Ibn Tejmije a e lejoi Mevludin?
Disa mashtrues po keqpërdorin fjalët e Ibën Tejmijes për t’i admiruar bidatet dhe fatkeqësisht dikush po mashtrohet. Unë i përktheva fjalët e tij në atë kontekst kur e citojnë ata dhe inshallah ju shërben ky përkthim:
Shejhul Islam Ibën Tejmije, në librin Iktidau Siratil Mustekim, botimi: Darul Asime 1998, vëll: 2, fq: 123-124 thotë:
“…Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, pati shumë hutbe, marrëveshje dhe ndodhi në ditë të ndryshme, sikurse: dita e Bedrit, Hunejnit, Hendekut, Çlirimi i Mekës, Hixhreti, Momenti i hyrjes së parë në Medinë si dhe shumë hutbe ku shpjegonte themelet e kësaj feje. Mirëpo, asnjë nga këto ditë nuk urdhëroi të festohet. Gjëra të atilla bëjnë krishterët ose çifutët, të cilët ditët e rëndësishme i shndërrojnë në festa. Por, festa është sheriat, atë që e ka ligjëruar Allahu ndiqet, përndryshe nuk ka nevojë të shpiket në Fe diçka që nuk është pjesë e saj.
E njëjta vlen edhe për atë që e kanë shpikur disa njerëz duke dashur të barazohen me krishterët në ditëlindjen e Isait, alejhi selam ose duke e dashur dhe madhëruar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem. Ndoshta, Allahu do t’i shpërblejë këta njerëz për dashurinë dhe respektin e shprehur, por jo për bidatet, siç është shpallja e ditëlindjes së Pejgamberit (mevludit), sal-lallahu alejhi ue selem për festë. Edhe pse njerëzit në raport me mevludin janë të ndryshëm, kjo është një vepër që gjeneratat e para nuk e kanë bërë edhe pse kushtet përshtateshin dhe pengesa nuk kishte, po të ishte një vepër e hairit.
Sikur të ishte një vepër e hairit tërësisht apo të kishte peshë, gjeneratat e para do të ishin më meritorë ta bëjnë një vepër të atillë, sepse ata e donin dhe madhëronin Resulullahun më shumë sesa ne dhe për hairin ata kujdeseshin më shumë.
Madhërimi dhe dashuria e plotë ndaj tij manifestohet duke e ndjekur, duke iu bindur, duke pasuar urdhrin e tij, duke ngjall sunetin e tij nga ana e brendshme dhe e jashtme, duke përhapë mësimet e tij dhe duke bërë xhihad për këtë me zemër, me dorë dhe me gjuhë. Kjo është rruga e paraardhësve tanë të parë, muhaxhirin dhe ensarë dhe rruga e atyre që i ndoqën me ihsan.
Shumicën e tyre do ta gjesh të kujdesshëm për të bërë bidate të atilla. Megjithëse kanë nijetin e mirë dhe mundin që bëjnë, për të cilat pritet të shpërblehen, do t’i gjesh të plogët para urdhrit të Resulullahut dhe para porosive që ai ka urdhëruar të veprohen.
Puna e tyre është sikur puna e atyre që zbukurojnë Mus’hafin por nuk e lexojnë, apo e lexojnë por nuk e ndjekin; sikur puna e atyre që zbukurojnë xhamitë dhe nuk falen aty, apo falen vetëm pak; dhe sikur puna e atyre që gjejnë tespi dhe sexhade të zbukuruara. Zbukurimet e këtilla nuk janë të ligjëruara, madje së bashku me të vijnë syefaqësia, mendjemadhësia dhe largimi nga veprat e duhura, gjëra këto që e prishin njeriun. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Saherë që prishet gjendja e një populli, ata i zbukurojnë xhamitë”…
Pyetje për ata keqinterpretuesit dhe shtrembërues
1. Pse e tradhtoni dijen që e keni marrë?
2. Pse i shkurtoni tekstet sipas epshit tuaj, a ju është zbrazur kuleta vallë? Pse nuk i citoni fjalët e dijetarëve nga fillimi deri në fund?
3. Pse mendoni se do të lejohej bidati nëse një dijetar do ta lejonte, qoftë ai edhe Ibën Tejmija, që për fatin e keq tuajin, ai nuk po e lejon por ju po mundoheni të bëni mashtrime?!
Dua:
O Allah bëje të qartë të vërtetën dhe na mundëso ta ndjekim dhe bëje të qartë të pavërtetën dhe na mundësi ta braktisim.
Amin
Omer Berisha – www.albislam.com