. E pse pra, ky sulm dhe përçmim ndaj drejtimit selefi?

Ai që i lexon këto pyetje dhe çfarë u shkrua, duke kundërshtuar selefizmin dhe duke i frikësuar se çfarë do t’i godasë për shkak të kësaj zbrazëtie në ngjarjet e fundit do të mendojë se ihvanët themeluan shtetin e tyre me parullën, e cila i shoqëroi nga fillimi “Islami është zgjidhja”, nurxhitë fituan zgjedhjet parlamentare në shumicën e vendeve arabe, liberalët fituan lirinë që deshën dhe i lumturuan njerëzit përreth, majtistët arritën të ngjisin copëtimin, që ua shkaktoi rënia e marksizmit sovjetik!

Pse nuk e bënë pyetjen: Këto revolucione që ndodhën: a u krijuan nga këto drejtime ideologjike, apo nga dikush tjetër? Përgjigjja: Po, u krijuan nga dikush tjetër, me argumentin se asnjeri deri sot nuk pretendoi se ai ishte që i krijoi ato.

Pastaj, kush nga ato ideologji arriti të zërë vendin e ndonjërit prej sistemeve që u rrëzuan apo të atyre që do të rrëzohen? Përgjigjja: Asnjë. Asnjë ideologji nuk mundi të zërë vendin e sistemeve të rrëzuara, madje as që mundi ta ofrojë veten ndonjëri. Sigurisht do t’i dalloja në këtë bisedë Ihvanul Muslimun pasi ata janë lëvizja bashkëkohore më e thelluar në arenën politike. Sikur të ndodhte suksesi i tyre në pajtim me projektin e tyre thelbësor do të ishte fitore për të gjitha ideologjitë islame, e sidomos për atë selefiste, sepse shumë nga njerëzit e tyre janë selefij në akide dhe në fikh. Por ja që kur ofruan veten në politikë në Tunizi dhe Egjipt i tejzgjatën kërkesat e hershme për shkak të politikës, tashmë nuk e ngrenë më parullën “Islami është zgjidhje”, siç bënin kur ishin një lëvizje e ndaluar. Ai që mediton për projektin e tyre të parashtruar pas revolucionit të Tunizisë dhe atij të Egjiptit do të mësojë se ajo tejzgjatje është braktisje e trashëgimisë së ihvanëve për të cilën u martirizuan Hasan el Bena, Hasan el Hudajbi, Sejid Kutubi, Abdulkadir Aude etj. Për këtë trashëgimi shpirtra të pastër humbën nëpër dhomat e burgjeve ushtarake, atë trashëgimi që shkurtimisht na e tregon dizajnimi i dy shpatave të gërshetuara që mbajnë një mus’haf (logoja e Ihvanul Muslimun).

Projekti i partisë politike të ihvanëve sot është i përafërt me këdo parti laike, që shpall parimet e të drejtave, lirisë, drejtësisë dhe barazisë. Nuk ka ndonjë dallim të madh mes këtyre dhe atyre. A është ky projekti i ihvanëve, që prej kohësh i kemi dëgjuar të përsërisin: Allahu është synimi ynë, Islami është metoda jonë, xhihadi është rruga jonë, si dhe vargjet e Sejid Kutubit, Allahu e mëshiroftë dhe e pranoftë tek shehidët:

Vëlla, ti je i lirë pas mureve,

Vëlla, ti je i lirë edhe në je i prangosur,

Nëse me Allahun je shumë i kapur

Çfarë mund të të bëjnë dredhitë e njerëzve?!

Ajo çfarë lexojmë në Tunizi dhe Egjipt nuk është projekt i ihvanëve, përkundrazi është projekt partie që përfaqëson ideologjinë laike në formë të pjesshme, ndërsa të thuhet se ato janë projekt i ihvanul musliman, asnjëherë!

Sipas meje: Nuk e konsideroj të metë ndaj vëllezërve që përfaqësojnë këtë politikë, animin nga e keqja më e lehtë, dëmi më i vogël dhe mundi për përmirësim duke lëshuar pe. Jo, këtë nuk ua zë për të madhe, sepse në atë veprim mund të ketë urtësi, por e meta, madje e gjithë e meta është që këto lëshime penjsh t’i paraqesin duke thënë, se kjo është metodologjia islame për pushtetin. Syresh prej tyre argumentojnë nga Kurani dhe Suneti, se ajo është kërkesa e Kuranit dhe ai është Islami për të cilin luftuan, që në vitet dyzet të shekullit të kaluar.

E njëjta gjë po ndodh edhe në Jemen me islahijunët (përmirësuesit), nuk mund të themi se ai është projekt përmirësues. Ai mund të jetë një aktivitet politik, ku nuk dallojnë këta dhe armiqtë e tyre, sepse askush prej tyre nuk dallon në metodat e betejës, as në terminologji dhe as në prioritete.

E theksoj edhe një herë, se nuk e paralajmëroj me inat aktivitetin e tyre politik, përkundrazi shpresoj që Allahu të realizojë me duart e tyre mirësi të shumta, mirëpo unë nuk ua pranoj, se ajo çfarë po bëjnë është projekt islam, që e kemi njohur kamotshëm. Pra, ihvanët hynë në politikë pas revolucioneve dhe jo me projektin e tyre, por me projekt të huazuar.

Po, projekt i huazuar që i ngjan shumë projektit me të cilin nurxhitë në Turqi i hynë betejës politike dhe përmes tij fituan presidencën, mirëpo turqit deklaruan, se ky nuk është projekti i vërtetë i tyre, kur përmendën shprehimisht, se partia e tyre është laike dhe pranuan, se në këtë situatë nuk mund të punojnë sipas programit që i pasqyron.

Edhe po të pranonim, se selefijtë nuk zotërojnë një projekt politik, prapë askush nuk ka të drejtë t’u hipë mbi kokë, sepse realiteti po dëshmon, se edhe ata që kishin një projekt nuk arritën me të në ring, por morën në vend të tij rroba të huazuara nga armiqtë.

Ndërsa, pse qëndrimet e selefive ishin të përziera? Është një pyetje që buron nga mosnjohja e drejtë e përbërjes selefiste, pasi selefijtë nuk janë xhemat që i përulet ndonjë udhëheqjeje intelektuale apo organizative, që të njësohen qëndrimet e tyre, siç do t’u thoshte ajo udhëheqje. Ata kanë shkollën e davetit dhe metodologjinë argumentuese, që i referohen për akide, fikh dhe ahlak. Kur ndeshen me ndodhi të reja ua parashtrojnë ngjarjet metodologjisë përkatëse dhe asisoj do të ndryshojnë mendimet e tyre varësisht nga ndryshimi i tyre në kuptimin e teksteve dhe varësisht sesi çdokush prej tyre i vlerëson dobitë dhe dëmet.

Prandaj gjejmë prej selefive, që janë anëtarë në grupime politike si ihvanët (Egjipt), Nahda (Rilindja – Tunizi) dhe Islah (Përmirësimi – Jemen), të tjerë nuk i përkasin asnjë partie, por medhhebeve të ndryshme, që mendojnë se qëndrimet e atyre medhhebeve nuk vijnë ndesh me menhexhin selefi.

Kush e di këtë fakt për selefijtë nuk do të habitet nga qëndrimet e ndryshme të tyre në këto ngjarje, madje ndoshta do të ishte habi sikur të njësoheshin qëndrimet e tyre. Kjo është natyra e njerëzve, kur nuk janë nën ndonjë udhëheqje intelektuale apo politike, prandaj do të kenë gjithsesi mendime të ndryshme dhe jo vetëm për çështje madhështore, por edhe për gjëra të vogla.

Ka edhe një fakt tjetër, ku përveç selefijve bëjnë pjesë edhe të tjerë, ai është shansi që për çështje të mëdha të flasë gjithkush, shumë prej atyre që nuk janë kompetent për të dhënë fetva i japin vetes guxim të japin mendime dhe t’i japin ngjyrosje si ajo e fetvasë nga njerëz kompetentë.

Unë them se kjo bela është e përgjithshme, si te selefijtë edhe te të tjerët, mirëpo ajo mund të duket më qartë te selefijtë, për arsye se – siç edhe treguam – ata nuk i përulen ndonjë udhëheqjeje intelektuale, që do t’i zhdukte dallimet në kësi rastesh, apo do t’u caktonte njerëz që kanë të drejtë të flasin nga ata që do të heshtin. Kurse joselefijtë, ata edhe pse kanë udhëheqje që zhdukin dallimet, mirëpo sundimi i drejtimeve partiake mbi ato udhëheqje futet para respektit të teksteve fetare. Ndaj lidhur me ndodhitë ku përplasen qëndrimet e tyre vijnë të lyera me bojën e ëndjes, e cila shpalos ato tekste që do dhe fsheh ato që do.

Për sa i përket projektit politik, ku është projekti i selefive?

Përkrah lëvizjeve popullore shumë të rinj selefi filluan të ndjejnë magjinë dhe lëvizjet e politikës, ndërsa te dijetarët e tyre nuk gjejnë tjetër përveç haditheve rreth bindjes ndaj udhëheqësve, ku rreth shpjegimit të të cilave kanë dallime, kështu që me sinqeritet pranuan se vërtetë selefijtë nuk kanë asnjë projekt politik, që do të përshtatej me kërkesat e kohës.

Për të dhënë një përgjigje duhet të dimë patjetër, se termi “projekt” ende nuk është i qartë te shumica e atyre që flasin për të, sidomos kolumnistët e gazetave dhe publicistët, të cilët polemizojnë më shumë për këtë. Tek unë kuptimi i këtij termi sipas traditës intelektuale bashkëkohore është: Parime, metoda dhe synime, që i merr përsipër një grupim i caktuar për të realizuar vizionin e tij për rilindjen dhe përmirësimin e shoqërisë.

Atëherë, kur meditojmë rreth selefizmit të personifikuar në prodhimin e madh të simbolit më të shquar e që është Shejhul-Islam Ibën Tejmije, zbulojmë se ai udhëzon drejt një projekti të plotësuar për rilindje dhe përmirësim të Umetit, mirëpo në atë projekt, përmirësimi politik është vetëm fryt që rezulton pas angazhimit për përmirësim fetar të Umetit.

Selefijtë nuk e kanë projekt politikën për rilindje e përmirësim. Ajo është vetëm një pjesë e saj, prandaj do të vërejmë se ndryshimi politik nuk është prioritar në programin e tyre përveç nga aspekti i këshillës dashamirëse për udhëheqësit e muslimanëve, sikurse është hadithi: “Feja është këshillë!” Për kë o Resulullah? – e pyetëm: “Për Allahun, të Dërguarin, udhëheqësit e muslimanëve dhe njerëzit e rëndomtë”. Ky hadith përforcon idenë e selefive, kur në projektin e tyre nuk bëjnë dallim mes udhëheqësve dhe të udhëhequrve. Këshilla nënkupton detyrën e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit të së keqes për të gjithë Umetin, që është një nga shenjat e mirësisë së saj. “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ata; ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë.” (Ali Imran 110).

Ndërsa planifikimi dhe strategjia për të marrë pushtetin, në rast të mosvërtetimit të kufrit (mosbesimit) të qartë të pushtetarit kjo është çështje individuale dhe projekti selefi nuk ka të bëjë me të, madje kuptohet se ai është sikurse çdo veprim tjetër i njerëzve që e përfshijnë pesë dispozitat e sheriatit: ai mund të jetë farz por edhe haram, mund të jetë mekruh, por edhe mustehab sikundërse mund të jetë mubah. Selefijtë kanë dispozitë (hukëm) fikhore të përfituar nga tekstet e sheriatit apo nga argumente të tjera, që sheriati e përkrah argumentimin me to për gjithkënd që krijon strategji si ajo, apo merr pjesë në të, pavarësisht a është individ apo grup. Sepse – siç thamë – selefijtë zotërojnë një metodologji argumentuese në akide dhe fikh, prandaj veprimet e njerëzve i gjykojnë sipas asaj që kuptojnë prej dispozitave fetare.

Mund të dalë ndonjëri prej selefive për të futur rrugën e tij në politikë, por veprimi i tij nuk do të jetë argument kundër menhexhit selefi apo turp, siç shprehen disa që duan të dëmtojnë selefizmin. Përkundrazi selefizmi i këtij aktivisti, nuk i pengon dijetarët e shkollës selefite të gjykojnë veprimet e tij me njërin prej hukmeve, që mendojnë se meriton të gjykohet vepra e tij.

Të gjithë selefijtë kanë një shikim të mprehtë dhe të rrallë e të pakrahasueshëm para se t’i japin hukmin e farzit apo mustehabit ndonjë projekti politik. Prandaj do të gjesh se ato projekte në kohën tonë janë pak, madje të rralla. Saqë kujtesa e regjistruar do të na ndihmojë me pak shembuj: shembulli i shtetit saudian me tri etapat e tij dhe shembujt e të gjitha revolucioneve të armatosura islamike dhe lëvizjeve të paarmatosura kundër kolonializmit kryqtar dhe marksist.

Ndërsa për hukmin e mubahit, në përgjithësi selefijtë nuk e trajtojnë aktivitetin politik me të cilin merren vëllezërit e tyre nga lëvizjet islamike përbrenda sistemeve, që pretendojnë demokracinë dhe u lejojnë qytetarëve pluralizmin politik. Them në përgjithësi, sepse ka prej selefive që mendojnë, se nuk lejohet pjesëmarrja brenda sistemeve që nuk kanë burim gjykimin e Allahut, sepse ajo nënkupton kënaqjen me gjykimin e tagutit.

Kurse për hukmin e mekruhut dhe haramit, selefijtë i japin atë gjykim çdo lëvizjeje politike brenda ndonjë sistemi, që nuk lejon pjesëmarrjen politike dhe mbetja e atij sistemi – pavarësisht diktaturës që mund të ketë – mundëson realizimin e një pjese të objektivave të sheriatit, të cilat do të rrezikoheshin nëse ndodh përballja e atij sistemi me lëvizjet politike islamike.

Ajo është urtësia që ata e shohin nga hadithet profetike, që detyrojnë bindjen ndaj udhëheqësve dhe ndalojnë rebelimin kundër tyre. Ato hadithe i marrin me shumë seriozitet, sepse janë me domethënie të prerë (katiju dilale) dhe të vërtetuara prerë (katiju thubut).

Më herët përmenda se projekti politik nuk përzihet shumë nëse te pushtetari nuk gjendet kufër i qartë, ndërsa këtu po them: Nëse gjendet kufri i qartë apo nëse sistemi është i padrejtë, aq sa nuk ka mundësi tash e as më vonë të realizohen synimet e sheriatit, ata nuk e bëjnë të ndaluar punën kundër tyre. Mirëpo ata kanë shumë kujdes, derisa të arrijnë forcën dhe mundësinë, sepse të punosh pa forcë dhe pa mundësi ka efekte të rrezikshme në ardhmërinë e afërt dhe të largët. Po ashtu, nëse nën një sistem është e vështirë apo është e pamundshme arritja e lëndës së parë dhe më e rëndësishmja e projektit selefi që është: fetarizimi dhe robërimi i shoqërisë ndaj Allahut; nëse nën një sistem është e pamundshme lëvizja selefite për ta kthyer shoqërinë në mësimet dhe vlerat islame, atëherë është i pamundshëm edhe përmirësimi politik. Në këso rastesh ndryshimi politik me të gjitha format e tij është i lejuar, përveç nëse supozohet fuqishëm që ato përpjekje për ndryshim do të çojnë drejt një sherri më të madh, sesa hairi që do të arrihet.

Ku janë revolucionet popullore brenda gjithë kësaj?

As selefijtë, as të tjerët nuk i krijuan revolucionet e fundit popullore. Siç thoshin shumica, ato ishin befasuese për të gjithë, madje edhe për ata që i përkrahën dhe morën pjesë nga fillimi. Kur nisën ato revolucione selefijtë ishin të angazhuar denjësisht me projektin e tyre thirrës e shkencor në një formë që ngjall pëlqimin e dashamirëve dhe hidhërimin e dashakeqëve. Ata kanë disa kanale satelitore, që vjelin një audiencë të gjerë në gjithë botën arabe, pavarësisht kufizimeve financiare dhe thjeshtësisë së kuadrove mediatike. Ata kanë ueb-faqe me specializime të ndryshme, që mbulojnë shumicën e nevojave të konsumatorëve të shërbimeve të internetit nga enciklopeditë shkencore, forumet e specializuara, forumet e hapura, dhomat e Paltalk-ut për akide, konsultime etj., gazeta ueb faqet e të cilave konsiderohet të jenë më të vizituara dhe me ndikim të madh, sikundërse mbajnë shumë prej xhamive, që arritën t’ua kthejnë mesazhin fetar dhe shoqëror xhematit. Të mos flasim këtu për aktivitetet vullnetare me të cilat arritën te zemrat e vejushave, jetimëve dhe të varfërve të gjithë globit. E çuditshmja në ato aktivitete është ndikimi i shpejtë dhe bereqeti madhështor. Nuk mund të dish numrin e atyre që për shkak të tyre shpëtuan nga kufri i shiave, atyre që i liroi Allahu nga shirku i varr-adhuruesve, atyre që i mbrojti Allahu nga shirku i shekullarizimit apo liberalizmit. Sikundër nuk mund të dish numrin e paganizmave dhe besëtytnive të trashëguara, që ata i shkatërruan. Shtoji kësaj edhe numrin e atyre që Allahu i futi në Fenë Islame për shkak të tyre, duke i nxjerrë nga errësirat e kufrit, haramit dhe kundërshtimit.

U bënë revolucionet dhe kjo situatë e suksesit po i përcjell në jetë, ku është gabimi?

Menhexhi i selefive nuk ndryshoi. Këto ndodhi i shikuan me syrin shkencor – siç sqaruam më lart – sipas rregullit të tyre, dhe në fakt ata dolën me gjykime (hukme) të ndryshme fetare, varësisht ndryshimit që secili ka në kuptimin e argumenteve dhe vlerësimin e rezultateve. Kishte prej tyre që morën pjesë, të tjerë u përmbajtën dhe të tjerë që i kundërshtuan. Mirëpo, që të gjithë: që morën pjesë, që u përmbajtën dhe që kundërshtuan nuk huazuan rroba të huaja, siç bënë të tjerët, përkundrazi shumica e tyre ruajti parimet, qëndroi në selefizmin e tij dhe rrugëtoi në projektin e tij, që e kishte nisur para revolucionit.

Po, kishte prej tyre, që e kundërshtuan revolucionin dhe pastaj u penduan, ku është problemi?

Një apo disa burra gjykuan gabim një çështje dhe pastaj e kuptuan gabimin, çfarë problemi ka këtu, pse kalohen kufijtë në kësi rastesh për ta bërë atë si një argument i paqëndrueshmërisë së selefive apo dëshmi, se ata janë të zbrazur dhe nuk kanë mundësi t’i vlerësojnë gjërat, apo se nuk e kuptojnë politikën.

Në të gjitha situatat ata janë më të mirët, sesa një njeri që gjykon një vepër dhe pastaj e kupton gabimin, por nuk do t’ia dijë dhe nuk i intereson fare.

Arrita deri këtu për t’iu përgjigjur pyetjes: Ku është projekti i selefive? Them: Projekti i selefive për përmirësimin e çdo pjese të Umetit vazhdon dhe nuk është ndalur për asnjë çast, nëse dikush nuk e sheh kjo nuk do të thotë se nuk ekziston, por kjo ndodh për shkak të injorancës, sepse – siç thonë filozofët – besimi është rezultat i përfytyrimit.


Dr. Muhamed Ibën Ibrahim Es-Seidi

Përshtati: Omer Berisha

Burimi: www.albislam.com

www.islamifejaevertete.com


Artikulli paraprakÇfarë është buraku?
Artikulli tjetërMAGJIA

Must Read