BallinaPraktikaFikhuFetva dhe udhëzime rreth stines së dimrit

Fetva dhe udhëzime rreth stines së dimrit

 

 

Pyetje 1:

A e ka përmendur Allahu në Kuran, apo Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, dimrin, apo diçka në lidhje me dimrin?


Përgjigje:

Edhe pse në shumë vise e sidomos tek ne dallojmë katër stine gjatë vitit pranverën, verën, vjeshtën dhe dimrin, te pleqtë hasim se vitin e kanë ndarë në dimër dhe verë. E njëjta gjë ka ndodhur tek arabët. Allahu në suren Kurejsh i përmend të dy stinët, dimrin dhe verën: “Për hir të garantimit që gëzojnë kurejshitët! Garantimin e udhëtimit të tyre të lirë dimrit dhe verës!”, që nënkuptohet se pranvera dhe vera janë një periudhë dhe vjeshta me dimrin janë një periudhë tjetër, kështu që reshjet, si shiu, bora, breshëri etj., që përmenden në tekstet Kuranore dhe në hadith kanë të bëjnë me stinën e dimrit.

Me këtë gjë dua të bëj një vërejtje, se kemi hasur tek të vjetrit tanë, se fillimin e periudhës dimërore e kanë quajtur Shmitër (Shën Mitër), ndërsa atë verore Shën Gjergj, e këtë të fundit edhe e kanë festuar nëpërmjet manifestimeve të ndryshme, po edhe me disa besëtytni. Dua që t’ua tërheq vërejtjen për këto vepra të injorancës dhe nuk i takon muslimanit, që t’i emërtojë kohët apo vendet me emra të mushrikëve.


Pyetje 2:

Çfarë mund të na përmendni nga ato tekste në lidhje me dimrin?


Përgjigje:

Allahu i madhëruar ka përmendur në Kuran në suren Rad (murmurima-bubullima) murmurimën dhe se ajo e madhëron Zotin Fuqiplotë. Ka përmendur edhe rrufenë dhe vetëtimën: “Ndërkaq, murmurima e madhëron(Zotin një) me falënderimin (që i takon) e Tij, (e madhërojnë) edhe engjëjt nga droja ndaj Tij. E Ai dërgon rrufetë dhe me ato godet kë të dojë. Ndërsa idhujtarët polemizojnë rreth Allahut, e Ai është ndëshkues i rreptë.” Shkaku i zbritjes së këtij ajeti ka qenë se një njeri nga paria e mushrikëve ka polemizuar dhe i ka thënë Pejgamberit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te: Kush është Zoti yt tek i cili po më ftoni ju? A është prej hekuri? Apo mos është prej bakri? Prej argjendi? Apo ari? -Në këtë çast Allahu i dërgoi rrufetë dhe ia dogji atij kokën.

Ibën Abasi rrëfen se një ditë kanë ardhur disa çifutë tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, dhe e kanë pyetur: O Ebu Kasim, na trego për murmurimën, çfarë është ajo? Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, iu tha: “Ajo është engjëll që është i angazhuar me retë, me vete ka zjarr dhe i çon me to retë nga të dojë”. Ata pyetën: Çfarë është ky zë që ne e dëgjojmë? “Qortimi  i resë, derisa arrin atje ku e kanë urdhëruar” – u përgjigj. Ata thanë: Të vërtetën e the. (Silsile Sahiha nr. 1872)

Po ashtu Allahu ka përmendur shiun dhe breshrin në suren Nur, ajeti 43: “A nuk e ke parë se si Allahu i drejton retë, pastaj i bashkon, i bën grumbull ato edhe atëherë e sheh shiun se si rrjedh prej tyre. Ai lëshon prej së larti, nga retë e mëdha si kodra breshër dhe me te godit këdo, e ia largon atij që do. Shkëlqimi i vetëtimës së resë gati sa s’ta merr shikimin”.

Nga tekstet ku përmendet dimri kemi edhe hadithin që përcjell Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre nga Ebu Hurejre, Allahut qoftë i kënaqur me te, se Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, ka thënë: “Zjarri iu ankua Allahut duke i thënë: “O Zot, jam duke u ngrënë ndër vete (po zihem me veten)”. Atëherë Allahu i lejoi që ta lirojë veten dy herë në vit, njërën në verë e tjetrin në dimër. Prandaj nxehtësinë më të madhe që e ndjeni në verë është shfryrje (frymënxjerrje) e zjarrit të xhehenemit, kurse të ftohtin e madh që e ndjeni në dimër është nga shfryrja (frymënxjerrja) e të ftohtit të xhehenemit”.

Po ashtu në ndryshimin e klimës ka edhe urtësi për ata që meditojnë. Njëri nga selefët ka thënë: Çdo herë që e kam parë borën duke rënë kam kujtuar fletushkat në Ditën e Kijametit.


Pyetje 3:

Shpeshherë dëgjojmë nga njerëzit kur vjen stina e dimrit të shprehin fjalë që aludojnë në mosdashjen e kësaj stine, si për shembull: “I kisha dhënë shtatë dimra për një verë” dhe fjalë të ngjashme si kjo. Çfarë do të na thoni rreth kësaj shprehje, sa është me vend të shprehim kësi fjalësh?


Përgjigje:

Këto shprehje nuk duhet të dalin nga gojët e besimtarëve, se çdo gjë që e ka krijuar Allahu ngërthen në vete urtësi dhe mësime për ata që mendojnë. Megjithatë, këto shprehje dalin më shpesh nga skamnorët për mungesat që ndjejnë në stinën e dimrit të mjeteve materiale, si për ngrohje, rroba e kështu me radhë. Kur kthehemi te fjalët e të parëve tanë, vërejmë se ata nga këndvështrimi i tyre për këtë stinë janë gëzuar.

Omer b. Hatabi, Allahut qoftë i kënaqur me te, ka thënë: “Dimri është si pre për adhuruesit e Allahut”.

Abdullah b. Mesudi ka thënë: “Mirë se të vijë dimri. Në të zbret bereqeti, në të zgjatet nata për namaz nate, shkurtohet dita për agjërim”.

Hasan Basriu ka thënë: “Sa kohë e mirë është dimri për besimtarin, netët i ka të gjata për t’u falur natën dhe ditët i ka të shkurtra për të agjëruar”.


Pyetje 4:

Bora a është e pastër dhe a mund të merret abdes me borë?


Përgjigje:

Çdo reshje nga qielli është e pastër dhe mund të përdoret për abdes. Allahu i Madhëruar ka thënë: “…dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër”Furkan 48. Ky ujë nga qielli bien në tokë në disa forma varësisht nga klima. Nëse është më ngrohtë bien si shi e nëse është më ftohtë bien, si breshër apo si borë. Të gjitha këto janë të pastra dhe pastruese.


Pyetje 5:

Meqë dimri është stinë e ftohtë dhe bën acar sidomos në viset tona, a ka lehtësime për besimtarët në zbatimin e dispozitave fetare?


Përgjigje:

Allahu i Madhëruar e ka zbritur këtë fe me lehtësime dhe tolerancë.Allahu i Madhëruar na thotë: “…Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” Bekare 185. Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, ka thënë: “Me të vërtetë kjo fe është e lehtë”. Po ashtu ka thënë: “Unë jam dërguar me fenë e pastër (pa shirk) dhe tolerante”. Po ashtu ka thënë: “Me të vërtetë Allahu dëshiron t’i pranoni lehtësimet e Tij, ashtu siç dëshiron t’i praktikoni detyrimet e Tij”.

Prej lehtësimeve që i ofrohen besimtarit në këtë stinë është mes’hi mbi meste, apo çorape që e mbulojnë këmbën deri mbi zogun e këmbës. Lehtësimi tjetër është se besimtarët në kohë me reshje, apo të ftohtë i madh, apo fryn erë e fortë dhe ngjashëm me to, iu lejohet atyre t’i bashkojnë namazet, drekën më iqindinë dhe akshamin me jacinë.


Pyetje 6:

Në këtë stinë bën ftohtë dhe ndonjëherë shkakton te besimtarët të ndeshen me disa ndalesa fetare. Çfarë duhet të ketë parasysh besimtari që mos të bjerë në kundërshtim me ndalesat e Fesë.


Përgjigje:

Nga vërejtjet që kemi për besimtarët në këtë stinë është së pari, gjatë marrjes së abdesit. Nuk duhen bërë lëshime në larjen e gjymtyrëve, por ato duhen larë mirë dhe me kujdes. Disa nga besimtarët mbajnë shalle dhe i mbyllin gojët e tyre që t’i mbrojnë nga të ftohti, mirëpo kur të falen ata duhet t’i zbulojnë gojët e tyre, se Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, e ka ndaluar të mbështillet goja gjatë namazit. Po ashtu gjatë faljes nuk duhet të drejtohemi nga zjarri, apo aparateve nxehëse, që përngjajnë me zjarrin, sepse Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, e ka ndaluar të falemi në drejtim të zjarrit.

Vërejtja tjetër është se Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, na e ka tërhequr vërejtjen nga zjarri, që mos ta lëmë të ndezur gjatë natës, se mund të ketë pasoja të rrezikshme. Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, ka thënë: “Me të vërtetë zjarri është armiku juaj, prandaj kur të flini, fikeni!”.


Ali Shabani – www.albislam.com

www.islamifejaevertete.com


Must Read