BallinaPraktikaFikhuAdhurimi jonë gjatë dimrit

Adhurimi jonë gjatë dimrit

 

Adhurimi jonë gjatë dimrit


Jemi në dimër dhe moti ndryshon, ndërsa ne sërish duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt mëshirës dhe xhenetit të Allahut, duke e adhuruar Atë, të Vetmin me sinqeritet dhe në formën si na ka mësuar i Dërguari i Tij, salAllahu alejhi ue selem. Një gjë të tillë kemi mundësi ta bëjmë shumë lehtë gjatë dimrit, për shkak të kohës së lirë që mund ta gjejmë në këto ditë. Meqë gjurmët e adhurimit ndaj Allahut vërehen në çdo gjë dhe ato gjëra ndryshojnë nga vera në dimër, atëherë le t’i mësojmë çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me ibadetin tonë ndaj Allahut gjatë dimrit…

Rreth pastërtisë dhe abdesit

Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe nga qielli zbritëm ujë të pastër”. Imam Begaviu sqaron: “I pastër në vete dhe pastrues për tjetrin”, d.m.th., nuk ka asnjë pengesë që të merret abdes me atë ujë, qoftë shi apo borë. Marrja e abdesit në këtë gjendje ka edhe shpërblimin e dalluar, Resulullahu, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “…dhe tri gjëra që shlyejnë mëkatet – ku mes tjerash përmendi – përkryerja e abdesit kur bën ftohtë”. Ta përkryejmë abdesin jemi të urdhëruar ndërsa në raste dimri dhe vështirësie shpërblimi shtohet. T’i lash të gjitha pjesët e abdesit mirë e mirë, madje t’i lash më shumë sesa je i detyruar, kjo quhet përkryerje e abdesit. Me këtë rast dua të përmend tre çështje:

a. Gjatë ditëve të ftohta, disa njerëz lëre që nuk përkryejnë abdesin, ata madje nuk i lajnë as ato që janë të domosdoshme, saqë bëjnë vetëm fërkimin e pjesëve me duar të lagura. Kjo nuk lejohet në asnjë mënyrë, madje mund të quhet edhe prej prishësve të abdesit. Disa të tjerë nuk i ngrenë mëngët deri mbi bërryla, që t’i lajnë krahët me gjithë bërryla, edhe kjo është haram dhe në këtë mënyrë abdesi nuk është i vlefshëm.

b. Disa njerëz ngurrojnë të ngrohin ujin për abdes, ndërsa për këtë gjë nuk kanë asnjë argument nge Feja. Megjithëse ka hadithe që lëvdojnë përkryerjen e abdesit gjatë vështirësive dhe të ftohtit, dijetari El Ubej thotë: “Ngrohja e ujit për abdes, që pastaj të kryhet me lehtësi adhurimi, nuk pengon arritjen e atyre shpërblimeve”.

c. Disa njerëz ngurrojnë të fshijnë ujin e abdesit nëpër gjymtyrë, duke menduar se do bëjnë gjynah, por kjo nuk ka bazë, përkundrazi është vërtetuar se Resulullahu, salAllahu alejhi ue selem, kishte një pëlhurë me të cilën thante gjymtyrët pas abdesit.

Gjatë dimrit gjithashtu shtohen shirat dhe lloçi, të cilat shpesh i përlyejnë rrobat dhe një gjë e tillë mund të jetë problem për dikë, por atyre u themi: Nuk ka nevojë t’i lash ato rroba që janë përlyer me lagështi apo copa lloçi, sepse ai është i pastër, si dhe është vërtetuar nga një numër i madh tabiinësh, se ata zhyteshin në shi e lloç dhe pastaj hynin në xhami. E njëjta gjë vlen edhe nëse ndonjë pikë lagështie bie në rroba dhe njeriu nuk e di: a është e pastër apo jo? Ai nuk detyrohet të pyesë se çfarë është, sepse kjo gjë vetëm se ia shton vesvesen atij. Përveç nëse ka bindje se në të ka ndyrësi, atëherë detyrohet ta lajë pjesën e përlyer.

Tejemumi

Ai që nuk gjen ujë apo nuk ka mundësi ta përdorë atë për shkak të largësisë apo të ftohtit të madh dhe nuk ka mundësi ta ngrohë, atëherë i lejohet të merr tejemum dhe të falet, duke mos e përsëritur namazin pasi të gjejë ujin.

Tejemumi merret duke prekur tokën një herë me të dy duart dhe duke e fërkuar fytyrën dhe pastaj duart. Në thelb duart duhet të prekin dheun, nëse jo, atëherë mundet edhe gurin, zallin dhe të ngjashme.

Mes’hu (fërkimi) mbi këpucë apo çorape

Prej lehtësimeve fetare është se në vend që të lahen këmbët gjatë abdesit, të mjaftohemi vetëm me fërkimin e këpucëve, mesteve apo çorapeve. Ibën Dekik el-Idi thotë: “Te dijetarët e sheriatit është i njohur lejimi për mes’hun mbi këpucë, madje ajo është bërë simbol i Ehli Sunetit, ndërsa mohimi i kësaj është bërë simbol i shiave”. Dijetari Muhamed Xhemaludin Kasimi i tuboi hadithet që flasin për mes’hun mbi çorape në një libër që e quajti “Mes’hu mbi çorape”.

Rreth mes’hut mbi meste, këpucë apo çorape duhet të dimë:

– Çorapet dihet çfarë janë, gjithçka pra, që vishet në këmbë dhe nuk është prej lëkure, pavarësisht janë të holla apo të trasha quhet çorap. Mbi të gjitha këto lejohet të jepet mes’h. Nëse janë të shqyera gjithashtu lejohet të jepet mes’h mbi to, përveç nëse janë të shqyera aq shumë, saqë nuk mund të quhen çorape dhe nuk mund të ecet me to, atëherë nuk lejohet. Pjesë-pjesë ishin të shqyera edhe këpucët e muhaxhirëve dhe ensarëve, për shkak të varfërisë që kishin, e sikur shqyerja të ishte pengesë për mes’hun, këtë do t’ua bënte të qartë i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem.

– Çorapet, mestet apo këpucët mbi të cilat vlen të merret mes’h janë ato, të cilat vishen duke pasur abdes.

– Kohëzgjatja e mes’hut për vendasin është një ditë e një natë ndërsa për udhëtarin tre ditë e tri net. Numërimi i kohëzgjatjes fillon që nga mes’hu (fërkimi) i parë.

– Zbathja e çorapeve, mesteve apo këpucëve nuk e prish abdesin, por e humb të drejtën e fërkimit të sërishëm të tyre. Gjithashtu abdesin nuk e prish edhe mbarimi i kohëzgjatjes së mes’hut.

Ezani

Në një ditë me shi, Ibën Abasi, radijAllahu anhuma, i kishte thënë muezinit: pasi të thërrasësh: “ue eshhedu enne muhammeden resulullah – dhe dëshmoj se Muhamedi është i dërguar i Allahut” mos thërrit “hajj ales salah – ejani në namaz”, por thërrit: “sal’lu fi bujutikum – faluni në shtëpitë tuaja”. Një veprim i tillë nuk u pëlqeu njerëzve, ndërsa ai tha: Kështu ka vepruar ai që ishte më i mirë se unë…” ; gjithashtu Ibën Omeri, në një natë të ftohtë në Daxhnan thërriti ezanin, pastaj tha: Faluni aty ku jeni, dhe na lajmëroi se i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, gjatë netëve të ftohta dhe ato me shi, në udhëtim, urdhëronte një muezin të thërriste ezanin, i cili në fund do të shtonte: Faluni aty ku jeni.

Nga këto hadithe mësojmë lehtësimin e jo-pranisë në namazin me xhemat me arsye. Kurtubiu ka thënë: “Shihet qartë se lejohet të mos jesh i pranishëm në xhemat, për shkak të vështirësisë së shiut, erës, të ftohtit dhe të ngjashmeve që shkaktojnë vështirësi, qoftë kur je vendas apo në udhëtim”.

Mësojmë se në vend të fjalisë: “Hajje ales salah” duhet thënë: “Sal’lu fi rihalikum”, por nëse nuk e thotë, nuk prish gjë. Të falesh në shtëpi apo aty ku je në këso rastesh është e lejuar dhe jo detyrim (vaxhib), prandaj nëse dikush shkon që të falet me xhemat në këso rastesh, ai nuk ka bërë asnjë gabim, përkundrazi ai shpërblehet për këtë. Por edhe ai që nuk shkon në xhami nuk ka bërë gabim, sepse ka shfrytëzuar një nga lehtësimet e kësaj Feje.

Namazi

– Bashkimi i namazeve

Ibën Abasi ka thënë: “Resulullahu, salAllahu alejhi ue selem, fali të bashkuara drekën dhe iqindinë, si dhe akshamin me jacinë pa pasur shi apo ndonjë frikë. E pyetën: Pse veproi ashtu? Që të mos ia vështirësojë Umetit – u përgjigj ai”.

Abdullah b. Shekiku rrëfen: Një ditë pas iqindisë Abdullah b. Abasi na ligjëroi derisa perëndoi dielli dhe filluan të shihen yjet. Njerëzit tregonin shqetësim: Namazi! Namazi! Pastaj, iu afrua një njeri nga fisi Beni Temim dhe i tha: Namazin! Namazin! Ibën Abasi ia ktheu: Mjerë nëna që të ka, ti dëshiron t’ma mësosh Sunetin?! E kam parë të Dërguarin, salAllahu alejhi ue selem, bashkoi drekën me iqindinë dhe akshamin me jacinë.  Abdullah b. Shekiku shtoi: Nuk isha i qetë në shpirt, ndaj shkova ta pyes për këtë Ebu Hurejren dhe ai e vërtetoi të njëjtin veprim.

Duke u bazuar në këtë hadith Imam Shafiu arsyeton bashkimin e drekës me iqindinë dhe akshamin me jacinë me xhemat në rast shiu, por edhe bore. Imam Maliku dhe Imam Ahmedi e lejojnë këtë për aksham dhe jaci, por jo edhe për drekë dhe iqindi. Në këtë çështje më i rreptë është Imam Ebu Hanife, i cili nuk e lejon bashkimin e namazeve në asnjë mënyrë. Por mendimi më i saktë është ai që është në pajtim me fjalët e Ibën Abasit. Allahu e di më së miri.

Gjatë këtij bashkimi të namazeve duhet thirrur një ezan dhe pastaj për secilin namaz nga një ikamet.

Ndërsa sunetet e këtyre namazeve duhen falur pas faljes së farzeve tërësisht. P.sh.: Thirret ezani për kohën e akshamit, pastaj ikameti, falet farzi i akshamit, pastaj thirret ikameti për jacinë, falet farzi i jacisë e pastaj falen sunetet e akshamit, sunetet e jacisë dhe namazi i vitrit, edhe pse akoma s’ka hyrë koha e jacisë.

Dispozita të tjera rreth namazit

– mbulimi i gojës dhe mbulimi i duarve gjatë namazit.

I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka ndaluar mbulimin e duarve gjatë namazit dhe mbulimin e gojës.  Këto gjëra mund të ndodhin më shpesh gjatë dimrit, duke mbështjellë gojën me shall, ose duke hedhur një batanije mbi shpatulla, me të cilat do t’i mbulojë edhe duart. Ndaj po tërheqim vërejtjen duke treguar se këto veprime janë të ndaluara, përveç në raste kur i ftohti është i padurueshëm.

– mbajtja e dorezave.

Disa mendojnë se mbajtja e dorezave është sikurse mbulimi i duarve me batanije dhe kështu e ndalojnë edhe mbajtjen e dorezave, por kjo nuk është e vërtetë. Pra, mbajtja e dorezave nuk prish punë.

– falja e namazit përballë zjarrit.

Gjatë ditëve të dimrit shtohet përdorimi i aparateve të nxehjes të ndryshme dhe shpeshherë ato janë në drejtim të kibles dhe shkëlqejnë para syve të falësve kur ata falen. Kjo gjë nuk lejohet, sepse është përngjasim me adhuruesit e zjarrit, ndërsa i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i ngjan një populli, ai është prej tyre”. Gjithashtu ka ndaluar që falësi të jetë përballë gjithçkaje, që do t’ia prishte përqendrimin dhe përuljen gjatë namazit.

– falja e namazit në veturë apo autobus nga frika e dëmtimit.

Ibën Kudame në librin “el-Mugni” ka thënë: “Nëse dëmtohet nga të bërit sexhde, ose nuk dëshiron t’i përlyejë duart dhe rrobat në baltë dhe lagështi, atëherë mund të falet mbi kafshën e tij dhe bën shenjë për sexhden”. Ibën Tejmije ka thënë: “Të falësh namazin farz i hipur mbi kafshë nga frika se do t’i ikin bashkudhëtarët, apo nga frika se do të dëmtohet nëse zbret, është veprim i saktë”.

Xhamitë

– ndërprerja e safeve për shkak të aparateve të nxehjes

Albani duke folur për çështjen e namazit mes shtyllave dhe këputjes së safeve ka thënë: E ngjashme me shtyllat është edhe vendosja e aparateve nxehëse nëpër disa xhami në atë mënyrë që i ndërpresin safet. Ky është një gabim që ndoshta nuk e vëren, as imami, as ndonjëri prej falësve. Kjo ndodh sepse shumë njerëz nuk i dinë ligjet e Fesë, por edhe për shkak se pak njerëzve u intereson nëse bëjnë gabim apo jo.

– poterja për shkak të (jo)bashkimit të namazeve

Kjo ndodh shpesh dhe në shumë xhami, saqë thuhen shumë fjalë të pahijshme dhe bëhet potere e hatashme, me shumë injorancë dhe me pak dije. Njëri thotë: Të bashkuara duhet t’i falim! Jo, ende nuk duhet – ia kthen tjetri. Ndërsa i treti e ndihmon të dytin, i katërti të parin e kështu me radhë. Që kjo mesele të jetë e qartë, po përkujtojmë dy gjëra:

a. imami i xhamisë është i ngarkuari që merr vendimin dhe ai mban përgjegjësinë e atij vendimi mes tij dhe Zotit. I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Imami është garanci, nëse vepron mirë ka shpërblim ai dhe ata, e nëse gabon, ai mban përgjegjësinë, ndërsa ata kanë shpërblim”. Kush i bindet vendimit të imamit është më mirë, por ai që nuk pajtohet le të falet me imamin me nijet për namaz vullnetar dhe pastaj le të shkojë i qetë dhe pa bërë asnjë potere.

b. xhamitë kanë pozitën, nderin dhe karizmin e tyre, ndaj nuk lejohet të nëpërkëmben ato. Omeri, radijAllahu anhu, i kishte parë dy njerëz në xhami dhe i kishte thirrur për t’i pyetur: Prej nga jeni ju? Nga Taifi – u përgjigjën. Sikur të ishit nga Medina do t’ju kisha rrahur, si mund të ngrini zërin në xhaminë e Resulullahut, salAllahu alejhi ue selem?

Disa lutje

– Duaja me rastin e erës

Allahumme inni es`eluke hajreha ue hajre ma fiha, ue hajre ma ursilet bihi, ue eudhu bike min sherriha ue sherri ma fiha, ue sherri ma ursilet bihi. – O Zot, kërkoj nga Ti të mirën e saj, të mirën që del prej saj, të mirën që është dërguar me të, më mbro prej të keqes së saj, të keqes që del prej saj dhe prej të keqes që është dërguar me të.

– Duaja kur murmuron (bubullin)

Subhanel ledhi jusebbihur ra’du bi hamdihi uel melaiketu min hifetihi – I Lartmadhëruar qoftë Ai, që e madhëron murmurima (bubullima), me falënderimin e Tij, e edhe melaiket (e madhërojnë) prej frikës ndaj Tij.

– Duatë për kërkimin e shiut apo borës (ISTISKA)

Allahumme eskina gajthen mugithen, merien meri’an, nafian gajre darr, axhilen gajre axhil. – O Zot, të lutem na lësho shi ndihmues, të lehtë dhe frytdhënës, të dobishëm e jo të dëmshëm, të menjëhershëm e jo të vonuar.

 – Duaja kur bie shi apo borë

Allahumme sajjiben nafian – O Zot, kërkoj shi të madh, të dobishëm. 

– Duaja pasi bie shi apo borë

Mutirna bi fadlilahi ue rahmetihi – U furnizuam me shi nga mirësia dhe mëshira e Allahut. 

– Duaja kundër vërshimit

Allahumme havalejna la alejna. Allahumme alel akami uedh dhirabi, ue butunil eudijeti, ue menabitish shexher. – O Zot, rreth nesh e jo mbi ne. O Zot, ktheje kodrave dhe kodrinave, luginave dhe pyjeve.

(Shumica e mësimeve në këtë shkrim janë të përfituara nga libri “Ahkamu Shita fi Sunetil Mutahhere” të dijetarit Ali b. Hasen Halebit. Këtu i kam sjellë në formë të shkurtuar dhe me ca shtesa të dobishme.)


Përgatiti: Omer Berisha – Burimi: www.albislam.com

www.islamifejaevertete.com


Must Read