BallinaARTIKUJHistori dhe TregimeRoli i shqiptarëve në çlirimin e Kostandinopojës!

Roli i shqiptarëve në çlirimin e Kostandinopojës!


Roli i shqiptarëve në çlirimin e Kostandinopojës!

Sulltani Muhamed El-Fatih mblodhi këshilltarët e tij, komandantët e  lartë dhe dijetarët që ishin ne mesin e ushtrisë muslimane dhe kërkoi prej  të pranishmeve që t’i shprehin mendimet e tyre hapur dhe pa hezitim.

Disa prej të pranishmëve sugjeruan që të tërhiqet ushtria, prej tyre  ishte ministri Halil Pasha i cili propozoi tërheqje të ushtrisë, për të  mos derdhur gjak dhe paralajmëroi hidhërimin e Evropës së krishtere nëse  e marrin muslimanët qytetin dhe çështje tjera. Mirëpo, ai u akuzua për  marrëveshje me bizantinët dhe përpjekje që të hiqet dorë nga çlirimi i  qytetit. Por, disa personalitete u ngritën duke përkrahur Sulltanin që  të vazhdojë sulmin ndaj qytetit derisa të çlirohet dhe të mos merret  parasysh Evropa. Ata sugjeruan po ashtu që të entuziazmoheshin ushtarët  për çlirimin dhe se kthimi prapa do të kishte pasoja, prej tyre thyerja e  ndjenjave të tyre luftarake në rrugën e Allahut. Në mesin e tyre ishte  një prej komandantëve të guximshëm me emrin ‘’ZOGNUSH PASHA‘’ i cili  ishte shqiptar. Në fillim ai kishte qenë i krishterë, porse më pas  kishte pranuar Islamin.

Në librat e historisë përmendet qëndrimi i Zognush Pashës, ku thuhet:  Ende pa e mbaruar Sulltan El-Fatihu pyetjen për mendimin e tij, Zognushi  ndryshoi pozitën në të cilën qe ulur, ngriti zërin me një turqishte të  përzier me theks të shqipes: “Assesi, nuk pajtohem me atë që tha Halil  Pasha! Ne nuk kemi ardhur këtu përveçse për të vdekur në rrugën e  Allahut e jo të kthehemi.” Kjo gjë shkaktoi gjurmë të thella në fytyrat e  të pranishmëve dhe për pak çaste mbretëroi një qetësi. Pastaj, vazhdoi  fjalët e tij duke thënë: “Me atë qe tha Halil Pasha dëshiron ta zbehë  entuziazmin dhe përkushtimin tuaj, mirëpo përpjekjet e tij rezultuan me  dështim dhe humbje. Me të vërtetë, ushtria e Aleksandërit të Maqedonisë,  e cila u nis prej Greqisë dhe përparoi drejt Indisë dhe nënshtroi  gjysmën e Azisë së madhe, nuk ishte më e madhe se ushtria jonë. Nëse ajo  ushtri pati mundësi t’i pushtojë gjithë ato toka të gjera, a nuk kanë  mundësi trupat tanë t’i kalojnë muret e këtij qyteti?! Halil Pasha  theksoi se shtetet perëndimore do të marshojnë drejt nesh dhe do të  hakmerren, mirëpo cilat janë ato shtete?! A janë ato shtetet latine, të  cilat janë të armiqësuara ndërmjet veti, apo mos vallë shtetet e detit  të mesëm, të cilat nuk kanë forcë përveç vjedhjes dhe piraterisë?! Në  qoftë se ato shtete do të donin t’i ndihmonin Bizantit, do ta bënin atë;  do të dërgonin ushtri dhe anije, por nëse Perëndimi pas çlirimit të  Kostandinopojës do të na luftojë, a do të qëndrojmë ne të palëvizshëm, a  nuk kemi ushtri që lufton dhe mbron nderin tonë?!

O udhëheqësi ynë, më pyete për mendimin tim, kështu që do t’i them ca  fjalë, duhet që zemrat tona të jenë si shkëmbi, duhet ta vazhdojmë  luftën pa u vërejtur tek ne plogështi dhe molisje. Kemi filluar një  çështje andaj duhet ta përfundojmë. Duhet t’i shtojmë sulmet në mënyrë  që të hapim vrima tek armiku, t’i shkatërrojmë ata me guxim. Nuk di  ndonjë zgjidhje tjetër pos kësaj dhe nuk kam mundësi te them diç tjetër  pos kësaj….”

Në fytyrën e Sulltanit dukeshin shenjat e gëzimit pas fjalimit të  Zognush Pashës. Pas kësaj ai iu drejtua komandantit Turhan duke e pyetur  për mendimin e tij, i cili u përgjigj me shpejtësi: “Me të vërtetë,  Zognush Pasha ka të drejtë dhe unë e mbështes mendimin e tij.” Pastaj,  pyeti dijetarët Ak Shemsud-Dinin dhe Kuranijun për mendimin e tyre,  ngaqë Sulltani kishte besim në ta dhe i pranonte mendimet e tyre. Që të  dy dijetarët thanë se e mbështesin mendimin e Zognush Pashës duke thënë:  “Duhet të vazhdohet lufta, me durim do të arrijmë tek fitorja.”

Entuziazmi u shfaq tek të pranishmit, Sulltani u gëzua dhe përgëzoi me  lutjet e dy dijetarëve për fitore, pastaj nuk mundi të përmbahej pa  thënë: “Cili nga paraardhësit e mi ka pasur një ushtri sikurse timen  sot?!”

Dijetarët mbështetën mendimin për vazhdimin e xhihadit/luftës në rrugën e  Allahut. Kjo gjë e gëzoi Sulltanin, kështu që ai u shpreh i mendimit se  sulmet duhet të vazhdonin derisa të çlirohet Kostandinopoja. Pas kësaj,  mbledhja përfundoi me sugjerimet e fundit të Sulltanit që sulmi i  përgjithshëm dhe hyrja në qytet po afrohej dhe se kjo gjë është e  pashmangshme dhe se urdhri do të vinte në kohë të përshtatshme dhe  ushtarët muslimanë duhej të përgatiteshin për këtë gjë.


Përktheu: Fitim Hasani.

Marrë nga libri : “Perandoria Osmane, elementet e ngritjes dhe shkaqet e rënies.”

Burimi: http://www.shembulli.com

http://www.islamifejaevertete.com

Must Read