BallinaAKTUALEAnalizaAnëtarësimi në partitë politike, kandidimi për poste, kërkimi i detyrave drejtuese ose...

Anëtarësimi në partitë politike, kandidimi për poste, kërkimi i detyrave drejtuese ose posteve në varësinë e zullumqarave, si dhe përfshirja e muslimanit në garën për pushtet

 

Anëtarësimi në partitë politike, kandidimi për poste, kërkimi i detyrave drejtuese ose posteve në varësinë e zullumqarave, si dhe përfshirja e muslimanit në garën për pushtet


Shkruar nga Ismail Bardhoshi

 

Bismilahi rrahmani rrahim.


El hamdulilah, vessalatu vesselamu ala resulilahi!


Pjesë të shkëputura nga libri “Dispozitat e marrëdhënieve ndërmjet muslimanëve dhe kafirave”.


Hadithet që kërcënojnë ata që kërkojnë poste apo që kanë poste në mbrojte apo shërbim të zullumqarëve…
Mbajtja ose marrja e një detyre drejtuese nën sundimin e një kafiri është haram, përderisa veprimet në kundërshtim me ligjet e Sheriatit janë të pashmangshme apo përderisa detyra është në mbrojtje, ndihmë, mbështetje apo shërbim të zullumqarit. Argument për këtë fakt janë të gjitha tekstet e parapërmendura të cilat i ndalojnë veprimet në kundërshtim me ligjet e Sheriatit, tekste këto të cilat u përmendën më përpara hollësisht. Në mënyrë të veçantë si argument tjetër për këtë ndalim vlejnë edhe tekstet e Sheriatit që ndalojnë të ndihmohet një prijës zullumqarë në zullum. Ja disa tekste: 
– Ebu Saidi dhe Ebu Hurejra tregojnë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Do t’u vijnë prijësa që afrojnë njerëzit më të këqinj dhe e vonojnë namazin nga koha e vet. Kush e arrin kohën e tyre të mos bëhet kujdestar, as epror (ushtarak ose policor) , as taksambledhës, as arkëtar”. Shënon: Ibn Hibani. Hadithi është i mirë.
– Ebu Hurejra gjithashtu rrëfen se Pejgamberi ka thënë: “Mjer për kryetarët, mjerë për kujdestarët, mjerë për përgjegjësat . Disa njerëz në Ditën e Gjykimit do të dëshirojnë (që në dynja) të kishin qenë të varur me gërshetat e tyre në plejadën ‘thurejja’ e kështu të tundeshin ndërmjet qiellit dhe tokës dhe të mos kishin marrë përsipër asnjë funksion ”. Shënojnë Ibn Hibani dhe Hakimi. Albani thotë se hadithi është i saktë. Sipas një trasmetim tjetër të Hakimit përmendet se Pejgamberi ka thënë: “Do të dëshirojë ndonjë burrë të ishte hedhur nga thurreja dhe të mos kishte marrë asnjë detyrë që ka të bëjë me drejtimin e punëve të njerëzve”.
– Ebu Hurejra thotë: Pejgamberi ka thënë: “Kush bëhet beduin, i ndryshon sjellja dhe bëhet i ashpër; kush merret me gjueti, bëhet i pavëmendshëm dhe kush shkon tek dyert e sultanit, sprovohet . Sa më shumë të afrohet robi tek sultani aq më shumë largohet nga Allahu ”. Shënon Ahmedi.
– Xhabir Ibn Abdilah thotë: “Pejgamberi i tha Ka’b Ibn Uxhres: “Të ruajt Allahu nga udhëheqja e mendjelehtëve”. Ç’është udhëheqja e mendjelehtëve? – e pyeti Ka’bi. Pejgamberi iu përgjigj: “Janë disa prijësa që vijnë pas meje, të cilët nuk ndjekin udhën time dhe nuk punojnë me sunetin tim. Ata që i besojnë gënjeshtrat e tyre dhe i ndihmojnë për të bërë padrejtësi, nuk janë në rrugën time dhe unë nuk kam lidhje me ta dhe të tillë njerëz nuk do të vijnë tek unë kur ndodhem pranë haudit tim. Ndërsa ata që nuk i besojnë gënjeshtrat e tyre e nuk i ndihmojnë për të bërë padrejtësi, këta janë prej meje dhe unë jam prej tyre dhe të tillë njerëz do të paraqiten tek unë, kur të jemë pranë heudit tim, për tu dhënë të pinë prej tij. Shënon Ahmedi. Albani thotë se hadithi është i saktë. 
– Ebu Umame tregon se ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Në kohën e fundit do të ketë eprorë (ushtrie dhe policie) të cilët gdhihen me zemërim nga Allahu dhe ngrysen me zemërim nga Allahu. Ki kujdes të mos jeshë prej rrethit të tyre të ngushtë”. Shënojnë Ahmed dhe Taberaniu. Sipas variantit të Ahmedit thuhet kështu: “Do të ketë në këtë ymet në kohën e fundit burra që mbajnë me vete rripa si bishtat e lopëve. Këta burra gdhihen me zemërim nga Allahu dhe ngrysen me zemërim nga Ai”. Albani thotë se hadithi është i saktë.
– Uthman Ibn Ebil Ass tregon se Pejgamberi ka thënë: “Hapen dyert e qiellit në gjysmën e natës dhe një thirrës thotë: A ka kush lutet, t’i pranohet lutja? A ka kush kërkon, t’i jepet ajo që e kërkon? A ka të pikëlluar, t’i hiqet pikëllimi? Nuk mbetet asnjë musliman që bën ndonjë lutje veçse Allahu i Lartësuar ia pranon lutjen, me përjashtim të lavires që shet nderin për të siguruar të ardhura, ose taksambledhësit”. Shënojnë Ahmedi dhe Taberaniu. Albani thotë se hadithi është i saktë. 
– Ebul Hajër thotë: “Mesleme Ibn Muhlid i cili në atë kohë ishte guvernator i Egjiptit i propozon Rruvejfi Ibn Thabitit të merrte detyrën e mbledhjes së një të dhjetës si tatim, por Rruvejfi i thotë: “Kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Taksambledhësi do të jetë në zjarr”. Shënon Ahmedi. Sipas Albanit hadithi është i saktë.


Postet drejtuese dhe nijeti i keq 
Në përgjithë njerëzit që mbajnë detyra drejtuese nën pushtetin e zullumqarëve kanë nijet të keq. Është shumë e rrallë që njeriu në ambjente të tilla të ketë nijet të mirë. Për këtë arsye nuk lejohet të nxiten njerëzit për të qëndruar në detyra të tilla, ndërsa përjashtimi duhet të bëhet vetëm për ata që janë në këto detyra kur pranojnë islamin apo kur kapen për fenë, por me mjaft kujdes. 
Situata është akoma më e keqe kur nxiten të marrin poste e detyra të tilla njerëz që janë jashtë këtyre ambjenteve, se përderisa muslimanët që i mbajnë këto poste, kryesisht, kanë nijet të keq, atëherë ç’mund të thuhet për ata që kërkojnë t’i marrin në të njëjtat kushte!? Këtu në rastin e dytë nuk mund të bëhet fare përjashtim. Ibn Tejmije në lidhje me nijetin në gjëra të tilla, thotë: “Por kryesisht në gjëra të tilla ose nijeti i njeriut është i keq ose puna e tij është e korruptuar dhe e keqe. Nijeti i keq qëndron në pasjen si qëllim pushtetin dhe pasurinë, ndërsa korrupsioni në punë qëndron në veprimin e harameve dhe lënien e detyrave, jo për shkak se bien ndesh me njëra-tjetrën e s’mund të kryhen të gjitha dhe as me synimin për të bërë më të dobishmen dhe më të mirën”. Muslimani i mençur nuk mund ti besojë aq kollaj atij që kërkon post dhe në të njëjtën kohë pretendon nijet të mirë! Parimi moral, që del nga hadithi, thotë: Detyra drejtuese nuk i jepet atij që e kërkon.
Kërkimi i postit nuk lejohet qoftë edhe nën varësinë e qeveritarëve muslimanë të drejtë, sepse në përgjithësi ai që e kërkon, ka qëllim jo të mirë, atëherë ç’mund të thuhet për atë që kërkon post a detyrë drejtuese nën varësinë e zullumqarëve dhe kafirave, ose punësim në punë që kanë të bëjnë me zbatimin e urdhërave që bien ndesh me ligjet e Islamit! Po përmend disa argumente që e ndalojnë kërkimin e postit: 
– Abdurrahman Ibn Semure thotë: Pejgamberi më tha: “O Abdurrahman Ibn Semure! Mos kërko të bëhesh drejtues, sepse nëse detyra drejtuese të jepet pa e kërkuar, do të jepet ndihmë për përmbushjes e saj me sukses, e nëse të jepët mbasi e ke kërkuar, nuk të jepet ndihmë”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
Pra, nëse njeriu hipën në post mbasi e ka kërkuar, nuk do të ketë ndihmë nga Allahu, kështu që nuk do të ketë sukses.
– Ebu Hurejra thotë: Pejgamberi thotë: “Kush merr përsipër postin e gjykatësit, ose bëhet gjykatës mes njerëzve, ai me të vërtetë është therur pa thikë”. Trasmeton: Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Sipas Albanit hadithi është i saktë. Me therjen e vetes nënkuptohet shkatërrimi i saj, që do të thotë se njeriu shkatërron veten me marrjen e postit të gjyqtarit. Togu ‘pa thikë’ tregon se nuk është qëllimi prerja e venave të gjakut e cila kryhet kryesisht me thikë, por shkatërrimi i vetvetes me ndëshkimin e ahiretit. Ibn Salahu ka thënë se ‘therja’ është përdorur si shprehje figurative, me kuptimin që gjykatësi merr: ose dënimin e dynjasë nëse gjykon drejt, ose dënimin e ahiretit nëse korruptohet, prishet e gjykon padrejtësisht. Kështu që hadithi paralajmëron për ndëshkim ata që kërkojnë poste të tillë, por edhe ata që i marrin përsipër duke mos qenë të aftë, ose duke mos patur besim e siguri në vetvete se do të gjykojnë me drejtësi.
– Burejde rrëfen se Pejgamberi ka thënë: “Gjykatësit ndahen në tre lloje: njëri është në xhenet dhe dy janë në zjarr. Në xhenet do të jetë gjykatësi që e njeh të vërtetën dhe gjykon me të. Ndërsa dy të tjerët janë: gjykatësi që e njeh të vërtetën, por devijon duke dhënë gjykim të padrejtë, e ky do të jetë në zjarr, dhe gjykatësi që gjykon mes njerëzve me padituri, i cili gjithashtu do të jetë në zjarr”. Shënojnë Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe. Sipas Albanit hadithi është i saktë. Ky hadith dëshmon se nga zjarri shpëton veçse gjykatësi që e njeh të vërtetën dhe gjykon me të. Ndërsa ai që nuk e njeh të vërtetën dhe nuk punon me të do të jetë në zjarr. Po ashtu edhe ai që gjykon me padrejtësi. Nga kuptimi i derjtëpërdrejtë i hadithit kuptohet se ai që gjykon pa dije edhe sikur të rastësisë të vërtetën, do të jetë në zjarr, sepse hadithi nuk bën kufizim, por përfshin atë që i del gjykimi i saktë dhe atë që i del i pasaktë, meqënëse gjykojnë pa dituri.
– Auf Ibn Malik trasmeton se Pejgamberi ka thënë: “A dëshironi t’ju lajmëroj se ç’është prijësia?” Thirra me sa zë kisha: Ç’është ajo o Pejgamberi i Allahut? Ai tha: “Fillimi i saj është qortim, mesi i saj është pendim dhe fundi i saj është dënim në Ditën e Gjykimit, përveç atij që mban drejtësi”. Shënojnë Bezari dhe Taberaniu. Sipas Albanit hadithi është i mirë. Ata që ekspozohen për të marrë poste, kryesisht janë pa eksperiencë dhe pa përvojë. Dëshira për arritjen e kënaqësive të karrierës i shtyn ta kërkojnë me zellshmëri, por mbasi marrin detyrën dhe bëhen me përgjegjësi për pasojat e saj, e ndjejnë se çfarë përfundimi të rëndë ka dhe kështu pendohen që e kanë marrë përsipër. Ndërsa në Ahiret përfundimi i tyre do të jetë akoma më i keq. Përjashtim bëjnë vetëm ata që mbajnë drejtësi. 
– Ebu Umame transmeton se Pejgamberi ka thënë: “Nuk ka person që ka marrë përsipër të udhëheqë dhjetë veta e më shumë përveçse do të vijë me duar të lidhura në qafë, në ditën e gjykimit, kur njerëzit të paraqiten para Allahut, pastaj do ta zgjidhë drejtësia dhe mirësia që ka bërë, ose do ta mbajë të lidhur mëkati. Ndaj fillimi i prijësisë është qortim, mesi i saj është pendim dhe fundi i saj është poshtërim në ditën e gjykimit”. Trasmeton: Ahmedi. Sipas Albanit hadithi është i saktë. Hadithi do të thotë se mirëbërja dhe drejtësia bëhet shkak për t’u liruar nga prangat, kurse mëkati dhe padrejtësia bëhen shkak për të mbetur i lidhur në pranga.
– Ebu Dherri tregon: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! A nuk po më jep ndonjë detyrë? Ai më ra me dorë në sup (në shenjë keqardhje), e pastaj tha: “O Ebu Dherr! Ti je i dobët, prijësia është amanet dhe vërtetë ajo në ditën e gjykimit është poshtërim dhe dëshpërim, përveç për atë që e merr me të drejtë (duke qenë i aftë e i denjë për të) dhe kryen detyrimet që ka kundrejt saj”. Shënon Muslimi. Ky hadithë është një bazë e madhe që dëshmon për largimin nga postet sidomos për atë që ka dobësi në kryerjen e kërkesave të postit që ka marrë përsipër. Poshtërimi dhe dëshpërimi do të prekin atë që nuk ka qenë i aftë për funksione të tilla, ose ka qenë i aftë, por nuk ka gjykuar drejt dhe nuk ka vendosur drejtësi. Këta do t’i poshtërojë Allahu në ditën e gjykimit, dhe ata do të dëshpërohen shumë për gjërat që i kanë lënë pas dore. Ndërsa ai që ka qenë i aftë dhe ka mbajtur drejtësi, do të ketë shpërblim të madh në ditën e gjykimit siç tregojnë shumë hadithe të sakta. Megjithëkëtë për shkak të rrezikshmërisë së madhe që ka posti, Pejgamberi i tërhoqi vëmendjen Ebu Dherrit të largohet prej tij. Po kështu edhe shumë dijetarë të ymetit ruheshin prej tij. Ata kanë këshilluar për të mos iu afruar postit. Shumë të parë e kanë refuzuar postin, sidomos atë të kadiut dhe kanë bërë durim, megjithëse janë lënduar për shkak se nuk kanë pranuar poste të tilla. [Sherhu sahih Muslim]
– Ebu Hurejra trasmeton se Pejgamberi ka thënë: “Ju do të lakmoni kryesinë (udhëheqjen, qeverisjen), por ajo do të jetë dëshpërim në Ditën e Kijametit. Sa gjidhënëse e mirë është prijësia dhe sa ndarëse e keqe (nga gjidhënia) është ajo”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith tregon se nefsi i njeriut e do postin, meqë nëpërmjet tij arrin kënaqësinë e dynjasë dhe meqë i dëgjohet fjala dhe respektohen nga njerëzit. Hadithi e krahason periudhën e qëndrimit të njeriut në post me periudhën e gjidhënies së fëmijës, kurse ndarjen prej postit me ndarjen e fëmijës nga gjidhënia. Gjatë periudhës së qëndrimit në post njeriu ka pozitë, i dëgjohet fjala, arrin të pasurohet dhe të përjetojë kënaqësi të ndryshme, gjëra këto që e bëjnë me qejf nefsin dhe i plotësojnë dëshirat, por kur e ndan prej postit vdekja ose ndonjë shkak tjetër, njeriu hidhërohet, brengoset, ndjen hidhëti, sepse nëse ndahet në të gjallë nga posti, i ndërpriten kënaqësitë që i jepte, e nëse e ndan prej tij vdekja, do të ndeshet me pasojat e postit në ahiret.


Gabimi i atyre që i nxisin muslimanët të kërkojnë punë drejtuese, të antarësohen në partitë politike dhe të kandidojnë për poste


Këto argumente nxjerrin në pah gabimin e rëndë, madje krimin që bëjnë ata të cilët i nxisin muslimanët të kërkojnë punë drejtëuese të cilat janë në varësi të zullumqarëve ose kafirave, të kandidojnë për marrjen e posteve, të anëtarësohen në partitë politike, të punësohen në gjykata, të punësohen në strukturat e policisë dhe ushtrisë në kushtet kur mbrojnë zullumqarët ose zbatojnë urdhërat e tyre të padrejta. Përderisa nuk lejohet të kërkohen detyrat drejtuese nën hijen e një prijësi të drejtë, atëherë si mund të lejohet kërkimi i tyre nën varësinë e zullumqarëve dhe kafirave! Përderisa nuk ka sukses një njeri që kërkon post nën hijen e një prijësi të drejtë, atëherë ç’mund të thuhet për atë që e kërkon postin nën hijen e një zullumqari! Arsyeja e ndalimit të kërkimit të postit qëndron në faktin se ata që kërkojnë poste në përgjithësi kanë dobësi nefsi, kërkojnë të plotësojnë dëshirat e tyre, edhe pse nuk e ndiejnë apo nuk e shprehin diçka të tillë, ose nuk janë të aftë për kryerjen e detyrës, sepse njerëzit e aftë e dinë se çfarë përgjegjësie dhe pasojash ka detyra drejtuese, dhe prandaj nuk e kërkojnë atë. Kjo është arsyeja pse parimisht në Sheriatin tonë nuk u jepen detyrat drejtuese atyre që i kërkojnë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ne nuk ia japim detyrën drejtuese atij që e kërkon dhe as atij që interesohet për të”. Shënon Buhariu. Në sistemin islam nuk është e drejtë e çdo individi të kërkojë detyra drejtuese sikurse në sistemet e tjera. S’ka dyshim që kjo arsye është akoma më e fortë për ndalimin e kërkimi të postit nën varësinë e zullumqarëve. Synimi i Sheriatit është që ti mbajë njerëzit larg varësisë ndaj zullumqarëve dhe larg postit, sepse janë të dobët dhe mund të korruptohen. Ky synim (maksad) kuptohet shumë qartë nga tesktet e mësipërme. Kështu që ata të cilët i nxisin muslimanët të marrin poste drejtuese nën varësine e zullumqarëve dhe kafirave, bëjnë krejt të kundërtën e synimit të Sheriatit. Nëse parimi dhe synimi i Sheriatit është që të ruhet feja e njerëzve dhe të pastrohen shpirtat e tyre, nxitja e muslimanëve për të marrë poste, për kandidim dhe për antarësim në përtitë politike shndërron në parim dhe synim të kundërtën, duke vënë në rrezik fenë e muslimanëve dhe duke stimuluar korruptimin e shpirtrave të tyre dhe largimin e tyre nga ibadeti ndaj Allahut. Qëndrimi në detyrën drejtuese nën varësinë e një zullumqari është një përjashtim që duhet të bëhet me shumë kujdes, ndërsa nxitja për marrjen e posteve, e shndërron këtë gjë në parim. Ky argumentim hedh poshtë dhe pretendimin se nxitja për këtë gjë bëhet për arrijten e dobive dhe shmangien e dëmeve, sepse synimet e Sheriati e hedhin poshtë këtë pretendim dhe tregojnë se dobit nuk mund të arrihen në këtë mënyrë dhe se dëmet nuk nuk mund të shmangen në këtë mënyrë. Ose thënë ndryshe: kjo metodë, kjo nxitje nuk i pakëson dëmet dhe nuk i shton të mirat, madje mund të shkaktojë të kundërtën. Kjo nxitje sjell dëme jo vetëm për njerëzit që nxiten, por mbase edhe për komunitetin e muslimanëve. Sipas metodës së Pejgamberëve dhe në mënyrë të veçantë të Pejgamberit tonë gjërat në këtë lëmi duhet të lihen te kenë një ecuri dhe rrjedhim të natyrshëm dhe parimor. Që do të thotë se thirrësat në vend që të nxisin muslimanët të hyjnë në vende e ambjente të tilla ku mund të korruptohen, duhet t’u bëjnë thirrje njerëzve që janë me poste, që janë në partitë pilitike, në polici e ushtri, por pa dallim nga te tjerët, që të bëhen muslimanë apo të praktikojnë Islamin. Këta që janë të devotshëm nuk duhet t’i nxisim të korruptohen e të prishen, por duhet të punojmë për të shpëtuar nga kufri, prishje dhe korruptimi ata që janë në ambjentet e këqija. Kështu vepron një thirrës rrabanij. Nëse dikush prej atyre që kanë një detyrë drejtuese pranon islamin apo kapet për fenë, këtu mund të lindë mundësia e përjashtimit me një kujdes e vëmendje shumë të madhe sipas asaj që u sqarua më lart. Në këtë mënyrë zhvillohen gjërat natyrshëm, pa sforcim, pa shtije, në përputhje me parimet që ndoqët të dërguarit e Zotit, që nga Jusufi e deri te i Dërguari ynë Pejgamberi a.s. Kështu, përqëndrimi duhet të jetë në thirrjen në Islamë të njerëzve të posteve, të partive, të rendit dhe ushtrisë e jo në nxitjen muslimanëve të devotshëm të hyjnë aty ku rrezikojnë të prishen.


Po Jusufi a e kërkoi detyrën?
Është e vërtetë që Jusufi e kërkoi detyrën e ministrit, por pasi kishte dhënë prova se nuk korruptohej dhe pasi ia afroi këtë mundësi mbreti, duke i thënë: “Qysh sot, ti ke pozitë të lartë dhe je i besuar.” Jusufi a.s. shkoi në burg për shkak se nuk pranoi të bënte gjynahun, ndërsa njerëzit e kohës sonë në përgjithësi janë të dobët, kështu që mund të prishen, mund të korruptohen. Për këtë aryse argumentet e mësipërme e ndalojnë kërkimin e postit, sepse kryesisht kërkuesit e postit janë ose të paaftë ose të pabesuar dhe të korruptueshëm. Kështu, tregimi i Jusufit nuk është argument për lejimin e kërkimit të posteve dhe punëve drejtuese nën varësinë e zullumqarëve, për antarësimin në partëtitë politke dhe për kandidimin për poste. Ata që e sjellin si argument për gjëra të tilla gabohen.


Posti e korrupton zemrën e njeriut përveç nëse e mëshiron Allahu
Këtu mund bëhet dhe një pyetje tjetër: Nijeti dhe dëshirat e këqija hyjnë dhe në gjërat e tjera, si: kërkimi i dijes, thirrja, xhihadi, atëherë ku qëndron arsyeja për ndalimin e kërkimit dhe interesimit për marrjen e postit ndërkohë që nijeti i keq dhe dëshira e ligë hyjnë dhe në gjërat e tjera? 
Përgjigja mund të jepet në dy aspekte: I pari: Argumentet e ndalojnë kërkimin e postit dhe mbështetjen e zullumqarëve, dhe nga ana tjetër nxisin për kërkimin e dijes, dave dhe punë të mira, kështu që këto nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën. I dyti: Arsyeja e ndryshimit qëndron në faktin se posti, pasuria, fama, prestigji dhe kënaqësitë e dynjasë në përgjithësi i prishin njerëzit përveç atyre që i mëshiron Allahu siç mësohet dhe nga hadithet e mësipërme, kurse dija e saktë, thirrja sipas metodës së Pejgamberit dhe xhihadi e pastrojnë njeriun nga nijeti dhe dëshirat e këqija, pra ato ndikojnë për pastrimin dhe përmirësimin e njeriut sikurse dëshmojnë shumë argumente. Mjafton të përmendim këtu faktin që Zoti e ka quajtur Kuranin shërim, këshillë, dritë, gjallëri dhe shpirtë. Në hadithin që sjell Buhariu nga Ebu Musa Pejgamberi a.s. e krahason dijen dhe udhëzimin me të cilin e dërgoi Allahu me reshjet e shiut të cilat gjallërojnë tokën. Surja el Asër tregon për dobinë e madhe që ka thirrja. Në suren Ali Imran përmendet ndikimi i madh që pati xhihadi në luftën e uhudit për pastrimin e zemrave të sahabëve. Atëherë, si mund të trajtohen këto njësoj!


Dy ekstremet në lidhje me postet drejtuese
Në lidhej më këtë çështje hasim dy ekstreme: Në njërin ekstrem qëndrojnë ata të cilat i quajnë vendimet dhe veprimet e gjykatësve, qeveritarëve dhe drejtuesve në rastin në fjalë kufër i madh apo shirk i madh, madje kafirë, pa marrë parasyshë shkoqitjen e ehli sunetit në lidhje me gjykatësin musliman apo drejtuesin musliman që kryen veprime a merr vendime në kundërshtim me ligjet e Sheriatit. Në ekstremin tjetër qëndrojnë ata të cilët i nxisin muslimanët të kërkojnë poste, të kandidojnë për poste, të antarësohen në partitë politike dhe të hyjnë në gjykata, polici dhe ushtri. Këto janë dy fryma që i nxit shejtani në të gjitha gjërat. Për shejtanin këto janë si dy kafshë që nuk e ka problem se cilës i hipën për t’i futur njerëzit në rrugën e tij. Po ti lexosh me paanshmëri zhvillimet e dekadave të fundit në botën islame, nuk e ke aq të lehtë të dallosh se cila prej këtyre dy rrymave ekstreme ka sjellë më shumë dëme për ymetin.


Po a janë kafira ata që antarësohen në partitë politike laike?
Ndërkohë që theksoj faktin se antarësimi në partitë politike është haram, e shoh të nevojshme të tërheq vëmendjen se unë nuk pajtohem me idenë ekstreme që bën kafira ata muslimanë që antarësohen në partitë politike laike apo që e quan kufër të madh antarësimin në partite politike, pa bërë asnjëlloj shkoqitjeje. 
Nëse do të quhej kufër i madh, pa shkoqitje, antarësimi në partëtitë politike, atëherë i bie që të bëhet kufër i madh, madje që të bëhet kafir, çdo musliman që ka shtetësinë shqiptare, që merr shtetësinë (nënshtetësin) e këtij shteti apo që rregjistron fëmijët në këtë shtet, apo në ndonjë shtet tjetër laik! Pse? Sepse sipas atyre që, pa shkoqitje, e quajnë kufër të madh antarësimin në partitë politike laike, arsyeja (menat-i) i të qenit të këtij veprimi kufër i madh qëndron në faktin se ‘është antarësim në një grupim politik që ka një status që bie ndesh me ligjet e sheriatit’. Kjo arsye në fakt gjendet edhe tek shtetësia (antarësimi) në një shtet laik, edhe pse nuk e pranon ndonjë kokfortë, sepse të gjithë elementët e këtij arsyetimi janë të pranishëm: 
1- Shtetësi (antarësim, rregjistrin si shtetas, marrja e pasaportës, mjetit të identifikimi etj, s’ka rëndësi shumë emri, se realiteti është i njëjtë).
2- Kushtetuta e shtetit që është laike, që bie ndesh me sheriatin dhe që lejon dhe partitë laike dhe u mundëson atyre të qeverisin shtetasit e të ushtrojnë aktivitet politik.
3. Shteti është një organizatë politike apo një grupim politik që mbron interesat e shtetasve dhe që është antar në një grupimi tjetër politik më të madh që është OKB. Shteti në OKB është si partitë politike të rregjistruara brenda një shteti. 
Atëherë, nëse do të ishte vetëm kjo arsyeja (menat-i) për ta quajtur kufër të madh, pa marrë parasyshë bindjen dhe besimin e muslimanit, i bie që edhe shtetësia, marrja ose mbajtja e pasaportës së një shteti laik, të jetë kufër i madh, sepse arsyeja është e pranishme. Këtë e pranon çdo njeri që ka sadopak paanshmëri.


Po dikush mund të thotë: Nënshtetësia është e nevojshme, kurse antarësimi në partitë politike nuk është i nevojshëm?
Përgjigja: Po nëse nuk do ta kishte muslimani të nevojshme nështetësinë për të bërë një jetë normale a do të ishte kufër i madh apo jo? Pra, duhet të flasim njëherë për gjykimin e veprimit në vetvete, e pastaj të shohim nëse lejohet në rast nevoje apo jo. Kështu trajtohen gjërat sipas sheriatit. Nëse themi se shtetësia në shtetin laik dhe antarësimi në një parti laike është kufër i madh njësoj si përkatësia në një fe të kufrit apo mosdëlirja (berae) nga një fe e kufrit, ajo lejohet veçse në rastin kur njeriu është i detyruar me forcë (ikrah) apo në rast shtypje (istidafi) kur nuk bën dot hixhret nga ky vend laik, ndërsa kur mund të bësh hixhret apo të bësh jetën pa të, qoftë dhe me vështirësi, ajo nuk lejohet, dhe kush e mban nënshtetësinë apo e merr atë sipas kësaj logjike i bie të jetë kafir! 


Po cili është gjykimi i saktë atëherë? 
– Antarësimi i muslimanit në një grupim politik laik, qoftë shtet apo parti, është haram. Ky veprim quhet kufër vetëm në rastin kur muslimani përqafon, pëlqen ose lejon diçka që bie ndesh me Sheriatin, por në këtë rast kjo bindje kufrije nuk mund të mësohet veçse nga deklarimi i atij që antarësohet në një shtet laik apo parti laike. Ky veprim gjithashtu quhet kufër i madh dhe në rastin, kur përmban në mënyrë të pashmangshme përqafimin e bindjeve të kafirave apo pëlqimin e diçkaje që bie ndesh me Sheriatin, qoftë dhe nëse anëtari nuk e deklaron këtë gjë. Ndërsa, në rastin e Shqipërisë, përshembull, antarësimi i muslimanit në shtet apo në partitë politike nuk përmban në mënyrë të pashmangshme përqafimin e bindjeve të kafirave apo pëlqimin e diçkaje që bie ndesh me Sheriatin, pasi ka mundësi që muslimani të bëjë këtë veprim për qëllime dynjaje, kështu që quhet haram, dhe muslimani që bën një veprim të tillë nuk mund të quhet kafir perveçse kur deklaron përqafimin e bindjeve të kafirave apo pëlqimin a lejim e diçkaje që bie ndesh me Sheriatin. 
– Mbasi e morrëm vesh që, në parim, antarësimi në një grupim politik laik, organizatë politike laike, shtet laik, parti laike, është haram, mbi këtë bazë mund të bëjmë diskutimin nëse ka ndonjë rast që lejohet apo jo. Dihet që ka ndonjë haram që në kushte domosdoshmërie ose nevoje mund të lejohet. Po të shohim më vëmenjde, vërejme se muslimanët e Shqipërisë, nuk mund të bëjnë një jetë normale e pa vështirësi, pa shtetësinë shqiptare, pa rregjistrimin fëmijë në zyrat e gjendjeve civile, kështu që këto gjëra ju lejohen si përjashtim për shkak se i kanë të nevojshme ose të domosdoshme për një jetë normale. Por nga ana tjetër, muslimanët e këtij vendi mund ta bëjnë jetën normale dhe pa vështirësi, edhe pse nuk janë antarë partishë politike, kështu që kjo e fundit nuk është një domosdoshmëri. Jeta mund të bëhet në kushte normale pa qenë anëtarë partie. Kështu që në këto kushte antarësimi në partitë politike është haram, dhe gjynah, e nuk ka vend për përjashtim.
Po a ka pas diçka të ngjashme me shtetësinë, antarësimin në partitëtë politike dhe strehimin politik në kohën e Pejgamberit?
Në kohën e Pejgamberit a.s. fiset kishin rregulla e ligje me të cilet qeverisnin dhe mbronin anëtarët e tyre, por rregullonin edhe lidhjet me fisit e tjera. Pjesëtarët e fisit kishin të drejta dhe detyrime. Pjesëtarët e fiseve në kohën e xhahilijetit ishin njësoj si anëtarët e shteteve dhe të grupimeve politike në kohën tonë. Fiset në atë kohë merrnin individë në mbrojtje ose jepnin strehim, duke i trajtuar si një antarë i fisit, gjë e cila është njësoj si dhënia e strehimit politik apo nënshtetësisë nga shtetet laike të kohës sonë. 
– Pejgamberi qëndroi një kohë të gjatë si pjesëtarët i fisit Benu Hashim, ku i parë ishte Ebu Talibi. Në hadith, thuhet se Abasi i tha Pejgamberit: “A ke bërë ndonjë dobi për xhaxhain tënd, sepse ai të mbronte ty dhe të dilte krah me inat e fanatizëm”. 
– Pejgamberi kur ishte në Mekë ka kërkuar nga kryetarët e fiseve ta strehonin, ta mbronin dhe ta ndihmonin të përcillte mesazhin e Allahut. Ky fakt përmendet në disa hadithe të sakta.
– Pejgamberi shkoi në Taif dhe kërkoi strehim tek krerët e këtij vendi, por ata ia refuzuan kërkesën, sikurse shënon Buhariu.
– Disa shokë të Pejgamberit në fillimet e Islamit vazhdonin të qëndronin si pjestarë të fiseve të tyre dhe nën mbrojtjen e strehën e tyre. 
– Disa shokë të Pejgamberit gjatë periudhës së Mekës kanë hyrë në dorëzaninë, mbrojtjen apo strehimin politik të kryetarëve të fiseve idhujtare, siç është rasti i Ebu Bekrit i cili hyrnë në mbrojtjen e Ibn Degines. 
– Disa shokë të Pejgamberit shkuan dhe u strehuan tek shteti i Nexhashiut, në atë kohë një shtet i krishterë. 
Po ti shikojmë në thelb këto të dhëna që flasin për jetën politike të kohës së Pejgamberit dhe shokëve të tij vërejmë se:
– Pjesëtarët e fisevë në atë kohë ishin si shtetasit në kohën tonë. 
– Pjesmarrja në fiset e asaj kohe apo hyrja nën strehën e tyre, është si antarësimi në shtet apo strehimi politik në kohën tonë.
– Sistemi fisnor, por edhe shtetet e asaj kohe natyrisht kanë pasur ligje që bien ndesh me udhën e Pejgamberëve të Allahut.
– Pejgamberi dhe shokët e tij kanë qëndruar si pjesëtarë të fiseve të tyre apo të sistemit fisnorë në kushte domosdoshmërie, sepse nuk kishte shtet islam që do të mbronte interesat e tyre. Po në kushte domosdoshmërie ata kërkuan strehim tek kryetarët e fiseve, ose disa prej tyre hynë nën strehën e shtetit të krishterë në Abisini. Kjo marrëdhënie që kishte Pejgamberi dhe shokët e tij me jetën politike të asaj kohe, apo këto veprime që bëri Pejgamberi dhe shokët e tij për mbrojtjen e interesave të tyre, assesi s’mund të quhet kufër i madh, sepse po të ishte kufër i madh, ata kurrë nuk kishin për të pas marrëdhënie të tillë me sistemin fisnore apo me jetën politike; ata nuk e kanë vepruar kurrë kufrin dhe shirkun, edhe pse ndodheshin në kushte domosdoshmërie. Ashtu sikurse këto gjëra nuk janë trajtuar kufër i madh nga Pejgamberi dhe shokët e tij, po kështu edhe shtetësia dhe anëtarësia në kohën tonë nuk mund të quhen kufër i madh veçse në rastin e shkoqitur më sipër. 
Ndërkohë që Pejgamberi a.s. vazhdonte të qëndronte si një pjesëtar i fisit, i sistemit fisnor, e po kështu dhe mjaft prej shokëve të tij, ai ftonte në teuhidë, në fenë e pastër, fliste kundër idhujtarisë dhe idhujve, dënonte shirkun e madh, dhe nuk pranonte asnjëlloj kompromosi apo lëshimi në këtë drejtim. Dëshmitë për këtë fakt janë të qartë. Kjo do të thotë se të qenët anëtar fisi, shteti, organizate politike apo strehimi politik në një grupim a formacion, në kushte domosdoshmërie, nuk bie ndesh me teuhidin e pastër, nuk përbën shirk. Madje edhe kërkesa për strehim dhe nënshtetësi në një shtet laik kur është domosdoshme për thirrjen në rrugë të Allahut, në teuhid, nuk bie ndesh me teuhidin. Ky fakt është shumë i qartë.


Pyetje: Përderisa është kështu, atëherë përse nuk lejohet antarësimi në partitë politike?
Përgjigja: Ne e thamë më lart që anëtarësimi në shtet për muslimanët e Shqipërisë lejohet sepse është i domosdoshëm, kurse për antarësimin në partitë politike nuk ka asnjë domosdoshmëri, kështu që mbetet veçse haram. 


Pyetje: Po ka njerëz që thonë se ka domosdoshmëri? 
Përgjigja: Fakti që nuk ka domosdoshmëri për tu bërë pjesëtarë i partive politike është shumë i qartë, kështu që pretendimi se ka domosdoshmëri është thjesht një abuzim me rregullin e domosdoshmërisë, ashtu sikurse ka njerëz që abuzojnë dhe me ndonjë rregull tjetër të fesë.


Pyetje: Po përse të mos e e trajtojmë shtetësinë në shtetin laik dhe antarësimin në partitë politike laike njësoj si hyrjen në fenë e krishterë? Ç’ndryshim ka? Shteti ka një kushtetutë që bie ndesh me Sheriatin, edhe feja e krishterë ka gjëra që bien ndesh me fenë Islame, atëherë ç’ndryshim ka mes atij që bëhet pjesëtar i fesë së krishterë dhe atij që bëhet pjesëtar i një shteti laik apo një partie laike? 
Përgjigja: Pejgamberi ka qëndruar si një pjesëtar i një fisi, edhe pse ky fis kishte rregulla apo sistem që binte ndesh me udhën e Pejgamberëve në shumë gjëra. Shokët e Pejgamberi u strehuan në një shtet të krishterë. Në të njëjtën kohë Pejgamberi dhe shokët e tij deklaronin dëlirjen dhe distancimin nga fetë e kota dhe idhujtarie pa bërë asnjë kompromis. Kjo do të thotë se të qenët pjesëtar a anëtar i një shteti, fisi, sistemi politik fisnore, edhe pse kanë statute e rregullore që bien ndesh me islamin, nuk është njësoj si të bëhesh pjesëtar i një feje tjeter veç islamit, përveç nëse muslimani përqafon bindjet e kafirave apo pëlqen diçka që bie ndesh me Sheriatin. Atëherë, tjetër është kur muslimani bëhet pjesëtar i një shteti laik, ku ka shkoqitje, dhe tjetër është kur përqafon një fe tjetër, sepse në rastin e fundit bëhet menjëherë kafir pa diskutim.


Pyetje tjetër: Në rregull, që duhet të pranohet shkoqitja mbi ata që bëhen anëtarë partishë, por përse të mos e përhapim idenë që antarësimi në partitë laike është kufër dhe ata që antarësohen në këto parti janë kafira, me qëllim që të tmerrohen muslimanët dhe të ruhen nga ky gjynah!?
Përgjigja: Këtë prirje ekstreme në trajtimin e problemeve dhe në paralajmërimin e gjynahqarëve e çmontuan shokët e Pejgamberit. Pra, ajo bie ndesh me metodën e tyre. Nuk lejohet të bëhet kufër ajo që nuk është kufër apo të shpallen kafira ata që nuk janë të tillë, me qëllim që të ruhen të tjerët!! Çdo gjëje duhet ti jepet haku i saj. Problemet nuk zgjidhen as me teprim dhe as me neglixhim. Teprimi prodhon më shumë liberalizim, dhe lëshim të rregullave të fesë. Dikur murrxhiet u konsideruan si pjellë e havarixhëve. Ky është një fakt i njohur në kronologjinë e shfaqjes së sekteve të humbura. Shumë njerez mendojnë se ekstremi, të paktën, do të frenojë tolerimet, ose do t’i nxisë njerëzit që të heqin dorë prej tyre, por realiteti nuk është ky.


Politika e ligjshme sipas Sheriatit dhe politika e paligjshme


Politika ndahet në dy lloje: Politikë e ligjshme dhe politikë joislame (jo e ligjshme).
Politika e ligjshme është drejtimi dhe qeverisja e njerëzve sipas asaj që ka zbritur Allahu, sipas sunetit të Pejgamberit dhe rrugës së halifëve të drejtë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kapuni pas sunetit tim dhe rrugës së kalifëve të drejtë…”. Shënojnë Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Hadithi është i saktë. Këtë lloj politike disa dijetarë e quajnë “el ahkamus sultanije- normat ligjore të qeverisjes” ose “essijasetu sherije- politika sheriatike”. Ushtrimi i politikës sheriatike është një ndër detyrat më të mëdha, një ndër domosdoshmëritë. Ajo ka një pozitë shumë të lartë në fe dhe një rëndësi të madhe në jetën e muslimanëve. Shejh Islam Ibn Tejmije thotë: “Duhet të dihet se udhëheqja e njerëzve është një ndër detyrat fetare më të mëdha, madje mbarëvajtja e fesë nuk mund të bëhet pa të…”.
Por ushtrimi i politikës sheriatike duhet të bëhet sipas Sheriatit dhe në pëputhje me udhën e të parëve të ymetit. Gjithashtu duhet të kemi parasyshë se udhëzimi i njerëzve ka përparësi ndaj aktivitetit politik për qeverisjen e tyre. Aktiviteti politik pa udhëzim çon në falimentim. Një politikë e tillë është si tregtia pa kapital e cila përfundon në falimentim. 
Ndërsa politika e paligjshme (joislame) është qeverisja e njerëzve dhe drejtimi i punëve të tyre jo me ligjin e Sheriatit, por me një sistem tjetër kushdo qoftë emri, përmbajta dhe burimi i tij, duke mos marrë parasyshë kështu rregullat e Sheriatit. 
Përfshirja e masës së muslimanëve në rrymat politike bashkëkohore jo të ligjshme, hedhja e tyre në thellësitë e saj dhe angazhimi i tyre me vegimin e saj, duke menduar se kjo ndihmon Islamin dhe shmang kurthin e armiqve është thjesht një vegim, i cili sjell veçse dështim, humbje kohe dhe humbje energjishë. Po sikur të shfytëzoheshin këto kohë e energji për edukimin dhe mësimin e njerëzve, do të ishte më mirë dhe më e dobishme për ta. 
Ka ndryshim të madh mes udhëheqjes politike fetare të ligjshme e cila është detyrë e qartë, e bazuar në Sheriatin e Allahut, siç është udhëheqja që ushtroi Pejgamberi a.s. dhe halifët e drejtë, dhe mes fesë së politikës të bazuar në interesat personale, lojërat e pista dhe ndryshimet e befasishme të cilat nuk i vënë peshë Sheriatit të Allahut. Përfshirja në llojin e fundit të politikës për njerëzit e devotshëm është lodhje dhe mundim, për davetçijtë është angazhim pa dobi, për njerëzit e entuziazmuar mund të jetë dhe grackë, për masën devijim, për daven shkatërrim. Ndërkaq armiku e shfrytëzon këtë lloj politike për interesin e vet, për tradhëti dhe për justifikimin e veprimeve të veta, ndërsa shejtani e shfrytëzon për largimin e muslimanëve nga dija, puna dhe davja. Pikërisht këtë lloj politike ka për qëllim shejh Albani me thënien: “Nga politika është lënia e politikës”. Qëllimi i tij pra është politika bashkëkohore jo e ligjshme, e cila bazohet në synime dynjaje, interesa vetjake, lojëra të fshehta. Njerëzit e përfshirë në një politikë të tillë nuk respektojnë normat e fesë dhe as nuk kanë devocion. Atëherë, si mund të marrë pjesë në të një njeri i devotshëm! Përfshirja e politikanëve muslimanë në këtë lloj politike ka sjellë veçse thashetheme, humbje kohe dhe shpërdorim pasurie e energjie, pa përmedur këtu dhe shumë raste kur janë shfrytëzuar apo kur janë bërë lojë në duart e të tjerëve. 
Profesionistët e politikës, muslimanë dhe jomuslimanë, lindorë dhe perëndimorë, kanë deklaruar se ‘politika nuk ka as moral dhe as fe’. Gjërat që kurdisen pas shpine të cilat nuk i dinë njerëzit janë më të mëdha, më të rënda dhe më të shumta se ato që bëhen ashiqare. 
Disa thënie të politikanëve, dhe në veçanti perëndimorëve, janë dhe këto: “Kush diskuton për çështjet politike para se të bëhet dyzet vjeç, ai është budalla”, “Kush pretendon se di gjithçka ndodh në arenën politike, ai është i paditur’. 
Nëse do të konsiderohet e lejueshme hyrja në këtë lloj politike për grupimet islamike, gabimi i rëndë që kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë është zhytja në të me turma të paformuara, të pakalitura, pa qartësi në fe dhe as në punët e dynjasë. Po ta dinin këtë gjë, ata do ta kuptonin se ku qëndron shkaku i dështimit dhe tërheqjes së tyre. 


Nëse ka diçka prej kësaj politike që është hak, që sjell dobi të dukshme dhe të madhe dhe që nuk shkakton ndonjë dëm …një politikë kjo për të cilën mund të lindë nevoja në një vend të caktuar dhe në rrethana të caktuara, atëherë lejohet të ndërmerret, ashtu sikurse lejohet në rast domosdoshmërie ngrënia e mishit të derrit.


Dy fjalë në lidhje me pjesmarrjen e muslimanëve në votime:


Domosdoshmëritë jetike janë pesë: feja, jeta, mendja, pasuria dhe ruajta e nderit ose pasardhësve (nesl). Këto quhen ndryshe: interesa të domosdoshme.


Domosdoshmëritë ose interesat e domosdoshme ndahen në dy lloje: 
1- Interesat individuale, dhe këto janë pesë gjërat që u përmendën më lart. 
2- Interesat e domosdoshme të përgjithshme, me të cilat mbrohen interesat individuale të përmendura më lart, e këtu hynë ajo që quhet ‘el vilajatul amme’ (shteti apo organizmat politike për mbrotjen e interesave të domosdoshme). 


Nga ky sqarim kaq i thjeshtë arrijmë të kuptojmë se ekzistenca e shtetit apo organizmi politik është i domosdoshëm për mbrotjejen e pesë domosdoshmërive të përmendura më lart. Si rrjedhim, në mungesë të shtetit islam, muslimanët janë në marrëdhënie domosdoshmërie me shtetin ekzistues. Shteti ka në dorë liritë fetare, por edhe mbrojtjen e jetës dhe të pasurisë. Liritë fetare mund të ngushtohen, por edhe mund të pakësohen. Shteti ka në dorë edhe përhapjen e mjaft elementëve të idhujtarisë dhe ideve të kufrit ose luftimin e tyre. Pra, diskutimi mbi këtë interes të domosdoshëm që prek raportet e muslimanëve me qeverisjen është shumë i gjerë. Ndërsa çështja e sigurisë së jetës dhe interesat e pasurisë janë mjaftë të qarta, jo vetëm për muslimanët, por edhe për të tjerët.
Deri këtu atëherë arrijmë të kuptojmë qartë se pala që do të marrë qeverisjen ka të bëjë me interesat jetike të muslimanëve, sepse marrëdhëniet e muslimanëve të këtushëm me shtetin janë të pashmangshme. 


Por në lidhje me pjesmarrjen në votime duhet të sqaroj disa gjëra: 


Së pari, duke qenë se muslimanët janë në marrëdhënie domosdoshmërie me këtë shtet, atyre ju lejohet pjesmarrja në votime me dy kushte: 


1- Të mos jenë njësoj palët që konkurojnë për marrjen e pushtetit. Pra, duhet që njëra palë të jetë më e favorshme për interesat e njerëzve sesa tjetra. Nëse palët janë njësoj apo kanë të njëjtin program, nuk lejohet të mbështet asnjë palë. 
2- Të ketë ndikim pjesmarrja e muslimanëve në votime. Kështu, edhe nëse një palë është më e favorshem sesa tjetra, nuk lejohet pjesmarrja e muslimanëve nëse nuk ka ndikim në rezultat apo në mbrojtjen e interesave të tyre.


Duke marrë parasyshë këto dy kushte, arrijmë të kuptojmë se kjo është një çështje ixhtihadi-je që ka nevojë të shqyrtohet për çdo rast më vete, madje mbase për çdo komunë më vete. 


Së dyti, duke marrë parasyshë sa më lart, nuk është e thënë që muslimanët të marrin pjesë në votime në çdo herë që bëhen votime, pasi mbase nuk plotësohen kushtet, ose mbase dëmtohen interesat e tyre. Lejimi i pjesmarrjes së muslimanëve në votime në mbështetje të një pale jomuslimanësh kundër një tjetre më të keqe është një përjashtim që bëhet veçse kur plotësohen kushtet, sepse, në parim, nuk lejohet që muslimani të mbështesë kafirat për marrjen e qeverisjes. Por ky është një përjashtim që bëhet për rastin kur dihet se qeverisjen domosdo do ta marrë njëra nga palët e kafirëve, e në këtë rast zgjidhet ai që është më i favorshëm, por me kusht që pjesmarrja e muslimanëve në votime të ketë ndikim. 
Ka raste kur edhe pse një palë që garon për marrjen e qeverisjes apo për të hyrë në parlament janë muslimanë apo është më e favorshem për muslimanët, vota në favor të tyre mund të jetë në dëm të interesave të muslimanëve, si përshembull, për shkak se vendet e tyre në parlament janë aq pak saqë, jo vetëm nuk mbrojnë dot interesat e muslimanëve, por kjo nxit partitë e mëdha nga korkurenca për pushtet që t’i nëpërkëmbin dhe më keq interesat e muslimanëve. Siç e sqarova më lart, unë nuk e përkrah kandidimin e muslimanëve për të hyrë në parlament, por edhe nëse dikush nga muslimanët, në kundërshtim me qëndrimin tonë, hedh kandidaturën për post a për deputet, kjo nuk do të thotë se domosdo duhet të mbështetet nga komuniteti i muslimanëve, sepse shqyrtimi objektiv mund të çojë në gjykimin që mbështetja e një partie apo subjekti të tillë, i dëmton më shumë interesat e muslimanëve. Pra, edhe kjo e fundit është objekt shqyrtimi, kështu që s’duhet të trajtohet mbështetja e tyre si çështje që nuk pranon diskutim. 


Së treti, muslimanët duhet të kenë parasyshë se në sistemin demokratik, interesat ndonjëherë mund të mbrohen më mirë duke mos marrë pjesë në zgjedhje ose duke i bojkotuar ato. Kjo mund t’i shtyjë ata që kanë interes për votën e muslimanëve të plotësojnë kërkesat e tyre. Pra, bojkoti ndonjëherë i jep vlerë votës së muslimanit. 


Së katërti, nuk lejohet të hidhet vota në favor të subjekti që plotëson interesin vetjak, por duhet të shihet subjekti që plotëson interesat e muslimanëve në përgjithësi apo që është më i favorshëm për muslimanët. Kështu, nuk i lejohet muslimanit të votojë për iks parti meqë i gjen vend pune apo për të mos e larguar nga puna, por duhet të shohë interesat e muslimanëve në përgjithësi. 


Së pesti, ka muslimanë që i shtyn fanatizmi ose simpatia për partitë dhe liderët e tyre në hedhjen e votos dhe jo interesi i muslimanëve, e kjo pa dyshim është sjellje xhahilije. Fjala vjen, dikush voton për isk parti, sepse i përket një familje të përndjekurish politikisht, një tjetër voton për iks parti, sepse i përket një familje ish-komuniste etj. Kjo sjellje është e ndaluar rreptësisht në Islam. 


Allahu e përmirësoftë gjendjen tonë!


Vel hamdulilahi rabbil aleminë

 

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

 

Must Read