MAGJIA
(realiteti i saj, gjykimi rreth saj dhe shkaqet e përhapjes së këtij fenomeni)
Ashtu sikurse bëhet e qartë edhe nga titulli në këtë shkrim do të flasim shkurtimisht për një sëmundje të vjetër të mbarë popujve, do të trajtojmë këtu gjurmët dhe pasojat e këqija që lë ajo, ku një ndër këto pasoja të hidhura është se me të janë akuzuar profetët e Zotit, ndërkohë që ata kanë qenë shumë larg prej saj: “Kështu, sa herë që një i dërguar vinte te popujt para tyre (mekasve), ata thoshin: “Është magjistar” ose “Është i çmendur!”[1]
Jobesimtarët e bënin këtë për shkak se donin të përgënjeshtronin dhe të largonin njerëzit prej tyre. Por ajo që duam të themi këtu është fakti, se magjia është bërë një ndër problemet e kohës së sotme. Në kohën e përparimit të madh teknologjik, për habi edhe magjia është përhapur në mënyrë edhe më të frikshme. Magjia dhe falli kryhen thuajse në çdo vend, e ndoshta janë ndërtuar për mësimin e tyre universitete dhe institute, apo organizohen për to simpoziume dhe konferenca, ndaj dhe këtu le të qëndrojmë pak dhe me të drejtë të shtrojmë disa pyetje:
Ç’është magjia? A është ajo realitet? Cili është ndëshkimi i magjisë? Cili është shkaku i përhapjes së magjisë në këto përmasa? Cili është gjykimi i shkuarjes tek magjistarët dhe fallxhorët? Cili është ndëshkimi për ata që shkojnë në këto vende? Dhe cilat janë rrugët e mbrojtjes dhe shpëtimit prej magjisë?
Magjia në aspektin gjuhësor përkufizohet: Çdo gjë shkaqet e së cilës janë të fshehta, të ëmbla e të imëta.[2] Ndërsa në aspektin fetar përkufizohet ashtu sikurse na e ka thënë imam Ibën Kudame: “Nyja dhe fjalë, të cilat fliten apo shkruhen, ose veprimi i diçkaje, e cila ndikon në trupin e të sëmurit (magjepsurit), zemrën apo në logjikën e tij duke mos e prekur atë”.[3]
Magjia është e llojeve të ndryshme dhe ka mënyra të shumta, ndaj dhe në lidhje me këtë Muhamed Emin Shenkiti ka thënë: “Dije se magjia nuk mund të përkufizohet në një mënyrë të saktë për nga lloji i saj dhe kjo për shkak të shumëllojshmërisë së llojeve dhe mënyrave të saj”. Nga llojet e magjisë është edhe magjia e largimit dhe e dëshirës,[4]magjia e largimit është ai veprim nëpërmjet të cilit njeriu bëhet që të urrejë ato gjëra që ai i do, si largimi dhe humbja e dashurisë ndaj bashkëshortes, ku në të njëjtën kohë fillon dhe e urren atë. Ndërsa magjia e dëshirës është aktivizimi dhe nxitja e dashurisë ndaj gjërave që mund të kenë qenë të urryera tek njeriu (edhe kjo kryhet për bashkëshortët), dhe sigurisht që kjo realizohet nëpërmjet rrugëve djallëzore[5].
Në realitet magjia është e ndaluar në të gjitha shpalljet qiellore, dhe ajo është një nga veprimet, e cila e nxjerr njeriun nga Islami (e prish dhe e shkatërron Islamin e dikujt), ndaj dhe Muhamed ibën Sulejman Temimi –Allahu e mëshiroftë-, ka thënë: “Kushdo që e kryen atë apo është i kënaqur me të ka mohuar (ka bërë kufër). Argument për këtë është fjala e Allahut, i Cili thotë: “Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, prandaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!”[6] Kurani Madhështor, hadithet e Profetit dhe thëniet e dijetarëve kanë treguar se magjia është një realitet, e si të mos jetë e tillë ndërkohë që Allahu thotë: “Dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)”.[7] Po ashtu Allahu thotë: “Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë…”.[8] Ndërsa kur tregon për profetin Musa alejhi selam thotë: “Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre, se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre. Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete. Ne i thamë: “Mos u frikëso, se në të vërtetë ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet”.[9]
Ndërsa në hadithin që trasmeton Aishja përcillet se Profetit sal-lallahu alejhi ue selem iu bë magji, aq sa i dukej sikur i kryente disa gjëra, ndërkohë që në të vërtetë nuk i kryente.[10] Imam Neveviu –Allahu e mëshiroftë- rreth këtij hadithi ka thënë: “Magjia është reale, këtë mendim e mbron shumica e dijetarëve dhe e mbështesin argumentet e Kuranit dhe Sunetit”.[11]
Rreziku më i madh është për ata të cilët e kryejnë magjinë, për shkak të mohimit dhe shirkut (shokvënies së Allahut) që gjendet në të, si dhe dëmit që u shkaktohet njerëzve prej saj. Dijetari Abdurrahman iën Sadi –Allahu e mëshiroftë ka thënë-: “Magjia hyn në shirk nëpërmjet dy formave: forma e parë, e cila është përdorja e xhinëve dhe e shejtanëve dhe lidhjen pas tyre, duke u afruar tek ata me vepra dhe sjellje që i kënaqin, në mënyrë që këta të fundit t’i shërbejnë dhe t’i përgjigjen për nevojat e tyre. Ndërsa forma e dytë e shirkut në të është pretendimi i dijes së fshehtë, si dhe pretendimi duke iu shoqëruar Allahut në dijen e Tij dhe ndjekja më pas e rrugëve që të çojnë tek ajo, edhe pse janë mohim e shirk”.
Pra, askush nuk mund ta kryejë magjinë; përveçse pasi të mohojë Allahun dhe të bashkëpunojë me xhinët. Kështu që nuk është magjistari ai i cili shkakton ndikimin e saj te njerëzit, por janë xhinët dhe shejtanët, të cilët nuk i kryejnë këto veprime veçse pasi magjistari t’i ketë drejtuar disa adhurime, si: therjen e kurbanit, shprehjen e fjalëve apo kryerjen e veprave të cilat janë shirk, mohim e dalje nga feja. Ndaj dhe si shkak i kësaj paralajmërimi i Profetit sal-lallahu alejhi ue selem rreth magjisë ka qenë i fortë dhe i prerë, por në të njëjtën kohë edhe gjykimi rreth magjistarëve ka ardhur i rreptë dhe i drejtë.
Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Largojuni shtatë gjërave shkatërruese,[12]…dhe përmendi prej tyremagjinë”. Ndërsa në një hadith tjetër ka thënë: “Nuk është prej nesh ai i cili hedh fall apo kërkon t’i hidhet fall. Nuk është prej nesh ai i cili bën magji apo që kërkon t’i bëhet magji, kush shkon tek fallxhori dhe i beson ato që thotë, ai ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit.”[13] Për sa i përket gjykimit të magjistarit, Shejhul Islam ibën Tejmije ka thënë: “Shumica e dijetarëve janë të mendimit, se magjistarët konsiderohen jobesimtarë dhe është detyrë ekzekutimi i tyre”.[14] Në fakt sikur ka thënë edhe Imam Ibën Kudame: “Ky gjykim për magjistarët vjen, sepse ata dëmtojnë njerëzit, mbjellin urrejtje, zënka dhe frikë mes njerëzve. Shkatërrojnë familjen dhe harmoninë e saj, presin dashurinë dhe prehjen nga të dashurit (bashkëshortët)”. Por këtu shtrohet me të drejtë pyetja: Përse është e përhapur magjia dhe magjistarët në vendet e muslimanëve? Përgjigja ndaj kësaj pyetje patjetër që ka nevojë të përqendrohet në disa pika:
1. Dobësimi i besimit në zemrat e njerëzve, apo humbja e tij. Kjo vjen sepse besimi është shtylla kryesore dhe mburoja më e madhe nga sprovat dhe të këqijat e magjisë: “Allahu ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij”.[15] Ndërsa në një hadith ka ardhur: “Vërtet besimi tretet në zemrat tuaja, ashtu sikurse tretet rroba, ndaj luteni Allahun t’jua ripërtërijë besimin në zemra”.[16]
2. Naiviteti që tregojnë shumë njerëz, si dhe mosnjohja e realitetit të magjistarëve; shkojnë tek ata dhe kërkojnë ilaç, ndërkohë që ata nuk posedojnë veçse atë, e cila i dëmton dhe i shkatërron njerëzit. Madje tek ata gjen veçse hamendje, murmurima, shkrime (shkarravina) e simbole, të cilat i shesin me çmime shumë të mëdha, ndërkohë që ato nuk vlejnë as edhe një qindarkë tek njerëzit me mendje të shëndoshë! Madje nëse do të gjurmosh mënyrën e të jetuarit dhe sjelljet e këtyre njerëzve do të dalësh në përfundimin, se ata janë njerëzit që kanë nevojë më shumë se çdo kush tjetër për tu kuruar tek psikiatri.
3. Ashpërsia e jetës materialiste bashkëkohore ua ka ngurtësuar zemrat njerëzve, ka mbyllur shtigjet e bamirësisë tek shumë prej tyre, dhe ka mbjellë në zemrat e tyre egërsinë, stresin dhe depresionin. E gjitha kjo ka bërë që shumë prej tyre, si shkak i humbjes së fetarizmit dhe besimit në Allahun, të mbështeten tek magjistarët dhe fallxhorët, duke menduar se shërimin dhe qetësimin do ta gjejnë tek ata, por këta njerëz nuk po e kuptojnë se po kërkojnë ta shuajnë vapën me zjarr!
4. Propaganda e vazhdueshme që bëhet në shërbim të këtyre njerëzve nga bashkëpunëtorët e tyre njerëz a xhin qofshin, shtoji kësaj edhe mashtrimin e disa njerëzve naivë, të cilët mendojnë se shërimin e kanë gjetur në duart e tyre, e kështu do të gjesh se lajmi hapet si era e njerëzit e thjeshtë e pa besim bien pre’ e këtyre mashtrimeve.
Por ndodh që Allahu ta sprovojë edhe besimtarin me diçka prej saj, për të parë se si do të sillet e si do të veprojë, ndaj ai që preket nga magjia, syri a të ngjashme me to, duhet t’i drejtohet Krijuesit të gjithësisë, Atij që ka në dorë shërimin e që ka thënë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua”.[17] Po ashtu të kurohet me fjalën e Allahut, Kuranin e Madhëruar, sidomos me leximin e ajeteve në të cilat Allahu përmend magjinë dhe përfundimin e keq të magjistarëve. Po ashtu të lexojë ajetin kursi dhe tre suret e fundit të Kuranit në mënyrë të vazhdueshme, sepse këto sure kanë veçori kuruese dhe me suren Felek dhe Nas melaiket kuruan Profetin dhe prishën magjinë, e cila i ishte bërë atij. Po ashtu të qëndrojë i pastër, të kurohet me lutjet profetike, të cilat janë enkas për magjinë. Të bëjë durim dhe të shpresojë shpërblimin e Allahut, si dhe nëse e gjen dhe e zbulon vendin e magjisë, atëherë të këshillohet me njerëz të ditur për shkatërrimin e saj, e nëse nuk mundet, të lexojëajetin kursi dhe tre suret e fundit të Kuranit kur ta zgjidhë, ta fusë në ujë të kënduar e më pas ta djegë e ta shkatërrojë, e me lejen e Allahut do të arrijë shërimin.
Si përfundim e lus Allahun të na ruajë nga e keqja e magjistarëve, të shërojë të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. Amin.