BallinaARTIKUJHadith dhe SunetPunët shpërblehen sipas qëllimit

Punët shpërblehen sipas qëllimit

Omer ibën Hatabi transmeton se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë:

Punët shpërblehen sipas qëllimit. Çdonjërit i takon ajo çfarë ai ka pasur për qëllim. Kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij shpërngulja e tij do të jetë për Allahun dhe të dërguarin e Tij. Kurse, kush shpërngulet për ndonjë çështje të dynjasë apo për tu martuar me ndonjë femër atëherë shpërngulja e tij do të jetë për atë që ka pasur qëllim

Zinxhiri i hadithit:

Ky hadith transmetohet nga Omeri, Alahu qoftë i kënaqur me të, dhe atë e shënon Buhariu, nr. 1, 54, 2529, 3898, 5070, 6689, 6953, Muslimi, nr. 1907, Ebu Davudi, nr. 2201, Tirmidhiu, nr. 1647, Nesaiu, 1/58-60, Ibën Maxhe, nr. 4227, dhe të tjerë.

Rëndësia e hadithit:

Ky hadith është prej haditheve më të njohur tek dijetarët e shkencës së hadithit në veçanti, si dhe tek besimtarët në përgjithësi. Hadith ky për saktësinë e të cilit është i pajtimit i tërë Umeti, dhe hadithi i parë me të cilin e ka hapur imam Buhariu librin e tij “Sahih” i cili ndër besimtarët njihet me emrin “Sahihu i Buhariut”. Dijetarët për këtë hadith thonë se është një e treta e fesë dhe një nga hadithet rreth të cilit sillet feja. Fjalë kjo e transmetuar nga Shafiu, Ahmedi, Is-hak b. Rahuje, Ebu Davudi, Abdurrahman b. Mehdiu etj.

Komentimi i hadithit:

Me fjalën e të Dërguarit: “Punët shpërblehen sipas qëllimit” nënkuptohet:

Punët janë të vlefshme aq sa e kanë qëllimin e tyre të vlefshëm. Sa të jetë qëllimi më i lartë aq edhe puna është më e vlefshme. Gjithashtu, puna është e pranuar apo jo sipas qëllimit me të cilin e bënë vepruesi i saj. Në këtë çështje dijetarët janë të dy mendimeve se në këtë rregull a futen vetëm punët të cilat kanë nevojë për qëllim (nijet) apo edhe ato të cilat në origjinë nuk kanë nevojë për të. Sipas grupit të parë të dijetarëve adhurimet janë ata të cilët kanë nevojë për qëllim ngase me to shprehet respekti dhe nënshtrimi ndaj Allahut, siç janë namazi, haxhi etj. Kurse punët të cilat nuk janë adhurim nuk hyjnë në këtë rregull dhe për to nuk ka nevojë të ekzistojë qëllimi sepse me to nuk nënkuptohet adhurimi, siç janë gjumi, ushqimi etj. Mirëpo grupi i dytë i dijetarëve thonë se këtij rregulli i nënshtrohet çdo punë çoftë ajo që nga origjina e saj adhurim apo jo. Sepse sipas tyre vepra edhe nëse në origjinën e saj nuk është adhurim nëse ajo bëhet me qëllim adhurimi dhe afrimi tek Allahu apo forcimi për adhurim atëherë robi shpërblehet për të, dhe vepra në fjalë nga “punë e thjeshtë” kalon në adhurim. Këta të fundit thonë se gjumi nëse bëhet me qëllim forcimi dhe ngritje për ta falur namazin e sabahut atëherë ai për shkak të qëllimit të tij kalon në adhurim, ushqimi nëse hahet me qëllim të forcimit për namaz, xhihad … atëherë kalon në adhurim sepse veprohet me qëllim të mirë. Fjalë kjo e cila është më se e saktë të cilën njëherit e mbështet edhe hadithi i lartpërmendur në të cilin i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, cekë fjalën “punë” duke mos bërë me të kurrfarë dallimi por e la fjalë të përgjithshme e cila nënkupton përgjithësim.

Por kjo që u përmend deri tash assesi nuk nënkupton se qëllimi është njëherit obligim për veprat të cilat në origjinë nuk janë adhurim. Nëse ato punohen pa kurrfarë qëllimi atëherë njeriu për to nuk shpërblehet përveç nëse dobia e tyre kalon tek të tjerët ku në këtë rast personi shpërblehet për faktin se të tjerët kanë pasur dobi prej tij e jo për vet punën e bërë në fillim e cila nuk ka pasur kurrfarë qëllimi fetarë.

“Çdonjërit i takon ajo çfarë ai ka pasur për qëllim”, kjo pjesë e hadithit na tregon se njeriu me punën e tij nuk mund të arrijë asgjë më tepër se sa atë që ka pasur për qëllim.

Ai para se të shpërblehet për veprën e tij do të shpërblehet për qëllimin që e ka me të. Nëse me të ka pasur qëllim të mirë atij do t’i ndihmojë Allahu për ta plotësuar e nëse është e kundërta atëherë nuk do të ndihmohet nga Ai.

Në këtë pjesë të hadithit duhet ndalur në dy pika kryesore;

a) Allahu njeriun nuk e shpërblen për madhështinë e veprës së tij apo vogëlsinë e saj, por, Ai së pari atë e shpërblen për qëllimin e tij, sa më i shenjtë dhe i pastër të jetë ai aq do të jetë edhe shpërblimi, e pastaj pason shpërblimi i punës dhe madhështisë së saj. Duke u nisur nga kjo që thamë besimtari duhet të ketë kujdes për vete dhe të tjerët që mos të habitet me madhështinë e punëve që i bën ai apo ata, por duhet ta shikojë qëllimin pse e bën atë.

b) Kjo nuk nënkupton se Allahu i shikon vetëm qëllimet e veprave dhe vetëm sipas tyre i shpërblen njerëzit duke mos i shikuar edhe punët e tyre. Ngase sikur të ishte ashtu do të shpërbleheshin ata që kanë qëllime të mira por punët e tyre nuk janë të mira apo të qëlluara. Këtë pikë të dytë e përfitojmë nga rregulli i njohur fetarë i pranuar unanimisht tek ehli suneti se për tu pranuar çdo vepër përveç që kushtëzohet qëllimi i pastër ekziston edhe kushti i dytë i cili është pasimi i Sunetit, apo vepra në fjalë të jetë e qëlluar dhe e lejuar nga Allahu.

Thënë ndryshe veprat për tu pranuar kushtëzohen me dy kushte: 1- Nijeti të jetë i pastër për hir të Allahut dhe 2- Vepra të jetë në pajtim me sunetin e të dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem.

***

Fjala qëllim në gjuhën arabe do të thotë “nijet”, fjalë e cila është e njohur edhe në gjuhën tonë, ku ka edhe kuptimin, cak, synim, shkak, arsye, etj.

Sa i përket aspektit terminologjik kjo fjalë ka dy kuptime:

a) Me të nënkuptohet dallimi mes vete i dy apo disa adhurimeve, si p.sh, përmes nijetit dallohet farzi i drekës nga suneti i saj, apo farzi i drekës nga ai i ikindisë, etj.

b) Përmes tij njeriu e dallon se kujt ja kushtëzon adhurimin. Ngase ai namazin, agjërimin, zekatin etj. mund t’i bëjë për hir të Allahut apo për hir të varrit, idhullit apo diç tjetër. Njeriu përmes qëllimit e dallon adhuruesin e tij.

Çdo besimtar para të gjitha adhurimeve të tij duhet ta ketë parasysh se çka është duke punuar dhe për hir të kujt është duke e bërë atë. Ai nëse nuk e di se çfarë është duke vepruar dhe kujt është duke ja kushtuar atëherë ajo vepër nuk do t’i vlejë dhe do të jetë e refuzuar. Përmendet nga një dijetarë i selefit se kur pyetej diçka rreth fesë apo për ndonjë hadith ai fillimisht heshtte e pastaj fillonte të përgjigjej. Nxënësit pasi e vërejtën tek ai këtë gjest nga kurioziteti edhe e pyetën pse vepronte ashtu? Ai ua ktheu: “Para se të përgjigjem fillimisht e përmirësoj qëllimin tim që atë përgjigje ta jap vetëm për hir të Zotit nga e cila shpresoj të shpërblehem e jo të dënohem për shkak të saj”

***

“Kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij shpërngulja e tij do të jetë për Allahun dhe të dërguarin e Tij. Kurse, kush shpërngulet për ndonjë çështje të dynjasë apo për tu martuar me ndonjë femër atëherë shpërngulja e tij do të jetë për atë që ka pasur qëllim”.

I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, pasi na tregoi këto rregulla madhështore atëherë për to morri shembullin më të lartë dhe atë më të ulët.

Pa dyshim se shembulli i parë është më i larti për besimtarët kurse më i larti për qafirët dhe mëkatarët është dynjaja dhe gruaja.

Ai kur e ceki shpërnguljen për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, e përsëriti fjalën Allah dhe të Dërguar dy herë ngase ky qëllim është i shenjtë, gjithashtu thonë dijetarët për shkak se përmes asaj fjale i Dërguari e përmendte sa më shumë Allahun si dhe është fjalë që meriton të përsëritet sa më shumë herë dhe meriton që për hir të saj të shpërngulet robi apo të bëjë çdo punë tjetër.

Kurse kur e përmendi dynjanë dhe martesën, ai në këtë rast nuk e përsëriti në fund edhe një herë atë fjalë ngase ky qëllim ishte i ulët, i pa vlefshëm, nuk meritohet për te të bëhet asnjë vepër e as nuk meriton të përsëritet. Nuk e përsëriti se nuk i interesonte ajo gjë sa edhe ta përsëriste apo t’i kushtonte asaj vëmendje, mirëpo mjaftoi me një përmendje të saj vetëm sa për ta marrë shembull dhe për t’ia mësuar Umetit.

Tek disa njerëz është i përhapur mendimi se fjalët e fundit të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, në këtë hadith u thanë për shkak të rastit që ndodhi me një sahabi i cili ishte shpërngulur për hir të një gruaje të quajtur “Umu Kajs” me qëllim që të martohej me të. Mirëpo në të vërtetë Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk e kishte thënë këtë fjalë për këtë rast, ngase ai rast kishte ndodhë në kohën e Abdullah b. Mesudit e jo në atë të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ve selem. Rast për të cilin Ibën Haxheri thotë: “Ky hadith nuk nënkupton se është thënë për këtë shkak, bile nuk kam gjetur asnjë transmetim i cili mbron apo pohon një gjë të tillë”, (Fet-h el-Bari, 1/10). Ndërsa Ibën Rexhebi thotë; “Është përhapur tek disa dijetarë të vonshëm se shkak i këtij hadidhi ka qenë rasti i Umu Kajsit, mirëpo ne nuk kemi gjetur ndonjë transmetim i cili e mbron një mendim të tillë” (Xhamiul- ulumi vel hikem, 1/75).

Thamë se më fjalët e fundit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, u përmendën qëllimet më të larta dhe ato më të ulëtat. Fjali kjo me të cilën u përmblodhën të gjitha qëllimet, ngase robi ose do të bëjë veprat e tij për hir të Allahut ose për arritje të qëllimeve të kësaj bote. Fjalë e cila tregon se nuk ka mesatare, ato ose do të jenë për hir të Zotit ose për shkak të arritjes së kënaqësive të kësaj bote.

Nga lezetet e dynjasë u veçua martesa me gra për shkak të rrezikut të saj të madh dhe animit të tepërt të njerëzve kah epshi i martesës, aq sa Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, atë e krahasoi me të gjitha epshet tjera të dynjasë.

Në anën tjetër ai kur e përmendi qëllimin më të fisnik nuk mjaftoi vetëm me cekjen e Allahut por e përmendi në të edhe veten e tij. Me këtë nuk nënkuptohet se adhurimet t’ia kushtojmë të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, ato duhet t’i kushtohen vetëm Allahut, mirëpo me to kuptojmë se ai, sal-lallahu alejhi ue selem, me këtë fjalë na sinjalizoi që veprat të bëhen për hir të Allahut dhe sipas Sunetit të tij, siç edhe i përmendëm pak më lart në po këtë temë, kusht ky i cili vjen në radhë të dytë pa të cilin nuk vlejnë punët e asnjë njeriu sa do të mëdha të jenë ato.

Lusim Allahun të na pastrojë zemrat tona nga sy-faqësia dhe të na bëjë prej atyre të cilët çdo vepër ia kushtojnë vetëm Atij dhe e bëjnë vetëm sipas udhëzimit të Muhamedit, sal-allahu alejhi ue selem.

Lulzim Susuri

Maj 2007

 Burimi: www.ehlihadithi.com

http://www.islamifejaevertete.com

Must Read