BallinaAKIDEBidatiTë abuzosh me Mevludin

Të abuzosh me Mevludin

 

Ç’është mevludi ?

Mevlud në gjuhën arabe i thonë fëmijës së porsalindur. Mevlud gjithashtu është shprehje që nënkupton kohën e lindjes së njeriut apo vendlindjen. 

Nuk është gjë e re për ndonjë shqiptar në momentin që i thuhet kjo fjalë arabe, e shqipëruar mirë tashmë si nga kleri ashtu edhe nga masa, por që nënkupton një ceremoni fetare, tradicionale, e cila kryhet në bazë të një formule të përcaktuar, sipas një riti të përcaktuar, ku zakonisht këndohet, por edhe duke u recituar në formë poezie në raste të veçanta.

Që të japësh një gjykim për mevludin, nëse bën të festohet apo jo, është e thjeshtë për çdo teolog islam, por më e mira është t’ia lësh lexuesit të japë verdiktin e tij pasi të hedhë një sy mbi argumentet e fesë mbi mevludin.

Për të dhënë një përgjigje sa më të plotë na duhet të theksojmë, se feja është e ngritur mbi disa parime që quhen të panegociueshme, një prej tyre thotë: “Origjina e adhurimit duhet të ngrihet mbi argumentin, ose origjina në adhurim është privimi, ndalesa, derisa të vijë argumenti që e lejon; ndërsa në jetë (marrëdhëniet shoqërore, njerëzore) origjina është lejimi, derisa të vijë argumenti fetar që e ndalon.”

Rregulla e dytë: “Sajesat në fe janë të urryera edhe nëse janë të “hijshme”, apo janë kthyer në traditë.”

Nëse nuk do të ishin këto dy parime, atëherë në fe do të thoshte çdokush çfarë të donte. Feja është ruajtur deri më sot në bazë të këtyre rregullave të rrepta. Tashmë i mbetet atij që e bën këtë ceremoni fetare, të sjellë, të vërtetojë se ka argument fetar që e mbështet këtë “rit fetar”, sa edhe tradicional. Kur themi argument, kemi si qëllim atë argument që plotëson dy kritere: 1) të jetë autentik (i saktë), 2) të jetë sa më i qartë (shtjellues).

Në përgjithësi argumentuesit për këtë “rit” të mbushin me argumente. Mirëpo këto argumente do të jenë ose meudua (të shpikura nga njerëzit), munkere (të pabaza), ose daife xhiden (shumë joautentike, të dobëta), apo daife (joautentike, të dobëta). Asnjëra prej këtyre katër kategorive nuk përbën forcë për t’u argumentuar fetarisht.

Që të jemi të drejtë dhe shtjellues, mbështetësit e këtij “riti” kanë edhe argumente të sakta, të mirëqena fetare nga Libri i Shenjtë dhe Tradita Profetike, mirëpo të tilla argumente nuk e trajtojnë temën në fjalë, p.sh.: Allahu thotë në Kuran: “Ne ty ta kemi ngritur lart emrin, përmendjen” (Inshirah 1).

Padyshim që në mevlud përmendet shumë emri i Profetit alejhi salatu ue selam, atëherë përse të jetë problem festimi i këtij “riti”? Pjesa: “Ne e kemi ngritur lart përmendjen tënde…”, a ka si qëllim pikërisht mevludin? Nëse po, pse? Nëse jo, pse? Nëse themi “po”, unanimisht, padyshim që riti i mevludit nuk ka ekzistuar në kohën e zbritjes së Kuranit. Unanimisht, botërisht, dihet se Profeti nuk e ka kuptuar këtë ajet që të kishte si qëllim mevludin, se po ta kishte kuptuar kështu, do ta kishte festuar këtë “rit”. Nëse themi “jo”, arsyeja është se për adhurimet në Islam argumentet asnjëherë nuk janë të tepërta. Vetëm kështu do t’i presim rrugën çdo lloj abuzimi nëpërmjet këtij ajeti si p.sh.: ngritja lart e përmendjes së tij, duke bërë gjëra që nuk kanë bazë apo origjinë në fe, si ata që bëjnë koncerte artistike në nder të përkujtimit të tij. Ata argumentohen gjithashtu me ajetet e dashurisë për Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, urdhri për salavatet etj. Që të gjitha këto argumente janë të pafuqishme për të mbështetur një organizim të tillë, megjithëse fjalën përfundimtare le ta thotë lexuesi. Çdo kujt i lind natyrshëm e drejta të ngrejë pyetjen, se nëse ka rit fetar me emrin mevlud si pasojë e gjithë kësaj që thamë:

Si e ka festuar vetë Profeti mevludin e tij, gjithmonë nëse e ka festuar?

Përpara se të japim përgjigje duhet të themi se mevludi ka si qëllim në vetvete festimin e ditëlindjes së Profetit. Përpara kësaj ne duhet të pyesim veten, se: A njihet në Islam festimi i kësaj “feste fetare”?!… A lejohet që njeriu për çdo vit ta festojë ditëlindjen e tij? Përgjigjja ёshtё “Jo”, se ne muslimanët kemi dy festa, atëherë pse të lejohet që t’ia festojmë Profetit tonë ditëlindjen? Nuk ka asnjë transmetim të saktë nëse vetë Profeti të ketë bërë mevlud, jo vetëm kaq, por as nuk mund të ndodhte kjo për disa arsye:

1) Teksti i mevludit është i mbushur me shumë fraza që bien ndesh me fenë.

2) Në të ka disa lëvdata që Profetit i japin atributet e Zotit.

3) Nuk ka qenë traditë e tij të dallohej nga shokët, të cilët nuk i festonin ditëlindjet e tyre.

4) Nuk donte të dallohej nga profetët e tjerë. Po të festonte të tijën, do ta kishte festuar edhe të profetëve të tjerë.

5) Ai ishte tepër modest dhe i ndalonte njerëzit ta lavdëronin apo ta dallonin nga shoqëria.

6) Në këtë rit ka elemente pagane.

7) Në këtë rit ka shumë bidate, sajesa.

Çdo teolog i mirëfilltë e ndesh këtë në ritualin e mevludit, flas për këtë që bëhet në trojet tona, se ka edhe më keq se trojet tona, por gjithashtu ka edhe më lehtë, edhe më mirë. Natyrshëm lind pyetja tjetër.

Si e kanë festuar sahabët pas vdekjes?

Zoti në Kuran thotë: “Na jepni argumentin, nëse jeni të sinqertë”. Normalisht, çdo hulumtues sado modest që mund të jetë e vërteton këtë fakt, sepse po të kishte do të ishte i shkruar. Nëse do të thuhet se Profeti, alejhi salatu ue selam, nuk do t’ia lejonte vetes, që në sy të tij të thureshin vargje lavdëruese, atëherë përse ai nuk i orientoi shokët e tij, që pas vdekjes së tij ta bëjnë këtë? Përse nuk e bënë as shokët e tij këtë gjë? As shokët e tij, as pasuesit e tyre, deri ne vitin 450 h, çka do të thotë që nëntë breza radhazi, nuk është festuar mevludi . Për këtë të parët që e festuan në historinë e Islamit ishin  “Fatimijët”,  të cilët atë kohë patën nën sundim Egjiptin. Ishin ata që i mallkonin sahabët haptazi, e kur populli filloi t’i urrente, shpikën mevludin. Por jo vetëm kaq, neve duhet të dimë se sulltan Salahuhdin Ejubi, çliruesi i Kudsit nga Kryqtarët pasi mbaroi punë dhe çliroi Palestinën, filloi një fushatë të re çlirimesh, që i nisi me shpartallimin e shtetit Fatimij, që ishin edhe shpikësit e mevludit si “rit fetar”. Vallë umeti deri në vitet 450 ka qenë në humbje derisa erdhën këta njerëz për ta bërë për herë të parë. Mos vallë këta e deshën Profetin më shumë se Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Aishja etj. Vallë këta e deshën Profetin më shumë se Ebu Hanifja, imam Shafiu, Maliku e Ahmed bin Hanbeli. Vallë këta e deshën më fort Profetin, se katër medhhebet që e dënuan si “sajesë”,  risi, bidat mevludin. Vallë këta të gjithë dhe të tjerë kolosë të dijes e shtylla të hulumtimit të jenë në humbje deri në periudhën 450 h, kur festohet për herë të parë ky “rit”. Këtë po ia lëmë lexuesit ta gjykojë. Festimi i këtij “riti” lindi, si ide e disa njerëzve për të mbuluar djallëzitë dhe pabesitë e tyre, dhe që fenë ta kthenin në monopol për të manipuluar masat dhe për të mbuluar abuzimet që kishin bërë .

Po, a ka nevojë Profeti, paqja dhe lavdërimi qofshin për të, që ne t’i këndojmë mevlud?

Feja islame është e fe e punës, seriozitetit, emancipimit, studimit dhe hulumtimit, jo e abuzimit me darka e dreka, e këngëve dhe valleve, e hallvës, sherbetit dhe hasudes sa që janë kthyer ne pjesë të pamohueshme të fesë. Allahu e thotë bukur në Kuran në suren Ali Imran: “Thuaju Muhamed: Nëse e doni Allahun, pasomëni mua (profetin), që t’ju dojë Allahu dhe t’ju falë mëkatet. Allahu është shumë Mëshirues dhe Falës.” Profeti sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Unë ju kam lënë dy gjëra, nëse do t’u qëndroni besnikë, kurrë nuk do të humbni, ato janë: Libri i Shenjtë dhe Tradita ime.”

Pastaj mos harroni, se Profeti ynë nuk ka nevojë për asgjë, ai vete si individ Zoti i ka garantuar gradën më të lartë në këtë botë dhe tjetrën. A nuk mjafton të themi, se njeriu nuk do të futet në xhenet pa plotësuar pjesën e dytë të shehadetit: “Muhamed Resulullah”. A nuk mjafton për të, se Zoti ka urdhëruar të përmendet shumë herë në ditë gjatë pesë kohëve të faljes? Nuk mjafton për të, që Zoti i dha Kuranin? Nuk mjafton për të, që Zoti e bëri vulën e profetëve? Nuk mjafton për të, që Zoti i dhuroi Isranë dhe Miraxhin? Nuk mjafton për të, që Zoti i dha Keutherin? Nuk mjafton për të, që Zoti i dha rezervuarin “Hauz”? Nuk mjafton për të, që Zoti i dha shefatin, ndërmjetësimin? Nuk mjafton për të, që Zoti i dha “Mekami Mahmudin”, gradën më të lartë të dhuruar për njerëzit?

Me çfarë mund ta zëvendësojmë, që të kënaqet Allahu dhe Profeti?

Natyrisht ka shumë llogore për të punuar, për të fituar kënaqësinë e Allahut e të Dërguarit të Tij. Ta duash Allahun mbi gjithçka, duke zbatuar ligjet e vëna prej tij; të duash Profetin mbi gjithçka dhe si pasojë të zbatojmë orientimet e vëna prej tij; të jesh korrekt me urdhëresat, detyrimet, farzet; të jesh korrekt me sunetet, pa i lënë pas dore, qofshin ato sunete namazi, agjërimi, dhikri, teube, morali…; të kesh Profetin shembullin tënd të vetëm, jo vetëm në adhurim, por në gjithçka, dhe në sjelljen, edukatën e mishërimin e së mirës, butësisë, mëshirës, faljes, tolerancës, si dhe dëshirën për të ndryshuar të keqen. Normalisht pas këtij hulumtimi modest, lexuesi le të japë vendimin e tij për këtë “rit fetar”, që tashmë është bërë traditë, por me të cilin po abuzohet. Nëse mevludi, sipas atyre që e kremtojnë, është thjeshtë festimi i ditëlindjes së Profetit, pra, ai duhet të jetë në një datë të caktuar, dhe me kaq mbyllet çdo gjë. Atëherë çdo të thonë për atë që quhet “hëna e mevludit”? Atëherë çdo të thonë për atë që mevludi bëhet në çdo kohë dhe vend? Atëherë çdo të thonë për atë që e ka nxjerrë nga origjina e tij? Atëherë çdo të thonë për ata që bëjnë mevlud kur blejnë shtëpinë e re, ose kur futen në shtëpinë e re? Atëherë çfarë do të thonë për atë që bëjnë mevlud kur vdes dikush, apo për të shtatat, dyzetat, gjashtë muajt, përvjetorin e të vdekurit? “Festohet ditëlindja e profetit”, pse ai vdiq apo pse mbushi vitin? Atëherë çdo të thonë për atë që festojnë kur fëmija bëhet synet? Atëherë çdo të thonë për atë që festojnë kur vjen emigranti nga mërgimi? Atëherë çdo të thonë për atë që e kanë kthyer si koncert këngësh dhe vallesh? Të mençurit, nga mesi i atyre që e festojnë mevludin, besoj se janë të ndërgjegjshëm, se me atë po abuzohet tepër. Nuk e di a ndan edhe lexuesi i nderuar të njëjtin mendim me mua!?


Burimi: www.albislam.com

www.islamifejaevertete.com


Must Read