Letër tregtarit


Letër tregtarit

 

Sigurimi i jetës dhe fitimi i mjeteve për jetesën është një nga gjërat më të rëndësishme në të cilën na nxit feja jonë e pastër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim” (Nebe`ë, 11). Gjithashtu, thotë: “Ai (Allahu) e diti se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar begatit e Allahut dhe të tjerë që do të luftojnë në rrugën e Allahut”(Muzemil 20)

Tregtia është një nga profesionet më të hershme të njeriut, një nga mjetet për të siguruar jetesën. Në Islam, tregtia shihet si forma më e mirë e fitimit; dijetarët Islamë nënvijëzojnë se është rruga kryesore në sigurimin e të ardhurave.

Nga ana tjetër, Islami është fe e drejtësisë, mëshirës, tolerancës, çiltërsisë, besnikërisë, këshillimit, nderit, veçori këto që te myslimani nuk vërehen përpos se gjatë punës dhe raporteve me të tjerët.

Kështu që, te myslimani, nëse një raport pune me njerëzit shpaloset me arrogancë, padrejtësi, gënjeshtra, tradhti, ligësi, dhe zili, atëherë ai gjendet larg çdo forme të Islamit. Një njeri i këtillë është mëkatar, ngrënës i pasurisë së të tjerëve pa të drejtë dhe, si i tillë, është i zhytur kokë e këmbë në mëkate. Sa herë që në marrëdhëniet tregtare sundon shpirti Islam, përhapet dashuria, vëllazëria, bashkëpunimi mes tyre dhe mëshira e Allahut i kaplon, prej nga edhe vjen begatia nëpër shtëpitë e tyre dhe ata do të jetojnë në qetësi, paqe dhe siguri.

Prandaj, tregtarët është e domosdoshme të kenë parasysh dispozitat dhe këshillat të cilave duhet t’u përmbahen gjatë marrëdhënieve me njerëzit, pastaj të njihen edhe me gjërat e ndaluara, nga të cilat duhet të largohen, duke shpalosur kësisoj gjatë punës së tyre moralin e lartë Islam.  

Në këtë shkrim jemi munduar të parashtrojmë sa më përmbledhtas disa nga rregullat më të rëndësishme që tregtari mysliman duhet të ketë parasysh gjatë punës së tij. Gjithashtu, kemi përmendur edhe ndalesat më të përhapura në të cilat bien shpeshherë syresh, ndoshta edhe pavetëdije. Jemi munduar t’i cekim në formë të përgjithësuar, duke iu larguar zgjerimit, lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë nga ata që e kuptojnë të saktën dhe kapen për të dhe kuptojnë të kotën dhe largohen nga ajo.

 

1. Ruajtja e nderit:

Gjatë tregtisë, besimtari mysliman duhet të synojë nderimin dhe respektimin e vetvetes; nëpërmjet pasurisë së fituar duhet të përmbushë urdhrat e Allahut, të mbrojë fëmijët dhe familjen nga nevoja dhe lëmosha. Muhamedi (salAllahu alejhi ve selem) thotë: “Që ndonjëri prej jush ta marrë litarin dhe të mbledhë dru dhe t’i vejë në shpinë, është më mirë për të sesa të shkojë te dikush që Allahu i ka dhënë pasuri dhe të kërkojë lëmosh nga ai, i dha ai apo jo” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

 

2. Tregtari i sinqertë:

Sinqeriteti është kulmi i vlerave të larta dhe themeli i çdo raporti të mirëfilltë njerëzor, çka te tregtarët dhe shitësit është shpeshherë e vështirë ta qokësh. Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) thotë: “Tregtari i sinqertë dhe besnik do të jetë në xhenet, nën shoqërinë e pejgamberëve, sidikinëve (të sinqertit) dhe shehidëve” (shënon Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë).

Është vërtet e vështirë, që gjatë raportit me njerëzit, tregtari të tregohet i sinqertë, andaj edhe Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) premtoi se fundi i tregtarit të sinqertë është i lavdëruar, dhe rezultati i tij është ai që do të shpresonte çdonjëri.

Sinqeriteti, përveç shpërblimit që sjell në botën tjetër, ka dobi të shumta edhe për këtë botë. I Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) premtoi reflektim të begatisë në tregtinë që bëhet me sinqeritet. Ai ka thënë: “Nëse ata dy (shitësi dhe blerësi) janë të sinqertë dhe ia sqarojnë të gjitha njëri-tjetrit, në tregtinë e tyre do të ketë bereqet, ndërkohë që, nëse gënjejnë dhe fshehin diçka (ndonjë mangësi, apo diçka tjetër), do të largohet bereqeti nga tregtia e tyre” (shënon Buhariu dhe Muslimi).

 

3. Përmbajtja e dispozitave Islame:

Përmbajtja e dispozitave të Islamit gjatë tregtisë, duke filluar nga ato më të qartat dhe të rëndësishmet, duhet të jenë objektiva e çdo besimtari të sinqertë. Besimtari duhet, gjithashtu, të largohet nga llojet e shitblerjeve të ndaluara, si shitja e asaj çfarë është vlerësuar si haram (alkooli etj), dhe të përmbushë kushtet e shitblerjes, kështu që tregtia e kryer do të jetë e saktë.

 

4. Largimi nga haramet:

Gjatë punës, nga dëshira e madhe për të nxjerrë sa më tepër fitime, tregtari mund të haset me harame të ndryshme, si kamata, mashtrimi (hileja), tradhtia, gënjeshtra, padrejtësia etj. Sakaq, edhe dhënia e tepruar pas pasurisë e bën të jetë mospërfillës ndaj zbatimit të urdhrave të Allahut të Lartësuar dhe t’i anashkalojë ato.

 

5. Mospërdorimi kamatës

Gjëja më e rrezikshme, ndaj të cilës njerëzit nuk tregojnë kujdes, sidomos tregtarët, është ngatërrimi i kamatës me vjeljen e fajdesë (interesit) që ofrojnë bankat. Në Islam, puna me kamatë është rreptësishtë e ndaluar, dhe ky mëkat konsiderohet nga më të rëndit, për të cilin Allahu i Lartësuar pohon se njeriu që punon me kamatë i ka shpallur luftë Atij. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë, atëherë dijeni se i keni shpallur luftë Allahut  dhe të Dërguarit të Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj askënd nuk dëmtoni e as vetë nuk dëmtoheni” (Bekare, 278-279)

 

6. Betimi i shpeshtë:

Gjatë shitblerjes, tregtari duhet t’i largohet betimit në Allah, i shtyrë nga qëllimi i bindjes së blerësit për kualitetin e mirë të mallit apo për ta shitur me çmim më të lartë mallin. Kjo për shkak se betimi pa nevojë është i papranueshëm dhe bërja shprehi e tij sjell dëme të sigurta si nga aspekti, i fesë ashtu edhe nga aspekti i kësaj bote. Nga dëmet më të njohura dhe më të sigurta për të gjithë është se betimi pa nevojë dëmton reputacionin dhe humbet besimin te myshterinjtë, andaj Profeti (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) thotë:“Betimi e shter mallin dhe e asgjëson fitimin” (shënon Ahmedi). Gjithashtu thotë: “Keni kujdes në betimin e shpeshtë gjatë shitjes, për shkak se ai e shter tregtinë, pastaj e çrrënjos fitimin” (shënon Muslimi).

Ndërsa, sa i përket pasojave në botën tjetër, Muhamedi (salAllahu alejhi ve selem) na tregon se nga tre grupet e njerëzve që Allahu i Lartësuar nuk i shikon ditën e gjykimit është: “Njeriu i cili e bënë Allahun si mall të tij, nuk blenë gjë vetëm se me betimin në Të dhe nuk shet gjë vetë se me betimin në Të” (shënon Bejhekiu)

 

7. Ngrënia në peshore:

Fjala është për tregtarin, që gjatë shitjes së mallit t’i largohet ngrënies në peshore gjatë matjes apo pakësimit të sasisë gjatë numërimit. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar këtë dhe u tërhoq vërejtjen me kërcënim atyre që veprojnë kësisoj në ajetet kuranore: “Të mjerët ata që peshojnë! Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, e kur u matin ose u peshojnë të tjerëve, u lënë mangët.” (Mutafifin, 1-3).

 

8. Largimi i tradhtisë dhe mashtrimit (gënjeshtrës):

Tradhtia dhe mashtrimi janë dukuri mjaft të rrezikshme në shoqëri. Te shumë njerëz, këto vese janë bërë element i dukshëm gjatë marrëdhënieve ndërnjerëzore, madje, disa i rendisin këto edhe si aftësi mjaft të çmuara, që duhen njohur dhe lëvruar mirë, nëse dëshirojmë përparim dhe avancim në punën që e bëjnë. Për shumë tregtarë, këto vese shihen si shkathtësi dhe mjeshtëri që luajnë rol të rëndësishëm gjatë tregtisë. Fatkeqësisht, shumë nga ata besojnë se pa tradhti, ose së paku pa gënjeshtër, është e pamundur të fitohet, mend si mashtrimi dhe gënjeshtra të jenë bërë pjesë të këtij profesioni! Prandaj, te njerëzit është e përhapur bindja se personi më i pabesueshëm në shoqëri është tregtari. Sakaq, ne e dimë tashmë se Muhamedi (salAllahu alejhi ue selem) ka qenë tregtar dhe e ka lavdëruar këtë punë, pastaj, shumë nga shokët e tij si Ebu Bekri, Uthmani etj., kanë qenë tregtarë të njohur. Por, të gjithë këta në punën e tyre kurrë nuk e kanë përdorur mashtrimin dhe gënjeshtrën për të nxjerrë fitime të padrejta.

Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Në një rast, ndërsa Muhamedi (salAllahu alejhi ue selem) ishte në treg, kaloi afër një togu (grumbulli) ushqimesh (që ishte për shitje), kur e futi dorën në të, atij iu njomën gishtat (nga lagështira). Ai tha: ‘O pronar i ushqimit, çfarë është kjo?’ Pronari tha: ‘O i Dërguar i Allahut, e ka zënë shiu (ushqimin)’ Ai i thotë: ‘Po t’i kishe vënë (të njomat) mbi ushqim që ta shohin njerëzit.’ Pastaj tha: “Nuk është prej nesh ai që na tradhton.” (shënon Muslimi dhe Tirmidhiu).

 

9. Përshkrimi i drejt i mallit që i ofrohet blerësit, apo gjatë reklamimit:

Nga hadithi i fundit i përmendur, kuptohet mjaft qartë se nga çfarë kriteresh duhet të nisemi, nëse dëshirojmë të bëjmë marketing rreth mallit që e kemi në shitje. Mënjanimi i hipokrizisë dhe gënjeshtrës është thelbësor në këtë, çka vërtetohet me pjesën e fundit të hadithit: “Nuk është prej nesh ai që na tradhton.”

Por, kjo nuk nënkupton aspak se, nëse ka ndonjë mall që nuk është cilësor ose ka ndonjë defekt, njeriu mos ta nxjerrë në shitje, apo se është i ndaluar të shitet. Shitësi ka të drejtë t’i shesë të gjitha llojet e mallrave edhe nëse kanë ndonjë defekt, por në këtë rast ai duhet ta ketë parasysh që ta informojë blerësin për të metat e mallit. Po ashtu, gjatë vënies së çmimit, ai duhet ta caktojë duke marrë parasysh edhe defektin e mallit. Në hadithin e lartpërmendur, Muhamedi (salAllahu alejhi ue selem) e porositi tregtarin që kishte venë drithërat e dëmtuara nga shiu poshtë, që t’i vërë të njomat përmbi, t’i shohin njerëzit dhe kush dëshiron ta blejë, të kuptojë se çfarë lloj ushqimi është duke iu ofruar.

 

10.    Të tregojë bujari dhe mirësjellje me myshterinjtë:

Kjo shpaloset duke bërë lëshime në çmim gjatë pazarit, gjithashtu edhe shtimi i sasisë gjatë matjes, pasi që në këtë ka bereqet dhe mirësi. Shtimi i sasisë gjatë matjes nuk humbet dhe konsiderohet sadaka ndaj blerësit. Gjithashtu, kjo është formë e mbjelljes së mëshirës, dashurisë dhe ndjenjave të mira. Pastaj, kjo forcon edhe kredibilitetin e tregtarit dhe reputacionin e tij, kështu që ky tregtar do të fitojë myshterinj të rregullt, që nuk do ta tejkalojnë atë gjatë blerjes së nevojave të tyre. Muhamedi (salAllahu alejhi ve selem) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë robin që është bujar kur shet, bujar kur blen dhe bujar kur gjykon” (shënon Buhariu), që do të thotë se është fisnik dhe zemërgjerë, e jo cikërrimtar për çdo gjë.

Kurse për mirësjelljen transmetohet se Muhamedi (salAllahau alejhi ve selem) pa një grup njerëzish duke tregtuar dhe u tha: “O tregtarë!” Ata iu përgjigjën thirrjes së Muhamedit (salAllahu alejhi ve selem) duke i ngritur kokat dhe sytë nga ai. Ai u tha: “Vërtet tregtarët do të ringjallen ditën e gjykimit mëkatarë, përveç atyre që patën frikë (Allahun) ishin bamirës (të mirësjellshëm) dhe të sinqertë”(shënon Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë)

 

11.    E drejta e zgjedhjes (hijarit):

Transmetohet nga Hakim b. Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:“Të dy, shitësi dhe blerësi, kanë të drejtën e zgjedhjes përpara se të ndahen (gjatë tregtimit). Nëse ata dy janë të sinqertë dhe i sqarojnë të gjitha njëri-tjetrit, në tregtinë e tyre do të ketë bereqet, nëse gënjejnë dhe fshehin diçka (ndonjë mangësi, apo diçka tjetër), do të largohet bereqeti nga tregtia e tyre” (shënon Buhariu dhe Muslimi).

Edhe shitësi edhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes dhe mendje-kthimit (për tregtinë që kanë bërë) derisa janë ende në të njëjtin tubim. Kjo është kështu për shkak se gjatë shitblerjes ndërmjet palëve, nganjëherë ndodh që të bëhet tregtia pa menduar mirë dhe me nxitim, prandaj është e mundur që ndonjëri nga ata dy të pendohet për atë tregti. Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) i dha afat secilit si shans të mendojë mirë për tregtinë që bën dhe të zgjedhë derisa mos të ndahen (shitësi dhe blerësi). E kur të ndahen, atëherë asnjëri nuk ka të drejtë ta prishë atë tregti, përveç rastit kur ndonjëri nga këta dy kushtëzon që t’i japë të drejtën të mendojë një kohë dhe, nëse brenda asaj kohe pendohet, të kthehet.

 

12.    Dhënia e sadakasë:

Çdo njeri, gjatë marrëdhënieve me të tjerët apo gjatë punës që kryen, gabon dhe mund të mëkatojë, madje, shumë herë edhe pa e kuptuar. Kurse te tregtarët shansi për mëkat është shumë më i madh dhe më i mundshëm. Sadakaja (lëmosha) ndaj të varfërve dhe nevojtarëve është mënyra më mirë për ta pastruar veten nga këto mëkate, e për të pastruar gjithashtu edhe pasurinë e fituar. Muhamedi (salAllahu alejhi ve selem) thotë: “O tregtarë! Shitblerjes suaj i shfaqen dhe i  shoqërohen shumë kotësi (fjalë të kota të panevojshme) dhe gënjeshtra, prandaj gërshetojeni atë (tregtinë) edhe me dhënien e sadakasë” (shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu)

 

13. Largimi nga monopoli:

Monopoli (ose ihtikari) është në ato raste kur tregtari tërheq nga tregu mallin ushqimor që është i nevojshëm dhe i kërkuar për njerëzit (ka mungesë në kohën e krizës), ose e blen të tërin nga tregu që ta fshehë, me qëllim të ngritjes së vlerës së çmimit dhe më pastaj ta nxjerrë ne treg dhe ta shesë më shtrenjtë. Me fjalë tjera, monopolizimi i artikujve ushqimorë në kohën e skamjes dhe mbizotërimi i rritjes së çmimit nga ana e tregtarëve, atëherë kur njerëzit ndiejnë krizë për gjërat elementare të jetesës, është i ndaluar. Dispozitat rreth kësaj janë të sqaruara gjerësisht në librat përkatëse dhe nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë, do të përmendim vetëm hadithin në të cilin Muhamedi (salAllahu alejhi ve selem) thotë: “Vetëm mëkatari monopolizon mallin”(shënon Muslimi).

 

14. Dhënia e tepruar pas pasurisë:

Njeriu që jepet pas fitimeve dhe derdh mundin në këtë duhet ta kuptojë se rizku (furnizimi) vjen vetëm nga Allahu i Lartësuar. Prandaj të ketë kujdes në këtë dhe të mbështetet tek Ai që ka në dorë furnizimin, e Ai është Allahu i Lartësuar dhe të mos jepet vetëm pas sebepeve që e dërgojnë nga fitimet, duke harruar Krijuesin e këtyre sebepeve.

Fatkeqësisht, nëpër tregje është përhapur padituria dhe njerëzit nxitojnë vetëm pas gjësendeve dhe pasurisë. Shumë nga njerëzit mendojnë se i tërë fitimi është i lidhur vetëm pas aftësive, njohurive, mendjemprehtësisë dhe gjuhës së rrjedhshme të tregtarit; tek ata çdo gjë mbështetet në llogari dhe statistika, që i bëjnë vazhdimisht. Kështu që i kanë lënë anash mbështetjen tek Allahu i Lartësuar dhe përmbajtjen e normave Islame.

Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) thotë: “O njerëz kini frikë Allahun dhe bëhuni të mirë në kërkimin e pasurisë, vërtet nuk ka njeri që do të vdesë pa e marrë hisen e tij të rizkut, kështu që, nëse i ngadalësohet atij (rrizku), atëherë le të ketë frikë dhe le ta kërkojë atë mirë (me rrugë të lejuara, pa teprim), merreni atë që keni hallall dhe lini atë që është haram” (shënon Ibën Maxhe dhe Hakimi e cilëson të saktë)

 

15. Largimi nga gjërat e dyshimta:

Këtu është fjala për largimin nga punët apo tregtia që nuk është e sigurt se janë të pastra nga haramet dhe ndalesat. Këtu hyjnë edhe punët që njeriu i kryen fshehurazi dhe nuk do që të tjerët ta shohin. Profeti (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) thotë: “Hallalli dhe harami janë të qartë. Ndërmjet tyre gjenden gjëra të dyshimta, të cilat nuk dihen nga shumica e njerëzve. Kush largohet nga gjërat e dyshimta, e ka ruajtur nderin dhe fenë e tij. Ndërsa, kush kryen gjëra të dyshimta, është futur në zonën e haramit…” (shënon Buhariu dhe Muslimi)  

 

 

Përgatiti: Alaudin Abazi

Burimi: http://www.albislam.com – Faqja e parë Islame në gjuhën shqipe

http://www.islamifejaevertete.com

 

Referencat:

– “Fikhul Muamelat el-Malije el-Muasire el Mukarin”, dr. Alaudin Za`teri.

– “El-Muamelat el-Malije el-Muasire”, prof. dr. Vehbe Zuhejli

– “Et-Taxhiru Mu`min”, Abdulkerim El-Omeri 

 

Must Read