BallinaPraktikaRamazaniPesë gjëra që të largojnë nga mëkatimi ndaj Allahut (bisedë e një...

Pesë gjëra që të largojnë nga mëkatimi ndaj Allahut (bisedë e një asketi me një mëkatar)

Pesë gjëra që të largojnë nga mëkatimi ndaj Allahut

(bisedë e një asketi me një mëkatar)


Një njeri shkoi tek Ibrahim ibën Ed`hemi Allahu e mëshiroftë-, i cili vërtet ishte nga shëruesit e zemrave, dhe iu drejtua:

 

Njeriu: Me të vërtetë unë e kam ngarkuar veten së tepërmi me mëkate. Më trego çka më pengon dhe largon nga mëkatet?

 

Ibrahimi: Nëse i përmbahesh pesë gjërave, kurrsesi nuk do të jesh prej mëkatarëve.

 

Ishte tepër i pasionuar për të dëgjuar këshillën e tij.

 

Njeriu:  Më trego ç`ke për të më thënë, o Ibrahim?! 

 

Ibrahimi: Kur dëshiron t`i mëkatosh Allahut, mos ha asgjë nga rriskut i Tij!

 

Njeriu i habitur, pyeti:

 

Njeriu:  Si po thua kështu, o Ibrahim, kur të gjitha furnizimet janë prej Allahut?!

 

Ibrahimi: Ndonëse ti po e di këtë, Ai prapë po ta mundëson të hash prej rriskut të Tij, kurse ti po ia kthen me mëkat.

 

Njeriu: Jo, o Ibrahim, tregoma të dytin!

 

Ibrahimi: Kur dëshiron t`i mëkatosh Allahut, atëherë mos bano në tokën e Tij.

 

Njeriu u habit edhe më shumë se më parë.

 

Njeriu: Si po thua kështu, o Ibrahim! E tërë toka është pronë e Allahut.

 

Ibrahimi: Ndonëse ti po e di këtë, Ai prapë po ta mundëson që të banosh në tokën e Tij, kurse ti po ia kthen me mëkat.  

 

Njeriu: Jo, o Ibrahim,  tregoma të tretin!

 

Ibrahimi: Kur dëshiron t`i mëkatosh Allahut, atëherë gjeje një vend ku nuk do të të shihte Allahu, e aty mëkatoji.

 

Njeriu: Si po thua kështu, o Ibrahim! Ai është më i Dituri  për fshehtësitë (di të dukshmen dhe të padukshmen), i dëgjon rrapëllimat e buburrecit në gurin e zi e në natën e errët.

 

Ibrahimi:  Ndonëse ti po e di këtë, vallë a të nxitë diçka që ta kundërshtosh?!

 

Njeriu: Jo, o Ibrahim, tregoma të katërtin!

 

Ibrahimi: Kur të vijë Meleku i Vdekjes, për të ta marrë shpirtin, thuaji: “Ma shtyj afatin e exhelit.”

 

Njeriu: Si po thua kështu, o Ibrahim! Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo popull ka afatin e vet. Kur t`i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (Araf: 34)

 

Ibrahimi: Kur po e di këtë, si po e shpreson shpëtimin?!

 

Njeriu: Po, tregoma të pestin, o Ibrahim!

 

Ibrahimi: Kur të të vijnë zebaninjtë –të cilët janë  melekët e Xhehenemit-  për të  të futur në Xhehenem, mos shko me ta!

 

Njeriu me t`i dëgjuar këto pesë këshilla, tha duke qarë: “Mjafton, o Ibrahim!” Unë po i kërkoj falje Allahut dhe te Ai po pendohem.

Ai iu qas ibadetit derisa u largua nga kjo dynja.

  

Përkthyen nga arabishtja:

Jeton dhe Burim KOÇINAJ

 

Burimi: http://www.islamifejaevertete.com/

Must Read